Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Kënga e fundit për zjarrin

Zjarri digjet si godinë e rubintë.
Si re ngrihet tymi,
Mjegull shkundet hiri,
Rrënohet e rrëzohet e brofëtin i guximtë-
Hije- dritë, natë – ditë, muzgu- agimi.

Vërshëllen e shkrofëtin,
Buçet e ulërin
dhe platitet tufani dimëror në oxhak-
Përndritur nga zjarri,
strehuar te zjarri, kuvendohej përqark.

Ja, pllakos plumb heshtja:
(si heshtin kështu ndonjëherë të gjithë vallë?)
Heshtnin, por së thelli një këngë agimesh ti brambullije.
Për ne të gjithëve që na kish përpirë tufani,
të ftohtit na kish përpirë si në përrallën
me diva, shtriga, me hije.

Dhe fashitej lëngata e trojeve prej tufanit,
Lëngata e njeriut nga syri i keq, magjira a xhinde-
roniteshin bashkë me hirin nën brambullimën e zjarrit,
nën vezulli me miniatura agimesh fantastike.

E zbruhej heshtja nën tënden brambullimë
rifillonin prapë kuvendimet e mbrëmjeve.
Ç’ ishte ai i ngrohtë, i pashuar këngëtim
buruar si nga dheu te vatrat e këtyre vendeve?

Mos vallë qe shpirti i ndonjë gjyshi të urtë
që digjej bashkë me zjarrin
dhe nën thinjat e platitura, nën hirin,
me rubinët e prushit fshihte nën themele
këtë rapsodinë e mbrëmjes që i mbrunte gjirin?

Ç’ishte ai që në atë tufan- rropamë
Frikën, errësirë i tërhiqte në shpellat e mitit
sa herë u dogj ta dëgjonim vallë
dhe fshihej vatrës thellë, mbuluar prej hirit?

Dhe koha kishte tjetër dritë
E të tjera këngë e përtërinin,
Kur nën dritë zjarri u strehuam ne
…zjarri që mbante në një dorë muzgun
E në tjetrën agimin.

Please follow and like us: