Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Dosja e Musine Kokalarit

Image result for ilir levonja
Ilir Levonja

 

Më 10 shkurt të këtij viti është 100 vjetori, i lindjes së Musine Kokalarit. Gruas simbol i vetvrasjes shqiptare. Po aq sa e bukur aq edhe e mënçur. Short që mëma natyrë rrallë i tok bashkë. Startimit të kulturës me identitet të mirëfilltë shqiptar. Ose përpjekjes për tu dalluar midis dalldisë së Anadollit dhe perëndimit mistik. Një qëmtuese e gjuhës sonë, ose akademia e leksikut të shqipes. Që po ta krahasosh me të folurën e analfabetëve të sotshëm, një batalion rrugëtarësh që hanë fara luledielli. Të vjen keq për fidanishten aktuale shqiptare. Një e folur vdekjeje me ha re ça ban. Dhe ojna huazimesh, sa nga Pireu, sa nga Bosfori, aq edhe nga Apeninet, Iberia. Apo Baltiku i sipërm. Një turli e përsosur e kuzhinës sonë të re, aktuales, ose ”moderne”.
Për një arsye a një tjetër përkoji që teksa po shfletoja jetën e saj. Krijimtarinë. Të sajën dhe të një martiri tjetër si At Zef Pllumi. Mëkatet shqiptare…, apo gropat tona që zor se kanë për t’u mbushur. Që një web si Shqiptarja.com, njofton se si në ambjentet e Ministrisë së Mbrojtjes nis proçesi i hapjes së dosjeve. Dhe si dosja e parë, nga ato që do hapet, është pikërisht kjo e Musinesë. Kryeveprës së krimit të Sigurimit të Shtetit. Këtij shteti që në kohë të caktuara të ha të gjallë. Dhe në një kohë tjetër të ngre lapidar. Në fakt Musineja është jo çështje shtetërore, por kombëtare. Dhe nuk e di se pse pikërisht në Ministrinë e Mbrojtjes duhet të ligjërojë një zëvendëskryeministër. Duke mënjanuar horrlliqet e një dikasteri simotër si Ministria e Brendshme. Apo një institucioni që pak ditë më parë festoi 104 vjetorin, e kujtoi me qindra oficerë në ca ambjente policie si kazerma skenash teatri. Me tryeza fantash e pjata plot antipastë. Kujtoi vetëm arritjet, jo firot. Jo zullumet. Dhe padiskutim…që në këtë gosti kanë çekur gotat plastike edhe dënuesit e saj. Madje mund të mbajnë në shtëpi dekorata. E t’u mburren nipërve e mbesave. Janë harxhuar kaq vite përgjimesh, survejimesh, e përndjekje sa i bie që mbi 80% e aparatit shtetëror të ketë mbi supe pjesë nga pesha e mëkatit. Ndaj e them se Musineja nuk është çështje shtetërore, por kombëtare.
Ne shqiptarët nëse kemi Zot, qoftë ky Krishti apo Allahu…por edhe po nuk patëm. Karshi Musinesë duhet një falje kolektive.
Madje nga ajo e tipit të bulevardit. Duhet të shkojmë aty. E të rrëfejmë se si e përndoqëm. Të gjithë…me ushtarakë, me interesaxhinj, me mjekë, me nëpunësa. Se si e çuam drejt kancerit një akademi të tërë. Vetëm e vetëm për të dëshmuar se sa të aftë jemi për dënime kolektive. Dënime në masë.
Nuk e di se çfarë peshe ka një dekoratë kur kujton rastin Musine Kokalari? Të dëshmojmë se dimë të vetvritemi.
Se sa të pamëshirshëm jemi për të lidhur duart e të vdekurit. Për ta varrosur lidhur me tela me gjëmba.
Ndaj them se nuk është çështje shtetërore, por kombëtare dhe sociale. Të dalin ata mjekë që i mbyllën dyert e spitalit.
Ata survejues dhe mbajtës protokolli se sa lopata me llaç hidhte. Sa libra lexonte. Në ç’orë shkonte në banjo. Me kë shoqërohej. Më kë fliste. Më kë shëtiste.
Të dalin ata që u gajasën së qeshuri kur Enver Hoxha u habit e tha se ‘akoma gjallë është ajo rrospija’.
Kështu vjen një palë në pushtet dhe e kujton duke dhënë ca fonde për botimin e veprës së saj. Që sapo e shikon…me atë letër të shpifur. Dhe shtypur si mos më keq…në ca shtypshkronja pa emër. Nuk është e vështirë të kuptosh poshtërimin e dytë e të Musinesë. Vjedhjen tonë klasike, që më jep 5 për këtë punë. Se e bëj me 1 lekë diku. Dhe të tjerat i ndajmë bashkë. Ashtu sikur nuk është e vështirë të kuptosh sot, këtë poshtërimin e tretë. Që bijtë e etërve xhelatë. Hiqen sikur nderojnë martirët e kombit. Nga dikasteret e Ministrisë së Mbrojtjes. Ministrisë që na mbron nga armiqtë e jashtëm. Një fallcitet i radhës. Një politikë e vrasjes natën dhe e qarjes ditën. Nuk është dosja e Musinesë, por e jona. Ndaj ta shfletojmë sheshit. Të lajmë gjynahet. Dhe t’u themi bijve, se sa e shëmtuar është koha kur njeriu e ha njeriun. Pra, nuk është dosja e saj more zotërinj. Eshtë dosja jonë. E poshtërsive tona.

2017.

Please follow and like us: