Dashamir Uruçi: Mbi kufijtë e Kosovës
Dëgjova me shumë vëmendje emisionin e Ylli Rakipit ku ishte i ftuar Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Kuptova këmbënguljen e analistëve për ta zbërthyer presidentin para qytetarëve të vet dhe gjithashtu qëndresën e Presidentit deri në fund të emisionit për të mos e thënë thelbin e çështjes:
A do të ketë këmbim të territoreve midis Kosovës së sotme dhe Serbisë? A do të këmbehen Zveçani, Zubin Patoku, Leposaviqi dhe Mitrovica e Veriut me komunat shqiptare të Serbisë, me Preshevën, Bujanocin e Medvegjën…!
A duhet bërë ky këmbim i territoreve, çfarë humbet Kosova dhe a duhet të humbim më, nga trojet shqiptare, të rrudhura në mënyrë të pandalur, në këto njëqind vitet e fundit…?
A është në tagrin e presidentit të Republikës apo e kujdo tjetër, çështja e integritetit territorial të Kosovës…?
Pse shtrohet në të njëjtën kohë çështja e territorit të Kosovës së Pavarur me bashkimin e tre komunave shqiptare, me Kosovën…?
Pyetjet janë të shumta dhe kanë nevojë për përgjigje të matura e shterruese të cilat shqiptarët i presin me padurim, sidomos nga goja e liderëve të politikës shqiptare.
Ajo që më tronditi rëndë ishte përgjigjja që presidenti Thaci e dha për qytetarët shqiptarë. Ai do të ishte dakort me të gjitha zgjidhjet të cilat do të ishin të pranuara nga Amerika dhe Bashkimi Europian…!
Pas kësaj, natyrshëm lind pyetja:
Çfarë do të bëjnë shqiptarët nëse zgjidhja që vjen nga EUROATLLANTIKU, do të prekë interesat e shqiptarëve, do t’i japë serbëve pasuritë e papërsëritshme të veriut të Kosovës, bashkë me komunat e saj e në këmbim të mos marrim asgjë nga ato territore që historikisht kanë qenë shqiptare?
A kemi ne shqiptarët politika kombëtare dhe pse jemi ulur në bisedime me serbët kur nga ana e tyre flitet vetëm për interesat e Serbisë dhe asgjë për interesat e shqiptarëve?
Nëse zgjidhjet i presim vetëm nga Amerika dhe Bashkimi Europian përse na duhen politikanët tanë, përse duhet t’i pyesim e aq më pak t’i dëgjojmë kur shesin në ekranet e televizionit ATDHEDASHURI…?