Albspirit

Media/News/Publishing

Zheliu Zhelev: Historia e librit që shkrua më 1967 dhe doli më 1982

 

 

“ FASHIZMI“ OSE BIOGRAFIA POLITIKE E LIBRIT

 

Nuk jam fatalist dhe nuk dua ta ekzagjeroj, por më duket se ky libër ka qënë i pafat. Ai mund të kishte një fat më të mirë. U shkruajt më 1967 dhe doli vetëm më 1982.

15 vjet ai mbeti në pothuaj të gjitha shtëpitë botuese të Sofies. Gjithnjë ma kthenin mbrapsht, ose për shkak të ngarkesës së planit të botimeve për disa vjet rresht, ose për mungesë letre. Vetëm ushtarakët ma thonin me sinqeritet shkakun e vërtetë. Kur shkova në shtëpinë botuese ushtarake për të marrë vesh se ç’po ndodhte, rreth meje u mblodhën të gjithë redaktorët. Më vështronin dhe qeshnin. Por e qeshura e tyre ishte qëllimmirë. I pyeta:

– A do ta botoni?

– Jo, nuk mundemi.

– Pse? Nuk ju pëlqen?

– Përkundrazi, na pëlqen shumë.

-Atëhere?

– Është shumë i mirë për të dalë te ne. Në Bullgari nuk mund t’i botojnë gjëra të tilla – më tha njëri prej tyre.

Më ngushëlloi vetëm fakti që dorëshkrimi ishte shpërndarë papushim dhe atë e kishin lexuar sipas sistemit ‘samizdat’ (shumëfishim konspirativ i librave), si në kryeqytet, ashtu edhe në rrethe.

Për shpërndarjen e madhe dhe të shpejtë të dorëshkrimit, merita i përket Radoj Ralinit, që ka qënë lexuesi i parë. Ai vetë, për shumë vjet e ka bartur, andej këtej, tekstin nëpër mjedise të ndryshme intelektuale dhe politike, duke ia dhënë disa njerzëve, që duhet ta lexonin atë, medoemos.

Atij ja kam borxh edhe ligjësimin e saj të shpejtë. Për këtë arsye (dhe jo vetëm për këtë), kuptohet, unë ja kam kushtuar veprën time atij, ndonëse për arsye konjukturale të shtëpive botuese, emri i tij nuk është në faqen e parë të librit.

Më 1968, nisën traktativat me shtëpinë botuese të Partisë Komuniste Çekosllovake “Liria”. Në fund të korrikut shkova në Pragë dhe atje bisedova për përkthimin dhe hollësi të tjera. Ishte atëhere një atmosferë e papërshkrueshme e “Pranverës së Pragës”. Të “2000 fjalët” ishin sa të hareshme aq dhe të shqetësuara.

Pas 20 ditësh, Çekosllovakia u pushtua nga ushtritë e shteteve anëtare të Traktatit të Varshavës dhe çdo gjë dështoi. Më 1982, libri u botua në Bullgari në 10 000 kopje nga shtëpia botuese “Narodna Mladezh”, “Rinia popullore”. Tre javë pas daljes në librari, libri u ndalua dhe u konfiskua në biblioteka. Në fakt, hoqën sasinë e tretë, të fundit. Kështu, në duart e lexuesve mbetën, minimumi, 6000 kopje – policia ishte e pafuqishme që t’i merrte edhe ato.

Pak para se ta ndalonin librin, më erdhën përfaqësuesit e shpërndarjes së librit dhe më shprehën dëshirën për të bërë menjëherë një ribotim prej 30 000 kopjesh. Kuptohet, unë rashë dakord, por kur ata shkuan në Komitetin Qëndror të Partisë Komuniste Bullgare për të kërkuar leje për një sasi letre shtesë, “infeksioni” kishte hyrë dhe ata u përzunë në mënyrën më të turpshme.

Në qershor 1982, u organizua në Sofie një ekspozitë ndërkombëtare e librit. Botues nga Hungaria, Çekosllovakia dhe Polonia dëshironin të lidhnim kontratë për botimin e “Fashizmit”. Por policia ideologjike, e vëmendshme, nuk donte kurrsesi të diskutonte për këtë çështje, duke thënë, se nuk ekziston një libër i tillë. Natyrisht, në vitrinat e sallës “Festivala” një libër i tillë nuk ishte.

Më 1986, gjatë Kongresit të Dytë të Bullgarologjisë, një grup i madh përkthyesish kinezë shkuan te Radoj Ralini dhe i kërkuan atij ndonjë gjë të re për përkthim. Me bujarinë dhe altruizmin e tij të njohur, që vetëm një talent i madh mund ta ketë, Radoj u tha atyre: “Me qenë se s’ kam asgjë tjetër më të mirë për t’ju dhënë, po ju dhuroj “Fashizmin” e mikut tim dhe jua rekomandoj që ta përktheni në kinezisht”. Grupi i madh kinez e shpërndau në gjirin e vet tekstin dhe e përktheu librin brenda muajit. Ia propozuan për botim Akademisë për Filozofinë Perëndimore dhe Letërsinë Sociologjike në Pekin. Nuk po e përmend qëllimisht emrin e bullgarologut kinez që mbajti lidhje me ne dhe na informoi se si rrodhën ngjarjet. Gjëja e fundit, që mora vesh, para se të ndërpritej komunikimi me ta, është se atje kishin bërë katër recensa pozitive me vlerësime të larta për cilësinë e tekstit dhe se libri ishte lidhur, por mbetesh vetëm kopertina. Për fat të keq, atëkohë, nisi një fushatë e rradhës kundër intelektualëve, gjë që shkaktoi humbjen e vendeve të punës së shumë intelektualëve dhe rrjedhimisht të pozitës politike të tyre.

Drejtori i Akademisë së Literaturës Perëndimore ishte me siguri njëri prej tyre, sepse edhe atë e hoqën nga posti. Ky fakt e paravendosi fatin e botimit kinez.

Pas vitit 1982 erdhën tek unë edhe shumë rusë për të kërkuar kopje të librit. Disa syresh, synonin ta përkthenin dhe ta botonin atë në rusisht, të tjerë ishin më modestë – ata kishin ndërmend ta lëshonin atë në sistemin e ‘samoizdat-it’. Kufizimet e egra të kontratave të shtëpive botuese me të cilat janë të lidhura  “vendet vëllezër” e hiqnin dhe vazhdimisht e heqin mundësinë për ta botuar librin në Bashkimin Sovjetik zyrtarisht. Por ishte e qartë se ai qarkullonte në sistemin e ‘samizdat-it’ të tyre sepse shumë qytetarë sovjetikë dinin për të dhe e kishin lexuar atë.

Erdhën edhe polakët, të cilët kishin ndërmend të botonin fragmente në revista ose në periodiket e tyre.

Të fundit, që më kërkuan kopje, në qershor ishin anëtarë të kryesisë së Frontit Popullor Ukrainas, që kishin ndërmënd ta përkthenin atë në ukrainisht dhe ta botonin. Nuk di se çfarë ngjau dhe, në përgjithësi, nuk u bë diçka.

Pra, fati i “Fashizmit” i ngjan pakëz atij të një zonjushe, që të gjithë e pëlqejnë, por që ndodh gjithmonë, që asnjëri nuk martohet me të. Të shpresojmë, se kjo nuk vinte nga fakti që zonjusha ishte e mplakur. Në fakt, si autor, ndjehem i lumtur, nëse teksti i librit tim do të konsiderohet politikisht i vjetëruar dhe mbrapa kohës, sepse kjo do të thotë se është zhdukur nga faqja e planetit tonë edhe shteti i fundit totalitar.

Por, për sa kohë që të ekzistojë totalitarizmi, ai s’ ka për ta humbur aktualitetin e vet, sepse ai paraqet në parim një provë për të ringritur me dokumenta, me vetëdije, ashtu si në paleontologji, kockë pas kocke, skeletin politik të stërmadh të mamuthit totalitar. Dhe ata që duan ta luftojnë seriozisht totalitarizmin, kanë nevojë për dijeni, në rradhë të parë për dijeni për anatominë dhe fiziologjinë e tij, pa të cilën s’ mund të shpresojnë të kenë sukses.

Vetë unë s’mund ta sqaroj ndryshe faktin, se edhe tani, në kohën e perejstrojkës së Gorbaçovit (rindërtimit) kur gazetat sovjetike botojnë vazhdimisht kaq shumë  informacion politik të rëndësishëm për shoqëritë tona, interesimi për librin nuk është dobësuar. Atë e kërkojnë; e rishesin me çmime të larta, nganjëherë përrallore, baraz me një ose dy rroga mujore. Kur unë duhej, para dy vitesh, të siguroja dy kopje për t’i dërguar jashtë vendit, shitësit e librave më propozuan mua, si autor, një rabat prej 120 levash për kopje.

Para perejstrojkës, gjëja kryesore që tërhoqi vëmëndjen e publikut, ishte përputhja e plotë e dy varianteve të totalitarizmit – atij fashist dhe atij komunist. Ndonëse askund në libër nuk bëhen analogji kategorike, mbi bazën e materialit dokumentar dhe mënyrës, sipas së cilës ky material është organizuar, lexuesi e ka zbuluar vetë të vërtetën e tmerrshme, që ndërmjet sistemeve politikë nazistë dhe komunistë jo vetëm se s’ ka ndonjë ndryshim thelbësor, por edhe në se ky ekziston, kjo është jo në favor të komunizmit.

Tash, që mjetet masive të komunikimit flasin hapur për këtë analogji dhe në mbështetje të thënieve të tyre sjellin shumë fakte, libri me sa duket tërheq përsëri vëmendjen kryesisht për prognozat e zhdukjes së regjimeve totalitare. Skema, sipas të cilës dështimi i regjimeve fashiste totalitare është nxjerrë si rregullsi (sistemi totalitar – diktatura ushtarake – demokracia me sistemin shumëpartiak) shtrohet pyetja: a vlen kjo edhe për regjimet tona; a do të ndiqet rregullsia apo do ndodhë sipas një rruge tjetër? Sepse, nëse Polonia e ka konfirmuar këtë skemë, dhe, veç kësaj, shumë saktë, perejstrojka e Gorbaçovit, sipas mënyrës, që është planifikuar dhe sipas asaj që po realizohet, është një provë për të ndrequr skemën.

Perejstrojka paraqet pikërisht një alternativë të diktaturës ushtarake. Ajo ka ambicien për të bërë atë, që duhet ta bëjë diktatura ushtarake, por ta bëjë në mënyrë paqësore, humane, me kulturë, pa gjak, demokratikisht, dmth të kryejë një kalim të qytetëruar nga totalitarizmi në demokraci.

Duhet thënë, që në parim një alternativë e tillë s’ është pa bazë. Fakti vetë që Hungaria po e realizon atë në sytë tanë dhe Republikat Balltike aspirojnë me sukses për të, paraqet një konfirmim. Por nuk bëhet gjithkund ashtu sikurse është e lehtë në parim.

Një rëndësi të madhe ka kultura politike e popullit, themelitë e tij moralë, traditat e tij kulturore dhe historike. Në këtë kuptim, sa më e lartë është kultura e një populli, aq më të mëdha janë shanset për ta ndrequr me sukses skemën, duke e zëvëndësuar diktaturën ushtarake me perejstrojkën. Janë të mundura edhe kombinime shumëllojshme të të dyjave. Ka mundësi edhe që vendi, që po ecën i vendour në rrugën e perejstrojkës, në daç për mungesë të kulturës politike, në daç për shkak të kombinimit të pafavorshëm të elementëve, që formojnë konjukturën politike, ta uli perejstrojkën në rrugën e diktaturës ushtarake; thjesht duke mos i përballuar dot streset e mëdha të brëndëshme të perejstrojkës.

Kam frikë, që për Bashkimin Sovjetik, si i tërë, kjo nuk përjashtohet. Në rrethanat që mund të sjellin një zhvillim të tillë unë fus karakterin shumëkombësh të vendit, nivelet kulturorë të llojllojshëm të kombeve të veçantë, nomenklaturën e shumënumurt, zakonet imperiale të ruajtura, traditat, lidhjet, etj, makinën ushtarake kolosale, që në fazat më kritike do t’i kundërshtonte me vështirësi tundimit për ta marrë pushtetin nga duart e qytetarëve të pakrahë.

Por diktatura ushtarake, sado që ajo mund t’i ruajë strukturat e vjetra totalitare, t’i shpëtojë ato (siç ndodhi në Poloni), ajo nuk mund ta shkatërojë kalimin nga totalitarizmi në demokraci, përkundrazi, ajo ka për ta përshpejtuar atë. Duke i radikalizuar kontradiktat, ajo në përgjithësi e nxiton zgjidhjen. Është keq, se këtë raste gjithçka bëhet me gjak, paguhet me jetën e shumë njerzëve.

Me fjalë të tjera, qoftë me perejstrojkë, qoftë me diktaturë ushtarake, rruga nëpër të cilën sistemi ynë komunist do dështojë me siguri, është vetëm njëra: nga totalitarizmi drejt demokracisë me sistemin shumëpartiak. Kjo është e përgjithëshmja, në përputhje me ligjin, e pakthyeshmja. Të tjerat janë vetëm hollësira.

Por jeta, që është gjithmonë më e pasur se sa skemat dhe prandaj s’ ka qejf të shtyhet prej tyre, me siguri do na befasojë ne me kombinime të reja, më të habitshme dhe të pabesueshme të elementëve të realitetit politik, për të cilat tani vetëm se mund të bëjmë ndonjë lidhje. Cili nga ne, për shëmbull, i ra në të – ndonëse kjo ishte tepër e thjeshtë dhe e përfytyrueshme – se edhe gjatë çmontimit të variantit tonë të sistemit totalitar, ai duhet për një farë kohe, të degjenerojë deri në nivelin e fashizmit, të një sistemi më pak të përsosur dhe të përpunuar të regjimit totalitar, dhe në këtë kuptim, për ne fashizmi është një hap i madh përpara drejt demokracisë! Kjo tingëllon si me shaka dhe paradoksale,  për ndërgjegjien politike më të pa “zhvilluar” apo “të virgjër”, kjo do jetë me siguri diçka fyese, por iluzionet politike janë një gjë, ndërsa emocionet dhe paragjykimet diçka tjetër, tjetër realiteti politik dhe ligjet, që ai u bindet.

Sot pikërisht ky mendim ideologjik, me paragjykime dhe supersticioz, i pengon shumë njerëz ta kuptojnë thelbin dhe domethënien e proceseve që po kryhen në vende si Bullgaria, Çekosllovakia, Republika Demokratike Gjermane, Kina,, pjesërisht edhe në Bashkimin Sovjetik; dëgjojmë shumë persona të ankohen kundër regjimit, duke thënë: “E tmerrshme! Fashizëm!”, me të cilën duan të na shtien në mëndje, se situata është bërë më keq se më parë, që vendi është më shumë jodemokratik. Në se provohet t’i kundërshtosh, ata përmëndin mjetet e raprezialjeve të përhapura. Harrohet sidoqoftë se po rritet më shpejt lëvizja demokratike e ligjshme në vend, se ekzistojnë tashmë një bashkësi e tërë grupesh dhe lëvizjesh të pavarura, që po zgjohet shoqëria qytetare brënda vendit, etj – gjëra këto që më parë ishin absolutisht të pamendueshme.

Ja përse do jetë më konkrete në se do të themi: po, është e vërtetë, se tash vendet si Bullgaria, Republika Demokratike Gjermane, Çekosllovakia, Kina, etj me mjetet e tyre politike te raprezialjeve, me demagogjinë, me cinizmin, korrupsionin e përgjithshëm, shovinizmin, palopatriotizmin, pabesueshmërinë, etj nga njëra anë, dhe me lëvizjet joformale, betejën e hapur për demokraci, ndryshime etj, nga ana tjetër, u ngjasojnë më shumë shteteve fashiste se sa atyre komuniste, por ky fakt dëshmon, se ata po përjetojnë tashmë një evolucion demokratik të caktuar, po arrijnë një fazë të caktuar të copëtimit të strukturës totalitare. Me qënë se nuk ekziston rrugë tjetër për kalimin nga totalitarizmi në demokraci, përveç rrugës së shkatërrimit të sistemit politik të tyre. Në se dikush premton ta bëjë demokracinë me anë të përsosjes së sistemit totalitar, kjo do jetë një demagogji tepër mosfisnike.

Por, me qënë se kjo çështje është parimore, dmth ajo ka jo vetëm një kuptim teorik por edhe të drejtëpërdrejtë praktik në momentin e tashëm, ia vlen ta analizojmë atë më me hollësi, të provojmë ta shohim atë në planin historik.

Ne, marksistët, e krijuam të parët në histori, shtetin totalitar – sistemin shtetëror njëpartiak, të krijuar duke i asgjësuar me dhunë partitë e tjera politike ose duke i degraduar ato në nivelin e organizatave formale të zakonshme, të nënshtruara në çdo aspekt ndaj partisë komuniste. Ky monopol absolut i partisë komuniste në sferën e veprimit politik duhet të shkaktonte logjikisht një bashkërritje të plotë të partisë me shtetin dhe, më tej, të aparatit shtetëror me atë të partisë, falë së cilës në krye të shtetit dhe të partisë qëndrojnë të njëjtët persona, që zotërojnë një pushtet të pakufizuar dhe të pakontrolluar edhe mbi të gjithë nivelet më të ulta në hierarkitë e shtetit dhe të partisë, në anëtarët e partisë.

Që ky sistem politik të jetë stabil dhe i pa ndryshueshëm, monopol absolut i shtetit dhe i partisë, të partisë mbi shtetin, ose më saktë të partisë – shtet, ky monopol duhet të përhapej që nga superstruktura në bazën ekonomike të shoqërisë. Çdo gjë duhej ndryshuar në formën e pronës shtetërore – pasuria e madhe private me anë të shpronësimit, e vogla me anë kolektivizimit me dhunë, me gjak, stalinist.

Kur ky proces i shtetëzimit të pronës u mbarua, atëhere regjimi totalitar, u krijua plotësisht. Kështu realizohet varianti komunist i regjimit totalitar, që është deri tani modeli më i përsosur dhe i përfunduar i regjimit totalitar në histori dhe në kohët moderne. Modeli fashist që e paraqesin shpesh si antipod i atij komunist, në fakt dallohet prej tij vetëm se s’është i krijuar deri në fund, jo i përfunduar lidhur me bazën ekonomike, dhe si rrjedhojë, ai është më pak i përsosur dhe më pak stabil. Kjo mund të hetohet edhe nga arqitektonika e brëndëshme e nazizmit dhe e sistemit nazist, që është regjimi fashist më i përsosur. Këtu monopoli absolut i partisë nuk shtrihet në bazën ekonomike ose të paktën jo në tërë bazën ekonomike. Kjo e fundit, përbëhet nga pasuria private, nga lloje të ndryshme të pasurisë private,, që natyrisht nuk shtyhen drejt një tërheqje, tërësie, monoliticiteti; përkundrazi, ajo krijon heterogjenitet, johomogjenitet, ndryshimësi, që në situata kritike kalojnë lehtësisht në gjëra të kundërta : Superstrukturë monolite dhe bazë ekonomike e larmishme – kjo është mosadekuateti ndërmjet superstrukturës politike dhe bazës ekonomike të regjimit fashist totalitar. Kjo e bën atë jostabil dhe jo jetëgjatë. Prandaj të gjithë regjimet fashistë u zhdukën shumë më herët se sa të tjerët, ato komunistë – disa si Gjermania Naziste dhe Italia fashiste në flakët e Luftës së Dytë Botërore, të tjerë, si Spanja e Francos dhe Portugalia e Salazarit – pas luftës, si të thuash, në kushte paqësore.

Por regjimet fashiste jo vetëm që u zhdukën më herët, ato edhe u shfaqën më vonë, gjë që tregon se ata janë në këtë drejtim një imitim i mjerë, një plagjiaturë e origjinalit, që paraqet regjimin totalitar të përfunduar dhe të përsosur, autentik, të vërtetë. Kur bëhet fjalë për fashizmin, miku im profesori Nikolaj Gençev, e përkufizon atë me ndjenjën e vet të humorit si “një variant të hershëm të pasistemuar, gaztor të komunizmit” dhe Hitlerin vetë – si “imitues i mjerë dhe aktor operetash” . Duhet thënë, se kjo shaka ka një të vërtetë jo ogurmirë. Duke mos e shfajsuar në asnjë shkallë xhelatin dhe kanibalin Hitler, duhet të pohojmë se në krahasim më xhelatin Stalin, ai është një xhuxh i vërtetë – bile kjo është një metaforë e dobët. Xhelati Stalin do ta mbante kolegun e vet në xhepin e tij.

 

Po përmënd vetëm dy shifra, që flasin më rrjedhshëm se çdo argument ose arsyetim për mundësitë në parim të larmishme të dy llojeve të totalitarizmit. Deri në fillimin e Luftës së Dytë Botërore – më 1 shtator 1939 – Hitleri vrau jo më shumë se 10 000 njerëz. Siç mund ta nxjerrë edhe lexuesi vetë, midis tyre përfshihen edhe viktimat e “natës së shpatave të gjata” (30.06.1934), kur u ekzekutuan kryetarët e SA-ve të prirë nga opozita, “nata e kristaltë“ (“die Kristallnacht, prill 1938), kur u bënë progromet kundër çifutëve, për të cilët është shkruar kaq shumë nëpër libra…Deri në të njëjtën datë – më 1 shtator 1939 – Stalini ka vrarë jo më pak se 10 000 000. Disa autorë thonë, se kjo shifër është rreth 15 000 000, por s’ do të diskutojmë për të, sepse s’ ka rëndësi në këtë rast. Ka rëndësi se bëhet fjalë për një diferencë që nuk mund të shprehet me përqindje (i pari zhduku kaq përqind më shumë se tjetri), nuk matet me shumëfisha (kaq fish më shumë se tjetri), bëhet fjalë për një diferencë, që shprehet me sisteme matematikorë, dmth me madhësi që përdoren në kosmologji, astronomi, në fizikën moderne.

Fakti tjetër ka të bëjë me viktimat e luftës. Gjermania, që luftoi në dhjetra vende në Evropë dhe Afrikë dhe pësoi një shpartallim ushtarak të plotë nga forcat e bashkuara të aleatëve, ka rreth 7 500 000 deri 8 000 000 viktima dhe këtu llogariten edhe ata nga popullsia paqësore në prapavijë. Bashkimi Sovjetik që hyri në luftë dy vjet më vonë, ka 30 000 000. Për ta fshehur paaftësinë e vet dhe dështimin si udhëheqës ushtarak, Stalini, kur ishte gjallë, dëshmoi se viktimat ishin 7 000 000. Hrushovi dëshmoi se ato qenë 20 000 000. Disa autorë mendojnë se kjo shifër mund të arrijë 40 000 000.

Në të vërtetë, diferencat këtu llogariten me sisteme matematikore, por të japësh 3-4 herë më shumë viktima, kur ke hyrë në luftë më vonë dhe s’ ke luftuar në kaq shumë vende, si shtet – agresor, edhe kjo flet indirekt për një shkallë më të madhe xhelatllëku të një regjimi totalitar të përsosur të bërë përfundimisht.

Por mbase asgjë tjetër nuk flet më rrjedhshëm për këtë temë se sa mungesa e çfarëdo lloj provash për ta përmbysur me puç ushtarak kryesinë sovjetike për atë që ajo e solli vendin në një katastrofë ushtarake në vitet 1941-1942. Sepse historia e shekullit XX nuk njeh një tradhëti të tillë lidhur me popullin dhe vendin tënd, që e ka bërë Stalini dhe Byroja e tij Politike. Vrasja e komandantëve ushtarakë, neglizhimi i plotë i furnizimit me material teknik ushtarak, çmontimi i pajisjeve mbrojtëse në vijën përëndimore, injorimi kriminal i paralajmërimeve të shumta të bëra nga shërbimet e zbulimit për një ofensivë që po përgatitej kundër Bashkimit Sovjetik, grumbullimit masiv të divizioneve gjermane fare afër me kufirin sovjetik, pushtimi i rrufeshëm i tokave të Bashkimit Sovjetik dhe zënia robër e afërsisht 4 500 000 ushtarëve sovjetikë deri në fund të vitit 1941 – kjo në fund të 1941 dhe në fillim të 1942 e vuri Bashkimin sovjetik para katastrofës së plotë dhe Stalini qe i detyruar me anë të kanaleve të Beries të kërkonte nënshkrimin e një traktati paqeje me Hitlerin duke shfrytëzuar ndërmjetësimin e mbretit Boris.

Fakti, që edhe në këto kushte katastrofike për vendin, gjeneralët sovjetikë nuk bënë as edhe një tentativë për ta përmbysur ekipin e Stalinit, tregon vetëm se në çfarë kolapsi të thellë politik dhe ideologjik ndodhet ndërgjegjia shoqërore në një regjim totalitar të bërë përfundimisht, si – ishte atëhere ai sovjetik.

Në rrethana analloge gjeneralët gjermanë, ndonëse pa sukses, më 20 korrik 1944 provuan ta përmbysin Hitlerin dhe regjimin e tij. Në Itali, një vit më parë (25 korrik 1943) ushtarakët e udhëhequr nga Mareshalli Badoglio arritën ta arrestonin Mussolinin dhe ta hiqnin nga pushteti partinë fashiste. Në rastin e parë dhe të dytë, kjo u bë e mundur, sepse gjeneralët gjermanë dhe italianë vinin nga klasa të pasura, që do të thotë se në sferën civile ata kishin një tokë ku mbështeteshin, pikërisht në sferën më të rëndësishme të jetës shoqërore, në ekonomi. Ata zotëronin pasuri. Kjo do të thotë praktikisht, që në se një konspirator do të dështojë, në se do i ndodhë më e keqja, familja s’ do të vuajë nga uria, fisi i tij nuk do të zhduket.

 

Lidhur me problemin në diskutim, është shumë me interes të kujtojmë evolucionin ideor të Mussolinit në etapën e fundit të jetës së tij, pasi u çlirua nga robëria me anë të repartit të Otto Skorcenit.

 

Si rezultat i meditimeve të gjata ( ndërsa ishte rob në një fortesë në Alpet, kishte mjaft kohë për të medituar ) ai erdhi në përfundimin, se duhet të krijojë një shtet fashist tjetër, ku nëpërmjet nacionalizimit çdo gjë të bëhet pronë shtetërore. Mussolini e gjeti se vetëm monopoli shtetëror mbi pronën mund të krijojë një regjim totalitar monolit dhe të palëkundëshëm, të aftë të garantojë udhëheqësin fashist dhe partinë fashiste kundër çfarëdo lloj surprize që mund të bëjnë ushtarakët. Këto ide ai i paraqet në një plan për krijimin e republikës famëkeqe të Salës, realizimin e të cilës e pamundësoi vetëm nxitimi i operacioneve ushtarake të aleatëve në territorin e Italisë.

 

Nga ana tjetër, hapat e parë praktikë u hodhën. Formimi i “Republikës së Salës” u shpall në fillim të tetorit 1943, kuptohet në lidhje  gjeneralin SS Karl Ëolf dhe ambasadorin e atëhershëm gjerman Rudolf Ran. Gjatë kongresit themelues në Verona në nëntor 1943 u pranua një thirrje për punëtorët e veriut, të cilëve u premtohet kontrolli punëtor mbi ndërmarrjet industriale, dhe nacionalizimi i pjesshëm i tokës..

 

Por le të kthehemi tek tema kryesore. Duke folur për kalimin specifik në fazën e “fashizmit” gjatë çmontimit të regjimit totalitar komunist dhe duke e paraqitur këtë kalim si një hap real drejt demokracisë, s’ duhet kuptuar kjo fjalë për fjalë, sikur ne synojmë drejt fashizmit si drejt një ideali, sikur duhet të adoptojmë ideologjine e fashizmit etj. Asgjë si kjo! Ne do kalojmë nëpër të nga domosdoshmëria, pashmangësia, nga detyrimi, dhe prandaj, sa më shpejt ta kalojmë atë, aq më mirë do të jetë. Por ne i kushtojmë një vëmëndje të veçantë këtij fakti jo për gjë tjetër, por sepse ai është çelës për të kuptuar tendosjen e brëndëshme të sistemit tonë totalitar në epokën e perejstrojkës – tendosje që lindi nga çmontimi i atyre apo këtyre elementëve të bazës apo të superstrukturës. Dhe pikërisht çmontimi e bën regjimin totalitar të përsosur, të papërsosur dhe pikërisht për këtë arsye – jostabil. Kjo rrethanë nga ana e saj bëhet një shkak për të zbatuar raprezalje si mjet kompensues, me të cilën rivendoset stabiliteti i sistemit. Ka mundësi, kuptohet, që në perejstrojkë në vende të ndryshme të mbizotërojnë proceset e çmontimit në bazë, si në Kinë, ose në superstrukturë, si në Bashkimin Sovjetik.

 

Por edhe në rastin e parë, edhe të dytë, sistemi totalitar hyn në fazën e mosstabilitetit, siç thuhet, e pamjaftueshmërisë strukturore, dhe ay, për t’u ruajtur, nuk mund të kompensohet ndryshe, veç me dhunë më të shpeshtë dhe më të hapët, me terror. Ngjarjet më të fundit në Kinë e konfirmojnë këtë gjë. Reforma ekonomike, që kryesia kineze e realizoi brënda vendit dhjetë vjetët e fundit, duke likuiduar komunat, duke e fermizuar tokën për fshatarët për 10, 15, 20, 30, 50 vjet, duke krijuar një treg më liberal, “zona ekonomike speciale” , etj duhet të shpinte në një farë mënyre, në një antagonizëm ndërmjet autoriteteve dhe inteligjencës. Reforma ekonomike krijoi kushte, ku grupe të veçanta të popullsisë u pasuruan dhe u bënë më të pavarur dhe më të mëvetësishëm nga shteti, Në konfirmim të statusit të tyre te ri social dhe gjëndjes shpirtërore, ata nisën të dëshirojnë të jenë më shumë të lirë edhe politikisht, gjë që në regjimin ekzistues komunist, nuk mund të realizohet, po qe se nuk tentohet të shkatërrohet sistemi njëpartiak. Dhe ata tentuan ta shkatërrojnë atë. Intelektualët dhe rinia, që kanë qënë gjithmonë më të ndjeshëm ndaj çështjes së lirisë dhe demokracisë, reaguan të parët kundër monopolit të Partisë komuniste, duke këmbëngulur për heqjen e tij.

 

Pra, që para kthimit të pronës private në këtë apo atë sferë të jetës njerëzore, para se të zbresim në nivelin e korelacionit karakteristik për fashizmin, ndërmjet bazës dhe superstrukturës ( prona private në themelin e shoqërisë dhe monopoli absolut parti-shtet në superstrukturën politike ), fenomenet karakteristike për fashizmin nisin të riprodhohen.

 

Kuptohet, ka shumë të ngjarë që jo kudo të konfirmohet kalimi nëpër fazën specifike fashiste. Gjatë çmontimit efekti i pastabilitetit mund të bëhet edhe në rendin e anasjellë. Në Bashkimin Sovjetik, për shëmbull, baza ekonomike nuk është prekur, monopoli shtetëror absolut mbi pronën kombëtare është ende i pandashëm, ndërsa në superstrukturë proceset e çmontimit kanë shkuar kaq larg, sa pluralizmi politik është tashmë një fakt : hapa praktikë për ta ndarë partinë nga shteti; grupe joformalë, lëvizje, fronte nacionalë, që e kundërshtojnë monopolin pushtetor të Partisë Komuniste; greva dhe lëvizje nacionale për sovranitet shtetëror, për publicitet. Kjo, papra, i lakuriqëson të metat dhe veset e sistemit totalitar. Në një farë kuptimi, rezulton që fashizmi është i anasjellë me këtë ( monopolizëm në bazë, pluralizëm në superstrukturë! ), gjë që kuptohet, nuk pushon se mosstabilizuari sistemin në tërësi.

 

Në se në Bullgari rindërtimi realizohet në mënyrë të atillë, siç është planifikuar nga nomenklatura, – në fillim në ekonomi dhe më pas edhe në sferën politike – rezultati do jetë pikërisht varianti kinez i çmontimit dhe fashistizimi që ka për t’u shprehur shumë qartë. Nga ana tjetër, me qënë se, në një farë grade, janë realizuar reforma ekonomike dhe disa grupe të popullsisë nisin të fitojnë mëvetësinë dhe vetëdijën, tendosja ndërmjet bazës dhe superstrukturës po përceptohet gjithnjë e më shumë. Veç kësaj bëhet fjalë jo aq për anën subjektive të këtij fenomeni, se sa për një varg manifestimesh objektive të tij.

Të gjitha këto arsyetime për kalimin nëpër etapën fashiste të llojit të vet në rrugën drejt çmontimit të plotë të modelit tonë komunist të regjimit totalitar, e cila – e përsërisim – paraqet formën e përsosur të totalitarizmit, nuk e zhvlerëson skemën e përgjithëshme të dështimit : sistemi totalitar – diktatura ushtarake ( përkatësisht – perejstrojka ) – demokracia shumëpartiake. Formula e përgjithëshme vlen për të dy llojet e totalitarizmit, praktikisht për gjithë sistemet totalitarë, por ai më i përsosur, ai komunist, para se ta mbrijë hallkën e dytë, zbret shpesh në nivelin e atij më pak të përsosur, atij fashist. Ky moment i degradimit nganjëherë mund të shprehet shumë qartë si një nënetapë e veçantë në gërryerjen e hallkës së parë, një herë tjetër, prania e saj mund të jetë e shprehur kaq dobët, sa ne s’ e vemë dot re.

 

Siç shihet, aktualizimet më të reja të temës së fashizmit vijnë pikërisht që andej, nga ku priten më së shumti – nga perejstrojka, duke treguar sërish lidhjen intime ndërmjet dy llojeve kryesore të totalitarizmit. Më parë, këtë lidhje e kanë mohuar ose e kanë parë kryesisht në planin historik, historiko – gjenetik ( për shëmbull, se si komunizmi shkaktoi ose stimuloi shfaqjen e fashizmit, më pas se si fashizmi e pasuroi arsenalin politik të komunizmit, etj ), por tash ajo shihet në kuptimin politik aktual.

Kjo rrethanë na kthen sërish te problemet metodologjike themelore në hetimin e fashizmit.

Të dhënat më të fundit konfirmojnë, se fashizmi nuk mund të kuptohet në themelet e tij të thella, në se atë nuk e konsiderojnë një regjim totalitar, një lloj i sistemit totalitar. Pa modelin totalitar, para së gjithash, nuk mund të shohësh vendin e fenomenit fashist në kuadrot politikë të mëdha të shekullit XX, aq më pak është e mundur të zbulosh lidhjen e tij me variantin tjetër të totalitarizmit – atij komunist – dhe të konstatosh saktë të përbashkëtën dhe ndryshimin ndërmjet tyre. Nuk mund të ekzistojë asnjë shkencë në se, apriorisht apo me qëllim, sipas konsideratave të pastra ideologjike e mohon këtë lidhje, duke i mëshuar gjoja kundërtisë ndërmjet tyre, që e paraqesin si më thelbësoren dhe më themeltaren. Nuk është shkencë, gjithashtu, në se e damkosim komunizmin si fashizëm, si llojin më të keq të fashizmit, etj. Kjo mënyrë paraqitet përmbledhazi në një provë për ta kompromentuar formën ende të pakompromentuar apo më pak të kompromentuar të totalitarizmit me një tjetër, që është krejt e kompromentuar, e dënuar ndërkombëtarisht gjatë Procesit të Nurembergut. Por sot kjo nuk mund të ketë një kuptim..

Nga gjithçka sa u tha , duhet të jetë e qartë, se për ne, bullgarët, veçanërisht për intelektualët bullgarë, këto probleme, që po i ngre tash perejstrojka sovjetike, nuk janë të reja. Në fakt ato po i dikutojmë që nga gjysma e dytë e viteve 60-të, dhe këtë e bëjmë jo në nivelin empirik politik, në kuadër të të cilave lëvizin ende periodikët sovjetikë, por në një nivel teorik më të lartë, ku proceset kanë qënë rregullsi të konsideruara të zhvillimit historik, mbi bazën e të cilave janë bërë prognoza për të ardhmen e regjimimeve totalitare.

Kuptohet, në të gjitha kushtet, kjo mund të bëhet hapur dhe krejtësisht vetëm mbi bazën e llojit të parë të totalitarizmit – fashizmit, sepse tjetri ka qënë një tabu. Veç kësaj, edhe publiku ka qënë më i gatshëm të pranojë ta përceptojë atë të tillë sepse ai ka njohur një material demaskues shumë të madh për fashizmin, ndërsa për komunizmin ai ende ka pasur shumë iluzione.

Mbaj mënd, se kur në prill 1974 në Portugali shpërtheu revolucioni i nënoficerëve dhe u vendos për disa vite diktatura ushtarake, dhe pas saj erdhi demokracia parlamentare mbi bazën e sistemit shumëpartiak, shumë miq dhe të njohur, që e patën lexuar “Fashizmin” në dorëshkrim, më thanë se formula për dështimin e regjimeve totalitare po funksionon mirë, ose sikurse njëri nga entuziastët më tha: “po funksionon pa kritika” .

Herën e dytë, e njëjta gjë ndodhi më 1981, kur në Poloni e shpallën gjëndjen ushtarake. Kuptohet, këtë rradhë, nuk më telefonuan, sepse bëhej fjalë për një vend vëlla dhe biseda të tilla nuk qenë krejt pa rrezik.

Pas daljes së librit, qeveritarët reaguan jo rastësisht me raprezalje kaq të mëdha dhe masive kundër të gjithëve, që kishin lidhje me atë botim. Sipas reaksionit publik, nxitja dhe entuziasmi, me të cilin e theksoi atë një pjesë e intelektualëve, ata e ndjenë instinktivisht, që janë shtruar për diskutim problemet më të mëdha të kohës sonë, përfshirë çështjen e fatit të “rendit tonë shoqëror”.

Sado të papëlqyeshme ishin për to, sepse ata e dinin shumë mirë, se vetëdemaskoheshin duke e përndjekur librin, ata ishin të detyruar ta bënin këtë, sepse nuk mund të paraqesnin ide të kundërta me të.

I përjashtuan të tre redaktorët, të lidhur drejtpërdrejt me botimin e librit: redaktorin e brëndëshëm të librit, poetin Kiril Gonçev, redaktoren përgjegjëse për bibliotekën “Mauro” (ku doli në fakt libri) – Violeta Paneva, përgjegjësin për letërsinë socialpolitike në shtëpinë botuese – Stefan Langjev.

Redaktori i jashtëm prof. Ivan Slavov u dënua me një “kritikë” partie. U diskutua edhe çështja për dënime administrative, por reaksioni i ashpër i organizatës së partisë në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Sofies e pamundësoi këtë. U dënuan nga partia edhe dy recenzentët : prof. Kiril Vasiljev dhe prof. Nikolaj Gençev. Për recenzën e tij tepër pozitive Gençevi mori edhe dënime të tjera. Nga lart e detyruan të hiqte dorë nga vendi i dekanit në fakultetin e Historisë dhe të gjitha seritë e tij historike u hoqën nga programet televizive për 3-4 vjet. Për recenzën pozitive të botuar në gazetën  “Oteçestven glas” ( “Zëri i Atdheut” ) në qytetin Plovdiv u dënua me  “kritikë të ashpër me paralajmërim të fundit për përjashtim nga partia” docenti Asen Karalov, që ishte përjashtuar nga grupi i lektorëve të rrethit i Partisë Komuniste. U hoq nga posti i vet si përgjegjës për degën ideologjike në të njëjtën gazetë Slavejko Mandev, i cili, është e qartë, ra në siklet të madh dhe shumë shpejt vdiq.

Me sa di unë, njëri nga shkaqet kryesorë për ta hequr sekretarin e atëhershëm të Komitetit Qëndror të Komsomolit ( Bashkimi i Rinisë komuniste ), përgjegjësin për problemet ideologjike Belço Ivanov, ishte leja për të botuar “Fashizmin” , ndonëse, siç u konstatua më vonë, ai s’ kishte as dijeni për këtë gjë, sepse ishte me leje. Shpesh herë kam dëgjuar thënien, se dalja e “fashizmit” është përdorur edhe kundër Aleksandar Lilov-it nga kundërshtarët e tij në Kryesinë Politike të Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste, por a është kjo e vërtetë, s’ mund ta them dot. Në çdo rast, njëri nga ndihmësat e tij , menjeherë pas daljes së librit, më ka sulmuar mua me qëllim. Më ka thënë, që me “fashizmin” unë i kam futur thikën pas shpine shokut  Lilov”.

Natyrisht, duhet të më dënonin edhe mua, por me qënë se isha përjashtuar prej kohësh nga partia, mbetën vetëm dënimet administrative. Më përjashtuan si përgjegjës seksioni dhe anëtar i Këshillit Shkencor të Institutit të Kulturës. Që të mos shpërthente ndonjë skandal, e bënë këtë në mënyrë jezuite, duke lajmëruar një riorganizim të Institutit, si rezultat i të cilit seksioni im “Kultura dhe personaliteti” u  suprimua, kështu që s’ kisha për se të përgjigjesha më, dhe, për kamuflim, e suprimuan edhe seksionin fqinj “Problemet rajonale të kulturës” . Njëkohësisht në Këshillin Shkencor “të formuar rishtazi” i vetmi emër që mungonte ishte i imi.

Unë mundja të protestoja, mund të bëja skandal, por nuk e bëra këtë. Ishte shumë e sikletshme të mbrohesha, kur për shkak të librit tim, shumë njerëz që s’ i ndihmoja dot, kishin vuajtur. Ishte diçka e shëmtuar.

Shpresa e qeveritarëve, që me raprezalie ta frikësojnë shoqërinë kulturore, ta detyrojnë atë të mos diskutojë për librin, t’i bëjë zotëruesit e kopjeve të mos i shpërndajnë dot ato, nuk u justifikua. Interesi shoqëror u bë kaq i madh, sa raprezaliet ndikuan si një vaj në kandil. Njerëzit që nuk kishin lexuar pothuaj asnjë letërsi politike deri atëhere, e kërkonin librin me vrull për ta lexuar.

Atëhere qeveritarët vendosën të veprojnë rreth e rreth dhe më shkathtësisht. Organizuan rrufeshëm një botim masiv të hetimeve të huaja për fashizmin: i pari – “Fashizmi: teoria dhe praktika” të autorit francez Bourdereaun, tjetri – “Mite dhe realitete” të autorëve sovjetikë D. Melnjikov dhe l. Çjornaja, aq më shumë që të dy botimet ishin dokumentare. Por..

Veç kësaj, degët e Komitetit Qëndror organizuan shkrimin e një recenze shpartalluese për librin, që pasi “ u ngroh “ gjatë doli në një fletoren 12 të revistës “Filosofska Misal” (“Mendimi Filosofik” – 1982) nën titullin “Për një analizë shkencore marksiste – leniniste të fashizmit” , nënshkruar nga Mitrju Jankov.. Akuza kryesore kundër librit ishte se ajo s’ është një vepër vetiake, por një plagjiaturë e librit të Carl Poper-it “Shoqëria e hapur” , ndonëse kjo ishte një budallallëk me brirë, të cilit nuk i besonin as autorët e vet – një shpifje e trashë dhe naive, të cilës qeshë i detyruar t’i përgjigjesha me një letër të hapur redaksisë, ku ngulja këmbë, që ta provonin plagjiaturën, siç veprohet zakonisht në botë, ose komiteti redaktues të kërkojë falje publike, ndryshe do të ngreja padi kundër tyre. Vërtet kisha ndërmënd të ngreja padi kundër redaktorëve, por miq më të mënçur se unë më bindën të mos merresha me gjëra pa kuptim, aq më tepër se grupi i luftëtarëve kundër fashizmit, në mes të të cilëve edhe emra të famshëm si Boris Delçev, Brajko Kofargjiev, Boris Spasov, Daço Marinov, Duço Mundrov, Iskra Panova, Nevena Meçkova, Radoj Ralin, ashtu si edhe kolegë më të rinj se unë – Ana Serafimova, Evgenija Ivanova, Ilja Ivanov i shkruajtën letra proteste kryeredaktorit të  “Filosofska Misal” , ku shprehën zëmërimin e tyre, që u vënë në dispozicion hapësirë artikujve fyes në frymën e viteve 50-të dhe s’u japin mundësi të përgjigjen njerëzve të fyer..

Këto protesta është e qartë se ishin të papritura për qeveritarët, sepse si përgjigje ata zbatuan mjete në ekstrem jo popullore: nisën t’u bëjnë thirrje autorëve të letrave për të bashkëbiseduar “shoqërisht” me ta në intanca të ndryshme, ku tentuan t’i bindin që të hiqnin dorë nga mbrojtja e “Fashizmit” . Kuptohet, asnjëri nuk hoqi dorë. Kudo gjatë bashkëbisedimeve njëra palë përpiqej ta bindëte tjetrën që ta ndryshonte opinionin. Radoj Ralin, që ishte ftuar për bashkëbisedim me kryesinë e Institutit të Filozofisë, në prani të akademikut Sava Ganovski, prof. Ivan Kalajkov, prof Todor Stojçev e të tjerë, u përpoq ta bindë komisionin, që “fashizmi” duhet të futet si libër mësimi në kursin e organizimit të partisë në Kursin e Lartë të Partisë. Komisioni, duke menduar, që kjo është shakaja politike e rradhës e Ralinit, qeshi me të madhe, u shkurajua plotësisht për të bashkëbiseduar më tej me të dhe kaloi në tema të tjera.

Të gjitha këto ngjarje, jo vetëm që e mbajtën librin në qëndër të vëmëndjes shoqërore, por e rritën papushim interesimin për të. Nga një fakt literature atë e shndërruan në një ngjarje politike.. Lindi spontaneisht një lëvizje në mbrojtje të redaktorëve dhe recenzentëve të dënuar. Vinin tek unë vazhdimisht njerëz që shprehnin mbështetje dhe solidaritet, kuptohet, vinin edhe kërcënime për të më transferuar mua nga Sofia, për të më syrgjynosur, bile.. edhe për të më likuiduar!

Interesimi ishte kaq i madh, sa lidhur me librin lindi një folklor i vërtetë popullor. Situatat komike që kishin ndodhur, thashethemet dhe legjendat u bënë një bazë për shaka të reja politike. Më lejoni t’ju tregoj disa syresh:

Pasi në grupet e ndryshme të intelektualëve bashkëbisedimet për librin nisin të kenë një karakter prestigjioz, një zonjë e re vendos ta blejë librin. Hyn në një librari dhe pyet:

– A e keni “Komunizmin” e Zheliu Zhelevit?

Shitësi e vështron me habi:

– Mos doni të thoni “Fashizmin” e Zheliu Zhelevit?

– Po, kështu pra.

Miqtë e prof. Ivan Slavovit e takojnë atë në rrugë menjëherë pasi ai kishte marrë dënimin nga Partia komuniste dhe e pyesin:

– Si ja çon Ivan? Me çfarë po merresh?

– Po mbush rradhët e vuajtësve për shkak të “Fashizmit”.

Funksionarë të lartë partie e kërcënojnë profesorin Nikolaj Gençev, se për shkak të recensës pozitive, që shkroi për librin, mund të përjashtohet nga partia. Ai ishte përgjigjur: “Në se do më përjashtoni, menjëherë do i fus dokumentat për t’u njohur si një luftëtar aktiv kundër fashizmit!”

E pyesin drejtorin e shtëpisë botuese “Narodna Mladezh”, “Rinia Popullore”:

– Ç’ kemi ndonjë të re nga shtëpia botuese, shoku drejtor?

– Veç “Fashizmit” – asgjë tjetër.

Si një shaka tjetër, unë dërgova një artikull të hollësishëm për kulturën në gazetën  “Narodna kultura”, “Kultura popullore”. Komiteti redaktues u gëzua që unë po qëndroja përsëri në pozita të besueshme partiake dhe vendosi të më telefonojë:

– Gëzohemi shumë për artikullin..Jemi dakort për gjithçka…Do ta botojmë pa i prekur asnjë fije.. Po përse e keni dërguar pa nënshkrim?

– Sepse s’është imi.

– Do me thënë, si ta kuptojmë këtë?

– Është shkruar nga Goebbels.

Ishte një shakaxhi që i krahasonte edhe gjërat që nuk mund të krahasoheshin: Ç’bënë popujt evropiano – lindorë pas Luftës së Dytë Botërore?

Hungarezët bënë një kryengritje më 1956, çekët më 1968 na dhanë “Pranverën e Pragës” , polakët më 1980 – “Solidarnostin” , bullgarët më 1982 botuan “Fashizmin” …

Ta krahasosh botimin e një libri me një kryengritje popullore ose një lëvizje popullore masive, kuptohet, është një gjë pa bazë, por ajo ishte interesante si gjëndje shpirtërore, qoftë edhe sikur ta interpretojmë shakanë si ironi, gjë që është më shumë e ngjashme.

Lidhur me gjëndjen pa pasoja dhe tragjikomike ku ndodheshin përndjekësit e librit, doli një shaka e famshme tepër aktuale sovjetike për “diktatorin me mustaqe” .

Një i dehur, tepër i pirë, në mesnatë qëndron para Mauzeleumit në Sheshin e Kuq dhe ia nis të bërtasë: “Vdekje diktatorit me mustaqe! Vdekje diktatorit me mustaqe”!

Rojet para Mauzeleumit bëjnë sikur nuk e vënë re, duke pritur me padurim që ai të largohesh vetë. Por i dehuri qëndronte këmbëngulës dhe i drejtuar për nga Kremlini, ngrinte kohë pas kohe grushtin dhe lëshonte parrullën e vet. Më në fund, rojet ishin të detyruara t’i telefononin oficerit dezhurn. Koloneli, që e sheh si është puna, e arreston të dehurin dhe, që nga vendroja i raporton Stalinit, se ka arrestuar një armik të keq, që thërriste kundër tij: “vdekje diktatorit me mustaqe!”. Stalini tha se tani kishte një mbledhje dhe s’ mund të merret me rastin, por t’ja shpien të arrestuarin pas tre orësh.

Këto tri orë dolën shpëtimtare për pijanecin. Ndërkohë ai u bë esëll. Dhe kur tri orë më pas Stalini e pyeti:

– Qytetar, kë keni parasysh kur thërrisni: “vdekje diktatorit me mustaqe!? – ky u përgjigj:

– Kuptohet, Hitlerin. Ai e sulmoi me qëllim vendin tonë, shkatërroi mijëra qytete dhe fshatra, vrau miliona sovjetikë…

-Mjafton! Në rregull, qytetar!

Duke u kthyer nga oficeri, Stalin e pyeti: Po ju, shoku kolonel, kë patët parasysh…!?

Po e tregoj këtë anekdotë sovjetike për të qeshur jo vetëm, sepse ajo ishte riaktualizuar nga opinioni shoqëror dhe lidhesh gjithmonë me fatin e librit, por në rradhë të parë, sepse ajo e shprehte shumë saktë situatën tragjikomike ku ndodheshin pashmangësisht të gjithë ata që organizonin raprezaliet. Nga njëra anë, duhet të dënonin për anallogjitë me socializmin, që unë dukshëm i kam bërë në libër, por, nga ana tjetër, kur të dënuarit dëshironin të dinin , se ku pikërisht në libër janë bërë krahasime të tilla,, duhej provuar, që me gjithë se në tekst mungonin analogjite drejtpërdrejt, libri qe shkruar në mënyrë të tillë, që vetë lexuesi i bën këto krahasime – gjë kjo që pala kundërshtare, që zinte një pozite jezuitësh me rendin e saj, kundërargumentonte energjikisht, duke sjellë prova se në bazë të tekstit dokumentar analogjitë mund të bëhen nga një ndërgjegjie politikisht e pandershme..Si rrjedhojë, ata që i bënin krahasimet, janë njerëz të aparatit partiak. Ata duhen dënuar. Dhe me qënë se kjo ishte një akuzë e drejtpërdrejtë politike kundër përndjekësve, polemikat shpërthyen përsëri dhe përsëri..

Ndodhi pikërisht ajo, që qeveritarët e kishin frikë më shumë, që denimet nuk do mbeten sekret dhe interesi për librin do të fuqizohet.

Po tregoj dy nga ndodhitë e shumënumurta komike.

Miku im nga Pazargjiku, një poet, që e njihte tekstin e librit shumë kohë para se ai të botohej, pasi e pa atë në vitrinë, bleu 15 kopje. Po atë ditë, ai takoi një pop të njërit nga fshatrat e afërt, që e kish mik të mirë dhe i tha, se është botuar një libër për fashizmin, që duhet ta marrë patjetër. Popi nxitonte shumë prandaj nuk arriti të shkojë në librari. Pasi erdhi një javë më pas,libri ishte shitur krejt. Atëhere miku im i dha atij një kopje, që ta lexonte dhe ranë në ujdi bashkë, që popi të vinte pas dy javësh në qytet dhe t’ja kthente librin. Por, kaluan 15, 20, 30 ditë, kaloi muaji, dy muaj, popi nuk u ndje. Atëhere miku im, i shqetësuar, shkoi me autobuz një mbrëmje në fshat që të shohë se ç’ i ndodhi popit. E gjeti atë në shoqëri të kryeplakut, sekretarit të Partisë Komuniste, kryetarit të shoqatës agrare, kryetarit të sindikatës dhe të mësuesve. Ata po diskutonin për diçka dhe po pinin. Miku im e pyeti popin, pse s’ia kish kthyer ende librin, dhe popi u përgjigj: “Vendosa ta mbaj këtë libër këtu, për fshatin. Kemi themeluar një rreth të vogël për studimin e tij. Lexojmë kapituj të veçantë dhe i diskutojmë ato së bashku. Meditojmë për to dhe pijmë”.

– Por çfarë rrethi mund të jeni ju? – i tha miku im – Sekretari i partisë dhe kryeplaku janë komunistë, ju jeni i krishterë, kryetari i shoqarës agrare është një anëtar i agrares, mësuesit janë mbase paparti dhe ateistë. Ç’gjë të përbashkët keni ju midis jush?

– Oh, biri im – tha prifti me shumë domethënie – kur bëhet fjalë për fashizmin dhe pirjen, bëhet një front i përbashkët, ku ideologjitë s’ kanë asnjë kuptim…

 

Një ndodhi tjetër ishte në një qytezë në afërsi të Plovdivit… Organizata sindikale lokale vendosi që gjatë kuvendit mbarëqytetas të japë çmime për aktivistët më në zë. Bashkë me çmimet në para dhe në objekte vendosën të dhurojnë edhe libra. Shkuan te librashitësja duke i thënë asaj se pëlqejnë literature socialpolitike. I thanë gjithashtu, asaj, që librat të jenë të lidhura me kapak të fortë dhe të bien në sy për trashësinë e tyre. Librashitësja u tha atyre se disponon një pako me libra për fashizmin, që përputhet krejtësisht me kërkesat e tyre: të lidhura me kapak të fortë etj. Kryetarët lokalë të sindikatës që dukej se s’ ishin nga epiqëndra e jetës politike, i morën librat, i mbishkruan dhuratat dhe i shpërndanë ato gjatë kuvendit. Kaluan disa ditë dhe në qytet nisën të flasin, se është shpërndarë një libër i dëmshëm ideologjikisht bile i ndaluar nga qeveritarët. Libri u bë temë e bashkëbisedimeve dhe komentimeve të shumta të papritura. Ka shumë të ngjarë që thashethema arriti në veshët e atij instituti, që interesohet më së shumti për shëndetin ideologjik të vendit dhe sipas direktivave të tij një ditë të bukur niset për t’ja marrë çdo njeriu nga dora librin e gabuar.

Por paralelisht me ndodhitë dhe situatat komike, kishte edhe asish tragjike. Do t’ju tregoj vetëm për më të fundit. Vitin që shkoi më telefonoi një djalë nga Pazargjiku, u prezantua dhe këmbënguli që të takoheshim.

Për momentin e parë mendova, se do jetë ndonjë nga lëvizja për mbrojtjen e të drejtave, që kërkon kontakte. Por ishte diçka tjetër. “Fati im është i lidhur ngushtë me tuajin – më tha djali. Kam shprehur habinë time, duke thënë se më vure në siklet – sepse s’ jemi as të njohur. “Unë – vazhdoi ai – kam qënë në burg katër vjet për shkak të librit tuaj për fashizmin… Ua kam lexuar atë ushtarëve në repart prandaj më ngritën një proces. Gjyqi ushtarak më dënoi me gjashtë vjet heqje lirie, por me qënë se unë punova, më liruan pas katër vitesh.. Tash, në vjeshtë, duhet të shkoj përsëri në kazermë për ta përfunduar shërbimin ushtarak. Më fyese ka qënë, se më kanë dënuar për përhapje të ideve fashiste në kazermë”.

U shastisa, rrija në këmbë dhe nuk doja t’u besoja veshëve të mij. Në fakt kam pasë dëgjuar atëhere për një ndodhi të tillë, por s’ e besoja, duke menduar, se është një nga thashethemet dhe legjendat e shumënumurta që përhapeshin atëkohë, por tash ky djalë po qëndronte para meje dhe s’ mund të dyshoja. Katër vite nga më të bukurit e jetës së këtij të riu inteligjent ishin rrënuar…

– A ke prindër? – e pyeta – Pse ata nuk kanë shkuar të ankohen? Përse nuk kanë bërë zhurmë? Pse s’ e kanë alarmuar opinionin shoqëror? Si kanë qëndruar të heshtur para një maskarallëku të tillë politik?

Djali tha se prindërit u përpoqën të kërkonin ndihmë, por i frikësuan, se është në interes të tyre të heshtin, ndryshe do u bëhet më keq.

Njerëzit kishin vërtet frikë për fëmijët e tyre dhe hiqnin dorë nga “fati” i vet. Si përfundim, dëshiroj t’i kërkoj ndjesë lexuesit për kaq shumë fakte me të cilat e ngarkova këtë parathënie timen – gjë që s’ është e zakonshme. Nga ana tjetër, mendoj, që për shkak të fatit të veçantë të librit kjo s’ duhet marrë si një mospërsosmëri. Faktet nga biografinë e tij politike e sqarojnë më plotësisht kuptimin dhe domethënien e përmbajtjes së tij, e deshifrojnë atë, e zhvillojnë. Botuesit, lexuesit dhe organet e raprezalieve me lidhjen e tyre me të, me veprimet, që kanë ndërmarrë, apo me vuajtjet, që i kanë toleruar lidhur me botimin dhe përhapjen, e kanë plotësuar, e kanë shkruar më tej, e kanë vazhduar tekstin e tij. Ato ende vazhdojnë të shkruajnë në të.

(Bardhyl Selimi, gazeta dielli)

Please follow and like us: