Ndue Ukaj: Algoritmet e zemrës
Ndue Ukaj
Perandoria e zemrës nuk ka ushtri, buxhet të menduar për disa vite,
as drafte të hartuara nëpër konferenca të gjata,
ku harxhohet shumë letër dhe flitet me tension.
Algoritmet e saj janë krejt ndryshe.
Asaj s’i duhen shpikjet e kohës: doktrinat, shkollat,
formulat e ndryshme për sukses – as për lumturi.
Asaj s’ i duhen flamujt e fitoreve,
që mbahen në duar të papastra nga njerëz që ngarendin të hyjnë në portat e triumfit.
Nga ata që duan vetëm fitore dhe lavdi.
Ajo është mirë – e qetë- pranë një peme, në livadhin e shpirtit,
në kopshtin e ullinjve, me lule dhe një lum të qetë e zogj të gëzuar.
Ajo nuk e duron rrebeshin e shtizave
që vërsulen padrejtësisht në beteja,
si ushtarë të tërbuar për fitore: jetë o vdekje.
Unë kam besuar në fenë time të dashurisë;
perandorinë e madhe
të shtrirë përtej lëkurës së ngushtë të tokës,
të historisë,
të sotmes
të ardhmes,
në perandorinë pa sipërfaqe të përcaktuar: kufij, rregulla dhe lojëra.
Ajo perandori është një zemër e fortë; e dashur që nxeh gjitha vuajtjet e botës
dhe përditë ushqehet me lajme të mira.
(Botuar te Jeta e Re, 2019)