Dashamir Uruçi: Letër e hapur dërguar kryeministrit Albin Kurti!
BISEDIMET, KOSOVË-SERBI DUHEN KUSHTËZUAR ME FATIN E KOSOVËS LINDORE
I nderuar Kryeministër i Republikës së Kosovës.
Ju uroj suksese në detyrën e rëndë që keni marrë përsipër.
Me mundime të mëdha sigurisht, me vullnet e durim jo të zakonshëm ke arritur ta prekësh suksesin.
Dhe ky është vetëm fillimi i shumë punëve e projekteve që të presin.
E problemi i parë me të cilin do të ndeshesh është administrata shtetërore e cila është e mbushur me militantë të atyre që e patën pushtetin, këto vite të pasçlirimit në Kosovë.
Problemi tjetër po aq i rëndë është obligimi që ti ke, të bashkëpunosh me një forcë politike, përgjegjëse për gjendjen e Kosovës në këto 20 vjet, obligimi që ti ke, të marrësh vendime bashkë me liderët e saj, politikë, të kontestuar para e pas lirisë së Kosovës.
Dhe vetëm këto dy probleme me të cilat do të hasësh përditë e komplikojnë dhe e vështirësojnë projektin tënd për një Kosovë tjetër e cila qysh në lindje të saj do të përleshet me Kosovën e kapur, me Kosovën e atyre që në emër të lirisë bënë çfarë patën mundur për xhepat e tyre të cilat ti duhet t’u a zbrazësh e t’i çosh përpara ligjit.
Babëzia e tyre dhe vjedhja e pasurive private e publike ka qenë e hapur dhe ata duhet patjetër të japin llogari ndryshe shpresa në Kosovë nuk mund të kthehet kurrë.
Në të gjitha këto probleme që kërkojnë zgjidhje e impenjime superiore nuk duhet të harrosh vëllezërit tanë në Kosovën Lindore, në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.
E di se ti si politikan karriere, si njeri që ke arritur çdo gjë me luftë e me sakrifica e ke shqetësim gjendjen e shqiptarëve nën Serbi, por ajo që dua të të paraqes në këtë letër të hapur është mënyra se si po sillen politikanët shqiptarë në Serbi me njeri-tjetrin, nënshtrimi i tyre ndaj dëshirave e kërkesave të politikës serbe.
Shembulli më i hapur i ditëve të fundit është braktisja e Medvegjës, në vend që të luftohet për mbrojtjen e saj, për mbrojtjen e cdo gjëje shqiptare që ka mbetur në këtë komunë dikur me maxhorancë shqiptare.
Nuk duhet lejuar të shkohet në zgjedhjet e përgjithshme, parlamentare në Serbi pa e bashkuar faktorin politik, pa një bashkim të tyre esencial dhe jo deklarativ, pa konsideruar përfaqësuesit shqiptarë të Medvegjës së sotme të cilët po luftojnë të vetmuar me makinerinë e rëndë të Serbisë.
Në punët e pafund që të presin kërkojë bashkimin e tyre, bëji përpjekjet tuaja shterruese për Kosovën Lindore, tani që populli shqiptar në Serbi, veçmas tre komunat me shqiptarë autoktonë janë në pragun e zgjedhjeve parlamentare.
Dhe më mirë se ti askush nuk e di se serbët nuk lëshojnë pe me bisedime.
Qëndrimi i tyre, sjellja e tyre kriminale e brutale ndaj shqiptarëve në Kosovën Lindore duhet kushtëzuar, duhet kushtëzuar tani në pragun e zgjedhjeve parlamentare.
Ata duhet ta dinë mirë çfarë i prêt, duhet ta dinë mirë se parimi i reciprocitetit do të prevalojë në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, në qëndrimet që këto shtete të pavarura do të mbajnë ndaj minoriteteve.
Vetëm kushtëzimi i marrëdhënieve bilaterale jo vetëm për interesat e Serbisë por edhe të shqiptarëve do ta detyrojë politikën serbe të heqë dorë nga largimi i shqiptarvë nga trojet e të parve, do t’i detyrojë ata të heqin dorë nga mjetet e të gjitha llojeve për të spastruar MEDVEGJËN nga shqiptarët e nesër edhe BUJANOCIN e PRESHEVËN.
Dhe serbët në këto rrethana duhen ndalur.
Dje ata u ndalën me forcën e armëve e sot duhen ndalur me kushtëzimin e marrëdhënieve të së ardhmes.
Të presësh miratimin e ndërhyrjes së Europës për këto probleme do të thotë të pranosh dështimin, do të thotë të pranojmë zbrazjen kriminale të trojeve të cilën Serbia, në Kosovën Lindore po e bën ditën për diell.
Tirana dhe Prishtina zyrtare nuk bënë gjë për të qenë në këto 20 vjet, bëje ti Albin Kurti, të ka hije ta bësh, thuaji botës së qytetëruar se shqiptarët kanë burrat e tyre të shquar që do t’i dalin zot të drejtave të tyre, kombëtare e njerëzore!
Uroj ta bësh Aalbin Kurti këtë hap të madh e të shumëpritur.
Fati i Kosovës Lindore duhet t’i kushtëzojë marrëdhëniet Kosovë-Serbi, rrugë tjetër nuk ka…!
UNIONI SHQIPTAR I SHOQËRISË CIVILE-USHC
Tiranë, Shkurt 2020.