Komisioneri për Zgjerimin: Korrupsioni me fondet nuk do të tolerohet
Komisioneri i BE për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, pas Konferencës së Donatorëve thotë se Bashkimi Europian do të jetë shumë i përfshirë në implementimin e fondeve dhe se korrupsioni nuk do të tolerohet.
Në një intervistë për DW, ai u shpreh “i kënaqur” për angazhimin që treguan vendet që morën pjesë në Konferencën për ngritjen e fondeve të cilat do të shkojnë për përballimin e dëmeve që shkaktoi tërmeti i 26 Nëntorit në Shqipëri.
Donatorët dhuruan gjithsej 1.15 miliardë euro në formën e granteve dhe huave të cilat do të përdoren sipas parimeve të rëna “dakord me Bankën Botërore dhe me institucionet e tjera financiare” tha Varhelyi.
Por sigurisht që një shumë kaq e madhe krijon hapësira për korrupsion për të cilin Komisioneri tha që “nuk do të tolerohet”.
“Korrupsion nuk do të ketë dhe nuk do të tolerohet. Ne do të jemi të përfshirë në implementimin dhe është shumë e qartë se ku janë nevojat më të mëdha, në sektorin e strehimit dhe ndërtesat publike. Aty do të fokusohemi edhe ne. Dhe sigurisht, që nëse do mundemi t’i modernizojmë këto rajone në Shqipëri, do ta bëjmë këtë. Por siç thashë, ne do të jemi shumë të përfshirë në implementimin e fondeve dhe do të sigurojmë që të gjitha parimet dhe rregullat tona të respektohen”, u shpreh ai.
Komisioneri i Zgjerimit tha se ishte optimist për çeljen e negociatave. Megjithatë solidariteti i treguar nëpërmjet konferencës nuk duhet bashkuar me vullnetin për negociatat pasi “këto çështje janë dy gjëra të ndara” tha ai.
“Unë jam optimist, por i matur, kemi shumë punë përpara nesh dhe është shumë herët për të thënë diçka. Por çfarë mund të them është, se ne në Komisionin Europian jemi shumë të përkushtuar për të arritur këtë, Shqipëria po ashtu është gjithashtu shumë e angazhuar të arrijë rezultate. Unë kuptoj sinjale pozitive nga vendet anëtare, por sërish e them, ne duhet të punojmë shumë dhe fort!”, deklaroi Varhelyi.