Anila Bega Cohen dhe ‘Venera’ e poezisë së saj
Prof. Dr. Alberto Frashëri
Ky libër me poezi dhe prozë poetike i autores Anila Bega, që doli në treg disa ditë më parë, i kushtohet dashurisë, këtij misteri joshës e jetëdhënës të ekzistencës sonë. Në të gjitha kohërat njeriu e ka kërkuar dashurinë si oaz të lumturisë. Ndoshta shumë prej tyre nuk e kanë njohur kurrë. Kjo ndjenjë mbetet në shekuj një ideal që vetëm pak njerëz e mëkojnë si udhërrëfyes dhe si ideal të ekzistencës së tyre.
Sidomos në kohën tonë, që në krizat e njeriut modern shohim një nga dukuritë shqetësuese të saj. Cilësia e lirikës, dëlirësia e ndjenjave dhe thellësia e mendimeve që ato shprehin i japin kësaj vepre përmasën e një farë filozofie të lirisë së njeriut për të dashuruar. Anila Bega, vajza e paperënduar e ndjenjave të thella, end me një dritë shumëngjyrëshe harmoninë origjinale të prozës poetike.
Libri i saj tingëllon si një himn kushtuar dashurisë. Shkalla e lartë e emancipimit të autores së këtij vëllimi të vyer më sjell ndër mend Migjenin. Ndërsa Anila Bega i thur himne dashurisë njerëzore si nevojë të ekzistencës sonë, Migjeni nga e njëjta majë e praruar e njerëzve të rrallë i lutej Perëndisë t’i jepte një simfoni me akorde të praruara dhe tinguj qiellorë.
Kur Aleksandri i Madh hyri në Athinë, kërkoi të shihte mjeshtrin e urtësisë së lashtë, Diogjenin. Ky jetonte në një skaj të qytetit dhe në atë perëndim të diellit, kur arriti Aleksandri me shpurën e tij, ai po përgatiste vendin e fjetjes.
Mbasi i shprehu admirimin e pakufi që ndjente për plakun e Athinës, Aleksandri provoi të dëshmonte mirësinë dhe madhështinë e tij: “Kërkomë çfarë të duash, o njeri i ditur, që të jetosh denjësisht mbi këtë tokë.” Plaku, kokulur dhe mendueshëm para njeriut të fuqishëm, e vështroi me habi djaloshin luftëtar dhe pa e ngritur zërin i tha: “Bëhu pak mënjanë, or bir, se më ke zënë diellin e këtij perëndimi të magjishëm.” Nuk kërkoi tjetër Diogjeni, veç lirinë për të gëzuar dritën e diellit. Pikërisht këtë shfaqje të rrallë të urtësisë së plakut të lashtësisë më solli ndër mend cikli 5 i librit: “… Një mur i blertë që nuk mbaron, shoqëron trokun e këmbëve të mia dhe më pengon të shikoj perëndimin e diellit. Më duket se në mbarim të çdo udhëtimi, perëndimi i diellit fillon e flet pa metafora, hidhur, si pas një muri të madh të blertë…”.
Jo të gjithë e kuptojnë këtë lloj lirie që natyra a perëndia i ka ngjizur njeriut që në agimin e jetës. Dashuria është një nga këto liri. Anila Bega e ka ngritur në piedestal idenë e dashurisë si themel të pamjeve tona më njerëzore e më fisnike. Të dashuruarit në vargjet e poeteshës duan të evitojnë edhe ajrin që ndan njërin nga tjetri.
Nuk mund të përjashtojmë që natyra apo perëndia ta kenë konceptuar dashurinë si prelud të kontaktit fizik, si një grackë për të siguruar riprodhimin, pra përjetësinë e species sonë. Dhe kjo nuk mendoj të lidhet ekskluzivisht me anën seksuale. Ndjeshmëria dhe eleganca e vargut, firmuar Anila Bega, përbëjnë arin e kulluar të poezisë së saj. Poeti dhe filozofi gjerman George von Hardenberg (1772-1801), me pseudonim Novalis, shkruante: “Të formosh qenien njerëzore është një art i veçantë:. Natyrisht, ky art mendoj të jetë më i vështiri dhe më i ndërlikuari, sepse shumë komplekse dhe e panjohur është natyra njerëzore. Por një të vërtetë duhet të pranojmë pa mëdyshje: dashuria përbën një ngjarje fatlume në përsosjen shpirtërore të njeriut. Pikërisht këtij arti i kushtohet poezia që autorja na jep me veprën e saj. Dashuria gjen vitalitetin e natyrshëm dhe bëhet realiteti më i vyer i ekzistencës njerëzore, pikërisht sikundër Anila krijon me ciklin 27 të saj: “Sonte dua t’i jap hënës formën e puthjes sate. Dua ta mbush natën me mozaikun e pritjes për të zbutur largësinë. Dua ta shtroj rrugën time me mirësinë dhe marrëzinë tënde. Dua të ndjek atë premtim që ia kemi kërkuar njëri-tjetrit. Në këtë jetë të gjatë, në këtë jetë të shkurtër…”.
Janë shkruar me mijëra volume për idenë e Kopshtit Panoramik (Landscape Garden) që lindi në Angli duke filluar nga gjysma e dytë e shek. XVII. Lord Shaftesbury, një lider i kësaj prirjeje bashkëkohore me lindjen dhe përhapjen e iluminizmit, synonte në pamjet emocionale të artit për ta bërë më të dëshiruar ekzistencën e njeriut. Pikërisht në ato fillime të iluminizmit, John Hall botoi në vitin 1652 veprën e tij “Del Sublime”.
Sipas tij, njeriu duhet të jetojë ekzistencën vetjake pa e tjetërsuar natyrën, dhe pikërisht kjo mënyrë të jetuari është sublime. Dashuria është një ndjenjë apo gjendje shpirtërore transcendentale që nuk do t’ia dijë për kanunet e shoqërisë dhe labirintet e gjuhës sonë. Aty nuk ka arsye relative; njeriu duhet ta jetojë në liri të plotë ekzistencën e tij. Kjo është arsyeja më e rëndësishme.
Arsyeja absolute e lirisë. Anila Bega me poezinë e saj ka dhënë një mozaik të pasur figurash origjinale që ndriçojnë shumë pamje e ndjenja të kësaj bote të madhe. Mendoni nga poezitë e lashtësisë e deri më sot sa portrete janë pikturuar nga artistë të panumërt. Zor se mund të gjenden dy portrete që shprehin gjendje shpirtërore identike. Kjo ndodh sepse komplekse dhe e mistershme është natyra njerëzore.
“Dua të dergjem në ëndrrat e tua… Filloj t’u lutem yjeve e të bind Hënën, të të sjellin mesazhin e shpërthimit tim të vonuar, i cili më kërkon të zhytem në detin e shpirtit tënd që më gjeti në fund të rrugës dhe do të më rilindë”. Nuk është e lehtë të analizosh një vepër letrare, sidomos poezinë. Ndonjëherë, bashkë me detyrat, u kërkoja nxënësve të mi të gjenin në internet tekstin e ndonjë kënge që u pëlqente të gjithëve.
Ata e bënin me shumë kënaqësi këtë kërkim. Është e vështirë, herë-herë dhe e pamundur, të interpretohet muzika dhe shumë pamje të tjera të jetës në mungesë të fjalës. Poezia ka nevojë të kuptohet në thelbin e vet, dhe kjo, mendoj që nuk është e lehtë. Sidoqoftë, unë duke lexuar u befasova për diçka që nuk e kuptova në leximin e parë. Pra ajo që më befasoi ishte filozofia e së bukurës dhe e dashurisë që përshkon këtë vëllim tej mase origjinal. Dhe kjo nuk mund të jetë një rastësi. Le të bëjmë një vëzhgim në poezinë e poetëve Hermann Hesse e William Blake, dhe pastaj edhe në vargjet e Cohenit tonë. Jo për t’i krahasuar mes tyre, sepse të japësh vlerësime krahasuese do të ishte pa kuptim. Bukuritë e vërteta nuk ka kuptim të krahasohen, sepse asnjëra nuk është kopje e tjetrës. Le të dëgjojmë Hermann Hess-in në përkthimin që bëra enkas për këtë analizë, pastaj William Blake, e më pas poeteshën tonë.
Hermann Hesse: “Nata më ngjan e artë/ Kaluar diejve të Gjithësisë/ Andëroj atëherë një grua/ Të bukur me flokët e verdhë/ Andëroj ngjarjet e ëmbla/ Që shikimi yt më frymëzon/ Parajsë e ngahershme këngësh pambarim…”
William Blake: “Ajo ashtë pranë zemrës sime/ Si lulja e fushës pranë tokës/ Ajo ashtë e ëmbël për mua/Sikundër gjumi për trupin e lodhur.” Anila Bega: “Nga cikli 36 – Sa nevojë kam për brishtësinë e tregimeve të tua/ Për acarin, moskuptimet, çoroditë dhe ato pak shpresa/ Dhe kam kuptuar se asgjë në botë nuk më bën të kërkoj lëmoshë… Veç dashurisë/ ndaj, sa herë vjen mëngjesi druhem të të pyes/ A do më duash sot?”
Nila Cohen e ka trajtuar dashurinë në shumë pamje të saj dhe në raportin mes të dashuruarve. Përkundrazi, H.Hesse dhe W.Blake në përputhje logjike me epokën e tyre vargëzojnë vetëm nga pikëpamja e të dashuruarit, pikërisht sipas kanuneve të një dashurie platonike që karakterizonte ato kohëra.
Nga cikli 37 – “Dua ta vuaj pritjen, e ulur në rrënjët e shpirtit tënd dhe të prodhoj me të zogj këngëtarë dhe gëzime delikate… Por ndërsa shpirti ishte bërë gati, goja s’më kishte ardhur akoma…”.
Niveli i emancipimit të poeteshës sonë më sjell ndër mend një grua të jashtëzakonshme që e mbikaloi mediokritetin e kohës së saj. Anila Bega shfaq jo thjesht talent, por edhe një kurajë dhe shpirt poetik të pamasë e pak të njohur në botën shqiptare. Në rreshtat e mësipërm ajo dashuron dhe hesht, ajo duket sikur qorton veten kur thotë:
“…Por ndërsa shpirti ishte bërë gati, goja s’më kishte ardhur akoma”, E pajisur me një integritet moral të lartë, autorja nuk e paragjykon veten në zgjedhjet jetësore të saj.
Nga cikli 29 – “Nuk mund të përshkruaj në sa ujëra u mbyta dhe u ringjalla sërish/ E pastaj u mblodhën gjithë shpirtrat e Erosit/ Që na rrethuan në një vallëzim mistik/ Ndërsa ti dhe unë, të përmalluar, u harruam në mbretërinë e Afërditës/ ku rebelohen të tëra shqisat”. Duket sikur shohim një skenë perëndish të dashuruar. Shihet qartë që poetja thur vargje e poezi për dashurinë e njeriut modern, ajo është po aq e bukur dhe e pasur sa klasikët e poezisë mbi dashurinë. Ajo nuk përsërit poetët e dashurisë klasike, por udhëhiqet nga prirja e saj artistike, nga ndjenjat dhe instinkti krijues që natyra i ka ngjizur.
Në këtë veçori të personalitetit mund të gjejmë, mendoj, sekretin dhe origjinalitetin e saj. Kur e pyetën plakun e urtë të qytetërimit modern, Albert Einstein, se çfarë do të dëshironte të bëhej kur të rritej, ai u përgjigj: “Do të doja të bëhesha jo skllav i suksesit, por njeri me vlerë për shoqërinë”. Karakteri i fortë i autores i jep asaj mundësinë të mendojë e të krijojë një liri të plotë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, aftësinë e veçantë për të vrojtuar natyrën njerëzore e për të shndërruar në dije çdo eksperiencë vetjake apo të njerëzve që gjatë jetës ka njohur. Einstein konsideronte shqetësues transformimin e njeriut në një qenie gjithmonë e më të ftohtë dhe të padepërtueshëm.
“Njeriu, më i ftohtë se vetë toka, – thoshte ai, – përbën një problem të madh”. Në të vërtetë, duke filluar nga Soren Kierkegaard (1813.1855), problemi i krizave shpirtërore të njeriut modern vjen në plan të parë, sepse ndikojnë edhe pamjet komportamentale të jetës sonë. Einstein mendonte që gjëja më e bukur që mund të provojmë është misteri. Ky është burim i çdo arti dhe i çdo shkence. Pra nuk mund të mos mendojmë që dashuria është një nga misteret më të bukura që njohim pikërisht nga pikëpamja spirituale. Njeriu modern i sheh si hyjnore epokat e lashta të miteve. Ato ngjajnë me një parajsë të humbur të cilën e shohim me nostalgji dhe me dëshirën për ta imituar, në disa pikëpamje.
Poezia e mikes sonë Anila Bega duket sikur do të ringjallë kultin, mrekullinë dhe universalitetin e dashurisë, polenit (pjalmit) të jetës sonë. Dashuria i jep kohës dhe hapësirës duar për t’u përqafuar! Është një mesazh i jashtëzakonshëm dhe universal. Evolucioni ynë mund të shihet si paqe dhe harmoni mes kohës dhe hapësirës. Vetëm dashuria mund ta bëjë të mundur këtë ideal. Më lart e pata konsideruar poeteshën shumë origjinale e të talentuar.
Anila Bega, një artiste thellësisht e emancipuar, dhe kjo rrjedh, mendoj, nga horizonti dhe bindjet e thella të saj për lirinë personale. Të gjithë e kemi jetuar këtë dimension dhe mrekulli të jetës sonë me një farë hermeticiteti, pa folur e pa diskutuar mes nesh për këtë pamje themelore të jetës. Me sa duket, për këtë arsye dashuria dhe çka e rrethon atë mbeten një mister jo i depërtueshëm nga të gjithë e lehtësisht. Transmetohet pak ose aspak dhe vazhdon të jetohet si një mister apo kënaqësi e ndaluar. Uroj që poezia, firmuar Cohen, të na ndihmojë t’i heqim velin e misterit kësaj molle të ndaluar e ta shohim si yll polar të ekzistencës sonë./gsh.al/
https://www.balkanweb.com/anila-bega-dhe-poezia-e-saj/
Anila Bega Cohen, në një rrëfim për veten dhe poezinë e saj në tv Scan