Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: DIMENSIONI TRAGJIK NË POEMËN DRAMATIKE “VIKTIMA”

Image may contain: indoor

Te vepra “Viktima” e Safet Hadroviç Vërbiçkit që në krye dëgjohet tingulli i zymtë i gongut që shoqëron hapjen e perdes së teatrit, tingulli tronditës i tunxhit që parapërgatit hyrjen në botën e tragjikes. Dhe ja, në skenë hyn një lajmëtar që, si në tragjeditë eskiliane, sjell lajme të kobshme. Fshehtaz po thuren plane për shkatërrimin me rrënjë të fqinjëve të afërt, por që janë të tjerë në fe dhe në kulturë, po bëhen përgatitje për asgjësimin fizik të tyre dhe për robërimin e plaçkitjen e çfarë mbetet prej shfarosjes së tjetrit, të atij që nuk është si ne, të atij që për ne është i hujaj. Letrat, mbledhjet e fshehta, vendimet për kobe në njërin kamp pasohen nga ëndërra dhe lajmëtarë paralajmërues kobesh në kampin tjetër. Kjo hyrje me dy topikë të tillë, me lajmëtarin dhe ëndrrën, sikur na çojnë drejt e te akti i parë i tragjedisë “Persët” e Eskilit.
“Viktima” e Safet Hadroviç Vërbiçkit ka dhe tregues të tjerë që të prijnë për nga poetika e tragjedisë antike. Ndër tiparet themelore të tragjedive antike renditet uniteti tri njësive, uniteti i kohës, i vendit dhe i veprimit. Te “Viktima” si në tragjeditë klasike veprimi është një, vetëm ploja, vrasja, djegia, asgjësimi, deri shkatërrimi nga themelet i qytezës së Kollashinit bashkë me fshatrat përreth. Ngjarjet zhvillohen në 24 orë, 27-28 qershor 1858. Vendi kryesisht është qyteti dhe fshatrat e Kolashinit.
Po ngjashmëria kryesore me tragjedinë e lashtë është te substanca, te lënda tragjike, te esenca infernale që formon brumin me të cilin është derdhur përmbajtja e kësaj vepre, e “Viktimës”. Në tragjeditë e lashta binte kërrusma, binte ndëshkimi i pamëshirshëm hyjnor mbi fise, mbi bashkësi, mbi qytet-shtete. Epidemitë kërcënojnë të shfarosin me themel Tebën (Sofokliu, Edipi mbret), lufta e grekëve shfaroste me plojë gjithë ushtrinë e Persëve (Eskili, Persët), në tragjeditë antike lajmërohen ploja e ushtrisë helene (Eskili, Orestia), ploja e shkatërrimit të Trojës,… kështu vijnë tragjedia artidëve në breza, tragjeditë e fisit të mallkuar të Edipit, etj. Pa këto goditje infernale, pa plojën, pa dimensionin e ferrit të sjellë para spektatorit, por të dëshmuar ndëshkimin hyjnor, nuk ka tragjedi, as katarsis, sipas konceptit Aristotelian.
Këtu, te konceptimi antik mbi pjesëmarrjen direkte të hyjnive në jetën e tokësorëve, vjen dhe ngjashmëria, por edhe ndryshimi kryesor i “Viktimës” së Safet Hadroviç Vërbiçkit me tragjeditë antike. Lënda infernale te poema dramatike “Viktima” është me tepëri, por në kohët e sotme mungon interpretimi mitologjik i fajit tragik, ka humbur perceptimi që kishin antikët mbi tragjiken. Tragjedia antike ka në themel gjykimin e zotave të Olimpit, kushtëzohet patjetër nga kuptimi holistik mbi botën. Për antikët bota drejtohej drejtpërdrejtë nga hyjnitë. Ato që nga retë e qiellit, apo që nga mali i Olimpit vështronin e gjykonin gjithëçka, merrnin pjesë në jetën tokësorëve me vendimet e tyre, paralajmëronin, ndalonin a lejonin ngjarje. Si hyjni antike ndëshkuese dhe hakmarrëse ato zbrisnin dhe në tokë, dhe në skenën e teatrit me dues ex machina për ndëshkimin apo faljen e çdo veprim njerëzor individual a kolektiv që shkelte normat e tyre.
Për shumë estetë tejkalimi i këtij konceptimi botëkuptimor të lashtësisë, mospranimi i zotave mitologjikë si drejtues të punëve të kësaj bote, ka sjellë në kohët tona zhdukjen e tragjedisë si lloj letrar. Kanë ndodhur ngjarje tragjike botërore të përmasave infernale si rrënimi atomik i Hiroshimës, por ato nuk janë shndërruar në tragjedi që luhen në teatër.
Të vijmë te vepra “Viktima” e Safet Hadroviç Vërbiçkit. Autori nuk ka pretenduar se ka shkruar një tragjedi. Veçse nga sa shkruam deri tani, vërehet që kjo poemë i ka përmasat e një vepre tragjike. I ka tiparet e një tragjedie edhe në elementet formalë, edhe në ato përmbajtësorë.
Si në tragjedinë antike shumë veprime te vepra “Viktima” vijnë në ‘skenë’ me anën e lajmëtarit ose të shënimeve të autorit, të cilat janë të ngjashme me remarket në dramë. Te kjo poemë dramatike përmasa e tragjikes vjen nga paraqitja e ngjarjeve në distancë të plotë prej autorit. Kjo mënyrë të paraqituri i jep kësaj vepre tone solemne dhe të përzishme të buruara objektivisht jo të përforcuara prej subjektivitetit autorial.
Ploja në veprën “Viktima” nuk ndodh si pasojë e ndonjë shkaku madhor që meriton ndëshkimin hyjnor. Ploja ndodh se atë e urdhëron knjazi, se e paska lënë amanet Njegoshi (?): duhet zhdukur ‘turku’ në emër të Kryqit dhe në emër të Malit të Zi, pra, të shfaroset Kollashini. Në tragjedinë antike ploja vinte si pasojë e bërjes së një faji të ndëshkueshëm, ndaj kishte faj tragjik, hero tragjik, rrethanë tragjike. Kolashinasit nuk kanë kryer ndonjë faj që duhet ndëshkuar. Ata janë paqësorë, janë në shtëpitë, në pronat dhe në vendin,në trojet e tyre. I vetmi faj që kanë bërë kollashinasit, sipas ndëshkuesve të tyre, është se ata janë ata që janë, domethënë i përkasin etnisë boshnjake dhe janë besimtarë të fesë islame.
Grekët e lashtë bënë ekzorcizmin, pastrimin e ndërgjegjes së vrarë nga krimi i shkatërrimit të Trojës, me eposet homerike dhe me tragjeditë. Qytetërimi europian i mëpasmë e ka në themelet e tij moralitetin që vendosën këto tragjedi. E drejta nuk duhet të tejkalohet. Dhe jo vetëm kush bën krim, por edhe kush abuzon me të drejtën ndëshkohet. Këtë moralitet të lartë i dha botës perëndimore gadishulli ballkanik me antikitetin e tij të ndritshëm.
Më pas gjërat ndërruan për keq. Ballkani u zgjua si nga një makth, u zgjua i egërsuar dhe i ndryshuar kur po dilte nga pushtimi ottoman.
Eposet nacionale lindën si ideologji kombëtare dhe u bënë kushtrim lufte në kohën e krijimit të shteteve-kombe në Ballkan. Këto epose nacionale së bashku me mesazhet e luftrave çlirimtare, kanë përcjellë, nxitur edhe vrasjen, pastrimin etnik të kombësive të tjera fqinje. Interesat nacionale të zgjerimit të kufinjve te ballkanasit kanë justifikuar vrasjen dhe asgjësimin etnik të fqinjëve. Ballkani ka një hartë të gjallë të masakrave për motive etnike. Grekët kanë masakruar shqiptarët, serbët kanë masakruar shqiptarët dhe boshnjakët, malazestë masakruan kollashinasit.
Në këtë optikë, vepra “Viktima”, e mbrujtur me një lëndë infernale, duke vënë në qëndër tragjedinë e Kollashinasve, denoncon me shumë forcë estetike, gjenocidin, vrasjen e tjetrit, masakrimin, shfarosjen e një bashkësie njerëzish sepse janë të një feje, të një kombësie tjetër.
Krimi ndaj kollashinasve kryhet i llogaritur me gjakftohtësi pa mëshirë, pa ndjesë, pa pendim. Është një plojë pa shkak, pa faj nga ata që e pësojnë. Një krim i tillë është i shëmtuar, i ulët, jo i denjë për madhështi tragjike. Ata që kryejnë krimin janë mburravecë, cinikë, me orekse kafshërore. Bëjnë pre mbi popullsi civile, dhe mbi gra e fëmijë. Mburren që janë kriminelë. Në Ballkan ndodh ajo që dikush i shpallur kriminel për njërin popull, për popullin tjetër është hero. Në tragjedinë antike, në eposin antik ata që kryejnë krime, ndëshkohen nga hyjnitë, qofshin dhe heronj si Akil Pelidi.
Vepra “Viktima” e Safet Hadroviç Vërbiçkit i ndez një qiri kujtimit të Kollashinasve, viktimizimit të tyre. Ajo është një dëshmi artistike me vlerë që evokon një ngjarje reale dhe nuk bën thirrje për revansh. Ajo si vepër artistike i shërben moralitetit dhe shëndetit shpirtëror të popujve të Ballkanit.

Shënime për autorin

Poema “Viktima” është përkthyer shqip nga Smajl Smaka, është nderuar me shumë çmime letrare. Safet Hadroviç Verbicki (lindur më 1952) është poet që shkruan në boshnjakisht. Ka kryer fakultetin Juridik në Podgoricë. Ka qenë kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Sanxhakut. Është autor i disa përmbledhjeve me poezi. Banon në Sanxhak, në qytetin e Rozhajës, në veri të Malit të Zi. Tradita letrare boshnjake e kësaj treve përbëhet nga poemat epike me subjekt nga historia.
Poeti kombëtar malazes Njegoshi ka një poemë dramatike, “Kurorën e maleve’, përkthyer shqip nga Esad Mekuli, një kryevepër e traditës malazeze ku poezia e lartë bëhet njëherësh dhe ideologji e veprimit kombëtar.

Korrik 2019.

Please follow and like us: