Albspirit

Media/News/Publishing

Ymer ÇIRAKU: Dashuri për diellmëngjesin…

Ky është  shkrim i përfshirë si parathënie e librit më të fundit të poetit Shaip Emërllahu: “Troja e kalit”, i botuar në Shkup të Maqedonisë së Veriut  

                   Image result for ymer ciraku

 

 

Shaip Emërllahu është një emër i njohur në poezinë e sotme shqipe. Ka botuar në vite të ndryshme, disa përmbledhje poetike. Duhet kujtuar se cikle me poezi të tij, janë botuar edhe në gjuhë të tjera. Është themelues i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, të cilin, e drejton qysh prej 22 vjetësh e në vijim. Ky Festival, vlerësohet si një nga aktivitetet më të rëndësishme letrare e kulturore në mbarë hapësirën shqiptare dhe ku kanë marrë pjesë dhe janë vlerësuar me çmime mjaft krijues të shquar të letërsisë shqipe (I. Kadare, F. Arapi, A. Podrime, S. Bejko, B. Çapriqi etj), ashtu si edhe të vendeve të tjera – nga të katër anët e botës.

Poezia e këtij libri të ri, vijon të përcjellë disa prej tipareve të njohura të krijimtarisë së poetit. Ato janë piketat dhe shenjat e njohura artistike, të cilat, dëshmojnë individualitet e origjinalitet, si dhe profilin e një talenti të stabilizuar. Një talent ky, që tashmë e ka fituar atë sigurinë, për të bërë pastaj kapërximet estetike e stilistike, aq të synuara e të nevojshme në rrugën e artit. Por gjithsesi, është ai poeti i vetëdijshëm, që di të eci në gjurmët e dëshmuara qysh në krye të herës, por duke i thelluar ato në kërkime të pandalshme.

Ndihet pra, po ajo poezi me tekste përgjithësisht minimaliste, por që synon drejt përcjelljes maksimumit të mesazheve të përcjella artistikisht. Është po ajo poezi jo strofike, pra, me varg të lirë dhe pa rimë klasike, por që zotërohet edhe nga një arkitekturë e jashtme grafike – e përpunuar me finesë. E ku ndihet një strukturë e brendshme, jo pak ritmike dhe melodioze, nëpër krijimet poetike. Vargjet e pakta për nga vëllimi, pothuaj të secilës poezi, janë shigjeta, që e dërgojnë te lexuesi mjaft të sintetizuar, të kthjellët e të drejtpërdrejtë mesazhin e tyre.

Metafora e diellit dhe e mëngjesit, përcjellin zanafillën e punëve të mbara. Ato dukuri qiellore e universale, e po aq, dëshmia e përditshmërisë në jetën e njeriut, kanë konotacion personal e përtej personal. Poeti lajmëron rrezikun prej atyre që duan ta errësojnë diellmëngjesin e njeriut dhe po aq, njofton rrezikun e atyre që mbeten përherë të vonuar dhe nuk e arrijnë atë cak ardhmërie dhe prosperiteti të njeriut/individit e të fisit. Edhe në poezi të tjera, si psh te ajo me titull “Aq na bën”, ndihet alarmi prej ikjes e fikjes prej diellit të fisnikërimit, çka i bën njerëzit të mbeten përherë larg bregut, ku duan të arrijnë e që në fakt, nuk mbërrijnë dot kurrë për atje. Këtu nuk kemi atmosferën e një dëshpërimi shkatërrues, veçse jepen sinjalet e sinqerta të një alarmi që duhet dëgjuar. Dhe alarmet, janë ato trumbetat/sirenat e zgjimit, të cilat, kujtojnë që mos të ndodhë asnjëherë katastrofa dhe shkatërrimi. Alarmi i të ndodhurës fatkeqe, vërtet endet jo pak në poezi, por ato sinjale, nuk rezulton të jenë të vetme dhe nuk krijojnë ndjesinë e panikut falimentues. Përkundrazi. Prandaj edhe nuk mungojnë barrierat e metaforave të eposit qëndrestar, të cilat, janë ato fortesat/kalatë e besimit, për t`i rizgjuar e dinamizuar vlerat e njeriut. Sepse, ashtu sikundër shkruan poeti: …kundërshtarët e motit të madh/kaherë kanë vdekur… (poezia “Demantuesit kanë vdekur”).

Kjo është një poezi, e cila përcillet jo pak nëpër rrafshin e ideve. Sigurisht, që në këto raste do të egzistonte rreziku potencial i rënies në tekste ideologjike, ku mund të treteshin/zbeheshin strukturat spontane të poezisë. Por poeti, duket se e tejkalon bukur këtë rrezik dhe kjo arrihet, pasi ai nuk mbetet rob i ideve autoriale, por i mvesh ato edhe me situata të papritura, me enigma dhe dilema, ashtu sikundër i shfaq ato dukuri vet jeta e njeriut. Pra, kemi edhe praninë e një zëri tjetër në poezi, zërin e korit, që është karakteristikë e njohur në veprat e letërsisë antike, por që e ka shfaqjen e vet specifike edhe në folklorin shqiptar.

Njëherazi, poeti ka aftësinë që t`i spërkatë ato imazhe e gjendje të përndezura poetike, me atë pjalmin e bekuar të figuracionit poetik, duke përcjellë e ruajtur kështu, magjinë specifike të artit të poezisë. Psh në poezinë Kah po shkojmë, ndihet qysh në titull provokimi i pasigurisë. Pra, nuk ka tirada festive e entusiazte, por përballen te lexuesi dilemat kontrastuese mes bishtit të natës dhe gjethit të ri të mëngjesit, që mezi pret të çelë. Në vështrim të parë, ky krijim ngjan me një poezi peizazhi. Por në fakt, ajo nuk i përket kësaj tipologjie zhanrore. Domethënia poetike këtu vjen qartazi te lexuesi, duke mbartur dramën heroike të përplasjeve mes natës dhe agimit/dritës, pra, mes ndërtimit dhe shkatërrimit, mes vdekjes dhe jetës. Në fare pak tekst, arrihet të kondensohet një format i gjerë idesh, të cilat, çlirohen e zgjerohen në një proces zinxhir për te lexuesi.

Në këto poezi, vrehet të ndihen një mori nëntekstesh poetike. Ato janë potenciali ideo-figurativ, që e zgjerojnë vëllimin formal të teksteve. Metaforikisht, mund të thuhej se prania e dendur e tyre, i ngjan atyre rrjedhave në thellësi të deteve, që nuk shihen dot në sipërfaqe, por që janë të pranishme dhe kanë energji të furishme – nëpër thellësitë e atyre deteve. Kjo është shenjë e ligjërimit aspak dëshmues, apo pasqyrues i kësaj poezie, por shfaqet si model i prirjes refleksive mbi ato çka ajo përcjell.

Në tërësinë e saj, kjo prezantohet si një poezi që nuk meket nëpër oazet e gjendjeve përkëdhelëse e mikluese. Ajo mund të ishte mbase e preferuar në një kontekst tjetër të heroit të saj lirik. Por ky hero, me sa duket, mbart destinin/fatin e fisit të vet, të cili,t i kërkohet që ta kapërxejë kohën e gabuar, duke u endur nëpër udhë pa krye, për t`ia mbërritur te ajo dita e madhe – kur mund të arrijë të shohë majat e bardha (!). Të tëra këto sintagma metaforike, janë tituj poezish, që krijojnë refrenin këndellës të besimit rinngjallës e ndërtues. Ky është një besim, që duket sikur buron që nga thellësitë, si një e vërtetë aksiomatike e vet ligjësive gravitacionale të botës. Do të jetë pikërisht ai çast, kur mollët metaforike të Tetovës, nuk do të brehen dot më nga ai dhëmbi i krimbur i fantazmave të vjetra ballkanike.

 

…nëpër koncerte shekujsh

i krasiste e ujiste Tetova

Mollët e veta…

 

të vjen të pëlcasësh

kur i sheh tutje

si i grin dhembi i keq

 

fundja

hëngrën aq

sa t`u mpihen dhëmbët.

 

Mund të thuhet se në këtë përmbledhje të re të autorit, përcillet një poezi me ligjërim të atillë, i cili, nuk shterret përfundimisht në mesazhe e ide poetike, por që endet nëpër hamendësime e dilema provokuese. Duke zgjuar kështu, kërshërinë e leximit aspak pasiv, por me një përfshirje interpretimi të ngulët dhe përherë të hapur – nëpër gjykime e interpretime të tjera prej lexuesit të vet. E ky model diskursi poetik, është tipar i një poezie të arrirë e moderne, e cila, arrin që të projektohet brenda një komunikimi jo imponues, por të gjallë e të afërt me lexuesin.

Please follow and like us: