Albspirit

Media/News/Publishing

Apel publik për monitorimin e ndihmave dhe kredive që janë dhënë për Shqipërinë

Image result for cerciz loloci

Çerçiz Loloçi

Padyshim lajmi më i gëzueshëm dje ka qenë ai që komuniteti ndërkombëtar në konferencën e ndihmave grumbulloi 1.5 miliard euro, grante e kredi, për rikuperimin e pasojave të tërmetit. Dhe po ashtu është domethënëse fjala e Presidentes së KE, Ursula von der Leyen që tha mes të tjerave “lajm i mirë për njerëzit e Shqipërisë: Ne kemi tejkaluar objektivin tonë për rindërtimin dhe arritëm në një shumë prej 1.15 miliardë euro, përfshirë kontributet e 400 milionë të BE. Jam befasuar nga mbështetja. Edhe një herë Europa qëndron së bashku kur ka më shumë rëndësi”.

Pavarësisht shumave, shqiptarët i janë mirënjohës Bashkimit Europian që arriti të bëjë një sensibilizim mbarëplanetar dhe ishte vetë i pari që dha shumën më të konsiderueshme, për një shtet pjestar të saj; po kaq mirënjohës u janë edhe shteteve të tilla si Franca, Italia e Gjermania, një trinitet që nënkupton ashtin e kontinetit të vjetër; po ashtu Turqisë e Zvicrës, pa përjashtuar asnjë shtet dhe donator tjetër dhe sidomos SHBA, si një aleat i pazëvendësueshëm me askënd.

Nuk do shumë mend të kuptohet se kjo është një ndihmë dhe mbështetje për shqiptarët dhe Europa do të sillej po në këtë mënyrë edhe në një shtet tjetër, edhe jashtë koninentit që mund të goditej nga një fatkeqësi natyrore.

Nga të gjitha pikëpamjet që ta shohësh këtë ndihmë vështirë se mund të qesh qoftë edhe një meritë të qeverisë sepse raporti më i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) e rendit Shqipërinë si më të korrupturën në Ballkan dhe që korrupsioni ka përfshirë nivelet më të larta të qeverisë. Në këto kushte janë të ftuar të gjithë kolegët e miediave për t’u bërë bashkë dhe për të monitoruar çdo qindarkë.

Portali albspirit do të hapë faqet falas për të marrë çdo lloj denoncimi që vjen nga të prekurit e tërmetit dhe jo vetëm, si një mënyrë për të kontrolluar çfarë bëhet nga strukturat qeveritare, nga ato vendore dhe nga fondacionet që janë përfshirë në procesin e rindërtimit.

Por këtë nuk mund ta bëjnë vetëm punonjësit e mediave, ata të portaleve dhe sidomos gazetarët e terrenit në qytetet e prekura nga tërmeti, këtu mund të kontribuhohet shumë nga të rinjtë e gjimnazeve dhe nga studentët.

Ka gjithmonë një mënyrë që të mos dhunohesh nga struktura shtetërore, nga oligarkë, nga gjyqtarë, prokurorë dhe policë të pandërgjegjshëm, mjaft të mos heshtësh. Kushdo që ka sot një celular dhe ndihet qytetar mund të denoncojë çfarë sheh në terren: kush jeton në çadër dhe çfarë kosto financiare shpenzohet për të, kujt po i ngrihet shtëpia, nga kush ngrihet dhe sa është kostoja reale; në këtë mënyrë mund të krijohet një mjedis mbytës për mashtrimet, demagogjitë dhe hajdutët që shfaqen në raste të ngjashme.

Nuk është hera e parë që Shqipëria ndihmohet nga komuniteti ndërkombëtar, por shumë para nuk mbërrijnë në destinacion, por shkojnë në xhepa legjislatorësh, politikanësh majtas e djathtas, shkojnë te oazet e lagjeve të pasura që jetojnë kryesisht zyrtarë të lartë të të gjitha niveleve.

Një koalicion mediash dhe shoqëri civile, mundësisht jo nga ato që janë kapur nga strukturat shtetërore, do të ndihmonte shumë në këtë proces rindërtimi.

 

LISTA e plotë e ndihmave nga komuniteti ndërkombëtar

 

  1. Franca: 100 milionë euro
  2. Italia: 65 milionë euro
  3. Turqia: 46.3 milionë euro
  4. Gjermania: 11 milionë euro
  5. Zvicra: 9 milionë euro
  6. Suedia: 5.6 milionë euro
  7. Katari: 5 milionë USD
  8. SHBA: 5 milionë USD
  9. Holanda: 3 milionë euro
  10. Danimarka: 2.7 milionë euro
  11. Polonia: 2.7 milionë euro
  12. Greqia: 5 milionë euro
  13. Japonia: 2.5 milionë euro
  14. Serbia: 2 milionë euro
  15. Britania: 1.2 milionë Paund
  16. Kroacia: 1 milion euro
  17. Austria: 1 milion euro
  18. Azerbaxhani: 1 milion euro
  19. Mali i Zi: 750 mijë euro
  20. Hungari: 750 mijë euro
  21. Kosova: 700 mijë euro
  22. Rumania: 420 mijë euro
  23. Çekia: 38 mijë euro
  24. Slovenia: 300 mijë euro
  25. Finlanda: 300 mijë euro
  26. Irlanda: 300 mijë euro
  27. Norvegjia: 300 mijë euro
  28. Korea e Jugut: 300 mijë USD
  29. Slovakia: 250 mijë euro
  30. Luksemburg: 250 mijë euro
  31. Belgjika: 220 mijë euro
  32. Maqedonia:100 mijë euro
  33. Litenshtein: 100 mijë euro
  34. Bosnje Hercegovina: 50 mijë euro
  35. Algjeria: 50 mijë euro
  36. Brunei: 50 mijë USD
  37. Spanja: 25 mijë euro

 

Please follow and like us: