Alfred Lela: Mbi emisionin ‘Open’ të së hënës në ‘Top Channel’ të Eni Vasilit
Emisioni ‘Open’ në Top Channel trajtonte të hënën një temë të befasishme, sforcimi i së cilës nxinte si gryka e një furre gëlqereje në kodrat e Krujës. Reagimi i të ftuarve ndaj kësaj teme -pritë përcaktoi edhe fatin e emisionit: asnjëri prej tyre nuk e mori përsipër qenësinë e tezës së hedhur për diskutim nga drejtuesja e emisionit. Ylli Manjani e trajtoi me qesëndi, Arian Çani e mbyti me shkujdesjen dhe humorin ‘Zonë e lirë’, Henri Çili, ashtu si SPAK, shpalli ‘moskompetencën’, ndërsa Iris Luarasi shprehu shpërfillje refuzuese. Kjo i vrau shpresat e moderatores për të vazhduar përtej minutazhit të pjesës së parë.
Përpjekja e moderatores ishte që, kapja me armë në brez, në afërsi të Partisë Socialiste, të Vladimir Gjutës, emër i njohur për publikun dhe skedat policore, të përcillej në imagjinaren publike si përpjekje për të vrarë kryeministrin Rama. Një prej panelistëve i tha Politiko, në kushtet e anonimatit, se moderatorja i kishte ‘prerë në besë’ duke i ftuar për një temë debati dhe duke i prezantuar me një tjetër në hapje të emisionit.
Kjo, më shumë se edhe nga fjalët e burimit, mund të kuptohej nga ulja e kokës dhe bezdia e Iris Luarasit dhe refuzimi për të trajtuar një temë që kishte qëllime propagandistike dhe nuk mbështetej në fakte.
Përpjekja e ‘Open’ njihet në gjuhën e medias dhe komunikimit si agenda setting, që do të thotë hedhja apo projektimi në publik i një pandehme apo ideje me qëllime të caktuara, zakonisht të shtyra nga nevoja për përfitim dhe imazh. Agenda setting-u që synonte dje në orët e pikut (prime time) emisioni ‘Open’, ishte paraqitja e kryeministrit Rama si i rrezikuar nga bota e krimit, të cilën ai po e luftonte ‘pamëshirshëm’ nëpërmjet Operacionit Forca e Ligjit. Viktimizimi dhe njëkohësisht heroizimi i Ramës, duke e berë shënjestër të krimit, i jepte pikë jo vetëm atij, por edhe mbushte me qëllim operacionin e realizuar nga qeveria nëpërmjet një akti normativ. I ndeshur në mosbesim dhe përqeshje memesh, OFL është në pikën e ngecjes dhe ‘atentati’ ndaj autorit të tij, kryeministrit, do të ishte ‘jump start-i’ (ndezësi) perfekt.
Vladimir Gjuta ishte profili ideal për ta ndërtuar këtë fabul duke qenë se ai kishte ‘histori’ të mëparshme përplasje me ish-ministrin e Brendshëm, Tahiri: ai dyshohej si porositësi apo autori i dyshuar i vendosjes së eksplozivit në farmacinë e të atit. Ai shihej si në ‘hasmëri’ me qeverinë socialiste. Gjuta e kishte të gatshme skedën për t’u kthyer në Lee Harvey Oswald-in shqiptar që kërkon të vrasë Kennedy-n tonë, Ramën.
Të ftuarit e ‘Open’ dëshmuan profesionalizëm, por edhe se, pavarësisht elasticitetit apo pragmatizmit, opinion-bërësit u rrinë larg disa kufijve të delikates të cilët as mendimi më i sofistikuar apo interesi më akut nuk i zhbën dot.
Sigurisht, siç u kuptua edhe nga përpjekja për agenda setting e ‘Open’, te ky common sense publik nuk janë të gjithë anëtarë.
Ironikisht, kur ‘Open’ quhej ‘Studio e Hapur’ dhe bënte strehë diku tjetër, kryeministri Rama e pat krahasuar drejtuesen me një personazh të ‘Narcos’, serialit të famshëm të Netflix. Komenti kishte qëllime fyese.
Pardoksalisht, disa prej nesh jetojnë për t’u takuar me fiksionin që të tjerët patën imagjinuar për ta.