Sadik Bejko: Kryqëzim
Jam zbrazur nga gjithë fanitë-
Nga jetët, dashuritë, vdekjet-
Tokë trok e gëlqeruar, e kotë-
I shkëputur nga gjithë kufijtë,
lëkurë berri në erë, në shkop.
Tytë lëkure: tabanet e këmbëve
flakur, hedhur tej si dy tapa.
Oh, sikur t’më ngjitej lart pluhuri,
t’më mbushnin prapë dheu, balta.
Mbushmë mëmë e dheut, e jetës,
rrënjomë në baltë e dhimbje!
Gjer te një tjetër rrahje gjaku e mehur,
lëkurë prapë më katërsh nderur,
gjer në të tjerë… kryqëzime.
Please follow and like us: