Nexhat Halimi: Nexhmije Pagarusha
I Ç’po ndodh me zjarrin?
Copëza e përgjakur e ballit ndez qiririn
po sytë nexhmije me vjet verbuar
njerëzit harruan malet thinjur e fajkoi lart
me zjarrin ç’po ndodh vaj me të fjeturat
gjuhës plagët i pëlcasin për fyell
zogu i lashtë vjen mbi ëndrrën
këputur nga mishi im i mërguar
hirin fluturon e prapë lind nga hiri
sepse ti këndon mbi glob mbi shpatë
bashkë me trimat qëllon kafshën e zezë
vetëtima në gem shndërrohet
nga kafka ime dhe vetë pagarusha
gjeli fluturon mbi portën e vjetër
unazat lëvizin pikun fto`jt
zogjtë e zi` në varre të reja dasmat mort
daullet e pikëllimit
mitit gjaku i rrjedh për veshë
e fajkoi lart dhe njerëzit me male në zemër
ti këndon në një gurë nexhmije vajton
në një flamur
mbi ëndërr zogu i lashtë fluturon.
(Ankara, 11 shtator 1980)
II Prapë për Nexhmijen
Ç’zjarr fsheh në gji nga digjesh
rrembi im më i bukur i gjakut
qiell i ëndrrës në `i tjetër pyll e kohë
ja si zgjohet dhe e vdekura në urë
e pika e qumështit nga rrjedh në gur
rrembi im më i bukur i yllit
bjeri tokës me thembër ç` pret
miti për veshë gjak pik e etja flakë
e demi i zi zë në brirë gjithësinë
(zë yti lëviz gurin e mullirit
zë yti pëlcet kokrrën e ullirit
zë yti çel lulen në bebëz të syrit)
e dëgjohet kavalli zot pa i rënë kush
digjet zemra e krijohet prapë zogu në hi
e vetëtin e krijohet rrjedha e ujit
flutura e kaltër e dritës mbi iLiri.
(Ada paza, Turqi, shtator 1980)
III Prapë për Nexhmijen II
Veç pse flakë zë në gem ulliri
demi i zi harlis` me kodër në bri`
gjak pikon syri dhe kaq vjet bie shi
ti gurin prek nexhmije e ai pëlcet
detin prek e ai zgjohet algës së vet
e kuçedra qiellin godet me krye
e hiri digjet e fyelli etjes bie
e ujë dhe gjak mbi gur mulliri
e kokërr kokërr shtrydhet ulliri
e populli nën vetëtimë në luginë
jetemot me thikë në shpinë
unë qaj e thërras Mujin në Jutbinë
në kullë s`e gjej kund elez alinë
veç zëri yt ndez zjarrin në gji
mollë mimozë e fik me syth` në hi
nga hiri zogu të flatrojë përsëri.