Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Na iku Nexhmije Pagarusha!

 

Image may contain: 2 people, including Sadik Bejko, people standing

In memoriam

Lamtumirë Nexhmije Pagarusha!

Ishte një lajm shume i hidhur largimi yt nga kjo jetë në këtë muaj, në këto ditë të ftohta shkurti!

Do të mbahesh mend për talentin tënd të pashoq si këngëtare e madhe e muzikës shqiptare.

Në vitet 1971-74 punoja në Radio Tirana. Ke ardhur në redaksinë e krijimtarisë muzikore me prof. Lorenc Antonin, Krist Leken dhe me shumë këngëtarë e muzikantë të tjerë nga Kosova.

Na ke ardhur në zyrë dhe na ke ngjatjetuar të gjithëve. Ishe e lirshme, e qeshur. Rrije këmba mbi këmbë. Pije cigare. Sytë e tu të zgjuar e të bukur na thithnin në magnetin e tyre.

Nuk të ndahej një buzëqeshje. Na thoshje se atë natë kishe fjetur në hotel Dajti.

Fundi yt bezhë kishte një të carë ‘skandaloze’. Ai hapej disa gisht poshtë mesit të dy këmbëve dhe zbulonte ca muskuj të plotë femre.

Ishe tunduese. Na pëlqeje…

Këngëtaret tona… as Vaçja, as Vaçe Zela nuk do të guxonin të visheshin kështu.

Ishte një takim i parë i muzikantëve shqiptarë. Një takim dhe i lejuar dhe i ndaluar.

Ndalesat ne këndej mbase i kishim në tru.

Ishte një takim si i zgjatjes së duarve të njerëzve që në telat ndarës të kufirit u është hapur një dritare, një mundësi t’i qeshin e t’i flasin njeri-tjetrit. Dhe duart, jo vetëm ato, takojnë ato përballë, tunden, gjakosen në tela, po nuk duan të ndalen.

Mëndësitë tona realisht nuk takoheshin, as zemrat e mendjet nuk hapeshin. Ju ishit më të lirë. Ne u takonim prej dritares së gjakut. Se ju ishit gjaku ynë, ju ishit gjuha jonë, ju ishit historia jonë.

Ne ishim paliria, pamundësia e lirisë. Gjaku na bashkonte ne qjer në trupin, në sytë e në gjuhën që flisnim.

Për të tjerat ishim, dhe pse nuk donim, mbeteshim të ndryshëm.

Mbeteshim në pa lirinë, në pa lejen të hapeshim, të bisedonim.

Ti ishe një këngëtare që i kalove kufinjtë. Na hyre në familje. Na ishe jo vetëm pjesa e gjakut, po pjesa më e bukur e bukës dhe e shpirtit tonë.

Dhe na duket e hidhur gjithcka sot, sot kur ndiejmë se po të humbasim.

Dhe e dimë që nuk do të humbasim kurrë.

Ti do të mbetesh e bukur, e fortë, e plotë në jetën tonë.

Të kam takuar disa herë më pas. Të kam përqafuar, pa qenë miq.

Dhe të mbaj të përqafuar sot më shumë se kurrë… sot dhe në jetë të jetëve.

Përgjithmonë!

Dikujt që na mbron dhe na pasuron shpirtin, i themi bariu i shpirtrave. Ty, Nexhmije Pagarusha me plot gojën të themi je “baresha” e shpirtit e muzikës sonë.

Please follow and like us: