Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Fedhon Meksi: Dy vezirët e Shqipërisë (5)

Dr. Fedhon Meksi

 

 

 

 

 

Mahmud pashë Bushati dhe Ali pashë Tepelena, prijësit e shqiptarëve që jetuan dhe qeverisën në kapërcyellin midis shekullit XVIII e XIX, ndër më të shquarit pas Gjergj Kastrioti Skënderbeut, edhe pse origjinën e kishin nga familje të njohura lokale shqiptare, nuk kishin kryer shkolla të posaçme, ku kohë më parë futeshin zakonisht djemtë e prijësve të nënshtruar, për t’u përgatitur dhe edukuar në frymën osmane si komandantë të zotë, por edhe si feudalë të bindur. Të ndodhur në provincat periferike të perandorisë, të parët e tyre kishin grumbulluar shuma kolosale parash nëpërmjet shtënies në dorë të sipërmarrjeve shtetërore për vjeljen e taksave. Ata përfituan gjithashtu edhe nga dobësimi i pushtetit qendror osman, i cili u detyrua që të njohë pushtetin e tyre duke mos pasur alternativa të tjera.

“Përmes blerjes ose akordimit të titujve nga sulltani, ata i hapën rrugë atij procesi që si objektiv final do të kishte shkëputjen përfundimtare nga shteti osman”. (Egro, Dritan: Rrënjët historike të çështjes shqiptare, vol. I, Instituti i Historisë, Botimet Albanologjike, Tiranë, 2017, f. 20).

1.

Mahmud pashë Bushati dhe Ali pashë Tepelena, duke përfituar edhe nga dinamika decentralizuese në të cilën ndodhej sundimi Osman në Ballkanin e fundit të shek. XVIII, tentuan me të gjitha mënyrat shkëputjen nga shteti osman dhe krijimin e shteteve dinastike në vise të banuara kryesisht nga shqiptarët. Kthesa politike më e rëndësishme në historinë e popullit shqiptar gjatë shek. XVIII ka qenë formimi i dy shteteve gati të pavarura të Shkodrës dhe Janinës. Në këtë kohë veprimtaria e Bushatllijëve dhe e Ali pashë Tepelenës konsiderohet si një aspekt i veçantë në jetën politike të Perandorisë Otomane, që do të konsolidonte ekonomikisht dhe politikisht Shqipërinë. Gjithashtu pranohet se përpjekjet e Ali pashë Tepelenës dhe Kara Mahmud Pashës për liri e pavarësi shënuan fillimin e historisë moderne të Shqipërisë. Fakti që duke filluar nga gjysma e dytë e shek. XVIII, lufta për çlirimin kombëtar përfundoi nën drejtimin e një pjese të klasës feudale shqiptare në opozitë me Stambollin, nuk duhet konsideruar si një aspect politik i rastësishëm, por një fenomen politik i rëndësishëm që ndodhi si rezultat i ndryshimeve në bazën ekonomike dhe politike të shoqërisë shqiptare.

Transformimet ekonomike, sociale dhe kulturore, që u favorizuan edhe nga një periudhë relativisht e qetë, si rezultat i kujdesit të veçantë në këtë drejtim të pushtetarëve vendës të Shkodrës dhe Janinës, lane vulën e tyre si një proces që po zhvillohej në mënyrë të rregullt në brendësi të shoqërisë shqiptare, e cila nga ana e saj po bënte përpjekje të mëdha për të hyrë në një fazë më të avancuar zhvillimi.

“Nisur nga transformimet që ndodhën në jetën ekonomike e sociale, nga interesat e klasave të shoqërisë shqiptare dhe shtrirjes territoriale të shteteve-pashallëqe, bashkimi i tokave sa më të gjera ishte në interes si të pronarëve të mëdhej të tokave edhe të pasanikëve të qyteteve. Në kushtet historike të gjysmës së dytë të shek. XVIII në Shqipëri, lufta kundër anarkisë feudale u konsiderua si luftë për çlirimin nga sundimi otoman dhe mori përpjesëtime të konsideruehsme në kohën e Mahmud Pashës dhe të Ali Pashës. Këta pushtetarë vendës të njohur filluan secili për llogari të vet të quheshin Roi d’Albanie (Mbreti I Shqipërisë) – Kara Mahmud Pasha, kurse Ali Pasha – “Commandant absolut de toute l’Albanie”(Komandanti absolut i gjithë Shqipërisë)”. ((Mile, Ligor: Sur le caractere du pouvoire d’ Ali Pacha de Tepelene, Studia Albanica,I, Tiranë, 1966, f. 147)

Faktorët vendimtarë për bashkimin politik të territoreve shqiptare, në fillim si dy principata feudale, lidhen me lindjen e shtresës së re të pronarëve të tokave. Kjo shtresë ishte kundër anarkisë feudale dhe dominimit të huaj. Duke u nisur nga ky prizëm, prirja e Mahmud pashë Bushatit dhe e Ali pashë Tepelenës, që donin të përfshinin nën dominimin e tyre sa më shumë territore shqiptare, ishte plotësisht e justifikuar. Ky fenomen, ashtu si në vende të tjera të Ballkanit, çonte praktikisht drejt bashkimit politik të territoreve shqiptare nën një pushtet të vetëm. Kjo aspiratë politike reflektonte objektivisht fillimin, edhe pse ende të dobët, të bashkimit të tregjeve ndërrajonale shqiptare nëpërmjet aktivitetit të tregtarëve shqiptarë, të cilët frekuentonin thuajse të gjitha qytetet dhe panairet në territoret shqiptare dhe jo vetëm. Me fillimet e formimit të komuniteteve ekonomike në territoret shqiptare, u shfaqën gjithashtu specializimet e mëtejshme të prodhimit artizanal, deri në atë pikë sa shumë artikuj morën një karakter të përgjithshëm shqiptar dhe disa qytete të mëdha si Shkodra e Janina u shndërruan në tregje të rëndësishme rajonale. Në Shqipëri, ashtu si edhe në vendet e tjera ballkanike, shkëndijat e para ideologjike të çlirimit kombëtar u shfaqën, vërtet akoma të dobëta dhe jo aq të ndërgjegjshme dhe shpesh të ndërthurura me elemente fetare, por gjithmonë të frymëzuara nga tradita e luftës për liri kundër pushtuesve.

Zhvillimi kulturor në Shqipërinë e fundshekullit XVIII dhe të fillimit të shekullit XIX nuk mund të kuptohet pa mbështetjen që gjeti arsimi dhe kultura veçanërisht në Janinë dhe Shkodër. Në këto kushte të reja në Shqipëri, ashtu si edhe në vendet e tjera ballkanike, njëherësh me fillimin e aktivitetit iluminist dhe kulturor u hodhën hapat e parë për formimin e ideologjisë së çlirimit kombëtar. Në këtë mënyrë lindi një lëvizje kombëtare e përgjithshme kundër shtypjes otomane. Në krye të kësaj lëvizjeje u vendosën përfaqësuesit e klasës feudale shqiptare që ishin në kundërvënie me Portën e Madhe, Bushatllijtë e Shkodrës dhe Ali Pashë Tepelena. Në këtë lëvizje u dukën edhe “disa elementë të hershëm formëzues të vetëdijes kombëtare shqiptare, që në fakt shërbyen si truall ngjizës i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare”. (Egro, D.: po aty, f. 31).

Në këtë periudhë gjuha shqipe ishte një shenjë dalluese e të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga fetë që ata praktikonin. Ata ruanin fort brez pas brezi origjinën e tyre etnike shqiptare si edhe heroin e tyre të përbashkët, Skënderbeun. Për më tepër, krerët shqiptarë filluan t’I quajnë Shqipëri territoret që ata sundonin dhe shqiptarë banorët e tyre. Në fund të shek. XVIII dhe në fillim të shek. XIX u kryen orvatje të fuqishme për shkëputje nga varësia politike e Stambollit. Këto kryengritje, që shpesh e tronditën rëndë sundimin otoman, e mbajtën gjallë dhe e kalitën më tej vetëdijen e kombësisë së popullit shqiptar, aq sa shqiptarët me krenari paraqiteshin: “unë jam shqiptar”. (Hobhause, J. C: A journey through Albania, and other provinces of Turkey in Europe and Asia, London, Mahon, 1813).

2.

“Duke filluar qysh nga gjysma e dytë e shek. XVIII, Rusia dhe Perandoria Austro-Hungareze kërkonin që t’i përdornin pashallarët shqiptarë për të dobësuar pozitat e osmanëve në Ballkan dhe për të realizuar projektet e tyre lidhur me copëtimin përfundimtar të Perandorisë Otomane. Kurse pashallarët shqiptarë kërkonin që me ndihmën e tyre të vendosnin sundimin dinastik në territoret që ata zotëronin. Kështu Mahmud Pasha priste vetëm prerjen e marrëdhënieve të Austrisë me Perandorinë Otomane që të shpallej sovran i Pashallëkut të Shkodrës”. (Naçi, S.: Pashallëku i Shkodrës -1757-1796…, Tiranë, 1986, f. 201).

“Po në këtë kohë, caresha ruse Katerina II, dërgoi në Shkodër diplomatët e vet, të cilët hartuan një projekt-marrëveshje (1788), sipas të cilës Mahmud Pasha zotohej që, me mbështetjen financiare të Rusisë të krijonte aleanca me krerët e tjerë shqiptarë dhe të merrte nën sundimin e tij të plotë Shqipërinë dhe Maqedoninë, duke u hapur rrugë trupave ruse që të merrnin Stambollin. Pasi të realizohej ky plan veprimi, tokat ballkanike të vendosura nën sundimin e Bushatlliut do të viheshin nën protektoratin rus, me kusht që të respektohej feja islame dhe institucionet e saj, zakonet dhe traditat vendëse. Kuptohet se Mahmud Pasha synonte të vinte nën sundimin e tij atë pjesë të viseve shqiptare që e quante Shqipëri dhe Maqedoni, për të arritur deri në Manastir e Selenik. Megjithatë, pashai shkodran nuk ngutej të krijonte marrëdhënie varësie ndaj Rusisë. Këtë e dëshmon edhe fakti që ai nuk e firmosi këtë dokument pa marrë më parë pëlqimin e careshës ruse. (Arsh, G. L.: Shqipëria dhe Epiri në fund të shek. XVIII dhe fillimet e shek. XIX, Moskë, 1963, f. 203, 215).

Veçse, projekti i Mahmud Pashës për t’u bërë mbret i asaj pjese të viseve shqiptare që ai e quante Shqipëri nuk u realizua, mbasi Rusia dhe Austria në gjysmën e parë të vitit 1788 ranë dakord që provinca osmane e Shqipërisë t’i jepej Mbretit të Napolit. (Naçi, Stavri, po aty, f. 207-208).

“Edhe Ali Pasha kërkoi mbështetjen ruse për të shpallur pavarësinë e tij politike nga shteti osman (1791). Veçse synimet që palët donin të arrinin nëpërmjet marrëveshjeve ishin krejt të kundërta, mbasi Rusia kërkonte që në viset që qeveriste Ali Pasha, përmes grekëve të krijonte një bazë diversioni për të mbajtur të angazhuara trupat osmane, ndërkohë që rusët do të përparonin drejt Stambollit”. (Arsh, G., po aty, f. 155).

Sidoqoftë, është tashmë e faktuar se gjatë fundit të shek. XVIII dy Fuqi të Mëdha, Rusia dhe Austria, tentuan që të përfshinin pashallarët shqiptarë në projektet e tyre gjeopolitike, veçse në atë kohë ishte feja që përbënte faktorin më të rëndësishëm në përcaktimin e aleancave strategjike në rajon. Në këtë mënyrë shpjegohet fakti se pse përpjekjet e pashallarëve shqiptarë për t’u shkëputur nga shteti osman nuk u mbështetën nga asnjë prej Fuqive të Mëdha që ishin të fesë katolike ose ortodokse.

Kurse me Britaninë e Madhe Ali Pasha kishte vendosur marrëdhënie të veçanta. Pas shkërmoqjes së Perandorisë Otomane, Britania do të njihte shtetin e Aliut me emrin Albania, që do të shtrihej nga Gjiri i Artës në Jug, duke përfshirë edhe Pargën, deri në Bosnjë në Veri. (Meksi, F.: Ali pashë Tepelena dhe fillesat e nacionalizmit shqiptar, Tiranë, 2015, f. 131-136).

Image result for mahmut pashe bushati dhe ali pashe tepelena

3.

Të dy vezirët e Shqipërisë kishin përqasje të njëjta lidhur me fetë. Sipas F. Pukëvilit, Mahmud Pasha i Shkodrës u tha të dërguarve të Austrisë se ai nuk kishte ndonjë vështirësi të përqafonte besimin e krishterë, me kusht që atij t’i premtohej principata e Shqipërisë. (Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë, vëll.III, Tiranë, 1980, f. 275).

Interesant është fakti se edhe Ali pashë Tepelenës iu premtua mbështetje nga kryengritësit grekë, me kusht që ai të konvertohej në ortodoksi. (Irmscher, J.: Shqiptarët në themelimin e shtetit grek, cituar nga Egro, D., po aty, f. 27).

Sipas mjekut britanik Henry Holland, Ali Pasha ndiqte një politikë të tillë fetare: “…në Shqipëri, popullsia e krishterë dhe ajo myslimane janë të barabarta për sa u përket lirive fetare. Mund të thuhet me të drejtë se nën këtë qeverisje të gjitha besimet gjejnë një tolerancë të mjaftueshme. Madje jam ndeshur me raste kur Ali pashë Tepelena ka urdhëruar të ndërtohen kisha ortodokse, për t’u përdorur nga fshatarët. (Holland, Henry: Mjek tek Ali Pasha, Tiranë, 2008, f. 119).

Madje, përfaqësues të klerit ortodoks i shohim edhe si misionarë diplomatikë të Ali Pashës për negociata dhe marrëveshje me Fuqitë e Mëdha. )Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë, vëll. III, Tiranë, 1980, f. 289).

Pashallarët shqiptarë, bazuar edhe në tolerancën fetare, fenomen specifik i popullit shqiptar si në Jug ashtu edhe në Veri, përpiqeshin të ndërtonin marrëdhënie të njëjta me shtetasit e tyre, myslimanë dhe jomyslimanë, në mënyrë që të siguronin mbështetje të gjerë popullore gjatë procesit të shkëputjes nga shteti osman. “Duhet theksuar se Bushatllijtë, ashtu si edhe tepelenasi, me politikën e tyre shqiptare rilindëse, i vunë themelet shoqërisë pluraliste fetare moderne, thënë më drejtpërdrejtë, oborret e tyre qeveritare janë bërthama të akademive shqiptare, ku u kultivua tipari i tolerancës fetare shqiptare në interes të luftës për çlirimin kombëtar, të unitetit pluralist fetar shqiptar rreth unitetit të Shqipërisë”. (Basha, Ali Musa: Islami në Shqipëri gjatë shekujve, Tiranë, 2000, f. 243).

4.

Konsulli venedikas në Durrës dëshmon se që nga viti 1786 Mahmud Pasha nënshkruante si “qeveritar i Shkodrës dhe i Shqipërisë”, kurse në vitin 1792, “Mahmudi e quan veten dhe nënshkruan në të gjitha letrat si princ i gjithë Shqipërisë”. Për më tepër, qysh nga viti 1787 konsulli francez dhe ai rus kanë raportuar që Kara Mahmudi “… e shpalli veten pasardhës të Skënderbeut dhe shprehet hapur se do ta imitojë atë në të gjitha drejtimet”.

Sipas Derivo, konsulli frëng në Republikën e Raguzës në vitin 1790, “Kara Mahmud Shkodra është rrëmbyer prej entuziazmit kur ndigjon tregimet mbi veprat e Skënderbeut të famshëm. Ai e quan veten se rrjedh prej Skënderbeut dhe shpall me krenari se do të ndjekë gjurmët e tij”. (cituar nga Egro, D., po aty, f. 28).

“Territoret nën zotërim të Bushatllinjve fillonin nga lumi Shkumbin në jug dhe deri në Shpuzë në veri, nga deti Adriatik në perëndim deri në Shkup e në Manastir në lindje. Në të vërtetë, territoret në zotërim të Bushatllijëve, përkonin gjeografikisht me territorin ku lindi, jetoi dhe veproi Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ky fakt mund të jetë edhe një nga arsyet që Mahmud pashë Bushati e quante veten si pasardhës i Skënderbeut, duke qenë kështu i pari shqiptar që përdori figurën e Skënderbeut për qëllime politike. Rezistenca e vendosur antiosmane, veçse në kushte krejt të ndryshme historike, ishte arsyeja e dytë e këtij përgjasimi. Për herë të parë qysh prej shek. XV një pjesë e shqiptarëve po bashkohej në një territor kompakt nën sundimin e një prijësi shqiptar”. (Naçi, S.: po aty, f. 227)

Kurse, meqenëse shteti i Ali pashë Tepelenës shtrihej kryesisht në rajonin e Epirit, për të justifikuar veprimet e tij politike, Pashai nga Tepelena e njësoi veten me figurën më të rëndësishme historike vendëse: Pirron e Epirit. Studiuesja Katherine Fleming ka shkruar se Ali Pasha e ka përdorur politikisht emrin dhe figurën e Skënderbeut. (Fleming, K.: Bonaparti mysliman, Tiranë, 2003, f. 86)

Pa dyshim, “Shqipërinë e tij dhe atë të Bushtllinjve kishte parasysh Ali Pasha kur më 1799 përmend ekzistencën e Shqipërive, që ai parashikonte se do t’i mbijetonin shembjes së Perandorisë Osmane dhe projekteve për ribërjen e rajonit nga dy prej Fuqive të Mëdha, Franca dhe Rusia”. (Pouqueville, F.: Histoire de la regeneration de la Grece, f.145).

Këto Shqipëri më 1830, Mustafa Pashë Bushati (1797-1860) i quan Gegëri dhe Toskëri, dhe të dyja bashkë Shqipëri. (Burime të zgjedhura për Historinë e Shqipërisë…, vëll. III, f. 308).

Kështu, Mahmud pashë Bushati dhe pas tij Ali Pashë Tepelena ishin të parët që morën nga e shkuara e lavdishme emrat dhe veprat e Skënderbeut dhe të Pirros së Epirit dhe i përdorën politikisht. Dhe shqiptarët e kuptuan menjëherë mesazhin dhe i mbështetën në realizimin e projekteve të tyre të së ardhmes, që do të ishin të pakushtëzuara nga Stambolli.

Image result for mahmut pashe bushati dhe ali pashe tepelena

5.

Duke qenë tej mase të talentuar dhe novatorë, ata zgjodhën mënyra origjinale për të realizuar planet e tyre të shkëputjes nga Perandoria Osmane, që në të vërtetë në atë periudhë ishte në grahmat e fundit. I pari ishte “… Kara Mahmud Pasha shkodrani që kishte filluar të priste para në emrin e tij qysh më prill 1787. Pas tij vinte Ali Pasha që ndërmori edhe ai një hap të tillë. Më 4 shkurt të vitit 1810, kryeministri osman konfirmon marrjen e informacionit mbi prerjen e një kartëmonedhe tjetër nga ana e Ali pashë Tepelenës. Sipas traditës osmano-islame, një sundimtar mysliman quhej plotësisht i pavarur kur përmbushte edhe një kusht të dytë: atë që në hytben që mbahej para besimtarëve gjatë faljes së të Premtes, në vend të emrit të sulltanit duhej që të përmendej emri i tij. Një veprim i tillë ishte i rëndësishëm në dy aspekte: nga njëra anë tregonte se kush i sundonte de fakto dhe de jure territoret në fjalë, pra i legjitimonte emrat e pashallarëve shqiptarë si sundimtarë të ligjshëm të asaj hapësire, dhe, nga ana tjetër, tregonte se ku kishte mbërritur fuqia e tyre reale. Dokumentacioni arkivor Osman dëshmon se pashallarët shqiptarë i ishin futur rrugës së pavarësimit të plotë, çka në fakt parakupton përmbushjen paraprake të të dy kushteve të lartpërmendura”. (Egro, D.: po aty, f. 22).

6.

Noel Malcolm, historian, shkrimtar, analist për çështjet ballkanike, në librin e tij “Kosova, një histori e shkurtër”, pasi e përshkruan Mahmud pashë Bushatin si një njeri të jashtëzakonshëm, shton se ai fatkeqësisht ka gëzuar shumë pak vëmendje nga perëndimorët në krahasim me bashkëkombasin e tij toskë, Ali pashë Tepelena. (Malcolm, N.: Kosovo a short history, Koha – Prishtinë & Shtëpia e librit – Tiranë, 2001).

Me këtë rast vlen të theksohet se Ali pashë Tepelena, Luani i Epirit, që u bë i njohur falë bëmave të tij, u promovua në Europë dhe në gjithë botën nga udhëtarë, shkrimtarë, historianë, gazetarë, klerikë, piktorë etj., që kërkonin ta shihnin, ta preknin, të bisedonin me të, ta pikturonin dhe më pas të vazhdonin më tej, për në Greqi, veçanërisht gjatë fazes përgatitore të revolucionit grek, por edhe kur ai kishte shpërthyer (Bajron). Pra ishin edhe lidhjet e shumëfishta që kishte Ali Pasha me revolucionin grek, të cilin e adhuronin perëndimorët, që mundësusn njohjen e tij kudo në Europë. Por, nga ana tjetër, edhe konsujt perëndimorë të atashuar në oborret e pashallarëve shqiptarë shprehen se, veçanërisht “Ali pashë Tepelena kishte arritur në pozitë të barabartë me atë të një sovrani”. (Pukëvil, F.: Ali Tepelena, historia e ringjalljes së Greqisë, Paris, 1825, f. 299).

 

7.

Në fund të shek. XVIII, mytesarifët dhe pashallarët shqiptarë që drejtonin sanxhaqet (njësi administrative më e madhe se kazaja) dhe pashallëqet (formacion i madh shtetëror i përbërë nga disa sanxhakë), ishin të ndarë në dy grupe. Në njërin prej tyre bënin pjesë ata feudalë që ishin gati të ngriheshin kundër otomanëve, me qëllim që Shqipëria e sunduar prej tyre të mos pësonte fatin që e priste Portën e Lartë, që ndodhej në buzë të greminës. Në grupin tjetër bënin pjesë ata feudalë, që për arsye të ndryshme kishin vendosur të qëndronin nën thundrën e pushtuesit osman.

Duket se Mahmud Pasha dhe Ali pashë Tepelena, mytesarifi i sanxhakut të Delvinës në ato kohë, bënin pjesë në grupin e parë, derisa të dy bashkë ndërmorën sulmin kundër sanxhaqeve të Vlorës dhe Elbasanit për të ndëshkuar sundimtarët e tyre si vegla të pushtuesit, dhe sidomos për të bindur klasën feudale të Shqipërisë së Jugut që të ngrihej kundër Stambollit, bashkë me ata të Shqipërisë së Veriut. Faktin tjetër që vërteton katërcipërisht se shkodrani me tepelenasin ndodheshin së bashku në të njëjtën barrikadë, atë të kryengritjes kundër pushtuesit, e ka paraqitur J. Hecquardi, i cili në revistën Agimi, Tiranë, 1920, f. 445 (cituar nga Bushati, H.: Bushatllinjtë, Shkodër, 2003), ka shkruar se ndër pashallarët që kishin rrethuar kalanë e Shkodrës (rrethimi i parë), ishte edhe Ali pashë Tepelena, atëherë në shkallë të ulët në hierarkinë ushtarake otomane, i cili, fshehurazi nga një derë sekrete, i dërgonte ushqime Mahmud Pashës mbyllur në kala dhe e informonte gjithashtu për planet e ardhshme të turqve që ndodheshin rreth kalasë. Thirrjes së Mahmud Pashës për kryengritje iu përgjigjën pothuajse të gjithë gegët e Shqipërisë, pavarësisht besimit fetar, të cilëve do t’u bashkoheshin edhe toskët me Ali Pashën në krye, në qoftë se veprimtaria e tyre do të përputhej në kohë. Në një libër të vjetër historie, autori, Kostë A. Çekrezi, ka shkruar se: “Po të ishte gjallë Kara Mahmudi Bushatlliu në kohën e Ali pashë Tepelenës, pa dyshim do të kishin bashkëvepruar dhe kështu do të shpallnin pavarësinë e Shqipërisë”.

 

  1. Edhe një herë për Mahmud pashë Bushatin

 

Mahmud Pashë Bushati për 21 vjet rresht qeverisi në mënyrë të pavarur dhe nuk u ndal para të gjitha vështirësive që i dolën përpara, përveç aktit final që do ta zgjidhnin të gjithë trimat si ai, vdekjes duke luftuar në fushën e betejës. Ai shpërfilli urdhrat e sulltanit duke mos iu bindur, madje shpesh ngriti dorën kundër tij, u ballafaqua me të dhe doli gjithmonë fitues. Këto fitore nuk ishin parë qysh nga koha e Skënderbeut. Veçse, në themel të tyre qëndronte porosia e tij, se bashkimi bën fuqinë dhe se vetëm duke qenë të bashkuar mundet çdo armik sado i fuqishëm që të jetë. Historiani grek Panajotis Aravantinos (1811-1870), që ka shpifur pa u lodhur për Ali pashë Tepelenën, për Mahmud Pashën ka shkruar: “… Kara Mahmudi, sundimtari gjysmë i pavarur gegë, kishte fituar kaq famë të madhe saqë e mbanin për pasardhës të Skënderbeut”. (Aravantinos, P.: Hronografia e Epirit, Athinë, 1856)

Pa dyshin që Mahmud Pashë Bushati i Shkodrës do të mbetet në kujtesën historike të popullit shqiptar si i pari ndër vazhduesit e traditës shtetformuese të Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Për më tepër, në faqen 153 të regjistrit të argjipeshkëvisë së Shkodrës, më datën 3 tetor 1796, ditën e vdekjes së Vezirit, është shkruar: “Në këtë ditë vdiq i madhi Mahmud Pasha i Shkodrës”. Dhe pa dyshim ai duhet të quhet i tillë përjetësisht.

Pse Mahmud Pasha i Shkodrës është vërtet i madh?

Së pari, ai luftoi ashtu si Gjergj Kastrioti Skënderbeu në vijën e parë të frontit dhe fitoi kundër turqve, malazezve dhe rivalëve të tij që nxiteshin nga Porta e Lartë. Duke kombinuar ashtu si Skënderbeu luftën tradicionale popullore me operacione të mëdha strategjiko-taktike edhe me luftime frontale, Mahmud Pasha i godiste me sulme të befasishme hordhitë otomane, tashmë të sfilitura dhe i shkatërronte përfundimisht ato, ashtu si në dy rrethimet e kalasë së Shkodrës.

Së dyti, nëpërmjet tolerancës së sinqertë fetare, Mahmud Bushati kërkoi dhe gjeti mbështetje veçanërisht te fiset katolike të malësisë dhe pjesa tjetër e popullsisë që ishte e pakënaqur nga sundimi osman dhe arriti bashkimin kombëtar të pjesës dërrmuese të shqiptarëve të veriut.

Së treti, ai nuk bëri kompromise me Portën e Lartë, përkundrazi, si një prijës vërtet i pavarur u përpoq dhe arriti të zgjeronte kufijtë e pashallëkut të tij deri në kufijtë etnikë të Shqipërisë së Veriut.

Së katërti, me shtytjen që i dha veprimtarisë artizanale dhe tregtare në qytetin e Shkodrës, duke qenë edhe vetë aktiv në fushën e tregtisë së madhe, ai siguroi mbështetjen e tregtarëve dhe të gjithë popullsisë, e cila jetonte në kushte ekonomike të pranueshme në kohën e tij. Koha e Mahmud Pashës është quajtur nga shkodranët si “kohë e mirëqenies” ose “vakti i Vezirit”, mbasi, sipas Vaso Pashës, “… shkodranët dhe malësorët shkojshin një jetë jo të keqe, prandaj e mbrojshin me armë vezirin Bushatli, kurse të huajt nuk e kishin të mundur të ndërhynin e të intrigonin me anën e katolikëve”. (Vaso Pasha: E vërteta mbi Shqypninë e Shqyptarët, 1879, f. 75).

Së pesti, nëpërmjet lidhjeve me figura historike si Bonaparti, Jozefi II i Austrisë, Caresha e Rusisë, Mbreti i Spanjës dhe Papa i Vatikanit, Mahmud Pashë shkodrani e nxori nga terri në të cilin ishte zhytur Shkodra e tij dhe e gjithë Shqipëria prej disa shekujsh, duke e bërë edhe një herë të njohur atë.

Së gjashti, Mahmud pashë Bushati mblodhi në një kuvend, që u mbajt në Podgoricë, të gjithë prijësit shqiptarë pavarësisht nga besimet fetare, si edhe kapitenët e Malit të Zi dhe të Hercegovinës, të cilët, duke u betuar mbi Ungjill e mbi Kuran, dhanë besën se do të përqafonin rrugën e tij për liri dhe pavarësi. Me këtë rast, Republika e Raguzës aty pranë i shprehu Mahmud pashë Bushatit, kryetarit të Konfederatës së Ilirisë të sapoformuar, përgëzimet e rastit, kurse Perandori Jozef II i Austro-Hungarisë i dërgoi një kryq të argjendtë.

Please follow and like us: