Albspirit

Media/News/Publishing

Propozimi i Putin/Drejt një Jalte të re: A i intereson Ballkanit?

Propozimi i Putin / Drejt një Jalte të re: A i intereson Ballkanit?

Shaban Murati

 

Në prag të 75 vjetorit të Konferencës së Jaltës të tre fuqive të mëdha fituese të Luftës së Dytë Botërore, SHBA, BRSS, Britani e Madhe, (4-11 shkurt 1945), presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, doli me propozimin për të organizuar brenda vitit 2020 një samit të liderëve të pesë shteteve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB, Rusi, Kinë, SHBA, Britani e Madhe, Francë.

Në fjalimin, që mbajti në 23 janar në Forumin për holokaustin në Izrael, Vladimir Putin deklaroi se “Pesë shtetet themeluese të OKB, pesë fuqitë që mbajnë përgjegjësi të posaçme për ruajtjen e civilizimit, mund dhe duhet të japin një shembull. Një samit i shteteve, që dhanë kontributin kryesor në disfatën e agresorit dhe në krijimin e sistemit botëror të pasluftës, do të luajë një rol të jashtëzakonshëm në kërkim të përgjigjeve kolektive për sfidat moderne”. Presidenti rus u shpreh se konferenca e re mund të organizohet në çdo vend dhe pikë të globit, që pesë shtetet do të bien dakord.

Nisma e presidentit rus është një ftesë për organizimin e një konference të re të Jaltës, ku 75 vjet më parë udhëheqësit e SHBA, të BRSS dhe të Britanisë së Madhe formësuan sistemin ndërkombëtar të shteteve të pas Luftës së Dytë Botërore. Tani kjo konferencë e re, sipas Moskës, duhet të japë përgjigje për sfidat e reja dhe zgjidhjen e konflikteve nëpër botë, duke ushtruar përgjegjësitë e tyre historike. Ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov, në datën 10 shkurt në ceremoninë e emetimit të një pulle të re postare ruse kushtuar 75 vjetorit të Konferencës se Jaltës, evokoi faqet e përbashkëta të historisë të kohës së Luftës së Dytë Botërore dhe theksoi se Rusia shpreson të marrë përgjigje konstruktive për nismën e saj.

Propozimi i presidentit rus për organizimin e një samiti të pesë liderëve të shteteve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB deri tani ka marrë përgjigje pozitive nga Franca dhe nga Kina. Presidenti i Francës, Emanuel Makron, me një shpejtësi të pazakontë diplomatike, shprehu në 23 janar në Forumin e holokaustit në Izrael, ku ndodhej krahas Putinit, mbështetjen e tij, duke deklaruar se “sot pesë anëtarët e përhershëm të KS të OKB mbajnë përgjegjësi historike. I dashur Vladimir, unë e mbështes propozimin tënd për të na mbledhur sëbashku. Unë do të doja ta arrijmë këtë, meqë ne jemi garantuesit e paqes globale”.

Në 24 janar edhe zëdhënësi i MPJ të Kinës shprehu mbështetjen e qeverisë së tij për propozimin e presidentit rus. Madje ambasadori rus në Pekin, Andrej Denisov, sipas agjencisë ruse “TASS”, bëri të ditur në 10 shkurt se Kina bashkë me Rusinë po përgatisin samitin e pesë shteteve anëtare të përhershme të KS të OKB. Britania e Madhe nuk është shprehur, por ka kërkuar nga Moska detaje më të hollësishme lidhur me këtë propozim. Përsa i përket qendrimit të SHBA për nismën e presidentit rus, ambasadori i Rusisë në Uashington, Anatoli Antonov, i deklaroi agjencisë “TASS” në 9 shkurt se “nuk ka ndonjë reagim për propozimin nga ana e qeverisë amerikane, as nga ana e ligjvënësve amerikanë dhe as nga përfaqësuesit e tjerë të elitës drejtuese”.

Nisma e presidentit rus për të organizuar një Jaltë të re të pesë shteteve anëtare të përhershme të KS të OKB ka dy argumente. Së pari, që ato janë shtete themeluese të OKB, dhe së dyti që pesë anëtarët e përhershëm kanë përgjegjësi të veçanta historike për paqen globale dhe për botën. Në parim organizimet e samiteve të fuqive të mëdha në formate të ndryshme, ku të diskutojnë dhe  të marrin masa për boshtet dhe ekuilibrat gjeopolitike të paqes botërore në sistemin ndërkombëtar të shteteve, janë të mirëpritura në funksion të ruajtjes së paqes dhe të stabilitetit rajonal e ndërkombëtar.

I tillë qe sistemi i dakorduar në Konferencën e Jaltës në 1945, që ndërtoi stabilitetin ndërkombëtar bazuar në parimin bipolar të drejtimit të botës me parametrat ideologjikë të kohës. Por përsëritja e një konference të re të Jaltës 75 vjet më vonë dhe me një ekskluzivitet të pesë anëtarëve të përhershëm të KS të OKB, kërkon në rradhë të parë konsiderimin e realiteteve të reja të krijuara në sistemin ndërkombëtar të shteteve, të kushteve dhe të rrethanave të reja të botës së sotme. Është e qartë për të gjithë se bota e sotme nuk është ajo e 75 viteve më pare, të fundit të Luftës së Dytë Botërore. Pavarësisht se konflikte dhe luftra lokale konstatohen në disa rajone të botës, fakti dhe fati është se nuk ka një luftë globale botërore.

Së dyti, shtetet themeluese të OKB nuk kanë qenë vetëm pesë anëtarët e përhershëm të KS të OKB, por në 1945 kanë qenë 51 shtete themeluese, kurse tani OKB ka 193 anëtare. Në Kartën e OKB nuk shkruhet se pesë shtetet anëtare të përhershme kanë përgjegjësi të posaçme historike mbi të tjerët për fatet e botës. Nuk mendohet se shtetet e tjera të mëdha, që nuk janë anëtare të përhershme të KS të OKB, pajtohen me këtë status kujdestari botëror të pesëshes. Ajo që është më e rëndësishme është fakti se ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore statusi dhe raporti i forcës në mesin e shteteve të sistemit ndërkombëtar dhe pesë anëtarët e përhershëm të KS të OKB nuk janë të vetmet qendra të fuqisë botërore.

Është vështirë të konceptohet sot se vendimet botërore mund të kenë efikasitetin ndërkombëtar pa pjesëmarrjen e fuqive të tilla të mëdha si India, Japonia, Gjermania, Brazili, etj. Sot kemi dy fuqi bërthamore si India dhe Pakistani, që me numur popullsie janë më të mëdha se Rusia, Franca e Britania, dhe që nuk janë anëtare të përhershme të KS të OKB. Ndryshimet e mëdha të ndodhura në raportet e fuqisë kanë nxitur qysh në vitin 1993 presionet dhe kërkesat e fuqishme për reforma në sistemin ekzistues të vjetëruar të OKB dhe në rradhë të parë në KS të OKB.

Ekziston grupi G-4, i përbërë nga India, Japonia, Gjermania dhe Brazili, të cilat sëbashku i janë drejtuar zyrtarisht OKB me kërkesën për zgjerimin e numurit të anëtarëve të përhershëm dhe jo të përhershëm e KS të OKB.

Në 25 shtator 2019 ministrat e jashtëm të Gjermanisë, Brazilit, Indisë dhe Japonisë, në një deklaratë të përbashkët publikuar pas takimit të tyre në Njujork, deklarojnë: ”Ministrat theksuan mbështetjen e tyre për kandidaturat e njeri-tjetrit për anëtarë të përhershëm të KS të OKB në një Këshill Sigurimi të reformuar, për shkak të kapaciteti dhe të vullnetit për të marrë përgjegjësi më të mëdha lidhur me ruajtjen e paqes dhe të sigurisë ndërkombëtare”. Këtu kemi të shprehur me forcë dhe zyrtarisht mospranimin e katër shteteve të mëdha për statusin e klubit ekskluziv të pesëshes akuale, të cilin kërkon të konsolidojë presidenti rus me nismën e tij. Gjithashtu në KS të OKB nuk ka asnjë shtet anëtar të përhershëm nga dy kontinente, Afrika dhe Amerika Latine.

Ky raport i ri force midis shteteve në shkallë ndërkombëtare e bën jo të përshtatshëm formatin e konferencës së re të Jaltës, të propozuar nga presidenti rus. Nuk është rastësi që Rusia e propozon samitin jashtë kuadrit të OKB dhe jashtë Këshillit të Sigurimit, duke i dhënë një dimensiom botëror. Sipas zëvendëskryetarit të parë të komitetit të politikës së jashtme të Këshillit të Federatës Ruse, Vladimir Xhabarov, “jo gjithmonë është e mundur të diskutohen gjitha çeshtjet komplekse në KS të OKB”.

Sipas informacioneve të deritanishme është thënë se samiti i pesë shteteve anëtare të përhershme të KS të OKB do të diskutojë konfliktet në rajone të ndryshme dhe është përmendur konkretisht vetëm Libia. Por a mund të mendohet se do të jetë efikase që Jalta e re të diskutojë çeshtjen e Libisë pa pjesëmarrjen e Gjermanisë, e cila muajin e kaluar organizoi në Berlin samitin e posaçëm për Libinë, ose pa pjesëmarrjen e Italisë? Vështirë të mendohet se do të jetë efikas një diskutim në Jaltën e re për krizën e Ukrainës Lindore dhe të Krimesë pa pjesëmarrjen  Gjermanisë.

Nuk mund të lihet pa përmendur se Jaltën e re e ka propozuar shteti, që aneksoi me dhunë Krimenë dhe që ka provokuar konfliktin e zgjatur në Ukrainën Lindore. Vështirë të mendohet se mund të jetë efikas diskutimi i krizës së Sirisë në Jaltën e re pa pjesëmarrjen e Turqisë apo të Iranit. Po kështu nuk mund të mendohet për efikasitet në diskutimin e  çeshtjeve të konflikteve në Azi apo në Oqeanin Indian  apo në Paqësor pa pjesëmarrjen e Indisë dhe të Japonisë.

Në këtë logjikë të realiteteve nuk bëhet shpresëdhënëse një Jaltë e re edhe lidhur me Ballkanin. Mendohet që Ballkani, si rajon ku ka dy kriza të pazgjidhura: çeshtja e shtetit unik të Bosnjë- Hercegovinës dhe çeshtja e marrëdhënieve të ndera midis Serbisë dhe Kosovës, pritet të zerë vend në një Jaltë të re. Mirpo në këtë format janë dy shtete, që nuk e njohin Kosovën, dhe shteti propozues i samitit është protektor i dy faktorëve kryesorë të tensioneve ballkanike, Serbisë dhe “serpska republikës”. Dy shtete të këtij formati, Rusia dhe Kina, në Ballkan kanë nënshkruar vetëm me Serbinë Traktate të Bashkëpunimit Strategjik. Në këtë perspektivë, kur Rusia është kundër integrimit euroatllantik të shteteve të Ballkanit, çdo diskutim në një Jaltë të re për Ballkanin do të devijonte interesat e stabilitetit në rajon. Karta e Kosovës do të përdorej nga Rusia kundër Kosovës dhe në funksion të tratativave për kërkesat e saj lidhur me Krimenë apo Ukrainën Lindore, gjë që natyrisht ushqen skepticizëm.

Lidhur me motivet reale, që e shtynë presidentin rus të dalë me këtë nismë, në qarqet diplomatike numurohen dy. E para, është ambicja personale e presidentit rus për t’i dhënë vetes një rol botëror në diplomacinë ndërkombëtare. Së dyti, për t’i dhënë Rusisë mundësinë të kompensojë mungesën e saj në formatin e njohur G-7 të grupimit të rëndësishëm të shtatë vendeve më të industrializuara të botës, ku Rusia nuk ftohet më që pas agresionit të saj kundër Ukrainës në 2014. Në vend të G-7, Rusia propozon tani G-5 e anëtarëve të përhershëm të KS të OKB, që në fakt është një përpjekje për shmangien e G-7, ku marrin pjesë edhe Gjermania, Japonia dhe Italia. Por si kushtet historike, ashtu dhe ndryshimet kolosale në sistemin ndërkombëtar të shteteve, e bëjnë jo realiste një përsëritje të Jaltës. Siç shkruan politologu rus Fjodor Krasheninikov në “newtimes.ru” në 4 shkurt : “nuk mund ta rikonstruktosh politikën ndërkombëtare në formën e vitit 1945”.

Nisma e presidentit rus për organizimin e një samiti me pesë shtete anëtare të përhershme të KS të OKB apo të një Jalte të re, është në fazën e diskutimit si një çeshtje e diplomacisë së pesë shteteve. Por është e kuptueshme se të gjithë shtetet anëtare të OKB kanë dhe duhet të kenë interesin për dinamikën e këtij propozimi. Në këtë kuadër edhe qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë do të bënte mirë të analizonte skenarët e mundshëm dhe të formulonte qendrimet dhe të niste veprimtaritë lobuese për mbrojtjen e interesave jetike të shtetit dhe të kombit përballë çdo alternative.

Në një plan konkret Shqipëria do të duhet të bashkohet me qendrimin e SHBA lidhur me nismën e re të presidentit të Rusisë./gazeta dita/

Please follow and like us: