Albspirit

Media/News/Publishing

Shaban Murati: Diplomacia ruse e trembur nga zgjidhja e konfliktit Serbi-Kosovë

Diplomacia ruse e trembur nga zgjidhja e konfliktit Serbi-Kosovë

 

Askush nuk do të mendonte se ambasadori i Rusisë në Beograd dhe praktikisht i dërguar i posaçëm rus në Ballkan, Aleksandër Botsan-Harçenko mund të guxonte të dilte kundër qendrimit të shprehur nga presidenti i gjithëfuqishëm i Rusisë, Vladimir Putin, për çeshtjen e konfliktit Serbi-Kosovë. Në datën 3 shkurt ambasadori rus deklaroi në Beograd se “kërkesa për një zgjidhje të shpejtë të çështjes së Kosovës është jashtëzakonisht shqetësuese dhe për të ardhur keq”. Pikëpamja e ambasadorit kundër zgjidhjes së shpejtë të konfliktit Serbi-Kosovë bie në kundërshtim me qendrimin e shprehur publikisht nga presidenti rus në 14 nëntor 2018 pas takimit me presidentin e Kosovës në Paris, dhe e përsëritur disa herë, se “Rusia do të përkrahë çdo marrëveshje të përbashkët të Beogradit dhe Prishtinës”.

Është me interes të shihet përse diplomacia ruse doli tani me kaq nxitim kundër zgjidhjes së shpejtë të konfliktit midis Serbisë dhe Kosovës, duke shkelur qendrimin e njohur të Kremlinit në dy vitet e fundit se Moska do të mbështesë çdo marrëveshje, që do të arrijnë midis tyre Serbia dhe Kosova.

Janë disa rrethana të reja, që duket kanë shkaktuar frikë e shqetësim te diplomacia ruse dhe e kanë shtyrë të dalë hapur me qendrimin e ri kundër zgjidhjes së shpejtë të konfliktit Serbi-Kosovë. Së pari, është intensifikimi i përpjekjeve të SHBA për zgjidhjen sa më shpejt të këtij konflikti ballkanik. Kjo përpjekje u konkretizua me vizitat e të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan, Riçard Grenell, në 24 janar në Beograd dhe në Prishtinë, pas të cilave ai arriti që Serbia dhe Kosova të nënshkruanin dy marrëveshjet për linjën ajrore dhe për lidhjen hekurudhore Beograd-Prishtinë. Së dyti, është vizita e shefit të politikës së jashtme të BE, Josep Borrell, në Beograd në 31 janar, i cili në bisedimet me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, rinxorri në tryezën zyrtare të bisedimeve kushtin e njohur të Brukselit se “BE e ka bërë të qartë që kyçi për anëtarësimin e Serbisë në BE është normalizimi i marrëdhënieve me Prishtinën nëpërmjet një marrëveshje mirkuptuese legalisht të detyrueshme”. Riparaqitja e këtij kushti tani nga BE dhe sidomos nga shefi i politikës së jashtme, që vjen nga një shtet që nuk e njeh Kosovën, i tregon Serbisë se laku rreth saj po ngushtohet. Së treti, është formimi në 3 shkurt i një qeverie të re në Prishtinë, të kryesuar nga kryeministri Albin Kurti, i cili deri tani është i paimplikuar në lojrat dhe në tezat proserbe, që kanë qarkulluar në qarqet drejtuese të Prishtinës për çeshtjen e dialogut Kosovë-Serbi. Së katërti, është mosbesimi në rritje në Moskë ndaj presidentit serb Vuçiç, për të cilin ka dyshime ruse dhe janë intensifikuar kritikat në mediat proqeveritare ruse se ai mund të tërhiqet nga intransigjenca për Kosovën për të marrë anëtarësimin në BE.

Ka qenë një mendim i konsoliduar në qarqet diplomatike, akademike dhe mediatike ndërkombëtare se Rusisë nuk i intereson normalizimi përfundimtar i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Siç shkruante në “Carnegie Moscow Center” në 26 nëntor 2019 analisti i njohur rus, Maksim Samorukov,:  “Moska është pozicionuar fort që ta prishë procesin e zgjidhjes. Në sytë e Kremlinit Rusia ka shumë pak për të fituar dhe ndoshta ka për të humbur çdo gjë, nëse konflikti i Kosovës zgjidhet. Njohja e plotë e Kosovës do t’i jepte fund varësisë së Serbisë nga mbështetja e vazhdueshme ndërkombëtare e Rusisë”. Moska zyrtare e ka përgënjeshtruar këtë mendim të përhapur dhe nuk ka dalë asnjëherë publikisht kundër zgjidhjes së konfliktit midis Serbisë dhe Kosovës. Është hera e parë që një përfaqësues i lartë diplomatik rus del publikisht kundër zgjidhjes së konfliktit Serbi-Kosovë, siç veproi në datën 3 shkurt ambasadori i Rusisë në Beograd.

Në fakt ka një pikënisje të gabuar në qendrimin e ri diplomatik rus. Afrimi i kohës së zgjidhjes dhe rritja e mundësive për zgjidhjen e çeshtjes së normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës nuk janë fakte të ndonjë befasie diplomatike ndërkombëtare. Diplomacia ruse e din fare mirë që bisedimet zyrtare midis Serbisë dhe Kosovës me ndërmjetësimin e BE po zhvillohen prej vitit 2011 në Bruksel, dhe ato bisedime i kanë pranuar edhe Serbia, edhe Rusia. Si rezultat i bisedimeve të Brukselit janë nënshkruar shumë marrrëveshje midis dy shteteve. Marrëveshja e parë e rëndësishme e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është nënshkruar që në 19 prill të viti 2013. Kështu që është më tepër se normale që në vitin 2020 të hyhet në rrugën e një marrëveshje të normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve midis tyre dhe të mbyllet me njohjen reciproke kjo odise diplomatike bisedimesh, që zgjat prej nëntë vitesh. Bisedimet Serbi-Kosovë me ndërmjetësimin e BE janë ngritur mbi bazën e një rezolute të Asamblesë së Përgjithëshme të OKB në vitin 2010 për një dialog midis Serbisë dhe Kosovës të udhëhequr nga BE. Bisedimet filluan pas vendimit të tribunalit me të lartë juridik të OKB, Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila dha verdiktin se pavarësia e Kosovës është në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe me rezolutën 1244 të KS të OKB për Kosovën.

Pra edhe kuadri ndërkombëtar i OKB ka ligjëruar formatin dhe objektivin e bisedimeve midis Serbisë dhe Kosovës në Bruksel. Kurse tani ambasadori rus në Beograd shkon në drejtim të kundërt me rezolutën e OKB dhe kërkon që Rusia t’i bashkohet këtyre bisedimeve me ftesën e Serbisë, duke harruar që Moska nuk mund të ulet në atë tryezë, sepse nuk e ka rezoluta, dhe sepse nuk e pranon Kosova, që është palë e tryezës. Diplomacia ndërkombëtare po punon që të rinisë dialogu midis dy shteteve për marrëveshjen përfundimtare të normalizimit të marrëdhënieve. Për këtë qëllim në gusht 2019 pesë qeveritë e shteteve kryesore perëndimore, SHBA, Gjermani, Britani e Madhe, Francë dhe Itali, u dërguan një letër të përbashkët qeverive të Serbisë dhe të Kosovës, ku parashtrojnë dy kushtet e rinisjes së dialogut dhe konkretisht heqjen dorë të Kosovës nga taksa për mallrat serbe dhe heqjen dorë të Serbisë nga fushata e saj kundër njohjeve ndërkombëtare të Kosovës.

Formula e pesë shteteve kryesore perëndimore është një gjetje realiste dhe lëvizje me përmbajtje reciprociteti e barazie midis Serbisë dhe Kosovës për rifillimin e dialogut. Këtë formulë e përsëriti edhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, ambasadori Grenell, në bisedimet e tij në Kosovë dhe në Serbi. Diplomacia ruse në zbatim të linjës obstruksionise për konfliktin Serbi-Kosovë po del kundër formulës perëndimore dhe ambasadori rus në Beograd u shpreh se nuk mund të vihet shenja e barazimit midis dy çeshtjeve dhe se ato nuk kanë lidhje midis tyre.

Shqetësimi real i diplomacisë ruse nuk është as nxitimi perëndimor për zgjidhje dhe as formula perëndimore e rinisjes së dialogut Kosovë-Serbi. Shqetësimi real i diplomacisë ruse është se mekanizmi i bisedimeve për normalizimin Serbi-Kosovë po vihet në lëvizje drejt një zgjidhje përfundimtare. Moskës nuk i intereson zgjidhja përfundimtare e konfliktit midis Serbisë dhe Kosovës. Nuk i intereson, sepse kjo zgjidhje do të mbyllte një nga vatrat e tensionit dhe të rreziqeve në Ballkan, gjë që nuk përshtatet me strategjinë e Rusisë në rajonin tonë. Rusisë nuk i intereson zgjidhja e krizës, sepse një gjë e tillë do ta zbehte rolin dhe përfshirjen e Moskës në tryezat diplomatike ndërkombëtare për Ballkanin. Serbia është aleati i vetëm strategjik i Serbisë në Ballkan dhe shteti i vetëm, me të cilin Rusia ka nënshkruar një Traktat Bashkëpunimi Strategjik. Serbia është shteti i vetëm nëpërmjet të cilit Rusia mund të ketë rol dhe të ndikojë në zhvillimet ballkanike, duke i imponuar Beogradit skemat ruse të lojës në rajon. Por nevoja e vetme dhe kryesore e Serbisë për Rusinë është mbështetja ruse për mosnjohjen e Kosovës. Nëse Kosova dhe Serbia njohin njera-tjetrën si shtete të pavarura dhe ndërtojnë marrëdhënie bashkëpunimi, ahere bie edhe nevoja e Serbisë për Rusinë. Nga ana tjetër Rusia po e përdor çeshtjen e konfliktit Serbi-Kosovë si një kartë të saj në tratativat globale me fuqitë e mëdha perëndimore, për ta pasur si presion ndaj Perëndimit që ai të lëshojë në çeshtjen e Krimesë, të Ukrainës Lindore, të Transnistrias, të Gjeorgjisë, etj. Ndaj sa më shumë zgjerohet hapësira drejt zgjidhjes së konfliktit Serbi-Kosovë, aq më tepër shqetësohet diplomacia ruse për rolin e vet në Ballkan.

Rrethanat e reja diplomatike rreth çeshtjes së normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës në vend që të prodhojnë bashkëveprim dhe hapa realiste në diplomacinë ruse për një analizë objektive të raportit të forcave në Ballkan, po interpretohen në MPJ ruse me qendrime retrograde, të cilat nuk i sjellin dobi as rajonit dhe as vetë diplomacisë ruse. Sepse është vërtet anakronike që eksperti kryesor diplomatik rus për çeshtjet e Ballkanit, ambasadori në Beograd, nuk gjen sugjerim më të mirë se sa kthimin 15-20 vjet pas. Kështu në deklaratat e tij në 3 shkurt ambasadori rus kërkon rikthimin e çeshtjes Kosovë-Serbi në Këshillin e Sigurimit të OKB si në 2007. Madje në një mënyrë aspak diplomatike Harçenko deklaron se marrëveshja midis Serbisë dhe Kosovës nuk mund të bëhet pa Rusinë dhe pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB, pra të Rusisë. Kjo duket reminishencë e gjuhës kategorike të kohrave të diplomacisë sovjetike, sepse një marrëveshje dypalëshe midis Serbisë dhe Kosovës për normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve midis tyre përmes njohjes reciproke, nuk ka nevojë as për Rusinë dhe as për Këshillin e Sigurimit. Normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis tyre janë akte ligjore të mvehtësishme, që burojnë nga e drejta e tyre si subjekte të pavarura të së drejtës ndërkombëtare. Janë akte dhe marrëveshje dypalëshe, që nuk kanë nevojë as për Rusinë dhe as për Këshillin e Sigurimit. Ambasadori rus me siguri e din se sovraniteti i shteteve të pavarura në politikën e brendshme dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk varet nga shtetet e tjera dhe as nga organizatat ndërkombëtare. Për më tepër ambasadori duhet ta dijë se në ndryshimet kushtetuese që presidenti rus Vladimir Putin shpalli në 15 janar 2020 vendosi prioritetin e ligjit të brendshëm mbi ligjin ndërkombëtar.

Shenjat janë të qarta se diplomacia ruse është e trembur nga perspektiva e zgjidhjes së konfliktit Serbi-Kosovë dhe e normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve midis tyre. Është një pozicion antihistorik, që nuk pengon dot rrugën e ecjes së shteteve sovrane drejt normalizimit të marrëdhënieve midis tyre dhe një bashkëpunimi me dobi reciproke. Një apdejtim diplomatik rus me kohën dhe me tendencat historike do të ndihmonte Ballkanin, por edhe vetë Rusinë për rolin dhe hapësirën, që ka aspiruar gjithmonë në rajon./gazeta dita/

Please follow and like us: