Vaid Hyzoti: Atdheu brenda meje
Kam një formular, me kërkesat për punë
Dhe në çdo profesion usta pagëzoj veten…
Lëkura nuk skuqet e turpi mërgon,
E përditshmja ime e përligj gënjeshtrën.
Por për lëkurën? E ç’ngjyrë t’i jap?
Për gjuhën, për gjakun nga kapilarët tek zemra?
Dhe këmba, dhe krahu, dhe gjuha, dhe zëri
“Made in Albania” janë të tëra…
Se u formësuan udhëve të Shqipërisë
Dhe atdheu mbeti në inde, në rrëmba.
Tani kam dalë t’i shes a t’i jap me qera,
Të paguaj një ëndërr, një shpresë.
Jam copë Atdheu i hedhur larg,
I pa bërë pis,
I fshirë me fshesë.
Dhe vijnë e më masin me sy , më pyesin
Sa e shes atdheun…
Sa?
Kaq shtrenjtë?…
Sa mua mund të blejnë 5 meksikanë a kinezë!
Në çmim paskam vënë atdhe+dinjtet…
Unë tutem e pyes atdheun brenda meje,
Ne duhet pak më lirë të vë çmimin…
Mas qeranë e shtëpisë, një palë këpucë për djalin,
Para për telefonin e ca për ushqimin…
Dhe prapsem, ul pak në dinjitet,
Se s’di të përkthej qartë gjuhën e erës në këtë vend…
Kam frikë mos bërtet atdheu brenda meje,
Ai hesht dhe është gjithë shend…
Hesht e më grish ditaditës,
Të luaj si në bursë me të,
Më dhemb, se jam i atdheut shitës,
Më vret e gjithnjë gjaku më zë.