Dr. Fedhon Meksi: VËSHTRIM I PËRGJITHSHËM, SHEK. XVII – SHEK. XVIII, (2)
Dr. Fedhon Meksi
“Ndryshimet që u shfaqën në Shqipëri nga fundi i shek. XVII dhe gjatë shek. XVIII në strukturën ekonomike e shoqërore të vendit, dëshmonin për një zhvillim të forcave prodhuese në fshat dhe në qytet, me të cilin popullsia e Shqipërisë më në fund i kapërceu pasojat e rënda të shekujve XV-XVII. Duhet vënë në dukje veçanërisht rritja e disa prej qyteteve të vendit si Shkodra, Janina, Berati ose Voskopoja që u bënë qendra zejtarie, tregtie, kulture e arsimore me rëndësi për të gjitha trevat perëndimore të gadishullit, por edhe si hallka ndërlidhjeje me Perëndimin”.1
Qytetet shqiptare njohën një zhvillim mjaft të shpejtë. Ato ofronin tregje të rëndësishme për artikujt e bujqësisë dhe në mënyrë më të kufizuar edhe për prodhimet e esnafeve vendëse. Në këtë mënyrë u forcuan kryesisht dy tregje që patën si bosht qytetet kryesore të Shqipërisë, Shkodrën e Janinën. Formimi i këtyre tregjeve përbënte një hap të rëndësishëm përpara drejt bashkimit ekonomik të vendit. Në qytetet shqiptare po zhvillohej edhe një shtresë e re shoqërore, borgjezia tregtare shqiptare, që në të vërtetë, si e sapolindur, ishte e dobët në numër dhe e varur plotësisht nga paria e vjetër feudale që kish në dorë edhe pushtetin politik. Por edhe tregjet hasnin vështirësi dhe pengesa veçanërisht nga sistemi i timarit me mjedisin e vet feudal rrethues, i cili pengonte që ata të shkriheshin në një treg të vetëm kombëtar.
- Kriza financiare osmane
Shekujt XV-XVII shënuan periudhën e zgjerimit të Perandorisë Osmane, por ata përkojnë gjithashtu edhe me zhvillimin teknologjik dhe ekonomik në vendet perëndimore, që bëri të mundur ngritjen e standardeve të pajisjeve teknike ushtarake dhe modernizimin e organizimit të ushtrive.
Një zhvillim tjetër që ndihmoi në fillimin e krizës financiare osmane ishte edhe zbulimi i rrugëve të reja tregtare nga shtetet kryesore perëndimore. Nëpërmjet këtyre rrugëve hynin në Europë sasira të bollshme metalesh të çmuara, gjë që shkaktoi rënien e vlerës së monedhës osmane dhe e shndërroi vetë Perandorinë Osmane në një treg shumë të lirë të mallrave të papërpunuara, me destinacion vendet perëndimore. 2
Këto zhvillime ekonomike që po ndodhnin në Europë, e shtynë shtetin osman të përpiqej për krijimin e burimeve të reja financiare për të përballuar rritjen e detyrueshme të numrit të ushtarëve me pagesë dhe pajisjen e tyre me armë moderne, si dhe për të fuqizuar monedhën osmane e cila vazhdimisht humbte vlerë. Në këto kushte u rrit dyfish numri i ushtarëve me pagesë me qëllim që të përballohej zmadhimi i ushtrisë profesioniste, i shkaktuar veçanërisht nga zgjerimi i përdorimit të artilerisë dhe i armëve të tjera të zjarrit.
Në kuadër të ndryshimit të artit ushtarak, timaret (feude me të ardhura mbi 20 000 akçe në vit) e dhëna më parë si shpërblim kundrejt shërbimit ushtarak, filluan që t’u merreshin nga duart spahinjve, aktualisht të paaftë për veprime ushtarake të suksesshme, dhe iu dhanë titullarëve të lartë osmanë.
Regjimi feudal ushtarak i timareve, që deri atëherë ishin prona shtetërore, ndodhej në dekompozim të thellë. Pasi u kuptua se pushtimet pushuan së qeni burime fitimesh për kastën e spahinjve, më të fuqishmit prej tyre, së bashku me feudalët e tjerë të pasur, ndërmorën hapa për të garantuar ekonomikisht vetveten. Ata filluan të marrin nga fshatarët parcelat e tokës që ndodheshin në timaret e tyre dhe gradualisht i shndërruan ato në prona private, që u quajtën çifligje. Fshatarët që mbetën pa tokë u shndërruan në punëtorë me mëditje në çifligjet, tashmë pronë e spahinjve të tyre ose u shpërngulën në qytete.
Ata kishin humbur mbrojtjen nga shteti dhe para tyre ishte hapur rruga e varfërimit të mëtejshëm. Nëpërmjet kësaj praktike në Shqipëri u shfaqën një numër i madh çifligjesh dhe bashkë me ta lindi një aristokraci e re, ajo e tokës, e cila, duke zgjeruar pronat e saj dhe duke shtënë në dorë edhe kontrollin administrativ në krahinat ku jetonte, filloi t’i rrëmbejë terren gjithnjë e më tepër aristokracisë ushtarake osmane. Dora-dorës ata filluan ta ndiejnë veten më shumë si të pavarur sesa si nëpunës të shtetit osman. Ndryshimet që u kryen në planin ekonomik sollën pasoja të dukshme edhe në fushën shoqërore e politike, që u pasqyruan me fuqizimin e pronarëve të mëdhenj çifligarë vendës.
Këto familje të mëdha feudale, që u quajtën oxhaqe, bashkuan me pushtetin ekonomik edhe pushtetin vendor, të cilin e bënë të trashëgueshëm dhe filluan të zbehnin marrëdhëniet me pushtetin qendror, i cili pa ata e kishte të vështirë të ushtronte sundimin e vet, veçanërisht në periferi të Perandorisë. Fillimisht ata vendosën për të mos e ndarë pushtetin e tyre ekonomik me osmanët dhe më pas u drejtuan hapur kundër pushtetit qendror që kërkonte të vazhdonte ushtrimin e pushtetit të vet në tokat e shqiptarëve nëpërmjet funksionarëve të dërguar nga Stambolli.
Procesi i shndërrimit të pronës shtetërore të tokës në pronë feudale private dhe diferencimi i mëtejshëm që po ndodhte në gjirin e shtresës feudale, çuan në fuqizimin politik të çifligarëve nëpër sanxhakët dhe rrjedhimisht në dobësimin e influencës së pushtetit qendror në ta. Ndërkohë që Perandoria Osmane kishte hyrë në fazën e shkërmoqjes, Porta e Lartë, që kishte nevojë për forca të shumta ushtarake për të përballuar rreziqet e brendshme dhe të jashtme, ishte e detyruar që të siguronte me anë të feudalëve të mëdhej vendës shuma sa më të mëdha të hollash. Porta e Lartë e ndërmori këtë hap, pavarësisht se ishte e ndërgjegjshme që në këtë mënyrë do të përshpejtonte procesin e fuqizimit politik të feudalëve provincialë.
Për Portën e Lartë kishte vetëm një zgjidhje: t’u besonte feudalëve të mëdhenj vendës detyrat më të rëndësishme administrative dhe ushtarake dhe t’i njihte ata zyrtarisht si ajanë (pari). Nga ana tjetër, ajanët mundoheshin të përfitonin nga pushteti qendror për të kapur kreun e pushteteve krahinore. Sipas pasurisë dhe forcave të armatosura që disponin, ajanët vendosën ndikimin mbi krahinat që ndodheshin rreth çifligjeve të tyre. Rreth tyre po grumbulloheshin edhe çifligarët më të vegjël, ndërkohë që vetë ajanët lidhnin aleanca për ndihmë reciproke me feudalë të tjerë të mëdhenj.
Me kohë ajanët filluan t’i trashëgojnë çifligjet e tyre. Të mbështetur kryesisht në pasurinë e tyre dhe aleancat që kishin krijuar, ajanët e ndienin veten më pak të lidhur me pushtetin qendror në krahasim me feudalët ushtarakë timariotë, tashmë të pakësuar ndjeshëm. Sipas funksioneve që u detyrua t’u jepte pushteti qendror, ajanët fituan gjithashtu grada pashallarësh e vezirësh. Duke shfrytëzuar ofiqet e tyre, ata vazhduan të pasuroheshin dhe krijuan çifligje gjithnjë e më të mëdha, nga ku buronte edhe fuqia e tyre. Tashmë Porta e Lartë detyrohej të zgjidhte funksionarët për qeverisjen e sanxhakëve vetëm nga këto familje aristokrate feudale. Koha kur pushteti qendror dërgonte njerëzit e vet për të drejtuar pushtetin vendor dhe shqiptarët vetëm bindeshin, kishte kaluar.
- Anarkia feudale në Shqipëri
“Kthimi i feudeve ushtarake në çifligje, në prona, në mos zyrtarisht, por de facto private, u bë një nga shkaqet themelore të shthurjes së regjimit feudal ushtarak që e shndërroi perandorinë e sulltanëve në arenë të anarkisë. Roli i rëndësishëm që kishin luajtur shqiptarët në radhët e klasës sunduese osmane e bënte të kuptueshme pse ajo pjesë e feudalëve shqiptarë, tashmë ushtarakë të deklasuar, me bandat e tyre u bënë një plagë e vërtetë për Shqipërinë, po aq edhe për vendet e tjera ballkanike”. 3
Një pjesë e spahinjve arritën të marrin më shumë se një timar dhe të zgjerojnë çifligjet më shumë nga norma e caktuar. Feudalët çifligarë nga ana tjetër zgjeronin vazhdimisht pronat dhe ndikimin e tyre politik. Midis spahinjve dhe çifligarëve lindën kontradikta për të drejtat që shkeleshin dhe nuk respektoheshin në mënyrë të ndërsjellë nga të dyja palët.
Shndërrimi i pronës shtetërore në pronë që kishte rënë përgjithësisht në duart e feudalëve, të cilët e shfrytëzonin atë pa ndonjë detyrim ndaj sulltanit, nuk pajtohej me kërkesat dhe interesat e qeverisë qendrore dhe u bë në kundërshtim me ligjet e saj. Nga ana e saj, Porta e Lartë, sipas parimit përça dhe sundo, nxiste konflikte të armatosura mes familjeve të fuqishme rivale, mbasi përçarja e tyre ishte mjeti më i mirë për të mbajtur ekuilibrin e pushtetit qendror, për të ruajtur interesat e vet dhe për të mënjanuar bashkimin e këtyre familjeve. Ndërkohë, familjet e mëdha që kishin marrë pushtetin e një krahine duke mposhtur kundërshtarët e tyre, pasi kishin siguruar forcat ekonomike dhe ushtarake për ta mbajtur vetë këtë pushtet, filluan të veprojnë me iniciativë duke mos i përfillur interesat e qeverisë qendrore.
Nga pikëpamja ekonomike, në rrënjë të anarkisë qëndronte prirja për ta shndërruar timarin, nga pronësi shtetërore feudale, sipas ligjeve të ekonomisë së tregut, në çiflig, në pronësi private. Kurse nga pikëpamja politike, në rrënjë të anarkisë qëndronte zelli i qeveritarëve feudalë për të zgjeruar pashallëqet dhe prirja e tyre për të dobësuar sa më shumë varësinë nga pushteti qendror. Këto prirje përfaqësonin zhvillime historike me rëndësi të jashtëzakonshme për Shqipërinë, pasi me vendosjen e pronësisë private mbi tokën vendi shkëputej nga baza ekonomike feudale, kurse duke dobësuar varësinë nga qendra hapej rruga e shkëputjes nga osmanët. Kjo luftë që acaroi gjendjen anarkike në të gjithë vendin paraqiti më pas, kur të gjitha palët ishin të rraskapitura, edhe domosdoshmërinë për t’i dhënë fund asaj dhe për të filluar një fazë të re zhvillimi, veçanërisht në ekonomi, politikë, kulturë dhe shoqëri.
- Lindja e pashallëqeve
Në vend të rendit feudal ushtarak të sanksionuar nga pushteti qendror dhe të lidhur me këtë pushtet, kemi kalimin në një rend të ri, të vendosur jashtë vullnetit të qeverisë qendrore dhe ligjeve të saj, që u krye me ligjin e më të fortit, me fuqinë që kishin fituar familjet e mëdha, duke nënshtruar feudalët ushtarakë dhe çifligarët e tjerë më të dobët. Në këtë mënyrë, administrata osmane u zëvendësua me një administratë të vendosur nga feudalët e fuqishëm shqiptarë. Rendi filloi të mbahej jo nga forcat e qeverisë qendrore, por nga forcat e caktuara nga vetë oxhaqet. Veçse rëndom, zgjidhja e konflikteve midis feudalëve bëhej me anë të armëve. Konfliktet midis familjeve të fuqishme që mbajtën gjallë për vite të tëra një mjedis agresiviteti në Shqipëri, ishin pasojë jo vetëm e armiqësive midis familjeve ose fiseve, rrënjët e të cilave ishin shumë më të thella, por edhe e humbjes së fuqisë së pushtetit qendror për të vendosur qetësinë. Lindja e pashallëqeve, edhe pse lidhej me interesat e feudalëve çifligarë, në fakt u përgjigjej edhe interesave të shtresave të reja shoqërore dhe veçanërisht të elementeve të borgjezisë tregtare shqiptare që po formohej në gjirin e qyteteve të vendit.
Në kushtet kur po krijohej kapitali tregtar shqiptar dhe Shqipëria po përfshihej gjithnjë e më shumë në sferën e veprimit të kapitalit tregtar europian, tregtarët shqiptarë ishin të interesuar për krijimin e një pushteti të fortë që t’i vinte fre anarkisë, gjë që s’e bënte dot Porta e Lartë. Ata ishin të interesuar gjithashtu për zgjerimin e tregut të brendshëm, gjë që mund të arrihej nëpërmjet krijimit të njësive administrative më të mëdha nga sanxhaqet e vjetra e të vogla. Pashallëqet e mëdha shqiptare u formuan rreth qyteteteve të Shkodrës dhe të Janinës, në terrenin e tregjeve me rëndësi ndërkrahinore, me popullsi kryesisht shqiptare dhe me një klasë sunduese shqiptare. Ato, pa cenuar ende integritetin formal të perandorisë, mundën të përforconin karakterin e tyre shtetëror dhe me administratën e tyre politiko-ushtarake të veçantë luajtën një rol të rëndësishëm në konfliktet ndërkombëtare të kohës duke u kërkuar si aleatë nga palët ndërluftuese. Pashallëqet e mëdha shqiptare nuk u krijuan me vullnetin e Perandorisë, por me forcën e armëve, në luftë me feudalët e tjerë dhe me qeveritarët e emëruar nga Porta.
“Pashallëqet e mëdha shqiptare që u formuan duke i shtrirë kufijtë dhe duke zgjeruar pushtetin mbi krahinat e tjera fqinje, nuk ishin njësi administrative autonome të parashikuara në organizimin shtetëror osman, por zotërime feudale autonome”.4
Pashallëqe janë quajtur gjithashtu edhe territore ku familjet më të forta feudale, pasi mposhtën rivalët dhe nënshtruan feudalët e tjerë, vendosën sundimin e tyre autonom ose gjysmautonom. Zotërime të tilla feudale autonome shqiptare u krijuan gjatë shek. XVIII, jo vetëm në Shkodër e Janinë, por edhe në Delvinë, Berat, Tiranë, Vlorë, Kavajë, Krujë, Elbasan, Dukagjin e Peqin. Në themel të kësaj dukurie politike, siç ishte formimi i pashallëqeve shqiptare, qëndronin jo vetëm kontradiktat midis shtresave të veçanta feudale, që përbënin karakteristikën kryesore të separatizmit feudal, por edhe kontradiktat e papajtueshme midis një populli të shtypur që luftonte për liri dhe shtetit osman që përpiqej të ruante sundimin e tij të vendosur me dhunë. “Qeveritarët e pashallëqeve të formuara në Shqipëri nuk ishin pra thjesht separatistë, as uzurpatorë ose rebelë. Përpjekjet e tyre për të fituar autonominë ishin objektivisht shprehje e aspiratës së ligjshme për liri dhe pavarësi”. 5
- Buda, A.: Vendi i shqiptarëve në historinë europiane të shek. VIII-XVIII, Studime historike, I, Tiranë, 1967, f. 18-20.
- Bozbora, Nuray: Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptar në Perandorinë Osmane, Dituria, Tiranë, 1997, f. 97).
- Buda, Aleks: Vendi i shqiptarëve…, po aty, Tiranë, 1967, f. 21.
- Bozbora N.: po aty, f. 98.
- Gjika, Grigor: Pashallaqet e pavarura shqiptare, në: Historia e shtetit dhe e së drejtës në Shqipëri, Luarasi University Press, Tiranë, 2008, f. 21.