Bardhyl Berberi: Udhëkryqet e shkollave tona të larta
Bardhyl Berberi
Arsimi në përgjithësi dhe ai universitar në veçanti, është një çështje shumë serioze, që këto vitet e demokracisë po vuan së tepërmi sa nga reformat gjysmake që po bëhen në këtë sistem, po aq dhe nga korrupsioni që shfaqet në formën e një epidemie të përgjithëshme…
Le ta fillojmë me themelimin e universiteteve, në të cilat me vite të tëra nuk është ditur se ku mbahen dhe si mbahen ligjëratat, si paguhen profesorët e deri te kulmi i gjithë kësaj kur dikush vendos ‘të krijohet’ universitet pa profesorë e pa studentë?! Nëpër kioska apo apartamente banimi. A nuk është ky një paradoks. Po ashtu, ç’të themi nga mënyra e pranimit të studentëve, me qëllim që fakultetet të ekzistojnë ekonomikisht, pra të kenë numra studentësh pa asnjë kriter cilësie?!
Po e them me gjysmë-zëri se nuk dua ta prek temën se a ekziston apo jo ryshfeti, por e them me plot bindje se kemi profesorë të profesionalizuar që kanë tema të gatshme për kandidatët për magjistraturë dhe doktoratë. Nga shkollat tona universitetare sot mund të gjeni doktorë shkencash që nuk njeh asnjë program kompjuteri dhe nuk nis dot një email, një shofer taksie bëhet drejtor shkolle apo një teknik ndërtimi bëhet shef i burimeve njerëzore në shëndetësi. A nuk është kjo një lloj anomalie skandaloze?
Problemi i shkollave të larta gjithsesi është një çështje e ndërlikuar, për ne shqiptarët. Roli themelor i universitetit është që t’u mundësojë studentëve të mësojnë nga trashëgimia kulturore dhe traditat e vendit të tyre, e cila i ndihmon të kuptojnë aftësitë intelektuale të tyre dhe modelimin e problemeve shoqërore dhe zgjidhjen e tyre… për të ndjekur zhvillimin dinamik që pëson shoqëria.
Të gjitha universitetet shqiptare trashëgojnë nga rrethanat e kohës në të cilën janë krijuar një sërë problemesh. Nuk duhet harruar fakti se koha e pranisë sundimit të ideologjisë komuniste ka ikur por ajo ka lënë gjurmë, por ato në kohën e këtyre viteve demokraci shkollat në Shqipëri kanë pasur shumë oshilacione. Vërtet nuk ka shkolla idologjinë komunsite në bosht, por kanë lindur problem të tjera duke filluar që nga kuadri që zgjidhet për të dhënë mësim nëpër universitete. Anglezët kanë një shprehje ‘mësuesi dhe doktori i ardhshëm përzgjidhet që në ciklin e ulët’.
Nuk mund të japin mësim në universitet alabakë dhe perversë… Ka disa universitete private që i trajtojnë studentët si klientë e jo si studentë. Një pjesë prej tyre janë kthyer si shkollat e partisë qëmoti që kalojnë të gjithë. Edhe nëse mund të ngelin dikë në sezonin e parë ndonjë student që e ka bërë baltë në sezonin e vjeshtës ai kalohet se pronarit të universitetit i duhen ato 2500 apo 3000 euro që i vjel studentit.
Po flisja një ditë me një pronar të një universiteti privat.
-Ore por çfarë bëni, po nxirrni sallata prej vjeshte, X person që ju e kaluat ai me një tesër partie është bërë deputet dhe nuk di të lidhi dy fjalë e shikon se cfarë spektakli portokallie dha në parlament. Miku im i skuq dhe më pas më tha:
-Shiko, shkolla e lartë është si puna e asaj furrës ku futen shumë bukë për t`u pjekur… Ca piqen, ca digjen dhe një pjesë ngelin të papjekura… Më pas ata të zotët do të ecin, ndërsa ata të papjekurit dhe të djegurit do ta mbajnë diplomën në kornizë. E pra kjo është e keqja se këta të fundit jo vetëm që nuk ju ngelet diploma në korrnizë por ata zenë poste të larta… E kjo është punë tjetër këtë nuk di ta spiegoj unë, më thotë pronari.
Si spiegohet që shumë profesoër universiteti kanë rreth vetes sekserë, ata që i mbajnë afër dhe bëjnë tenderin student-pedagog. T’iu sjell një fakt domethënës, ka qindra pallate dhe dhjetra vila të blera nga profesorë universiteti në bregun e liqenit në Pogradec… Më tha një ndërtues se në pallatin që sapo kam ngritur nga 30 hyrje 20 janë profesorë universiteti nga Tirana, Elbasani, Korça… Me çfarë i blenë këto shtëpi të dyta këta profesorë dhe doktorë kur mesatarish njëra prej tyre kushton 50 deri në 60 mijë euro përvec kompletimit. Vetura të shtrenjta dhe aksesorë të tjerë luksi si skafe etj. Profesorë universitet që kanë blerë shtëpi në Pogradec janë me qindra po në Vlorë e Durrës!
E gjithë kjo bëhet në kurriz të atyre prindërve të varfër që kanë fëmijët student, të cilët marrin kredi për të blerë provimet e fëmijve të tyre nga këta ‘vampirë’ nëpër shkollat e larta. Nuk dua të fut të gjithë në këtë thes, por pjesa dërrmuese e bën baltë me dallavere dhe korrupsion…
Përvoja universitare në Evropë tregon se dukuri e përgjithshme në shekullin e njëzet ishte shtimi i numrit të nxënësve dhe studentëve në të gjitha nivelet. Arsimimi i nivelit të dytë – shkollat e mesme dhe kolegjet – bëhet i përgjithshëm. Forcohet vetëdija për rëndësinë e arsimimit të lartë. U ngritën dhe protestuan studentët për tetë kërkesat e tyre, po çfarë u bë, u ngritën probleme dhe u desh të vijë një minister arsimi prej Kosove t`i shtojë më tepër problemet e arsimit.
Vështirësia kryesore është fakti që askush nuk mund të dijë se si do të jetë ardhmëria, për të cilën njerëzit duhet të përgatiten; është e sigurt se do të jetë thelbësisht e ndryshme nga ajo që e kemi sot. Ndryshimet do të përshpejtohen. Prandaj përshtatja me zhvillimin që do të pësojë shoqëria në fakt, është kërkesa më kryesore që vendos të ardhmen e një shoqërie.
Universitetet tona do të vazhdojnë të ballafaqohen me këto dhe me shumë sfida të tjera derisa të mos kthehet respekti ndaj intelektualit, të mos cenohen siguria dhe dinjiteti i tij, të suksesshmit të jenë në piedestal atje ku e meritojnë, ndërsa delenxhinjve t’iu tregohet vendi. Grada e diturisë është ndër gradat më të larta që duhet të kenë këta profesorët e nderuar që kanë fatin e shoqërisë së ardhme që ne duam të ndërtojmë ashtu si në Europë ku dëshirojmë që të shkojmë…