Ilir Levonja: I riu Kurti dhe pastërmaja Rama
Shumë nga panelistët e Shqipërisë kanë droje nga termi makro ekonomik, term që e përdori haptas Albin Kurti në vizitën e djeshme në Tiranë. E përdori qëllimshëm, po sigurisht. Dhe ka të drejtë. E përdori kundër idesë së mini shengenit ballkanik, padyshim. Dhe prapë ka të drejtë. Në fund të fundit rruga e unifikimit fillon nga ekonomia. Për ata që nuk e kuptojnë dhe besojnë te ”mrekullitë” e qeverisjes Rama mbi mini shengenin etj., është absolutisht një tërheqje veshi. Ose një plasje buze në kuptimin që, eja të bashkohemi si shqiptarë një herë se mini shengeni ballkanik pret. Dhe ky bashkim fillon nga termat ekonomikë, nga politikat fiskale të përbashkëta mes shqiptarëve të ndarë në dy shtete. Mirëpo dallimi qëndron në atë që, në Shqipëri politikanët punojnë për vete jo për Shqipërinë. Ndërsa në Kosovë me gjithë firot, koha ka treguar se politikanët po punojnë për Kosovën. Dhe jo vetëm për këtë, por edhe më gjerë, për atë quhet Shqipëria natyrale. Dhe që të jeni të bindur nëse i jepni një mundësi zgjedhje Vetvendosjes sot në Shqipëri, Albin Kurti do i thyente brinjët jo vetëm kastës së Edi Ramës, por edhe më gjerë. Se shqiptarët tashmë janë të humbur në zullumet e Ramës, në ato Lulit që pret të kandidojë me të njëjtat figura, jo me demokratët, apo edhe Ilir Metës tashmë një opozitar që i ka kaluar koha. Por jo vetëm politikanët, edhe panelistët, nuk punojnë për Shqipërinë por për njëshat. Nëse ka tek tuk ca kokrra ata janë të pa dëgjueshëm, jo të pa vlerë, pasi dominon propaganda. Dhe këtë e tregon fakti që e analizojnë në dy fronte Albinin dhe e quajnë të pa pranueshme termin makro shqiptar. E konsiderojnë jo realist për faktin se nuk të lë Europa. E vërteta është se Europa mund të mos lejoj shumë gjëra, por të drejtën e të shprehurit nuk ta heq dot. E fundit fare, po nuk folën vet shqiptarët dhe po nuk punuan vet shqiptarët për unifikimin e ekonomisë së tyre, si mund të kujtohet Europa për ta? Por kjo nuk u duket e vlefshme panelistëve shqiptarë, merren me Kurtin dhe e tregojnë si parakohe, si të ri, pasi ky produkti prej pastërmaje i tyre, i stazhionuari në politikë, Edi Rama, ka të drejtë me mini shengenin. E qortojnë se nuk takoi lali Erin. Një lloj politike e suportit internacional të blloqeve që përfshinte vetëm komunistët, jo popullin në tërësi. Dhe ne kemi sot këtë produkt që kemi, shqiptarët pa një Shqipëri natyrale. Eshtë i ri, Albin Kurti thotë zotnia i dështimit dhe panelistët vrapojnë të anatemojnë makro shengenin a makro ekonominë mes shqiptarëve. Vazhdoni me Ramën se ta këput shpirtin kur u thotë të pastrehëve nga tërmeti i vitit të kaluar, edhe mbas tre muajve, që prisni se punët nuk bëhen kush vrapon i pari, shteti ka rregulla. Sikur të ishte ashtu, por puna është se shteti i tij nuk ka para dhe pret lëmoshat. Kaq. Ju prisni, pritët 45 vjet Enverin, jeni mësuar me të pritur. Shëndosh Ramiu…