Albspirit

Media/News/Publishing

Helena Halilaj: Shqipëri he dreq, të du dhe kur je keq!

 

Vendi im, muajt nëpër ty zbresin furishëm, të zhurmshëm. Lajme pa numër që të mbërthejnë gjithmonë në tv, portale dhe dhimbje. Shqipëria ime, e bukura ime plot nur, dritë dhe kaltërsi. Duket sikur të janë versulur retë e qiellorëve politike që të mbulojnë dritën e mbyten në ty për të të shqyer. Edhe qiellin e kanë bërë privat, rrugët i kanë mbushur me gurë që të ecim avash, të mbërrijmë vonë.

Shqipëri he dreq, të du dhe kur je keq! Më mban peng si një dashuri të cilës nuk i largohen as ikjet, as lëndimet, as koha se përmbys. Ti nuk më hiqesh asnjë moment nga këmbët e së ardhmes, sikur po sillesh, nuk po drejtohesh. Je nisur po nuk po ecën sa duhet.

Ti s’po mbërrin si shoqet tua Shqipëri. Je e lashtë, e hijshme dhe nuk fluturon si atëherë. A jetohet sot me dje? A ushqehen mëngjeset vetëm me ëndërra? A mundemi ne të mbarojmë stacionet e pritjes dhe të zbresim, ku duam, ku duhet.

Shqipëri, me dhemb trupi yt që lëngon dhe sytë që nuk të puthen për të fjetur qëte. Më mundon dita jote që luan valle të vështirë, të rëndë dhe me melodi të çoroditur. Më dhëmb kur djemtë dhe vajzat tua largohen nga Ti, por jo nga sytë e tu që i pret gjithnjë, njësoj.

Kush të mallokoj shtatit tënd që ta mbushin përplot këmbë që ikin, taka që të shkelin fort prej injorancës, ca që të pështyjne, ca të përbuzin, ca s’të njohin dhe ca të babëzitur që të brejnë nëntokë e ca të shesin si tokën e babës.

Shqipëri he dreq, te dua dhe kur je keq!

Please follow and like us: