Tritan Shehu: Befasia e dr. Fedhon Meksit me librin monografik për 4 familjet e mëdha shqiptare
Prof. Dr. Tritan Shehu
Unë në vite kam folur për Fedhon Meksin, e kam vlerësuar atë gjithmonë, kam punuar me atë si një profesionist i shëndetësisë, si një kardiolog i shquar, si demokrat i palëkundur, por edhe si një intelektual me vlera të mëdha dhe veçanërisht me një integritet të fort moral, pikpamjesh e vizionesh. Të them të drejtën këto janë karakteristika që unë i kam vlerësuar së tepërmi, duke u bërë elementë të rëndësishëm edhe të miqësisë sonë.
Së fundmi, prej disa vitesh po zbuloj se këto elementë tek ai janë shumë më të gjerë se sa vetëm brenda shkencave mjekësore, a marrëdhenieve të zakonshme njerëzore, a bindjeve personale. Pa pritur u gjenda përballë një Fedhoni tjetër, hulumtar i historisë, i figurave të mëdha e ngjarjeve të mëdha për popullin tonë, kërkues i të vërtetave historike, evidentues i tyre e transmetues i një ndjenje të fortë krenarie për ato çfarë shqiptarë të shquar kishin realizuar në shekuj.
Të them të drejtën nuk jam habitur shumë, se të tilla sinjale i kam konstatuar në vite te Fedhoni, edhe gjatë bisedave tona në orët e vona të natës apo të hershmet e mëngjezit kur largoheshim sado pak nga i sëmuri. Por sidoqoftë dimensioni i pasionit e i kontributit te tij të sotëm, është një risi për mua. Më vjen mirë se përsëri ai e bën edhe këtë me pasion, besim tek e vërteta, pa ngurim për t’u ndeshur me mjegullnajat e hedhura në vite mbi historinë tonë, në përpjekje për ta çliruar atë nga ato, ashtu si dikur luftonte për të ‘çliruar’ të sëmurin nga sëmundja.
Prof. Dr. Fedhon Meksi
Nuk ka asnjë dyshim që historia e jonë ka shumë nevojë për diçka të tillë. Fatkeqësisht ajo në një shumicë të saj në shekuj është shkruar në gjuhë të ndryshme, jo shqip, nën pushtime të zgjatura e të dhunshme, që për arësye të shumëllojshme e kanë deformuar atë. Mjafton këtu të përmend pushtimin e gjatë otoman dhe atë të sundimit komunist me shtrembërimet e thella që kanë lënë në historinë tonë, me shtrembërimet substanciale në të, qoftë këto të lidhura drejtpërdrejt me pushtuesin, qoftë ideologjike e në shërbim të diktaturës, qoftë për servilizma a shërbime të tjera meskine, që fatkeqësisht këto të fundit ndeshen akoma.
Kështu, unë jam krejt dakort me Meksin për nevojën e një plotësimi, filtrimi, pasurimi më të thellë të historiografisë, do të thoja të asaj ‘zyrtare’, nën optikën e realizmit, të së vërtetës e objektivizmit. Dhe këto gjëra i kam diskutuar dendur me të gjatë viteve të fundit, që nga fillimi i punës së tij për librin dedikuar Labovës së vlerave, duke qenë i bindur se ai për vetë intelektualizmin, karakterin e fortë që e karakterizon mund të kontribuonte në këtë mision, për të cilin shqiptarët kanë shumë nevojë, jo thjesht për të mbushur raftet e historisë, por për të pasur argumenta e armë të forta në krenarinë tonë, për të qenë të ndërgjegjshëm në trashëgiminë e pasur europiane, për të kuptuar se largimet tona nga ajo familje kanë qenë aksidente të dhunshme për ne, gjë që na jep forcë e arësye për të vazhduar pa lëkundje rrugëtimin tonë drejt Perëndimit e Europës.
Isha i bindur që Fedhoni mund t’ia dilte mbanë kësaj ndërmarrjeje të re për të, por jo të re për familjen e tij, mjedisin ku ai ështe rritur e edukuar që i vogël. Familja Meksi, siç përshkruhet edhe në libër, lidhet sipas Çabejt me emrin “mjek” e përkon në gjurmimet e para aty rreth shekullit të dhjetë. Më tej gjurmët e saj çfaqen në disa hapësira të rajonit, si në Veri me Vendikun, ashtu edhe në Jug, gjatë kryengritjes greke kundër pushtimit otoman, në oborrin e Ali Pashës, pranë e në krah të institucioneve të dijes e të së drejtës etj. Dhe ajo çfarë është interesante, është se këta njerëz që i gjejmë si luftëtarë për liri ose si përhapës së dijes, e gjuhës shqipe të lëvruar, ishin në shumicë mjekë. Por sidoqoftë edhe këta të fundit, ashtu si edhe Fedhoni, pasionin e tyre e gjetën jo vetëm te mjekësia, por dhe te shkrimet, kryesisht historike këto, përpjekjet për të përhapur dijet e evidentuar vlerat e historinë shqiptare.
Të tillë ne gjejmë edhe babanë e Fedhonit, Z. Vangjel Meksi, një jurist të veçantë, patriot i qartë, pedagog, i cili duke vazhduar të kishte këtë lidhje me historinë iu përkushtua shumë studimeve mbi strukturat politike e juridike të Ali Pashait, krahinave autonome, vijueshmërisë iliro-shqiptare etj, me kontribute të shquara e vepra unike në rëndësinë e tyre. Siç duket këtë traditë të familjes po e vazhdon edhe Fedhoni, pikërisht në këto fusha tejet të rëndësishme, që fatkeqësisht tashmë i larguar nga profesioni i tij fillestar si mjek, apo si një kardiolog tejet i sukseshëm, kërkon të skanojë pjesë të historisë sonë duke e pasuruar e objektivizuar atë.
Në fakt unë personalisht ndjej keqardhje të madhe për këtë ‘largim’ të tij nga sëmundjet njerëzore, megjithëse domeni i sotëm ku ai po derdh pasionin e kulturën së fundmi, nuk është më pak i rëndësishëm nga i pari. Do të thoja se kështu ai po krijon një figurë bipolare, të mjekut dhe të historianit shkrimtar, ndoshta duke ndjekur në këtë mënyrë një rrjedhë normale të origjinës e familjes së tij.
Unë nuk kam asnjë dyshim, se si ai dikur, së bashku me stafin tonë të atëhershëm të kardiokirurgjisë, nën drejtimin e mjeshtrit tonë poliedrikut Prof. Petrit Gaçja, ishte një nga pilastrat kryesorë të atyre arritjeve të mëdha në atë sektor shumë të vështirë e kompleks edhe sot, do të jetë përsëri protagonist në historiografi, që nuk më duket aspak më e lehtë si ndermarrje. Pa dyshim, siç përmenda edhe në fillim, ne kemi nevojë jo thjesht për pasurimin e historisë sonë dhe për evidentimin e figurave të mëdha historike, siç janë edhe këta “Katër Burra”, por pasi të kryet rivleresimi i gjithanshëm nga historiografia shqiptare, si edhe roli i tyre në sinkroni me aspiratat e mëdha të shqiptarëve në shekuj, të kontribuojmë që ata të vendosen në vendin që meritojnë në piedestalin e historisë së kombit shqiptar. Kjo së paku është e nevojëshme që prej fundit të shekullit të XVIII, pikërisht për të hequr parazitarizmat, pluhurin shpesh të qëllimshëm të hedhur mbi ta, keq interpretimet e keq vlerësimet jo të pakta të imponuara apo të ‘paguara’, sepse në fund të fundit në historinë tonë ka një minimizim e mjegullim të figurave, veprave e rëndësisë së tyre, që prej Skënderbeut.
Pa asnjë dyshim ky është një veprim i qellimshëm sistematik e keqdashës, qoftë gjatë sundimit osman, qoftë edhe gjatë diktaturës a në rrethana të tjera. Fedhoni me dijet, trashëgiminë, pasionin dhe karakterin e tij të fortë, i është përveshur një pune të vështirë, por thellësisht të dobishme e të domosdoshme, gjë e cila pasqyrohet edhe në këtë libër të veçantë në shumë aspekte te tij. Jam i bindur se ashtu si ai realizoi e kreu në mjekësi një sërë novitetesh, do të vazhdojë të jetë po kaq kreativ e “zbulues” edhe në këtë fushë, që siç përmenda, ka shumë për të nxjerrë nga ‘arkivat’, për të çplurosur dhe vendosur në pozicionin e duhur të historisë sonë.