Ngërçi në sistemin arsimor, Majlinda Keta: Sistemi po shkërmoqet, prirje korruptive
Voltiza Duro – Sistemi arsimor shqiptar duket se nuk po gjen qetësinë e duhur për të matur pjesën e pretenduar si reformë. Ligje që shkruhen e rishkruhen, ngërçe institucionale në dy nivelet e sistemit, parauniversitar dhe universitar, dukuri si ajo e denoncimit të herëpashershëm për dhunë ndaj fëmijëve apo rasti i abuzimit të mësuesit të shkollës së mesme në Fier që kanë përkeqësuar perceptimin publik ndaj institucioneve publike për të mos harruar edhe përplasjet qeveri studentë, ministri rektor i Universitetit të Tiranës apo ky i fundit me dekanë. Në një intervistë për ‘Gazeta Shqiptare’, pedagogia e Shkencave Sociale, njëkohësisht kryetare e Komisionit Institucional të Zgjedhjeve në Universitetin e Tiranës, Majlinda Keta shpjegon të gjithë faktorët që kanë ndikuar në ngërçin mes rektorit dhe 4 dekanëve të Universitetit të Tiranës.
Pse sistemi arsimor nuk po gjen qetësi, sidomos në pjesën e institucioneve publike?
Sistemi nuk ka si të gjejë qetësi për një arsye thelbësore dhe shumë të tjera. Së pari, sistemi arsimor shqiptar nuk ka të përcaktuar modelin e tij të zhvillimit që logjikisht vjen pas një modeli të përcaktuar ekonomik dhe social të vendit. Ai sot vijon të përbëjë një organizim anarkik që pretendohet të reformohet sa herë kemi rrotacione politike ku këto të fundit vetëm përkeqësojnë përplasjet mes kopjeve të këqija nga sisteme të ndryshme arsimore botërore në elementë të ndryshëm të tyre që vijnë nga këshilltarë që me këtë anarshi lënë pa frymë ministra mediokër të vënë nga Kryetari i Partisë dhe në mungesë totale të vizionit dhe të qenit asgjë, pa kurrfarë kontributi personal apo modeli udhëheqësie për këto 30 vite në arsim. Pra, sistemi, dëmin më të madh vijon ta marrë nga politika me ndërhyrjet e saj që vetëm oksigjenuar politizimin dhe mediokritetin e udhëheqësisë arsimore në çdo nivel. Në se ministri politik vetë është mediokër, në mungesë vizioni dhe artikulimi publik reformator, jashtë kontekstit shqiptar për 30 vite ndryshime në arsim, si mund të pretendojmë se do të prodhojë standarde për një udhëheqësi vizionare dhe frymëzuese për kolegët e tyre, në sistemin parauniversitar apo universitar qofshin. Dëmi më i madh sigurisht i shkaktohet sektorit publik arsimor por kjo ndikon edhe në liçensimin dhe mbarëvajtjet e sektorit jopublik, parauniversitar apo universitar qoftë, për të mos folur për zhvillim e kontribute të kërkimit shkencor në vend.
Pra, ju pohoni se politika qeverisëse ka ndikimin e vet në arsim dhe e formaton atë më së shumti jo drejt progresit?
Në këto 3 vitet e fundit mendoj se janë kulmimi i së keqes së politikës mbi arsimin pasi ka dalë jashtë binarëve të funksionalizmit parlamentarizmi shqiptar, mjedisi institucional ku mund të mendohej se mund të realizohej oponenca programore për strategji të miratuara si kombëtare për arsimin dhe shkencën; u bënë vite që sindikatat e arsimit janë të përçudnuara në aktivitetin e tyre; janë vitet ku fokusi i komunikimit qeverisës fyes për mësues e pedagogë me publikun shqiptar duket se kanë tronditur fuqishëm dinjitetin e mësuesit dhe pedagogut dhe besimin publik ndaj tyre; janë vitet kur rrogat e pedagogëve në universitetet publike shenjuan plot 15 vite të paindeksuara me rritjen e çmimeve në vend jo më të rriteshin, kur rrogat e parauniversitarit qysh nga 2013 -ta nuk vijuan indeksimin; janë vitet ku mungesa e transparencës dhe llogaridhënies për nivelin skandaloz për arsimin dhe kërkimin shkencor në PBP kanë bërë që të mos kontrollohen tendenca dhe shkollëza edhe antishqiptare nga materialet skandaloze në tekstet e Alterkorrupsionit deri tek mungesa e bashkërendimeve arsimore në hapësirën arsimore dhe mendonjëse shqiptare. Kur i rreshtoj këto nuk harroj që kërcënimi më i madh për arsimin mbetet e ardhmja e afërt ku auditoret tona nuk do të kenë më fëmijë dhe të rinj në banka pasi vijon vrullshëm shpopullimi i këtij vendi nga të rinjtë dhe familjet e reja drejt botës.
Përballë këtyre situatave kritike ku është mësuesi, pedagogu shqiptar baza e intelektualizmit apo elitarizmit shqiptar?
Hartuesit e kësaj lloj strategjie ndaj arsimit por dhe heshtanakëve që nuk luftojnë ku dhe si duhet kundër tij me mënyrën se si po e trajtojnë arsimin dhe arsimtarin, universitetin publik dhe pedagogun e tij ja kanë arritur të asfiksojnë dinjitetin e tyre, shpirtin e tyre kritik qytetar, shpirtin e tyre të rezistencës ideore dhe revoltës sindikaliste. Vetëm një gjë harrojnë këto shkatërrues të arsimit se dëmin më të madh kjo lloj sjellje qeverisëse e bën mbi fëmijët dhe të rinjtë e këtij vendi. Një trup arsimtarësh kur ti, politikani, ministri, politika pranuese me heshtjen e saj i çon mbi krye një të paaftë, pa lidhje me vizionin dhe shpirtin reformator që kërkon udhëheqësia në arsim dhe që për vlerë të vetme ka të qenit nga krahina e ministrit apo pjesë e shtabit elektoral të deputetit të zonës ti ja ke asfiksuar energjitë trupës pedagogjike, ja ke hequr mundësitë e frymëzimit për rezultate progresive nga vizioni i udhëheqësit, ja ke hequr burimin e besimit se çdo cilësi e kontribut i shtuar për vetëzhvillim e karrierë të mundësi të provosh projektet e tua zhvilluese në nivel kombëtar dhe personal lëndor, e depersonalizon personalisht dhe profesionalisht. Kjo është një simbiozë e mbjellë nga politika që prodhon çdo çast konfliktualitet me veten, profesionin dhe në rrafshin social për vetë burimet njerëzore të përfshira në sistem.A mendoni se mësuesi apo pedagogu do jetë misionar i arsimit apo të ngrihet në cilësinë e një edukatori?
Harrojeni se ndodh kjo e fundit, realisht ndodh që sistemi çdo ditë vetëm shkërmoqet dhe ka prirje anarkiko-korruptive. Dhe dëmi më i madh është mbi fëmijët dhe të rinjtë humbin mundësinë e përfitimit nga modeli me ndikimin më jetëgjatë për secilin nga ne. Nga ana tjetër, këtij vendi po i vdes mundësia që zhvillimet dhe ngjarjet e mëdha ti prodhohen nga shtresa e mesme, intelektualët e saj.
Në një farë mënyre shpjegimi i mësipërm a vlen edhe për konfliktualitetin tashmë të njohur publikisht mes rektorit të Universitetit të Tiranës dhe dekanëve në 4 fakultete? Janë bërë të njohura në media një letër e rektorit drejtuar stafeve akademike për problematika jo ligjore nga asambletë e fakulteteve për zgjedhjen e Komisioneve të Doktoraturave në fakultetet e UT-së. Si qëndron sipas jush e vërteta dhe ku është roli i ministrisë në këtë konfliktualitet? A nuk është ky një shkak që t’ju ulen kreditet e besueshmërisë në opinionin publik?
Do ta filloja me qëmtimin tuaj të fundit por të ardhur si pyetje: “A nuk është shkak që UT-së t’i ulen kreditet e besueshmërisë në opinionin publik? Po, është një shkak jo pak i konsiderueshëm që ndikon mbi besueshmërinë e shqiptarëve në gjithë hapësirën shqipfolëse. Është një shkak që i bërë “publik” nga rektori kundër votës së akademikëve nga organi më i lartë në njësinë kryesore, fakultet, Asambletë shton dëshminë se UT-ja ka kohë që është në mungesë të frymës së udhëheqësisë dhe funksionalizmit ligjor me në krye rektorin. Është e papranueshme që autoritet drejtuese, rektori në këtë rast, të mos njohë e mbështesë funksionalitetin midis autoritetit dhe organeve kolegjiale, autoritetit dhe votës akademike, autoritetit rektor dhe organit drejtues rektorat ku bëjnë pjesë edhe këto 4 dekanë. Këtu nuk po ndalem në mungesën e etikës në komunikim mes autoritetit rektor dhe stafeve akademike, pa harruar që stafeve nuk i bëhen më dije edhe qëndrime të Ministres së Arsimit për problemin.
Historia e konflikteve që ju merrni në referencë është tregues së demokracia e brendshme e votës dhe e vendimmarrjeve kolegjiale në universitetet publike(pasi konfliktualitete njohim për të gjithë universitet publike) është e kërcënuar nga autoritarizmi shterpë, jo etik dhe injoranca juridike e drejtuesve. Kjo lloj “udhëheqësie” vetëm asfikson veprimtarinë akademike dhe kërkimore në fakultetet tona, prish kohezionin e stafeve, tregues ky që i nevojitet kërkimit pa harruar që nuk gjenerojnë progres dhe vetëzhvillim në karrierat e çdo akademiku dhe rrjetet kombëtare dhe ndërkombëtare ku duhet të jenë kontributorë. Uroj që llogaridhënia dhe transparenca të jetë pjesë e këtyre autoriteteve që janë në përfundim të mandatit dhe në prag të zgjedhjeve të reja të 8 majit 2020. Aty do marrin vlerësimin apo “gjyqin” nga stafet edhe nën këtë këndvështrim tuajin, dëmin publik për besueshmërinë publike tek UT-ja.