Ndue Ukaj: “Shqipëria nuk bëhet me pasha, por me princ”
Ndue Ukaj
Koncepti i atdheut, siç gjykohet nga këta që i kemi udhëheqës të shteve shqiptare, nuk ka të bëjë asgjë me konceptin modern për shtetin. Ai më shumë i ngjet konceptit të ‘truallit’, prandaj ende nuk bëhet fjalë për vlera shtetërore, e as për interesa e dobi të përbashkëta. Sepse, trualli ka pasha dhe jo princ. E pasha sundon dhe nuk udhëheqë.
Shkrimtari Ismail Kadare, këtë fenomen e trajton mjeshtërisht te romani “Kamarja e turpit“, dhe nëpërmes një personazhi, thotë: “Shqipëria nuk bëhet me pasha, por me princ. Me pasha mund të bësh një pashallëk, por jo një shtet”.
Më tej, duke folë për figurën e Skënderbeut, në romanin në fjalë thuhet: “Skënderbeu vërtet kishte pak topa e ushtri, por ai kishte ide të mëdha, dhe për këtë Shqipëria i shkoi pas atij dhe jo atyre që përfaqësonin konceptin e truallit dhe të topave”.
Pra, pa një ide të qartë e të madhe, nuk mund t’ i shpëtojmë kamarës së turpit, ku është vendosë tash e sa kohë ideja e atdheut, që ndër ne është bastarduar deri në ide të truallit, me të cilin mund të bësh çfarë të duash, ta trajtosh si të duash dhe ta udhëheqësh si të duash.
Tash e sa vite, shëndeti shpirtëror dhe politik i shqiptarëve është në rrezik serioz. Sepse, ka kohë që te ne janë mbyllë dritaret e ajrosjes së shpirtit dhe politikës sonë për ide humane, kulturore dhe intelektuale, që shpijnë drejt progresit dhe emancipimit. Po, gjatë këtyre viteve, kemi krijuar karagjozë të politikës dhe autoritete të rreme në opinionin publik. Të tillëve që s’ u bëhet vonë për asgjë. Sepse, ata udhëheqin me mentalitet të pashait, mentalitet ky që është kundërshtim të plotë me vlerat e demokracisë perëndimore.
18 shkurt 2018.