Anila Bega Cohen: Unë jam nga Tirana!
Anila Cohen
Ese
Qyteti im i dashur, i përçudnuar, me fytyrë të bukur, që ngrysesh me sindromën e “Mëngjesit tjetër”
Sot ma përshëndete zgjimin duke ngritur qepallat gri, pa lëvizur, si spektator i ditës tënde.
Kështu vjen ti, i Panjohuri qyteti im dhe kthen përmbys gjithçka që unë di dhe shpresoj.
Rimerr prej meje çfarë të mungon dhe më jep në këmbim, shprishjet e vakta të dritës, materien që kullon, që ndez dhe shuan, që puth dhe largon…
Ndonjëherë më duket se ke rënë në një gjumë makthesh e nuk do të zgjohesh, me shpresën se ëndrra tjetër do mbajë aromë lulesh…
Kur s’të mbetet asgjë, ëndrrat bëhen të shenjta!
Kur s’të mbetet asgjë ëndrrat bëhen vija fati në dorën e një fallxhoreje pa dhëmbë.
Hijet e mendimeve të përflakura i mbështjell herë në tisin e ëndrrës, herë në re të zeza, si të vetmet fjalë të përçartjes…
E di?
Grija është kudo njëlloj.
Hesht! Fli dhe pak…
Ata s’kanë sy të shohin fytyrën tënde të bukur, të përçudnuar, qyteti im i dashur!