Albspirit

Media/News/Publishing

Azgan Haklaj: KOSOVA, ADN E QËNDRESËS DHE IDENTITETIT TONË KOMBËTAR

UNIONI ARTISTIK I KOMBIT SHQIPTAR URON KOSOVËN :
GEZUAR PAVARËSINË.
KOSOVA ADN E QËNDRESËS DHE IDENTITETIT TONË KOMBËTAR.
17 Shkurti 2008, dita kur Parlamenti i  Kosovës  shpalli me votë unanime Pavarësinë e saj, së bashku me 28 nëntorin 1443 dhe 28 nëntorin 1912 janë  trinomi historik më i  rëndësishëm i  Kombit tonë.
Kosova apo Dardania, siҫ njihej në kohët antike, është epiqendra e betejave të mëdha, ҫka e bën atë me të drejtë të meritojë  epitetin “Djepi i Nacionalizmit Shqiptar”.
E ndodhur në një pozicion gjeostrategjik të favorshëm, në një nyje ku kryqëzohen rrugët e rëndësishme të Ballkanit dhe të Europës kontinentale. E pasur si askush tjetër në tokën e nëntokën e saj.
Kosova u bë në shekuj shesh betejash me perandoritë e mëdha Romake-Bizantine – Sllave – Osmane.
Banorët e kësaj treve të lavdishme të Atdheut, me qëndresën e tyre epike, arritën  të ruajnë brez pas brezi traditat dhe zakonet e të parëve, kulturën  e mënyrën e jetesës. Atë nuk arriti ta asimilonte vetë Roma e fuqishme, Kostandinopoja, apo Perandoria e Car Dushanit. Kjo i dedikohet faktit se në  udhëkryqet më të errëta të historisë, kjo tokë e bekuar lindi korifejtë,  të  cilët lanë gjurmë  të pashlyeshme në historinë tonë dhe atë të njerëzimit.
Kosova i dha Romës Perandorin e ndritshëm, Kostandinin e Madh, Bizantit  Justinianin  dhe Niket Dardanin, Botë Shën Terezën  dhe Kombit të Vet  burra mendjendritur  e të  pavdekshëm me Lekë Dukagjinin, Pjetër Bogdanin, Ibrahim Rugovën.
Pavarësia e Kosovës është epilogu i luftrave të përgjakshme 600 vjeçare për liri të burrave e grave të saj, qysh nga Beteja e Fushë- Kosovës e vitit 1389 e deri në ҫlirimin e saj nga Serbia në vitin 1999. Në kalendarin e historisë së saj janë shumë të pakët  muajt e vitet në të cilat mungojnë betejat e kryengritjet  e përgjakshme.
Kosova Dardano–Arbërore  është protagoniste absolute në të gjitha ngjarjet e mëdha  historike të popullit shqiptar.
Në Kuvendin e Lezhës të thirrur nga Moisiu Ynë Gjergj Kastrioti (Skënderbeu) të marsit  1444 me Dukagjinët  e Spanët.
Në Kuvendet e mëdha të Dukagjinit e Kuҫit 1602–1614.
Me Lidhjen e Prizrenit  të vitit 1878-të e atë të Pejës të vitit 1899-të.
Në Kuvendet e Junikut e të Shkupit, në të cilat u hartua Platforma e Kryengritjes së Përgjithshme Kombëtare e vitit 1912-tës për liri e pavarësi dhe bashkim  kombëtar.
Në Konferencën e Bujanit në Malësinë e Gjakovës dhjetor 1943- janar 1944 ku u arrit bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, sipas Kartës së Atlantikut, për Vetëvendosjen e Popujve pas Luftës së Dytë Botërore. Por dhe ky Kuvend u  tradhëtua nga komunistët shqiptarë e jugosllavë.
Beteja  për  Kosovën e lirë, e finalizuar  më 12 qershor të vitit 1999-të, është  triumfi  jo vetëm i qëndresës dhe sakrificave mbinjerëzore dhe i ëndrrës shekullore të shqiptarëve për liri, por edhe i vlerave të demokracisë e qytetërimit perëndimor kundër Despotizmit Milloshoviҫian si bartës i ideologjisë shoviniste  dhe ekspancioniste  të Serbisë së Madhe.
Kosova  si asnjëherë tjetër në histori  ja doli të zgjojë ndërgjegjen e kombeve të lira, të SHBA-së, BE-së, dhe të NATO-s, si aleanca më e fuqishme politike- ushtarake e historisë.
Në  çdo përvjetor të Pavarësisë së Kosovës është në nderin dhe traditën tonë të lashtë kombëtare t`u shprehim mirënjohjen SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë, Austrisë, Batalionit të Atlantikut  dhe të gjithë atyre vendeve  të cilat iu bashkuan flamurit të NATO-s dhe  luftuan për lirinë e Kosovës.
Rruga drejt Pavarësisë ishte e gjatë dhe e vështirë. Janë dashur të gërshetoheshin shumë faktorë të brendshëm e të jashtëm. Të kapet në kohën  e duhur momenti historik. Të krijohet kohezioni i shtresave të historisë, intelektualëve, shoqërisë civile e zonave rurale.
Konsolidimi i Kauzës Kombëtare i “Lirive dhe të Drejtave të Njeriut” dhe sigurimi i aleatëve ndërkombëtarë. Demostratat e fuqishme të viteve 1968 dhe 1981 të rinisë studentore e të popullit të Kosovës dhe shtypja e tyre nga regjimi i Jugosllavisë Titiste, Milloshoviҫiane, treguan se me një botë të ndarë nga perdja e hekurt ideologjike, politike e ushtarake, ishte tepër e vështirë, në mos e pamundur  për  ҫlirimin nga prangat e robërisë.
Shkurt do të duhej një mrekulli në skenën botërore të politikës  dhe një mendje e ndritur, për të vënë në sinkron  akrepat e orës së popullit të tij, me atë të Grenuiҫit të Londrës.
Kosova e pati këtë fat dhe kapi këtë moment historik, gati njëherësh me shembjen e  Murit të Berlinit, ngjarjes që  i dha  fund ndarjes ideologjike dhe ҫoi në shembjen e  perandorisë komuniste.
Intelektualët patriotë e vizionarë të Kosovës krijuan LDK-në, partinë e parë antikomuniste në Europë, e cila do të bëhej projektuese, udhëheqëse dhe garante e suksesit, të lëvizjes pacifiste për lirinë e pavarësinë e saj.
Me daljen në skenën politike të  Kosovës si kryetari i LDK-së dhe udhëheqës i rezistencës paqësore, Dr. Ibrahim Rugova, do të  tregonte qartë një akt të pashembullt  guximi, përkushtimi  ndaj vendit të tij. Me veprimtarinë politike e diplomatike, Deklaratën e Pavarësisë, Kushtetutën e Kaҫanikut, krijimin e pushtetit paralel, ndërkombëtarizimin e Ҫështjes së Kosovës dhe gjetjen e aleatëve të fuqishëm për kauzën e lirisë, Dr. Rugova  do të konfirmohej një gjeni  i  politikës.
Në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, mirënjohje e nderim të thellë, UҪK-së së lavdishme, Shtabit të saj  të Përgjithshëm të udhëhequr nga komandanti legjendar  Adem  Jashari, trurit dhe  pushkës liberatore  të Ramush Haradinajt, Hashim  Thaçit, Ali Ahmetit, Kadri Veselit.
Përkulje me respekt  për flakadantët e pashuar të lirisë , të cilët  u bënë  burim frymëzimi e krenarie, të gjithe atyre djemve dhe vajzave që derdhën gjakun, dhanë gjënë më të shtrenjtë, jetën  për lirinë e Kosovës, për ta shkruar  emrin me gërma  të arta në Panteonin e Historisë Kombëtare.
Këto rreshta le të shërbejnë si kurorë me lule  në kujtim  të veprës sublime  të  Adem  e Hamëz Jasharit, Shaban Jasharit, Nënë Azne  Brahimajt,  Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës, Hakif Zejnullahut, Luan Haradinajt, Shkëlzen Haradinajt, Enver Haradinajt, Agim Ramadanit, Salih Ҫekajt, Tahir Sinanit, Bylbyl Breҫanit, Fatmir Doҫit, Bedri Shalës, Bekim Berishës, Adrian Krasniqit, Muj Krasniqit, vëllezërit Gursel e Bajram Sulejmani Njazi Azemit, Ridvan Qazimit , Agron Ramës, Mujdin Aliut, Fadil Nimanit, Ismet Jasharit, Iljaz Kodres, Femih e Xhevë Lladrovcit, Elton Zherkës, Yll Morinës, Urim Rexhës, Ingrit Carës, Skerdilajd  Llagamit  të  cilët  u bënë gur themeli për çlirimin e Kosovës. Ata ranë për  të realizuar  ëndrrën e Zhuj Selmanit, Mic Sokolit, Sulejman Vokshit, Ymer Prizrenit, Ali Pashë Gucisë, Sef Kosharës , Haxhi Zekës, Isa Boletinit, Azem Galicës, Ahmet Delisë, Dedë Gjo Lulit, Bajram Currit, Hasan Prishtinës, Idriz Seferit, Shaban Polluzhës, Tahir Mehës, Ukshin Hotit, Jusuf e Bardhosh Gërvallës, Kadri Zekës, Rexhep Malajt  e Nuhi Berishës.
Epopeja e Jasharajve dhe Haradinajve, do të mbeten të pa shlyera në histori. Këto dy familje  i dhanë  UҪK-së komandantin legjendar Adem Jasharin dhe gjeneralin më të rëndësishëm  të  terrenit  në shekullin e  20-të, kryeministrin e Kosovës  Ramush Haradinaj.
Mirënjohje e përjetshme për kalorësit e lirisë, Bill Klinton, Madeleine Albright, gjeneralit Klark, Havier Solana, Richard Hollbruk, Toni Bler, Eliot Engëll, Presidentit  Xhorxh. W. Bush, Hilary Klinton, Bob Dole, Joseph  Dioguardi,Walkerit të cilët do të ngelen përjetë miq të përjetshëm e të papërsëritshëm të Kombit Shqiptar.
Askush sa Kosova nuk ka derdhur gjak për liri. Asnjë krahinë tjetër e trojeve etnike Shqiptare nuk është martirizuar sa Kosova.
Në vitet 20-të të shekullit të 18-të, Mbretëria  Serbo – Kroato – Sllovene  u krijua  dhe doli në skenën politike të Balllkanit si një përbindësh i egër, hibrit, produkt i  ideologjisë nacionaliste dhe i mitologjisë së frymëzuar nga ëndrra e “Serbisë  së Madhe” të  epokës së Car Dushanit.
Në 100 vite të sundimit në Kosovë, Jugosllavia Monarkiste dhe  ajo Titiste ka vënë në jetë  një projekt  kolonizues e shfarosës  ndaj shqiptarëve.
Projektet politike të hartuara nga Vaso Ҫubriolloviҫi e Ivo Andriҫ janë pararendëse  të Holokausit –Nazisto – Hitlerian, për nga përmbajtia e brutaliteti i tyre.
Ashtu siҫ është për nazistët  ҫështja e hebrejëve, ҫështja e shqiptarëve, shpërngulia  dhe shfarosja  e tyre, është problem themelor i makinerisë  vrasëse të shtetit Serbo – Sllav në Kosovë. Nëse kthehemi në histori, vetëm gjatë Luftës së Parë Ballkanike 1912-1913 janë vrarë 500 mijë shqiptarë.
Leo Freundlih (hebre) austriak, botoi librin “Golgota Shqiptare”, që protestonte kundër zhdukjes masive të shqiptarëve nga serbët. Në vitet 1912-1913, ushtria serbe vrau gjysëm milion shqiptarë. Libri i tij “Akuzat që ulërijnë” është dëshmia e parë  për shfarosjen  kolektive të një populli europian para atij hebraik. Mbi 250 mijë shqiptarë u masakruan vetëm në veriun etnik të  Shqipërise gjatë vitit 1912. Me qindra e mijëra kufoma notonin në rrjedhat e lumenjëve. Ata që mundën t`i shpëtonin sëmundjeve, urisë, plumbave, të pushkëve të këmbësorisë dhe gjyleve të artilerisë serbe grumbulloheshin  në vende të caktuara dhe iu jepej nga një plumb kokës.
Torturat më të mëdha i pësonin gratë shqiptare të cilat përdhunoheshin, lidheshin, më pas mbuloheshin me kashtë dhe digjeshin të gjalla. Në rast se ato ishin shtatëzana u çahej barku me bajonetë dhe pasi u nxirrej fëmija nga barku  e vendosnin në majë të bajonetës apo të hunjëve. Pas masakrimit serbët pinin verë dhe hidhnin valle. Kishte raste që  gjatë therjes mblidhnin gjakun në kupa dhe hapnin gostinë me të. Kështu i përshkruante masakrat mizore serbe ndaj shqiptarëve, Leo Freundlih “Golgota Shqiptare “1913, Freundlih thekson se serbët deshën të shfarosnin tërë kombin me rrënjë e me degë.
Doktor Lonte, nje mjek  Romun me 6 janar  1913, kishte raportuar në “Adeverul” të Bukureshtit, se mizoritë të cilat i kishte bërë armata serbe  mbi shqiptarët, të cilat i kishte parë vetë kishin qenë shumë të trishtueshme se sa mund t`i  imagjinojë njeriu. Dr.Leonte në një përshkrim të dëbimit  të qindra shqiptarëve të zënë rob, shkruan: “Këta njerëz të shkretë duke ecur rrugëve nga rraskapitja, uria dhe etja, rrëzoheshin përtokë, kurse ushtarët serbë në ato çaste ua ngulnin bajonetat në fyt duke shkuar currili i gjakut dhe  duke mbetur plot kufoma të pa varrosura rrugëve”.
Edhe fushat ishin mbuluar me kufoma e trupa të vrarë, duke përfshirë të rinj, gra e fëmijë. Një vajzë  shqiptare 15 vjeҫare shkruante Dr Leonte, ishte rrëmbyer dhe ishte dërguar  në kështjellën e Nishit. Ajo ishte e dyshimtë se ka hedhur bomba kundër serbëve, të cilët kishin hyrë në Ferizaj. Vajza e vogël e ngarkuar me krim, ju dorëzua ushtarëve serbë të cilët e goditën me shkop në kokë derisa ia bënë kafkën copa  copa. Dr. Leonte përshkruan dhe masakrat e bëra nga serbët në Kumanovë, Prizren etj.
Me datën 12 nëntor 1912, gazeta “Daily Chrunicle” (kronika ditore) kishte raportuar se masakrimi i shqiptarëve nga serbët ishte një fakt i pamohueshëm. Afër Shkupit 2- mijë shqiptarë  myslimanë dhe 5 mijë të tjerë në zonat e Prizrenit u masakruan.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në vitet 1944-1946, nga armata ushtarake jugosllave u vranë 70 mijë shqiptarë. Kjo tragjedi  kulmoi  me  masakrën e Tivarit e ideuar nga binomi  Tito –Rankoçiҫ dhe e bekuar nga diktatori E. Hoxha, me misarët e  tij Shefqet Peҫi e Ramiz  Alia.
Genocidi ndaj tyre është i  pashembullt në Historinë e Europës. Në një shekull sundim Serbia i  ka shkaktuar Kosovës  mbi 80 mijë viktima. Në shpërnguljet masive drejt Turqisë me marrëveshjet famëkeqe  Serbo – Turke të viteve 1938-1952, nga  trojet   e  tyre amëtare janë shpërngulur 500 mijë shqiptarë.
Projekti  Milloshoviҫian i  koduar si operacioni “patkoi” për shpërngulien e shqiptarëve dëboj mbi 1 milion shqiptarë nga  vendi i tyre në vitin 1999.
Vrasja e mbi 10 mijë qytetarëve kosovarë,  masakrat ҫnjerëzore sidomos ajo e Reҫakut, i  treguan botës së qytetëruar  fytyrën e vërtetë të  Shtetit  Serb e politikës së tij.
Beteja për ҫlirimin e Kosovës  ishte për SHBA-në në rradhë të parë një betejë morale në themel të së cilës qëndronin  liritë dhe të drejtat e njeriut.
Parimi i vetëvendosjes së popujve e sanksionuar në Kartën e Atlantikut, “E drejta historike dhe ajo ndërkombëtare“.
Kosova qysh me Deklaratën e Pavarësisë është  konfiguruar  si  një  shtet laik e demokratik  që njeh e rrespekton Konventat Ndërkombëtare për të  Drejtat e Njeriut dhe ato të  Minoriteteve.
Përkundër masakrave të tmerrshme  që kreu në Kosovë ushtria e Millosheviҫit dhe bandat  para militare  të Arkanit, Shqiptarët e Kosovës  nuk u hakmorën në asnjë rast ndaj Komunitetit Serb, duke i  dëshmuar mbarë botës një nivel qytetërimi  e tolerance, dukshëm superior ndaj atyre mendjeve të errëta të mbrapshta që  projektuan dhunën e genocidin ndaj popullit të  Kosovës.
Kosova tashmë  është një realitet  i  ri në Ballkan. Një faktor paqeje e stabiliteti. Në një  dekadë si shtet i  pavarur, Kosova ka bërë hapa  të sigurtë në rrugën drejt demokracisë, shtetit të së drejtës, integrimit në strukturat Euro-Atlantike, duke i  treguar botës se ajo  meriton plotësisht lirinë, pavarësinë e konsolidimin e saj.
Sfidat drejt të ardhmes nuk janë të lehta. Proҫesi i integrimit, kërkon përmbushjen e standarteve  të demokracisë.
Po e mbyll këtë kujtesë historike  duke perifrazuar poetin Hamit Alia me vargjet e tij:
Mos ma shaj barbar lahutën
Se unë kurrë se kam dasht  luftën
S’kam dasht këngë me pushkë e gjak
Gjersa me solle vorrin në prag.
Pjesë e shkeputur nga libri “Shteti Komb, Domosdoshmëri Historike”.
Please follow and like us: