Cikël poetik nga Vaid Hyzoti
NJË COPË E DRUNJTË HEDHUR NË DET…
As uji nuk i jep dot jetë,
Një cope të drunjtë hedhur në det.
Ca fije bari i kalaqafen,
Ca fije që nuk kanë pigment.
Rri mes tekave të dallgëve,
Njëra e hedh, tjetra e shtyn.
Një valë në dukje e dashur,
I sillet qark dhe e pështyn!
Nuk është e ujit, nuk është e dallgëve.
As del në breg, as nuk ka kalbje…
GRINDJE
Të gjitha i thamë, nuk kemi më fjalë,
Presim vetëm përgjigjen e heshtjes:
S’dimë në do jetë heshtje zie për fjalët,
Apo një vrull i ri i ndjenjës!
Të gjitha i thamë. Ndezëm vetëtimat
Dhe .padyshim, do të ketë furtunē.
Nëse do ndahemi të dy do gremisemi,
Nëse do vish….me gëzim vuaj unë!
KAZINO
S’dua të rrudhem më. Lëkura më është mbledhur,
Në kursimin e përditshëm për një ditë të bardhë,
Në përllogaritjen për ndarjen e fundit,
Për egon time, që mos të më shajnë,
Për një varak, të mos duken plasat
E krijuara nga shtrydhja që më dhanë.
Do shkoj në kazino me monedhat e mbetura.
S’do pyes në rrudhet plotësisht kuleta.
E ç’plasa do marrë në xhepin e pasmë,
Më shumë se në fytyrë me fali jeta?
Jam prerje monedhe në duar të huaja
Dhe vetëm qindarkat më mbetën tek vetja.
Vetëm qindarkat për blerjen e xhelit,
Xhelit që i jep shkëlqim këpucës.
Jam monedhë e holluar nga përdorimi,
Në lojën e kazinos prapë të futet…
Kazino është jeta…përderisa dhe mjeku
As pyet për ditë të bardha e të zeza.
Më vë stetoskopin në portofol
Dhe thotë: Vuan nga zemra!
M’I MORE TË GJITHA…
Një jetë enda ëndrra, ngjalla përfytyrime për vajzën time që desha
E të gjitha t’i fala, si të vetmen hajmali të fshehur thellë në veten time.
Trupi m’u përshkijendua nga dritat e dëshirave të çmendura,
Gëzoja gëzimin tënd dhe tretesha në ëndërrime.
Një jetë ëndrrash për ty, që ishe përsosmëria për mua.
Për dashurinë time, se vetëm një jetë më është dhënë.
Por ike, më humbe, u fshehe, u trembe,
(Donkishotët sot me gurë i zënë).
Të kërkoj dhe s’të gjej. E pafundme qenka bota.
Të paktën të më ktheje ato të miat përfytyrime.
Asnjë avokat s’merr përsipër çështjen pa prova
Dhe unë vazhdoj të vuaj vetminë time.
Të gjithë vajzat që shoh dhe takoj këtyre ditëve
Nuk kanë as këmbë të drejta, as kofshë për hamngjitje.
Këmbët i kanë vetëm dy lopata,
Që i shërbejnë udhës për vozitje.
Nuk më bie në sy të kenë gjokse të fortë a të plotë,
Vetëm dy qeska plastike të fryra.
Thjesht për qumështin, thjesht për ushqyerje,
Nëse të nesërmen kanë fat tek fëmija.
Nuk i kanë as të fryra,as elipsoide,
S’i kanë as të hijshme formën e buzëve.
Pse t’i kenë?Vetëm në babëzitje,
Kur janë të uritura në pastrimin e lugëve?
Dhe sytë…Tek asnjera nuk shoh vështrimthella,
Asnjëra si ti nuk sheh atë që s’shihet kurrë.
Dhe vetë di të shoh veç derën e shtëpisë
Dhe autobusin që më çon në punë…
Ndaj shfaqu. më rikthe gjithçka që më more.
Vajzave të gjitha jepjua ti shpresën.
E kam të shkurtër jetën-nuk më mjafton ëndrra.
E kam dritëshuar jetën pa të vërtetën.