Werder Bremen ia uron Kosovës Përvjetorin e Pavarësisë në gjuhën shqipe
Gjiganti gjerman Werder Bremen e ka uruar shtetin e Kosovës për Përvjetorin e Pavarësisë, përmes një postimi në gjuhën shqipe dhe në atë angleze në rrjetet sociale.
Sot, Kosova i mbushi 12 vjet, pas shpalljes së Pavarësisë nga Serbia më 17 Shkurt 2008, shkruan Gazeta Express.
Werder Bremen, klubi nga liga elitare gjermane – Bundesliga – i ka zgjedhur rrjetet sociale për ta uruar atdheun e yllit kryesor të skuadrës së vet, Milot Rashicën, për ditëlindjen e 12-të.
Me një fotografi që përmban hartën e Kosovës, Rashicën dhe mbishkrimin: “Urime Dita e Pavarësisë”, Werderi e ka uruar vendin ballkanik për 12-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë.
“Urime Dita e Pavarësisë, Kosovë”, ka shkruar klubi gjerman në Facebook, duke e vendosur pranë tij flamurin e Kosovës dhe një emotikon zemër me ngjyrën e kaltër.
Natyrisht, superylli i Kombëtares së Kosovës, Rashica ka qenë frymëzimi i klubit nga Bundesliga për një urim të tillë.
23-vjeçari i lindur dhe rritur në Vushtrri është lojtari kyç i Werderit, të cilin e ka dërguar në gjysmëfinale të Kupës së Gjermanisë, duke kthyer rekord historik të klubit në këtë garë.
Në fillim të muajit, ai i ndihmoi Werderit ta mundë Dortmundin për një vend në gjysmëfinale të kupës duke shënuar një gol dhe duke asistuar në një tjetër.
Kështu, Rashica u bë futbollisti i parë në histori të Bremenit që i shënon gjashtë gola radhazi në Kupën e Gjermanisë. /Gazeta Express/