Dr. Astrit GJUNKSHI: INSTITUCIONI I SFIDUAR I PATRIOTIZMIT
Dr. Astrit GJUNKSHI
Shumica e shqiptarëve ndjehen krenar për atdheun, sepse ai përfaqëson themelin e identitetit të tyre. Ndjehen krenar për historinë, për gjuhën, për genin e vyer të shqiptarit me vlerat e tij mendore dhe fizike aq të vlerësuara, për kulturën, për traditat dhe zakonet kombëtare shqiptare, për bukuritë e natyrës dhe për bekimin që i është dhënë me pasuri të shumta të mbitokës e të nëntokës. Kjo krenari shoqërohet me përmallje të skajshme nga ata shqiptarë që kanë qenë të detyruar për të emigruar nëpër botë, kryesisht për të gjetur një jetë më të mirë, duke shpresuar një atdhe më të zhvilluar. Nga këndvështrimi i krenarisë për atdheun, populli shqiptar është një popull mjaft patriot. Por a mjafton atdhedashuria për t’u konsideruar patriot i vërtetë? Në një farë mënyre, krenaria kombëtare përbën vetëm pjesën e fillimit të spekrit të patriotizmit, po të bëjmë një paralelizëm me spektrin e dritës. Po cilat janë pjesët e tjera të këtij spektri?
Historia shqiptare ka shkruar me shkronja të arta emrat e patriotëve tanë më të mëdhenj të kombit tonë, të pushkës e të penës, që u kanë prirë përpjekjeve të popullit tonë për liri dhe pavarësi, si dhe përpjekjeve për demokraci, për civilizimin dhe zhvillimin e vendit. Ata përbëjnë pjesën më të shdritëshme të spektrit të patriotizmit. Përveç patriotëve që kanë kontribuar në shkallë kombëtare, ka edhe me mijëra patriotë lokalë, që kanë dhënë kontribut të shënuar për lirinë dhe emancipimin e krahinës, të qytetit apo të fshatit të tyre. Ata kanë qenë më të shquarit, por, natyrisht, në përpjekjet e tyre, ata janë mbështetur me mijëra pasues. Në këtë kuptim, duhet konsideruar patriot cilido që ka mbështetur pa rezerva përpjekjet për liri dhe zhvillim, që ka hyrë në histori apo jo. Ata hyjnë, gjithashtu, në pjesën me dritë të spektrit të patriotizmit. Në fund të fundit, patriotizmi është përmbushja e detyrimeve që ka secili ndaj atdheut.
Në anën tjetër, nuk kanë munguar asnjëherë edhe ata që kanë minuar përparimin e atdheut. Këta janë tradhëtarët, që përbëjnë edhe pjesën e errët të spektrit të patriotizmit. Jashtë rrymës së patriotizmit, në pjesën gri të spektrit midis patriotëve dhe tradhëtarëve, mbeten indiferentët, ata të cilët kanë krenari kombëtare, por shohin vetëm interesin e tyre personal, pa u bërë merak për interesat kombëtare. Në fakt, të cilësosh nëse një popull është patriot apo jo, varet shumë nga fakti se sa e madhe është pjesa e ndriçuar e spektrit të patriotizmit. Pjesa gri e indiferentëve dhe pjesa e errët e spektrit, e atyre që pengojnë përparimin e atdheut, me apo pa dashje, janë kundërshtarë të patriotizmit.
Spektri i patriotizmit në kombin shqiptar ka qenë gjithnjë më i ndritshëm në periudhat e luftrave për liri e pavarësi, si dhe në momente të kthesave të mëdha, siç ishte përmbysja e diktaturës komuniste dhe triumfi i demokracisë në vendin tonë, apo lufta e UÇK-së për çlirimin e Kosovës. Megjithatë, drita nuk ka munguar kurrë në spektrin e patriotizmit shqiptar. Atij i kanë dhënë dritë dje, dhe vijojnë t’i japin dritë edhe sot, të gjithë atë shqiptërë që, përtej krenarisë kombëtare, punojnë çdo ditë me ndershmëri dhe energji për të kryer me ndërgjegje detyrën e tyre, qoftë në sektorin publik apo në atë privat. Çdo përpjekje e tyre shpie përpara punën në sektorët e ndryshëm të zhvillimit të atdheut dhe të kombit, kontribuon në forcimin e institucioneve dhe të shtetit, dhe në përmbushjen e interesave tonë kombëtare. Shquhen midis tyre ata që, përtej detyrës së tyre, për të cilën paguhen, nuk kursehen me dhënien e ideve krijuese dhe në ndërmarrjen e projekteve konkrete që përshpejtojnë ritmet e zhvillimit apo zgjidhin hallet e njerëzve, në shkallë kombëtare, lokale, apo në komunitetet më të vogla.
Dhe, megjithatë, kombi shqiptar, ka aq shumë probleme, dhe jeta e shqiptarit ka aq shumë vështirësi, për të cilat nuk duhet të jemi krenar. Nuk duhet shumë mund për të argumentuar këtë. Mjafton të ndjekësh pak emisione televizive, të cilat paraqesin shqetësimet e mëdha dhe vuajtjet e personave, familjeve, apo komuniteteve të ndryshme në Shqipëri, dhe në trojet shqiptare përgjithësisht. Shikon përditë kronika krimesh nga më të ndryshmet, që nga trafiku i drogës e deri te krimet brenda familjes. Kafet janë të mbushura plot nga të papunët dhe popullsia e atdheut pëson përditë hemoragji nga emigrimi i rinisë. Ndonëse varfëria nuk është e re për shqiptarin, shikon familje, afër dhe larg kryeqytetit, ku ajo është aq e skajshme sepse nuk ka asnjë burim të ardhurash për nevojat bazë, si ushqimi dhe ilaçet. Shikon fermerë të rrënuar, të cilët vuajnë jo nga dembelizmi, por sepse u kalbet prodhimi, për shkak të mungesës së pikave të grumbullimit.
Diku tjetër, sheh fshatra që vuajnë për ujë, sepse uji i pijshëm është i përzier me naftë apo me ujërat e zeza. Konstaton se është rritur numri i sëmundjeve të pashërueshme për shkak të ndotjeve të mjedisit dhe pasigurisë së produkteve ushqimore që konsumojmë. Dikush qan në ekranin e televizorit sepse i kanë tjetërsuar pronën e ligjshme gjyqtarë që janë paguar nga një i fortë, i cili e ka përfituar atë. Familja e një të shtruari që operohet duhet të shqetësohet shumë për suksesin e operacionit, por jo më pak për mundësinë e pagesës së të gjithë zinxhirit të personelit që kryen operacionin dhe të kujdesit pas tij. Një mësues, që ka dalë i pari në testim, lihet i papunë sepse i ka zënë vendin një tjetër pa arsim përkatës, me vendim të një kryetari bashkie; emigrantët tanë paguajnë, për transferimin e parave për në atdhe, trefish më shumë se sa paguhet në vendet e tjera evropiane; e njëjta situatë është me pagesat e larta për trasportin ajror. Ndërkaq, shqiptarët autoktonë në Medvegjë po shfarosen gradualisht nga qeveria serbe dhe nuk gjen asnjë mbështetje konkrete nga qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës, të cilët e kanë për detyrë kushtetuese, etj, etj.
Mund të sillnim shembuj pafund për dukuri të tilla në vendin tonë, të cilat tregojnë se, personat që janë përgjegjës për këtë, institucionet e shtetit, janë jashtë loje. Ata, shpesh, jo vetëm që nuk kryejnë detyrën për të zgjidhur hallet e popullit, por janë vetë ata shkaktarët e kësaj gjendjeje. Nuk dua të nxij gjithçka, sepse ka edhe arritje, por ata janë shumë të pakta dhe humbasin në këtë mal të madh të vuajtjeve dhe padrejtësive. Nuk duhet të ishte kjo Shqipëria e shekullit të 21-të! Disa kanë shpresë se reforma në drejtësi, pastrimi i saj nga korrupsioni, do të ndryshojë situatën. Edhe unë shpresoj, por nuk jam shumë optimist. Natyrisht, funksionimi i ligjit do të ndikojë që personat të jenë më të përgjegjshëm, nga frika e ndëshkimit.
Por, ajo që nevojitet është ndërgjegjësimi i njerëzve që, secili, të kryejë me përgjegjësi detyrën e tij. Duhet të kuptojnë se shoqëria funksionon si një organizëm ku, gjithçka që përbën abuzim në një sektor, ndikon edhe në rritjen e abuzimit në sektorë të tjerë. Një biznes i prodhimit të bukës, që abuzon me standardin, të mos presë standard më të lartë të prodhimit të djathit p.sh. Një fermer që përdor hormone për pjekjen e shpejtë dë domates, të mos ankohet kur të njëjtën gjë ka bërë edhe prodhuesi i mishit që ai blen. Një profesor që i ka kthyer në biznes provimet me studentët, nuk duhet të ankohet kur zyrtari do t’i kërkojë një faturë të majme për një shërbim që i kryen. Prandaj them se, krahas veprimit rigoroz të ligjit, është i nevojshëm ndërgjegjësimi i secilit në përmbushjen e detyrës së tij shtetërore apo private.
Është korrupsioni ai që rrënon shtetin dhe sjell të gjitha ato pasoja të rënda, si ata që përshkruam më sipër. Dhe, rrënimi i shtetit do të thotë dobësim i fuqisë kombëtare, dobësim i atdheut. Pra, logjika të shpie në përfundimin se një i korruptuar minon drejtpërdrejt fuqizimin e atdheut. Pra ai, jo vetëm që nuk është patriot, por është armik i atdheut dhe i demokracisë. Fakti që korrupsioni është kaq shumë i përhapur, do të thotë se ka rënë ndjeshëm edhe numri i patriotëve në vendin tonë.
Nëse duam të ndërtojmë një atdhe ku të jetojmë me standarde më të larta jetese, të cilin njerëzit nuk do të duan ta braktisin, nuk mjafton të kemi atdhedashurinë, që është e nevojshme, por nuk i shtyn punët përpara, pa u shoqëruar me veprime konkrete në dobi të shtetit dhe të atdheut. Duhet të bëhemi vërtet më patriotë duke u bërë më të ndershëm, duke punuar për forcimin e shtetit. Kjo është, së pari, detyrë e institucioneve të shtetit, të cilët duhen forcuar çdo ditë. Problemet e rënda të vendit dhe të kombit kërkojnë angazhimin e përditshëm të institucioneve, që të eliminohen hapa pas hapi, dhe me objektiva të qarta. Por kjo, fatkeqësisht, nuk ndodh, sepse korrupsioni, që dëmton kombin tonë, e ka burimin kryesor tek shteti. Prandaj, një pjesë e rëndësishme e institucioneve të shtetit përbëjnë pjesën më të errët e spektrit të patriotizmit.
Që këtej, rrjedh natyrshëm detyra urgjente që votuesit të veprojnë për të ndikuar në shërimin e gjendjes së institucioneve, që aty të vijnë njerëz të pakorruptuar, patriotë. Kjo duhet të fillojë që nga sensibilizimi për të ndikuar, sa më shumë, në realizimin e një reforme zgjedhore me standarde që garantojnë ndëshkimin me votë të atyre partive dhe të kryetarëve të tyre të cilët, me lista të mbyllura, arrijnë të sjellin në parlament dhe në institucionet e tjera të shtetit njerëz të paaftë dhe pa integritet, të cilët janë shkaktarët kryesorë të prapambetjes e të problemeve. Të sjellësh njerëz të aftë dhe me integritet në institucione, është kushti i parë për të ndryshuar gjendjen. Më shumë patriotë nëpër institucione, do të thotë më shumë dritë në spektrin e patriotizmit dhe më shumë progres në zgjidhjen e shpejtë të problemeve të rënda.
Padyshim, nuk është detyrë e lehtë të përballesh me korrupsionin e madh të partive për të ndryshuar kodin zgjedhor dhe standardet në zgjedhje dhe, për rrjedhojë, nuk është e lehtë të fuqizosh institucionet në këtë gjendje ku jemi katandisur. Prandaj, duhet ndërtuar edhe një strategji tjetër, për të forcuar vetë institucionin e patriotizmit, i cili duhet të zgjerojë dhe pjesën më të ndritëshme të spektrit të tij. Ai është ngushtuar shumë aktualisht, edhe pse mbahet fort nga njerëzit e aftë, të ndershëm dhe patriotë, që kryejnë me përgjegjësi punën e tyre, edhe pse pengohen dhe yshten nga korrupsioni. Madje, nga grupe në shoqërinë civile, ka përpjekje për t’u organizuar përmes projektesh që zgjidhin probleme të ndryshme shoqërore. Këta duhen shtuar e fuqizuar, sepse janë shpresa më e madhe e forcimit të institucionit të patriotizmit, paralel me ndikimin për të forcuar institucionet e shtetit. Sot, është patriot i dobishëm ai që, përtej bërjes së simbolit të shqiponjës me dy duar, ndërmerr një hap konkret që zgjidh një problem të një komuniteti apo të grupeve të caktuara të shoqërisë. Do të ishin patriotë akoma më të mëdhenj, ashtu si patriotët tanë më të shquar të lirisë e të pavarësisë, ata që mund të arrijnë të ndikojnë në ndërmarrjen e relizimin e projekteve që ndikojnë në zgjidhjen e problemeve që gëlojnë në shkallë kombëtare. Për të arritur, mundësisht optimalen: ndriçimin e institucioneve të shtetit me dritën e spektrit të institucionit të patriotizmit.
Tiranë, 02.02.2020
Autori është Doktor i Shkencave për Siguri Globale, Master i Shkencave për Sigurinë nga Universiteti Cranfield i Britanisë së Madhe dhe mban diplomë universitare dhe pasuniversitare në matematikë. Është studjues dhe autor librash, shkrimtar, poet, dhe përkthyes. Ka shërbyer si diplomat – Ministër Këshilltar në Delegacionin e Përhershëm të Shqipërisë në NATO dhe ka kryer detyra të tjera në diplomacinë e mbrojtjes dhe në sektorin e arsimit.