Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: Europa përzë emigrantët dhe merr qentë rrugaçë me traget

Image result for bardhyl berberi

Bardhyl Berberi

Vetëm gjatë ditës së sotme janë përzënë mbi 50 emigrantë shqiptarë nga Europa: Franca, Belgjika, Hollanda apo Italia. Ky lajm më solli si asociacion atë që ka ndodhur para disa kohësh në Pogradec me një shoqatë italiane.

Një shoqatë nacionale italiane “ENPA” me furgonin me targa DDC 911 SH merr në fshatin Gurras 50 qen rrugaçë që Bashkia e Pogradecit i mbante dhe i trajtonte sipas mundësive të saj. Qentë rrugaçë ‘ekstradohen’ nga Pogradeci në kushte komode, me ushqim dhe kafaz për secilin qen drejt Durrësit dhe më pas me traget drejt Barit. Punonjësi i Bashkisë Faik Kishta i cili ishte kujdesur për këta qen thotë se “më vjen keq që po i marrin se në një farë mënyre i kam ushqyer dhe jam kudesur këtu, tek kjo ndërtesë e ish pularisë, por më ngushëllon fakti se atje ku po shkojnë në Itali do të jetojnë më mirë se këtu. Edhe për fëmijët tanë kur iu del llotua për në Amerikë mëzitemi se do të na largohen nga vatra familjare, por na vjen edhe mirë se ata do të jetojnë shumë më mirë në SHBA se këtu”.

Përgjegjësi i qenve të bashkisë heq një paralele interesante me filozofinë e tij popullore midis qenëve dhe emigrantëve…

Dhe duket vërtet paradoksale kur zbohen nga Europa çdo ditë qindra-mijra shqiptarë që kanë shkuar për një jetë më të mirë dhe ju jepet azil vetëm 8 personave;  kjo ka një domethënie aspak njerëzore …

Europën e kemi ëndërruar gjithmonë, e kemi parë si një vend që me institucionet e saj të na afrojë një shërbim humanitar, civilizues dhe dinjitoz që zbaton konventat  ndërkombëtare… Para këtij fakti njeriu bëhet si i shushatur para kësaj Europe ku dinjiteti njerëzor nëpërkëmbet  dhe kujdesi kalon tek qentë …

Sinqerisht sot Europa në sytë e mi u shfaq si një kështjellë prej rëre. Dinjiteti njerëzor, qoftë i emigrantëve tanë hallexhinj, po ashtu dhe emigrantëve sirianë që janë mbytur me mijëra në det dhe mijëra prej tyre po përballen me të ftohtin në kampet greke që janë duke vdekur nga të ftohti. Është një luks shumë i madh  që të trajtosh qentë rrugaçë para njerëzve  hallexhinj… Fundi i njeriut është vdekja,  ajo nuk mund të shmanget as me numëra llogarie, as me vila dhe çdolloj pasurie  abuzive. Asnjë pasuri nuk mund të marrish me vete në botën tjetër.

Realisht shoqëria ka filluar të kalbet nga abuzimet, yshtjet për para dhe pasuri të pandershme, që persona të caktuar duan të pasurohen në mënyrë të pandershme.

Jetojmë në një shoqëri të arnuar keq, jemi produkt i një krize planetare. Njeriu ngelet i dyzuar para kësaj shëmbëlltyre të keqe, përballë këtij mjedisi aspak miqësor të Europës  ku njerëzit fatkeq përplasen në dyert e saj  për mbijetesë.

Dhe po t’i hedhësh një sy listës së emigrantëve vëren se shumë syresh janë mbytur në det me gomone, ndërsa qenëve rrugaçë u krijohen të gjtiha konditat që të udhëtojnë në mënyrë komode me traget në drejtim të Italisë, falë ndonjë projekti të majmë që financohet ndoshta nga Brukseli. Është paradoksale që kjo Europë na kthen emigrantët fatkeq dhe merr qentë rrugaçë, ky është thelbi i një drame vuajtjesh.

Sinqerisht nuk kam asgjë me shoqatën “ENPA” që kujseset për qentë rrugaçë, por së pari kujdesi duhet të jetë për jetë njerëzish që po shkojnë dëm çdo ditë. Këmbëngulja e tyre për të mos dashur që qentë rrugaçë të fotografohen në momentin e ‘ekstradimit’ të lë hije dyshimi se ky kujdes për qentë i kësaj shoqate nacionale italiane dhe kjo ‘bamirësi’ nuk duan që të publikohet në media…

Please follow and like us: