Albspirit

Media/News/Publishing

Eli Rosenrauch: Carzka

Image result for emil asdurian

Përktheu Emil Asdurian

 

 

E para vjen një “Pse” që të sheh në sy pa iu dridhur qerpiku dhe që natyrshëm tërheq nga pas fëmijën e saj rakitik. Ç’të duhet, kur jeton në dhjetëvjeçarë pa asnjë ndryshim në ecurinë e kombin tënd ku pjesë je i paqenë, veç suvave me ngjyra të ndërtesave në kryeqytet apo St. Petërburg dhe petkat veshur nga zonjat dhe zotërinjtë e lartë, ftuar nga i madhërishmi i yni Car, në ballot e Krishtlindjes apo ato të Fundvitit, në Pallatin Mbretëror, ndërtuar nga arkitekt italian. Kuptohet, edhe pse nuk isha aty, (pas Siberisë, edhe pse kisha kërkuar kaq herë përulësisht falje, as që bëhej fjalë), e dija se pjesëmarrja aty, s’është vetëm shprehje e rangut shoqëror, me lidhjet e saj të padukshme, por dhe q’andej nga një pëshpërimë, përpëlitje qepallash apo buzëqeshje që pranonte nënshtrim, lindnin sythet e emërimeve në poste të rëndësishme shtetërore, ku besimi në besnikëri, kish qenë si atëherë dhe tani, një domosdoshmëri për të bërë karrierë, përpos miqësisë dhe lidhjeve familjare. Eh, dhe pse s’më hyn asgjë në xhep: “Njeri s’ka të drejtë të kthejë kokën mënjanë dhe të mos i japë rëndësi se ç’ndodh në botën përreth, që për mua nga ana morale zë vendin më të lartë. Homo sum, et nihil human…”(1) po të bëja ndryshe!

Kaq milje larg sa jam, sigurisht, që s’besoj aspak në jehonën e thashethemeve të oborrit, por jam i bindur, se në zgjedhjen e personit të duhur për çdo post dhe aq më tepër kur kemi të bëjmë me dikë të gjinisë femërore, fjalën e fudit e ka madhëria e saj Caresha, e cila përveç bamirësive (jetimëve) merret herë pas here dhe me ndonjë çështje veçanërisht të brishtë, si ajo e edukimit të nënshtetasve të saj. S’ish më kot mëma e kombit. Siç e kishin biseduar dhe në shtrat, ndoshta nga ato q’ende është, m’e dukshme, m’e dëgjueshme dhe e prekshme, që pothuajse gjithmonë lë pas, një shije pak të athët dhe të ëmbël si çokollatë, ishte ajo e Librit. Lidhej me zhvillimin e shoqërisë, qe tregues i drejtëpërdrejtë i pjekurisë së saj dhe njëherësh forma m’e përhapur e artit. Kryekëput e lidhur me shpirtin e kombit! Kush më shumë së gjuha! Ç’më e rëndësishme për të rendur drejt së ardhmes, pa prekur traditën e vyer ndërshekullore! Si mund të rregullohet ç’e prishur, lënë pas dore apo e shkatërruar, pa vënë në krye më parë një kapiten q’u betua të flijohej për të! (Larg qoftë këtu nuk e kam fjalën për ndonjë ‘kokë turku’). Kush më mirë se një nënë, grua, amvisë e shkëlqyer në mjeshtërinë e saj, mund ta zgjidhte këtë nyje? Shembëlltyrë përkujdesje e përkushtimi! S’kish si mos tjetër! U bë.

Përsëri, edhe për këtë Cari ynë e ka plotësisht të drejtë, disa nga organizatat e shkrimtarëve, si Lidhja e mëparshme, në të cilën Tolstoi i madh, kish marrë pjesë fillimisht dhe më pas qe larguar heshturazi, gjoja i tërhequr nga jeta baritore dhe feja e re që po krijonte, një lloj rebelimi ndaj qeverisjes së mëparshme e pas tij, gjithë mjekrat e bardha akademike, bashkë me keqardhjen që sjell ndryshimi dhe ankthin e frikës. Cari ynë Aleksandër me mendësi të re priste tjetër prej tyre. Pushkini dhe Lomonosovi kishin kohë që kishin ndërruar jetë. Askush nuk shkruante më poezi dhe aq më pak novela poetike. Por dhe idetë me të reja, s’di nga kish mbirë, s’mund të thuhej se luanin rol në jetën apatike të vendit. Ngado që ta sillje, të gjithë këta të ardhurit provincialët e sotëm, ishin pjellë e Zemstvës (3), reformës që ndryshoi bujkrobërinë, i mësoi fshatarësisë shkrim dhe këndim, e nxiti të prodhojë më shumë dhe pushtet i dha nën aristokracinë e nderçme, në kuvendet këshillimore në krahinat e tyre. Pa çka se 2/3 dinin të hidhnin vetëm firmën. Libri, si kërcu rakitik me mungesë ushqimi dhe drite, lëngonte i zbehtë dhe i çalë e as rritej e as s’vdiste! Perandoria kish nevojë për një penë të fortë dhe atë padyshim do e zgjidhnin sëbashku, siç ndodhi me të madhin Afrikan të çarturin që dhe në bronz ende sfidonte ata që kish përposht, se askush tjetër, n’asnjë gjuhë, s’do mund ta shijonte sa vetë kombi q’e lindi dhe e rriti.

“Më duhet të theksoj faktin, i dashur mik (dhe t’i sigurisht do të më kuptosh), që e gjithë veprimtaria ime letrare, e cila për mua mëshirohet në një ide me vlerë të përcaktuar, në një qëllim, në një shpresë të vetme—se nuk po rrekem për famë e as për para, por vetëm dhe për asgjë, veç tërësisë së idealeve të krijimtarisë dhe letërsisë sime, që do të thotë që përpara se të vdes do të dëshiroja të flisja hapur dhe të shpreh me disa vepra sa më shumë që të jetë e mundur nga gjithçka që mendoj”.(2)

Vetëkuptohet që leximi nuk është vetëm çështje libri. Por edhe pse i lidhur dhe i lindur me të, mbetet një dukuri shoqërore, do të shprehet me indinjatë një sociolog dhe bashkë me të, duke me vështruar vëngër pas syzeve dhe përfaqësuesi i një shtëpie botuese, (ish intendent i një garnizoni diku pranë Vlladivostokut) që me zë të hollë thotë:

— Eshtë çështje e tregut të lirë dhe për këtë shteti s’ndërhyn dot as tërthorazi dhe as drejt për së drejti, përveç se për çensurë! Apo ju libertinët jeni edhe kundër saj q’është kaq e domosdoshme për ruajtjen e njejtësimit kombëtar?

– Lexo ç’shkruajnë gazetat! Dhe më mirë ato letrare, si Sumerki, ku botuesi mburr veten me dhe nëpërmjet të tjerëve që paguajnë të dalin aty! Për ç’ide revolucionare do të duhej çensurë?

— Aspak — i përgjigjem unë,— as që guxoj të vë në dyshim vendimin e Carit tonë perandor, se e kam shkruar siç dhe shpallur botërisht: “se Cari ynë është  pafundësisht bujar dhe tejet i njerëzishëm!”(1) dhe se Ai, mbetet e vetmja shpreseë dhe forcë (si mot’ e jet’) që do të mund të ndryshojë sado pak këtë vend, ashtu siç bëri parardhësi i tij, Pjetri i Madh! Në këtë rrëmujë, duhet një dorë e fortë, ‘tough love’, siç thotë inglizi dhe veç saj asgjë s’ka rëndësi. Aq më tepër kur kritikët letrarë si Dobroljubov (Mirdashuri) dhe Mikhailovsky, s’bënë tjetër veçse fshihen pas hijes së ndonjë të madhi të hershëm me një këmbë në varr apo u thurrin lavde atyre q’i shpërblejnë. Një bashkëbisedim vlerash krejtësisht i paanshëm, për gjëra të palexuara dhe të pakuptuara, mbllaçitur e shtyrë poshtë me një kupë vodkë. Pjesë e lojës për të mos luajtur asgjë. Aq më tepër “se njerëzve u ka hypur në mendje se s’kanë kohë për letërsi (sikur letërsia t’ishte një kalim kohe)…dhe që për shkak të kësaj shkalla e shijes letrare është tmerrësisht kaq e ulët sa asnjë kritik i kohëve të sotme, sado i jashtëzakonshëm që të jetë, s’do mund të ndikojë sa duhet tek ky publik”.(2)

Ndaj, me një sulm të rrufeshëm si ai i Shën Mihalit mbi kuçedrën që vjell zjarr dhe s’lë farë të mbijë në tokën e zhuritur, do të vihet në zbatim një program i tërë masash mbështetur në përvojën e mëparshme (s’di pse ankohen gjuhët e liga) si dhe në atë atë botëroren, jemi a s’jemi Evropë! Hapi i parë u bë, në krye u vu shkëlqesia e saj Carzka e Zemstvës, ajo e cila do t’i japë jetë planit largpamës afatshkurtër, (se kurrë s’i dihet se ç’ndodh) të Carit tonë, që Zoti në Qiell e faltë! Hapi i dytë, në rrugë e sipër për në Francë të lëçisë nga përvoja e Ndritshmërisë, (thoni ç’të doni Cari paguan dhe për këtë). Se si mund të ketë Rilindje pa ide të reja dhe pa Dritë. Hapi i tretë, por jo m’i fundmë, në pritje, është ndoshta dhe më thelbësori nga të gjithë, që do nxise të lulëzojë letërsinë tonë, ka të bëjë me krijimin e Shoqatës Kombëtare të Përkthyesve, që do të përmbledhë në gji të vetë ata me të denjët dhe me të talentuarit, që kaq vepra të shquara dhe me vlerë i dhanë këtij populli, që kurrë s’u kënaq me ç’i falën. Përzgjedhjet si gjithmonë, do të bëhen me kujdes të veçantë, nga ata që tjetër mjeshtëri s’kanë veçse të qeverisin.

Libri u ngjall!

Rroftë Cari ynë! Rroftë Carzka!

Po, vërtet, u ngjall!

Amen!

E. Rosenrauch

————————————————————

  1. Dostoevsky, nga André Gide, Originally published 1923 by Plon-Nourrit et Cie, Paris. Copyright, © 1961 by New Directions Publishing Corporation. Library of Congress Catalogue Card Number: 61-14898. (ISBN: o-8II2-0055-8).
  2. Letters of Fyodor Michailovitch Dostoevsky to his Family and Friends, translated by Ethel Colburn Mayne, New York,The Macmillan. Company.
  3. Russia A Short History, nga Abraham Ascher, “First published by Oneworld Publications 2002, ISBN 978-1-78607-142-2

ER 2/9/2020 all the rights and copyrights are protected!

 

 

Please follow and like us: