Agron Tufa: Saga romanore e Arbër Ahmetajt
Shkrimtari Arbër Ahmetaj e ka kryer me përkushtim, talent e ndershmëri detyrën e vet: ai ka shkruar (në dijeninë time) pesë romane nga viti 1993 deri më 2019, stilistikisht të ngjeshur në unitetin e kronotopit – të botës së projektuar në kohë-hapësirën e poetikës së tij.
Narrativa letrare e Ahmetajt shtjellohet rreth legjendës së një “uni”, që si një bimë kokëngjeshur, plot ëndrra të pamorta, çan tokën e rraposur apo të betonuar nga ideologjitë totalitare; nga instancat e dhunshme shoqërore/familjare për t’u konfirmuar në një farë hapësire thuajse-lirie. Ka një hierarki mizore, vertikale në romanet e tij. Por i vogli bën luftën e vet, lëshon apelin e tij, qoftë dhe të dobët në botën e ashpër e të shplarë.
Ligjërata letrare e Arbërit ka përpunuar me kohë një parim të ironisë infantile, një poetizim vetëironik, i cili e ruan një “pathos të distancës” nga protagonisti i rrëfimit, që është gjithnjë në vetë të parë. Ironia e distancimit nganjëherë gjen mjete të efektshme si në romanin “Varri i braktisur” (Skanderbeg books, 2009) ku rrëfimi nuk i referohet “unit” tradicional, por “vetes sime” (“bashkë me veten time u ndodhëm në një ditë vjeshte…”; “Kur e rrihnin veten time, unë, i shikoja rrahësit në dritë të syrit për të vërejtur se pse e bënin me aq zell atë punë…”).
Që nga romani “Flet hyrje për në varr” (1993) e deri tek i fundit “Procesi 3/K 19…”, kemi trajektoren e një sage nga fëmijëria tek burri i pjekur. Duke përjashtuar (ndoshta jo) romanin “Një natë tek Luiza” (“Skanderbek books 2015), të katër romanet e Arbër Ahmetajt përbëjnë një tetralogji ku narratori dëshmon në vetë të parë dhe është kamera ku fokusohen të gjitha fijet e botës.
Bota është e koklavitur, kuptohet, dhe heroi i Ahmetajt rritet duke deshifruar me përjetim e peng shpirtëror thurrimën e botëpleksjes shqiptare nga mitologjia e diktaturat, deri tek tabutë dhe drama e maskës së heroit, çmitizimi dhe çmeritja. Gjithsesi letra e Ahmetajt është e ngjeshur. Asketizëm. Regjistrat stilistikë janë të ndryshëm, të larmishëm. Ato ndryshojnë papritmas, përveç një gjëje që shkrimtari i ruhet: fjalomanisë. Përftohet një prozë e presuar, shumë afër kondensimit me mjtet shprehëse të poezisë. Asnjë fjalë të tepërt. Asketizëm.
Në këtë poetikë të shkrimit dhe sidomos vektori i përjetimeve dhe klrkimeve të mprehta metafizike e bën Arbër Ahmetajn një ndër autorët më origjinalë të frymës novatore në letërsinë shqipe të brezit post ’90.
Një karakteristikë, që personalisht më ka bërë përshtypje te Arbëri është aftësia e tij për të kompozuar lëndën e romanit. Arbri bën disa “prerje gjeologjike” me “sondën” e tij në rrafshe sociale të ndryshme, prej nga merr e shtjellon linjat e personazheve që solojnë në kate të ndryshme në një stil contrapunkt-i.
Personazhet shtegtojnë nga njëri roman në tjetrin, e po ashtu dhe realet apo bëmat (tipike për sagat romanore).
Ndoshta Shqipëria Veriore me brengat e saj, me mitet dhe ashpërsinë e përçudnimit, me shfytyrimin e degradimin, por dhe me heroikën e rezistencës shpirtërore në kufijtë e shterrimit e gjen veten për mrekull te ky cikël romanesh të Arbër Ahmetajt.
Te romani i mrekullueshëm “I huaji, ai Kosovari”, kësaj bote me dhimbje aq shituese, i shtohet gjysma e përmasës së dhimbjes sonë të fshehur përbrenda: Kosova.
Po me çfarë elegance në shmang të patetikës dhe banalitetit! Thurja kompozicionale e zhdërvjelltë nuk e len interesin e lexuesit të ftohet. Dhe sigurisht, ndërkëmbimi i regjistrave letrarë që derdhen nga një formë në tjetrën, njësitë e thërmuara të tekstit, dhe sidomos, legjenda e misterit të një dashurie, së cilës mospërmbushja i ka caktuar fatin të mbetet e përjetshme…
Personazhet e Arbër Ahmetajt dallohen, shquhen me sy, edhe kur skicohen shpejt.
Arbër Ahmetaj është shkrimtari që jeton prej dy dekadash jashtë Shqipërisë. Ai detyrën që i takon një shkrimtari (të shkruaj sa më mirë të mundet), e ka kryer dhe vazhdon ta kryejë bindshëm. Ç’të bëjë më shumë se kaq?
Po për mendimin tim lexuesit, propaganduesit e librit, seleksionuesit profesionistë të vlerave letrare (ndonëse të paguar nga shteti), i kanë hyrë në hak prozës romanore të shkrimtarit Arbër Ahmetajt!