Veron Dobroshi: Miti në poezinë e Ismail Kadaresë
Miti te Ismail Kadare është i pranishëm gjatë gjithë krijimtarisë së tij dhe vepra e tij në shumë raste nuk kuptohet pa vetë mitin. Përveç prozës së tij ku ai shtron çështje madhore me tema nga historia shqiptare ku në pergjithesi mund të cilësohet si një shkrimtar nacionalist, nuk i neglizhon edhe çështjet tjera nga letërsia botërore duke e ndërthurur mitin në veprën e vet. Në prozën e tij mitin mund ta shohim qartazi në veprat si ‘Përbindëshi’, ‘Kush e solli Doruntinën’, ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’, ‘Lulet e ftohta të Marsit’, ‘Ura me tri harqe’, ‘E penguara’, ‘Darka e Gabuar’ etj. Por miti te Kadareja është i pranishëm edhe në poezinë e tij.
Në këtë punim do të merrem me trajtimin e mitit në vargjet e Kadaresë duke gjetur praninë e mitit në poezitë e tij të shkruara në kohë të ndryshme gjë që dëshmon se miti dhe vepra e Kadaresë kanë ecur në një vijë paralele. Fillimisht do të bëj një analizë të poezive ku autori trajton mitin duke trajtuar pikat kryesore dhe në fund do të paraqes skemën e miteve konkrete të cilat i kam gjetur në poezitë e autorit. Duke iu referuar disa poezive kyçe ku e gjejmë të pranishëm mitin, veçanërisht atë grek do të përpiqem t’i parashtroj gjërat kryesore që lidhen me lidhjen midis poezisë së Kadaresë dhe mitologjisë, element shumë i rëndësishëm për krijimin e një vepre letrare pasi edhe vetë studimi i letërsisë do të ishte krejtësisht absurde pa mitin brenda saj.
Miti mbi kalin e Trojës është shumë i njohur nga antika greke. Këtë temë Kadare e merr dhe krijon poezinë “Kali i Trojës”, poezi e shkruar më 1968. Miti mbi kalin e Trojës i referohet luftës së Trojës në të cilën grekët me anë të dredhive të ndryshme e shfrytëzojnë kalin për të triumfuar në luftë kundër Trojanëve. Sipas mitologjisë, grekët ndërtojnë një kal të madh prej druri dhe brenda saj mbajnë të fshehur disa burra. Trojanët e nxjerrin kalin në qytetin e tyre si shenjë e triumfit por grekët tërhiqen nga kali dhe hapin portat për pjesën tjetër të ushtrisë dhe në këtë mënyrë grekët hyjnë dhe e shkatërrojnë qytetin e Trojës duke i dhënë njëherësh edhe fund luftës.
Çfarë bën Kadare në poezinë e tij? Ai risjell mitin grek në një dimension pak më ndryshe, por pa ndryshuar referencën bazë të mitit. Autori e paraqet Kalin e Trojës si një ndërtim të madh me një forcë mbrojtëse kundër armikut mirëpo në të njëjtën autori kohë krijon ndërlidhje me të sotmen duke e vendosur kalin e Trojës midis kohërave. Në një mënyrë, Kadare e universalizon mitin mbi kalin e Trojës duke e rivendosur në kohë të përhershme por që burimin e ka në lashtësi dhe “urdhëron” të tjerët që ta dëgjojnë ardhjen e një kali gjigant që simbolizon mbrojtjen dhe forcën e fshehtë të një armate të fuqishme ushtarake. Kadare jep atributet e kalit duke e krahasuar me dukuritë që ndodhnin në të njëjtën kohë por që në qendër ndodhej kali i cili mbisundonte mbi gjithë atë populate dhe hapësirë. Vargjet paralajmërojnë hyrjen e tij në Trojë andaj vargjet e Kadaresë janë ndër më të bukurat e tij për nga aspekti i trajtimit të mitit grek në përgjithësi. Për ta ilustruar më qartë me shembull, lexojmë vargjet:
Në qetësinë e natës vini veshin,
a nuk dëgjoni që larg një trok të mbytur?
nga thellësitë e miteve të lashtë
drejt qyteteve tona moderne
Po trokon e avitet një kalë.
Është Kali i Trojës… Afrohet.
Me zgavrat e drunjta vështron që larg kohën tone,
Shtëpitë, kullat e radiostacioneve, antenat
Dhe prapë ecën. Ecën drejt nesh. [1]
Miti grek në poezinë e Kadaresë nuk përfundon me kaq. Poezi tjetër e tij që lidhet drejtpërdrejt me mitologjinë greke është edhe poezia Laookonti. Kjo poezi më e gjatë trajton mitin e Laokontit, i cili supozohet të jetë një prift Trojan i cili ishte kundër kalit të drunjtë të grekëve të cilin e godet me një shtizë dhe si ndëshkim për këtë hyjnitë e mbytën atë bashkë me djemtë e tij me anë të gjarpërinjve. Pra Laokoonti përbën një vijë analogjike me Kalin e Trojës pasi ka të njëjtin burim, luftën greko-trojane dhe ngjarjet e implikuara në të. Autori këtë poezi e ndërton permes një perspektive shumë të veçantë pasi flet nga zëri i Laokoontit, nga uni imagjinar i tij, përkatësisht përmes skulpturës së tij që ndodhet në muzetë e ndryshme të botës.
Më shihni tek mbytem nga gjarpërinjtë
në muze të Luvrit, në Madrid, në Nju-Jork
para syve tuaj e aparatesh turistësh
qindra vjet kam që vuaj, nga që s’flas dot. [2]
Poezia fillon me këto vargje duke dhënë gjithë simbolikën e mitit të famshëm grek mbi Laokoontinin i cili edhe i vdekur flet permes statujës pasi nuk i është tretur hidhërimi që nuk arriti ta thoshte të vërtetën. Ai nuk i beson faktit që atë e mbytën gjarpërinjtë e dërguar nga hyjnitë greke por në fakt atë e mbytën tradhtarët dhe trillimet e shumta. Vargjet përçojnë historinë e këtij personaliteti tragjik të cilin nuk e shkatërruan gjarpërinjtë por indiferenca e njerëzve që vazhdon gjer në ditët e sotme. Pra, Kadare permes mitit krijon një poezi të veçantë duke vendosur në qendër simbolin universal të Laookontit duke kërkuar drejtësinë, të vërtetën mbi ngjarjet e luftës greko-trojane. Kadare në një nga vargjet thotë:
Ky ishte mbarimi i polemikës për kalin,
Ju e dini me Trojën ç’ndodhi pastaj.
Tre mijë vjet rresht,
Nga muzeu në muzera,
Unë hamalli i mermertë gënjeshtrën mbaj. [3]
Ktu jipet gjithë simbolika e poezisë, përplot 3 shekujsh s’ka ndryshuar gjë nga historia mbi Laokoontin. Dëshira e autorit konsiston jo në ndryshimin e mitit si dukuri por si funksion për ta rifunksionalizuar atë, për ta shtjelluar më thellë të vërtetën rreth mitit grek, mit i cili në syrin e botës ende shihet me një indiferencë të thellë sepse sipas poezisë së Kadaresë, mungesa e informacionit të vërtetë për Laokoontin përbën rrezik për zhdukjen e skulpturës së tij në muzetë e botës gjë të cilën ai e pasqyron mjeshtërisht nën unin e Laokoontit të vdekur. Mitin grek, Kadareja e trajton lehtësisht edhe në poezitë e tij me motive tjera. Për shembull, në poezinë “Ti ishe për mua” ku e krahason femrën me rezistencën e Trojës. Poezia krijon analogji me mitin e lashtë duke u ndërtuar në bazë të figurës së krahasimit. Ndërsa në poezinë “Mall”, një nga poezitë më të pëlqyera të autorit, ai fut një citat të Heraklitit, një nga trimat e famshëm të mitologjisë greke, i biri i Zeusit. Kadareja në këtë poezi prek lehtazi mitin grek të Heraklitit me qëllimin për ta mbajtur gjallë dinamikën e poezisë së tij duke zbuluar mungesën e cila vetvetiu e sjell mallin. Këtu vërehet që Kadaresë i mjafton që të fut edhe një citat të shkurtër në një varg për të krijuar analogjinë e të sotmes me të kaluarën, me mitin e vjetër antik dhe mendimet e personaliteteve mitike.
Përveç mitit grek, Kadare trajton edhe mitin egjiptian të Piramidës së Keopsit dhe faraonëve. Padyshim, faraoni lidhet drejpërdrejt me Piramidën dhe besimet tek faraonët që konsideroheshin si hyjni në lashtësi dhe varrimi i tyre kalonte permes ritualesh të ndryshme. Në poezi miti nuk trajtohet gjerësisht por preket permes një perspektive të lehtë duke shfaqur Keopsin që ngriti piramidën historike të cilën e sheh tanimë e gjithë bota. Pëndryshe duhet marrë parasysh që Piramida e Keopsit njëherësh është edhe më e lashta nga shtatë mrekullitë e botës dhe që i reziston kohës duke e mbajtur të gjallë mitin rreth saj, në shkretëtirën e nxehtë.
Poezia e Kadaresë ashtu si gjithë krijimtaria e tij dëshmon për mbizotërimin e vazhdueshëm të mitit dhe jo më kot vazhdojnë të bëhen studime rreth veprës së tij në analogji me mitin që nuk ka rreshtur së qeni e pranishme vite me radhë.
Figurat mitike në poezitë e Ismail Kadaresë:
Piramida e Keopsit – Piramida në Giza të Egjiptit është piramida më e madhe egjiptiane si dhe e vetmja që mbijeton akoma nga shtatë mrekullitë e botës.
Faraonët – Sundimtarët më të lartë në kulturën antike egjiptase të cilët nderoheshin si hyjni dhe pas vdekjes ata i përcillnin drejt botës tjetër me rituale të ndryshme.
Kali i Trojës – Gjatë luftës së Trojës, grekët e ndërtojnë kalin e drunjtë e mbushur me luftëtarë greke për të triumfuar në luftë kundër Trojanëve.
Laookonti – prift i Apollonit në Trojë, hero tragjik i ditës së fundit të luftës së Trojës. Ai ishte kundër kalit të drunjtë të grekëve të cilin e godet dhe si ndëshkim për këtë hyjnitë e mbysin atë bashkë me djemtë e tij me anë të gjarpërinjve.
Herakliti – Filozof grek dhe anëtar i familjes mbretërore të Efesit.
Karonti – Figurë mitologjike greke që ruan shpirtrat e të sapolindurve në lumenjtë Stiks dhe Akeron që ndajnë botën e të gjallëve dhe të vdekurve.
Sfinksi – Figurë mitologjike që ka burimin në traditën greke. Krijesë mitike me kokë njeriu dhe trup luani. Është mitizuar si krijesë e pabesë dhe e pamëshirshme.
Kleopatra – Faraoneshë e Egjiptit që supozohet të ketë sunduar afro 21 vite. Kleopatra ishte pjesëtare e dinastisë Ptolemaike, një familje me origjinë greke që udhëhoqi Egjiptin e Lashtë pas vdekjes së Aleksandrit të Madh, gjatë periudhës helenistike. Kleopatra është portretizuar me një bukuri të jashtëzakonshme.
Shen Mëria – Figurë biblike, nëna e Jezu Krishtit. Maria ishte nje vajzë besimtare e virgjër, dhe një ditë asaj i shfaqer kryengjëlli Gabriel, lajmëtari hyjnor i dërguar nga Zoti, për t´i treguar asaj se do të lindte të birin e Zotit përmes mrekullisë së Shpirtit të Shenjtë.
Bibliografi
[1] Ismail Kadare, Buzëqeshje mbi botë, Rilindja, Prishtinë, 1980, fq. 83
[2] Ismail Kadare, Buzëqeshje mbi botë, Rilindja, Prishtinë, 1980, fq. 86
[3] Ismail Kadare, Buzëqeshje mbi botë, Rilindja, Prishtinë, 1980, fq. 89