Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Shqiptarët e sotëm dhe mesazhi i Perikliut!

 Image result for perikliu

Shqiptarët janë peng të mendimeve shterpe politike dhe të atyre që pa kurrfarë site, u japin krahë mendimeve të tilla, prandaj gjendja e përgjithshme politike shqiptare, tani për tani duket sikur nuk do të ndryshojë. Vërtet nuk ka sesi të ndryshojë, përsa kohë, pak kush brengoset për cilësinë e asaj që promovohet në sferën publike. Si pasojë e kësaj, është vështirë të besohet në ngritje të cilësisë politike në hapësirat shqiptare, ku pak kush ose askush nuk çan kokën për idetë që promovohen.
A në fakt – idetë dhe atmosfera mendore – janë të domosdoshme dhe të rëndësishme si ajri.
Ne brengosemi përditë për ajrin që thithim, por pak ose aspak nuk brengosemi për atmosferën mendore në të cilat ushqehemi dhe i rrisim breznitë e reja.
Idetë janë ushqim për shpirtin, janë si ajri, buka…
Në fushën e ideve politike, shqiptarët, qartësisht nuk ndjekim asnjë shkollë politike, por nxiten nga do instinkte primitive, të inateve e gulçeve që shpërthejnë si pasojë e instinkteve dhe jo mendimeve të konsoliduara.

Ç’është e vërteta, ne nuk i ndjekim as këshillat e vlefshme të patriarkëve të historisë shqiptare, që nëpër kohë i kanë dhënë shpirt e formë kombit, ndonëse gojën e kemi plot emra të mëdhenj.

Që në antikitetin e hershëm, Perikliu thoshte se, ‘në Athinë, kur një qytetar dallohet, atëherë ai është më i preferuar se të tjerët dhe thirret t’i shërbejë Shtetit’.

Miq, lexojeni më poshtë këshillat e vlefshme të një dijetari, të shkruara para shumë shekujsh, të cilat i ka përkthyer me një gegnishte të ëmbël, Daneil Gazulli, sepse janë këshilla të vlefshme edhe sot.
Në fakt, këto këshilla, në botën e përparuar perëndimore, diku më shumë e diku më pak, janë shndërruar postulate themelore, prandaj, atje ka drejtësi, vlera, barazi, përparim, dinjitet…

PERIKLIU, 461 P.K.
Këtu në Athinë na bajmë kështu: Këtu qeveria jonë favorizon shumicën e jo pakicën: prandaj ajo quhet demokraci.
Këtu në Athinë na bajmë kështu: Ligjet këtu sigurojnë një drejtësi të barabartë për të gjithë në çashtjet e tyne private, por na nuk injorojmë kurrë meritat e mendjeve të ndrituna. Kur një qytetar dallohet, atëherë ai asht ma i preferuem se të tjerët, dhe thirret që t’i shërbejë Shtetit, por kjo jo si një previlegj për të, por si shpërblim për meritat, dhe vorfnia e tij nuk përban asnjë lloj pengese.
Këtu në Athinë na bajmë kështu: Liria që gëzojmë shtrihet edhe mbi jetën e përditëshme; na nuk jemi dyshues njeni për tjetrin e nuk i sjellim kurrë bezdi të afërmit nëse atij i pëlqen të jetojë në mënyrën e vet. Na jemi të lirë, të lirë të jetojmë ashtu si na pëlqen e megjithate jemi gjithmonë të gatshëm t’i bajmë ballë çdo rreziku. Një qytetar Athinas nuk lë kurrë mbas dore çashtjet publike ndërsa merret me punët private, por sidomos nuk çfrytëzon çashtjet publike për të zgjithë çashtjet private.
Këtu në Athinë na bajmë kështu: Na kanë mësue t’i respektojmë gjyqtarët, na kanë mësue të respektojmë ligjet e të mos harrojmë kurrë se duhet të mbrojmë ata që fyhen. E na kanë mësue gjithashtu të respektojmë ato ligje të pashkrueme që bajnë pjesë në ndjenjën universale mbi çka asht e drejtë e mbi çka asht e pranueshme.
Këtu në Athinë na bajmë kështu: Një njeri që nuk interesohet për Shtetin na e konsiderojmë të parrezikshëm, por edhe të padobishëm; edhe pse janë të paktë ata që mund të kontribuojnë në jetën politike, të gjithë këtu në Athinë jemi në gjendje të gjykojmë për te. Na nuk e konsiderojmë diskutimin pengesë në rrugën e demokracisë. Na besojmë se lumtunia asht e ardhmja e lirisë, por liria duhet të jetë vetëm fryt i vlerave.
Pra, unë shpall se Athina asht shkolla e Helladës e që çdo Athinas rritet tue zhvillue në vetvete gjithanshmëninë, besimin tek vetvetja, gadishmëninë për të pëballue çfarëdo situate, prandaj qyteti ynë asht i hapun për botën dhe na nuk dëbojmë kurrë një të huej.
Këtu në Athinë na bajmë kështu.
Përktheu: Daniel Gàzulli, 19 shkuet 2018

Please follow and like us: