Dr. Vehip Proda: NJË “RASTËSI” E KËNDSHME DHE E DOMOSDOSHME
Jeta është e çuditshme. Ka çaste kur të godet aty ku nuk e pret, mendrisht, fizikisht, socialisht, shpirtrisht, emocionalisht. Unë, sot, jam i goditur, pikërisht emocionalisht, ndonëse i ballafaquar “rastësisht”. Miqtë tanë, Klementina dhe Sokoli (Sinanaj), na ftuan për kafe dhe, ndërkohë, na dhuruan me dedikim për vajzën tonë, Rudina, librin e njeriut të tyre të dashur, poetit Nikolla Dika (vëllai i Klementinës), me titull “Agu i një shprese”.
Pra, na ra në “duar”, pas plot 9 vjetësh, kjo krijesë me një mendim të qartë, filozofi dhe zhdërvjelltësi për çdo lëvdatë. Domethënë, kemi humbur 9 vjet pa e njohur këtë poet origjinal.
Shtyllën kurrizore të kësaj vepre e përbëjnë: aspekti social dhe narracioni meditativ, me një “vuajtje”, për ta latuar çdo fjalë, çdo strofë dhe çdo poezi, punë kjo e ndërgjegjshme dhe e përgjegjshme, që s`e bën dot kushdo.
Nikolla, me këtë vepër me vlera të vërteta dhe të pakontestueshme, na sjell çaste, monologje, dialogje, të jetuara dhe të pa jetuara, të dëgjuara dhe të pa dëgjuara, të thëna e të pathëna, duke formësuar një “Libër Diturie” të jetës së gjallë, gjithnjë me këmbë në tokë. Rrallë poetë, shqiptarë dhe të huaj, më kanë “goditur”, befasuar, sa poeti Nikolla Dika, i cili më “detyroi” t`i shkruaj këta rreshta si artdashës, aspak si kritik.
Nikolla Dika, para se t`i themi Poeti, me këtë libër, na imponohet t`i themi Atdhetari, i përkushtuari, punëtori i rryer, idealisti dhe realisti njëkohësisht, për kombëtaren, shoqëroren dhe politiken, pa u “mbytur me një lugë ujë”, pa u joshur nga “gjindja” për “gjënë”, pa u verbuar e mikluar nga një babëzi e tërë “vlerash” pa vlerë. Ka çaste të “rrebelimit” modern, aq sa të gërvish koren e jetës që lamë pas, me të bërat e të pa bërat; me veprat, bëmat e çbëmat, por pa të shtyrë deri te nostalgjia e sëmurë. Porositë janë modeste, etike dhe estetike: “Po deshe-merre, po deshe-lëre, po deshe-bëje, po deshe-dëgjoje, po deshe-lexoje, po deshe-mësoje, si të ta thotë shpirti dhe mendja, pavarësisht bindjeve të mia”.
Poeti Dika ka nerva të forta, por edhe “tela të hollë”, shpirt sakrifice, por edhe frymë që frymëzon, frikë që drithëron, shpirt që refuzon, qesëndis, pse jo, edhe akuzon.
Kritikët, zakonisht, kur shkruajnë për një libër me poezi, citojnë tituj poezish, vargje të përzgjedhura, duke i analizuar, por jo vetëm kaq. Ata bëjnë përzgjedhje të vargjeve a poezive më të bukura për ta, por që mua s`më pëlqen kjo mënyrë gjykimi e vlerësimi, e, ndoshta, edhe autorëve të veprave nuk do t`u pëlqente akoma më shumë ajo mënyrë trajtimi, analize e vlerësimi. Mua s`më pëlqen një varg, as një strofë, as një poezi, por i tërë libri në kompleks, me gjithanshmërin e mesazheve që më jep. Dhe kjo, sipas meje, është SHUMË!
A doni ta njihni më nga afër, poetin që gjendet larg, në Selanik? Ja, po ua njoh unë, duke u ofruar pa asnjë koment katër vargje të tij:
Më mirë i tradhëtuar
Se sa tradhëtar
Më mirë i helmuar
Se sa gjarpër zvarr.