Dr. Fedhon Meksi: ALI PASHË TEPELENA DHE FILLESAT E NACIONALIZMIT SHQIPTAR (7)
Dr. Fedhon Meksi
VII. FILLIMET E FORMIMIT TË SHTETIT SHQIPTAR TË ALI PASHËS
“Thelbin e programit politik të ideologjisë së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si te çdo lëvizje tjetër nacionale, e përbënte formimi i shtetit kombëtar shqiptar”. (HPSh, II, Toena, Tiranë, 2002, f. 31). Pas përpjekjeve të Skënderbeut për shkëputjen e Shqipërisë nga sundimi osman, përpjekjet e para serioze, që shënuan kthesën politike më të rëndësishme gjatë shekullit XVIII, u kurorëzuan me formimin e dy shteteve faktikisht të pavarura, në Shkodër dhe në Janinë. Bashkimi i territoreve të mëdha në shtete feudale dhe lufta e tyre kundër anarkisë që mbizotëronte në Shqipëri, ishte rezultat i transformimeve ekonomike, sociale dhe politike që po shfaqeshin në fund të shekullit XVIII dhe në fillim të shekullit XIX në trojet shqiptare. Këto transformime po ndodhnin e po zhvilloheshin në po ato drejtime si edhe në vendet fqinje ballkanike. Në Shqipëri, si kudo në Ballkan, u dukën shkëndijat e para të ideologjisë për çlirim kombëtar, vërtet të zbehta dhe jo plotësisht të ndërgjegjshme, por gjithmonë të frymëzuara nga traditat e luftërave pa fund të popullit shqiptar kundër pushtuesve. Me këmbënguljen e tij të jashtëzakonshme, duke përfituar me zgjuarsi nga rrethanat politike të brendshme dhe të jashtme, Ali pashë Tepelena i dha fund anarkisë feudale dhe e shtriu sundimin e tij në bregdetin shqiptar nga gryka e Shkumbinit deri në gjirin e Prevezës. Kudo në pashallëkun e tij u vendos qetësia.
- Bashkimi i trojeve shqiptare dhe formimi i pashallëkut të madh të Janinës
Ali Pashë Tepelena e filloi procesin e bashkimit të trojeve shqiptare me zhdukjen e anarkisë së brendshme feudale. Ai e kuptoi se pasiguria, mosmarrëveshjet e konfliktet ndërmjet feudalëve vendës pengonin konsolidimin dhe zgjerimin e pushtetit të tij. Nga ana tjetër, në kushtet e asaj anarkie tregtarët, zejtarët dhe fshatarët kërkonin të viheshin nën mbrojtjen e një sundimtari të fuqishëm, ndërsa administrata qendrore, tashmë e pafuqishme për të vendosur rregull e qetësi, ishte e interesuar që të kufizoheshin veprimet arbitrare të bejlerëve dhe pashallarëve vendës që minonin pushtetin e sulltanit në ato anë. Prandaj Porta e Lartë e përkrahu në fillim synimin e Aliut për të përqendruar pushtetin në duart e tij. Në këtë proces goditjen kryesore Ali pashë Tepelena e drejtoi kundër feudalëve të mëdhej që anonin nga politika e sulltanit. Duke pasur ende peshë në politikën e kohës, ata ishin kundërshtarë të zgjerimit dhe forcimit të pushtetit politiko-ekonomik të Aliut. Nga ana tjetër, Aliu kufizoi në masë të konsiderueshme zakonin e hakmarrjes që shkaktonte gjakderdhje dhe hasmëri të shumta mes bashkëkombasve të tij. Me gjithë rezistencën e madhe që i bënë feudalët kundërshtarë, Ali Pasha u tregua i vendosur dhe i pamëshirshëm ndaj tyre, por edhe ndaj feudalëve që i kishte të rrethit të vet e nuk i bindeshin politikës së tij. Vetëm në këtë mënyrë ai mundi të vendosë rregull e të zhdukë anarkinë feudale në territoret e administruara prej tij. Në fillim të vitit 1784, duke qenë në rreshtat e ushtrisë perandorake të Rumelisë, Aliu fitoi gradën pashë. Ai konsiderohej si një nga prijësit ushtarakë më të njohur të kohës, i dalluar veçanërisht në krye të formacioneve ushtarake me pagesë të krahinës së vet. Po atë vit, pasi kreu me sukses detyrat e ngarkuara nga vetë sulltani, Porta e Lartë e emëroi mytesarif të sanxhakut të Delvinës. Të ardhurat e këtij sanxhaku të vogël nuk mjaftonin për të përballuar shpenzimet e ushtrisë së madhe të Aliut, prandaj ai synonte të shtinte në dorë sanxhakë të tjerë të rëndësishëm.
Ky ishte vetëm fillimi.
Në vitin 1786 Aliu kërkoi e iu dha qeverisja e sanxhakut të Trikallës në Thesali dhe një vit më vonë iu besua detyra e komandantit të derbendëve (reparte ushtarake që vendoseshin në grykat e maleve për të penguar grabitësit që vidhnin nëpër fshatrat e fushave). Duke përfituar nga mungesa e mytesarifit të Janinës, që ishte dërguar në frontin e Lindjes dhe duke pasur përkrahjen e shtresave të pasura të qytetit që shihnin tek ai të vetmin qeveritar që mund të vendoste qetësinë, Ali Pasha hyri në Janinë, në “kyçin e Shqipërisë”, sikurse e quante ai, pa fermanin e Sulltanit dhe në fund të vitit 1787 vendosi plotësisht sundimin e vet. Në vitin 1788 Porta e Lartë u detyrua ta ligjësojë këtë pushtim me një ferman të veçantë. Në të vërtetë, prej kohësh sytë e tij ishin drejtuar nga Janina, si kryeqendra ekonomike, tregtare dhe arsimore e Shqipërisë së Jugut dhe Epirit. Janina ishte qyteti i denjë për të qenë metropoli i shtetit të tij të pavarur, planin për ngritjen e të cilit e projektoi të paktën në vitin 1791.
Ali Pasha nuk ecte, ai vraponte drejt qëllimit të tij.
Në kushtet ndërkombëtare, kur Turqia ishte e angazhuar në luftën e shpallur nga Rusia (1787) dhe nga Austria (1788), Ali pashë Tepelena ndërmori një varg fushatash për të formuar një pashallëk të madh dhe autonom. Duke marrë pjesë në ekspeditën kundër pashallëkut të Shkodrës, si dhe në frontin e Danubit kundër rusëve, formalisht Ali pashë Tepelena iu bind fermaneve të Sulltanit. Ndërkohë ai e kuptoi mjaft mirë rëndësinë që kishte për të përkrahja e popullsisë vendëse, por edhe mbështetja e ndonjë fuqie të madhe, si Rusia, Franca, Britania e Madhe ose Austria. Në fillim pozitat e tij ishin të dobëta, kryesisht nga qëndrimi armiqësor i feudalëve të mëdhenj të Shqipërisë së Jugut dhe të Epirit, të cilët akoma kishin pozita të forta dhe synonin gjithashtu të vendosnin sundimin e tyre në këtë pashallëk. Të shqetësuar prej mënyrës me të cilën Ali Pasha erdhi në krye të pushtetit në sanxhakun e Janinës, sunduesit osmanë lokalë mbajtën qëndrim jo miqësor ndaj tij. Ata strehuan në zotërimet e tyre feudalët e ndjekur dhe të shpronësuar nga sundimtari i Janinës; i ndihmuan me armë, me municione dhe me ushqime suljotët e himarjotët; u premtuan atyre ndihmë dhe i nxitën kundër Ali Pashës; gjithashtu ndërhynë që paria çame, pashallarët e Delvinës dhe ata të Beratit të lidhnin aleancë kundër tij. Në shkëmbim, Aliu përzuri të gjithë turqit nga Pashallëku i Janinës, me përjashtim të disa sekretarëve që i mbajti për t’i shërbyer në oborrin e tij. Ndërkohë syri vigjilent i sulltanit vëzhgonte vazhdimisht për të gjetur rastin e për të prishur balancat e krijuara nga Aliu.
Zgjerimi i pashallëkut nëpërmjet bashkimit të trojeve shqiptare dhe jo vetëm ka qenë synimi kryesor i Aliut. Synimi tjetër ishte forcimi administrativ dhe ekonomik i pashallëkut të tij. Zgjerimin e filloi me pushtimin e limanit bregdetar të Artës, që do të lehtësonte marrëdhëniet tregtare me gjithë pellgun e Mesdheut. Pasi e nënshtroi Artën, Ali Pasha iu drejtua toskërisë nën pretekstin e vendosjes së qetësisë. Në këtë fushatë ai nënshtroi Konicën, Përmetin, Këlcyrën, Libohovën dhe Tepelenën, të cilat ndodheshin nën vartësinë e Pashallëkut të Beratit. Si pasojë e këtyre pushtimeve shpërtheu konflikti me Ibrahim pashë Vlorën, sundimtar i Pashallëkut të Beratit. Por luftimet u ndërprenë shpejt me vendosjen e një marrëveshjeje, sipas së cilës djali i Aliut, Myftari, u martua me vajzën e Ibrahim Pashës, i cili i dha si pajë dhëndrit të tij të ri vendet e pushtuara tashmë nga Aliu.
Sukseset e Aliut nuk u panë me sy të mirë edhe nga Republika e Venedikut, pasi kërcënoheshin qytetet bregdetare të Epirit dhe Ishujt Jonianë që ishin nën zotërimin e saj. Prandaj ajo lidhi një konventë me Portën e Lartë, strehoi në zotërimet e saj feudalët e ndjekur nga Aliu dhe armatosi krahinat autonome të Sulit dhe Himarës. Në këtë situatë, në pranverën e vitit 1790 Aliu ndërmori fushatën e parë kundër Sulit, që nuk pati sukses. Për më tepër, ai u detyrua të largohet se mori urdhër nga Sulltani. Ali Pasha i ndërpreu për disa vjet fushatat ushtarake. Sulmet e tij kundër pashallarëve të emëruar me femane të sulltanit kishin tërhequr vëmendjen e Portës së Lartë. Një pushim i përkohshëm do të davariste dyshimet e Portës së Lartë, dyshime të cilat kishin lindur që prej hapave të parë të zgjerimit të pashallëkut të Janinës. Gjatë kësaj kohe, me iniciativën e Republikës së Venedikut u krijua një besëlidhje e feudalëve rivalë të Ali Pashës me në krye Ibrahim pashë Vlorën. Me këtë besëlidhje u bashkuan edhe suljotët. Por Aliu e përçau besëlidhjen dhe organizoi fushatën e dytë kundër Sulit. Por edhe këtë herë sulmi dështoi, sepse nën nxitjen e agjentit rus në Korfuz L. Benaqi, u krijua një besëlidhje e re e feudalëve të sanxhaqeve fqinje me kapedanët suljotë. Edhe rusët e shihnin Ali Pashën si një pengesë të rëndësishme për synimet e tyre sunduese në Gadishullin Ballkanik dhe veçanërisht në qytetet bregdetare. Duke filluar nga viti 1798, kur rusët u vendosën në Ishujt Jonianë, ata ndoqën politikën e vjetër të venedikasve duke mbështetur dhe përkrahur suljotët dhe himarjotët jo vetëm në vijimësi të rolit të tyre si mbrojtës të ortodoksëve të Rumelisë, por veçanërisht si aleatë kundër Ali Pashës. Në këtë aleancë rusët arritën të përfshijnë edhe bllokun feudal të Shqipërisë së Jugut. Veprimtaria ruse kundër Ali Pashës u dha siguri suljotëve që kishin gjetur te sllavët e veriut një aleat të fuqishëm. Suljotët, të ndihmuar prej rusëve, provokonin Ali Pashën, i cili nga ana e vet vendosi t’i nënshtronte përfundimisht duke i akuzuar ata edhe si vegla të rusëve.
Fushata e tretë kundër Sulit nisi në vjeshtën e vitit 1799. Para fillimit të fushatës, Aliu mundi t’i përçante suljotët. Ai u dha si pronë boçarëve që udhëhiqeshin nga Jorgo Boçari, gjyshi i Markos, krahinën e Xhumerkës. Luftimet zgjatën deri në fund të vitit 1803, kur rezervat e suljotëve me municione dhe ushqime po mbaronin. Por Aliu, që nuk kishte informacione për këtë gjendje, nënshkroi një marrëveshje që suljotët mund të largoheshin të armatosur. Shumica e tyre iu drejtua Korfuzit, që atëherë ishte nën zotërimin e rusëve. Në vitin 1802, guvernatori rus i Korfuzit, konti Mocenigo, formoi një lidhje me feudalët që ishin kundërshtarë të Aliut, Ibrahim Pashën, sundimtar i Beratit, Mustafa Pashën, sundimtar i Delvinës, dhe bejlerët e Çamërisë. Këtë lidhje Aliu e përçau po atë vit. Në muajin prill të vitit 1802 Porta e Lartë e ngarkoi Aliun të vendoste qetësinë në Rumeli, ku vlonte anarkia feudale, gjendje kjo që u interesonte synimeve ruse në Ballkan, ashtu siç u interesonte edhe gjendja e pastabilizuar, e nxitur dhe e krijuar prej tyre në Shqipërinë Jugore. Në pranverën e vitit 1804 Ali Pasha u përgatit për të marshuar drejt Çamërisë. Në qershor të po këtij viti bejlerët çamë krijuan Lidhjen e Çamërisë. Por Ali Pasha me veprimet e tij energjike i theu kundërshtarët dhe i ndërpreu luftimet vetëm pas ndërhyrjes së Kapudan Pashës, dërguar nga Porta e Lartë. Suksese pati edhe kundër Martallozëve grekë në Thesali, që ishin të nxitur nga francezët. Në fushatën e suksesshme drejt Beratit, detyroi Ibrahim Pashën të shpërngulej dhe të vendosej në Vlorë. Ai u nënshtrua dhe madje dërgoi në Janinë si peng të birin e tij. Me propozimin e Aliut, Porta e Lartë emëroi mytesarif të Beratit djalin e tij Myftar Pasha. Pas këtyre fitoreve Ali Pasha me ushtritë e veta u drejtua kundër feudalëve të mëdhenj të Çamërisë, Hasan Çaparit dhe Islam Pronjës, të cilët u dorëzuan dhe u burgosën në Janinë.
Vetëm pashallëku i Delvinës kishte mbetur ende jashtë kontrollit të Aliut. Në këtë qytet, më 1811 guvernatori francez i Korfuzit organizoi një lidhje të feudalëve kundërshtarë me pjesëmarrjen e Mustafa pashë Delvinës, të bejlerëve të Gjirokastrës, të Kardhiqit dhe të disa bejlerëve çamë. Ushtritë e Aliut në tetor të vitit 1811, pasi thyen forcat e lidhjes, pushtuan Delvinën dhe pastaj Gjirokastrën. Mustafa Pasha me disa bejlerë të tjerë u mblodhën në kalanë e Kardhiqit. Në shkurt të vitit 1812 Aliu i sulmoi dhe më në fund i detyroi të dorëzoheshin. Kështu krejt Toskëria ra nën sundimin e Ali pashë Tepelenës. Pashallëku i Janinës njohu zgjerimin më të madh.
Brenda 10 vjetëve Aliu, duke përdorur të gjitha format e diplomacisë, dhunës dhe arbitraritetit, arriti të pushtojë e të kthejë në çifligje një sipërfaqe të madhe toke. Ai u bë pronar i një të tretës së tokave të Pashallëkut të Janinës. Ai kishte çifligje në Vlorë, Delvinë, Çamëri, Artë, Janinë, Konicë, Thesali, Greqinë Kontinentale dhe Maqedoninë Perëndimore. Faktorë të tjerë që ndihmuan në rritjen e pushtetit të tij ishin edhe sipërmarrjet e tokave, titulli i vezirit që i dha Porta e Lartë për dëbimin e francezëve nga disa qytete bregdetare të Epirit, titulli Vali i Rumelisë dhe atributet e tij si Dervenxhi Pashë.
Pashallëku i madh i Janinës u formua në luftë kundër feudalëve të tjerë shqiptarë dhe njëkohësisht kundër pushtetit qendror, edhe pse në këtë periudhë drejtohej nga dy prej sulltanëve më energjikë, Selimi III dhe Mahmuti II. Formimi i Pashallëkut të madh të Janinës përkon me fazat e para të Çështjes Lindore, kur po përvijohej mundësia e ndarjes së Perandorisë Osmane midis fuqive europiane. Aliu e kuptonte mirë se synimet europiane për ndarjen e Perandorisë, nëse manovroheshin me shkathtësi, mund të ndihmonin edhe në planet e tij për shkëputje. Për Francën, Britaninë e Madhe, Rusinë dhe Austrinë e ardhmja e Perandorisë Osmane ishte një ekuacion i vështirë për t’u zgjidhur, por nëse kjo e fundit do të shpërbëhej, pritej që Aliu të nxitej për t’u shkëputur duke i premtuar madje edhe një sovranitet më të madh, ruajtjen e kontrollit mbi Greqinë Kontinentale si edhe një status mbretëror.
Aliu mund të kurorëzohej nga Napoleoni si mbret i Dalmacisë. Në të kundërt do të vazhdonte status quo-ja, e cila ishte pasojë e xhelozisë së Fuqive të Mëdha që i shtynte ato të punonin kundra njëra-tjetrës, duke u dhënë kështu otomanëve një mik shpëtimtar të radhës, që mund të ishte Anglia, Franca, por edhe Rusia, sipas aleancave fluide që krijoheshin dhe që zakonisht ishin të paparashikueshme.
Aleancat e shteteve të mëdha të Europës ndiqeshin me shumë interes nga Aliu, vlera e të cilit lëvizte sipas zgjidhjeve të mundshme që paraqiteshin. Ndërkohë pashallëku i Aliut po pasurohej, po fuqizohej dhe po përgatitej për të qenë një faktor vendimtar në planet e ardhshme europiane për Ballkanin Jugor. Aliu nga ana e tij, i përfshirë nga idetë nacionaliste që po shpërthenin, kishte filluar të interesohej për kufijtë etnikë të shqiptarëve dhe t’i pëlqente që bashkëkombasit e tij t’i quante shqiptarë (kujto letrën dërguar mbretit të Napolit për t’i rekomanduar Vangjel Meksi – shqiptarin). Edhe Hobhauz, miku i Bajronit, që e shprehte hapur dashurinë për shqiptarët si dhe dashurinë e shqiptarëve për atdheun e tyre, ndryshe nga banorët e tjerë të Ballkanit, ka mundësi që hartën e Shqipërisë, pjesërisht të hartuar prej tij, ta ketë konsultuar paraprakisht me Aliun dhe po kështu edhe kufijtë etnikë të saj. Dhe po aq e mundur është që kjo hartë të jetë miratuar nga zyrtarë të lartë për Ballkanin në Londër. J. C. Hobhauz përpiqet të japë kufijtë e Shqipërisë së asaj kohe, itinerarin që përshkoi dhe përshkruan me hollësi çdo fshat e qytet dhe gjithçka interesante që ndesh udhës, nga Tepelena deri në Prevezë. Ai ankohet për hartat ekzistuese të Shqipërisë, që janë të paqarta, dhe jep vetë një hartë me përmasa të mëdha (55 cm. x 30 cm.) që e ka vendosur në fund të librit të tij. (Hobhouse, J. C.: “A journey through Albania, and other provinces of Osmaney in Europe and Asia…”, London, 1913).
Krahas operacioneve ushtarake që kishin për qëllim bashkimin e trojeve shqiptare në kontinent, tashmë i informuar plotësisht për to, Aliu hodhi shikimin edhe nga bregdeti i Jonit me katër portet e famshme dhe ishujt përballë, që duket se i konsideronte troje shqiptare të pushtuara prej kohësh nga venecianët dhe më pas nga francezët dhe rusët.
- Butrinti, Vonica, Preveza, Parga dhe 7 ishujt përballë
Të Shtatë Ishujt në detin Jon (Korfuzi, Qefalonia, Zante, Santa Maura, Itaka, Cerigo dhe Pakso), si edhe qytetet-porte përballë tyre (Butrinti, Vonica, Parga dhe Preveza), veçanërisht për shkak të pozicionit të tyre strategjik në hyrje të detit Adriatik, për shekuj me radhë ishin objekt i synimeve të gjenovezëve, fiorentinasve, maltezëve, osmanëve dhe venedikasve, të cilët i mbiquajtën “Lulja e Lindjes”. Më 1540 të Shtatë Ishujt përfundimisht i pushtoi Venediku që formoi një bashkësi me qytetet e gadishullit përballë, duke siguruar epërsi të plotë në gjithë rajonin. (Faveirial, Zh. K.: Historia e Shqipërisë, Plejad, Tiranë, 2004, f. 396).
Në vitin 1715 ushtritë osmane rrethuan edhe një herë Korfuzin dhe zhvilluan beteja të përgjakshme, por të pasuksesshme me venecianët dhe banorët vendës, ku dihet se u vra edhe gjyshi i Ali Pashës, Muhtari, bashkë me 15,000 ushtarë turq. Më vonë u pa se kjo disfatë veçse përforcoi dëshirën osmane për të kërkuar të gjitha territoret në brigjet e Jonit që i përkisnin Republikës Veneciane. Strategjia e Ali Pashës këtë radhë harmonizohej me strategjinë e Portës së Lartë, ku Venediku konsiderohej si një nga pengesat kryesore ndaj synimeve të otomanëve për zgjerim drejt perëndimit. Si rrjedhojë, marrëdhëniet me Republikën e Venedikut u përcaktuan nga synimi i Aliut për të pushtuar Shtatë Ishujt e Jonit dhe qytetet përballë, të cilat u kishin garantuar venecianëve një rol dominues në tregti, por që tashmë atë rol donte ta luante vetë Aliu. Për më tepër, Ishujt Jonianë mund t’i shërbenin Aliut edhe si një mundësi e fundit për t’u tërhequr në rast se sulmohej nga Perandoria Osmane. Fundi i shekullit XVIII shënoi zhdukjen nga harta e Republikës së Venedikut dhe ngritjen në pushtet të Napoleonit. Kur Napoleoni triumfoi në Itali në gusht të vitit 1797, i shkroi Direktoratit në Paris se të gjitha fitoret e tij do të mbeteshin pa vlerë nëse nuk merreshin edhe 7 Ishujt e Jonit, të cilët do të realizonin një pikëmbështetje të fuqishme në hyrje të detit Adriatik. Direktorati e gjeti të saktë mendimin e gjeneralit të ri, i cili menjëherë dërgoi ushtri dhe i pushtoi Ishujt, që i quajti “çelësat e Adriatikut”, si edhe katër qytetet karshi tyre.
Në vitin 1797, kur francezët pushtuan Ishujt Jonianë dhe kryen regjistrimin e popullsisë, Korfuzi kishte 60,000 banorë, Pakso 20,000, Shën Mauri 3,000, Itaka 6,000, Qefalonia, më e zhvilluara nga të tjerat, 80 mijë, Zanti 40 mijë dhe Cerigo rreth 5,500 banorë1. Pra, në këta ishuj banonin rreth 214,500 banorë.
Ali Pasha u shqetësua kur e njoftuan se befasisht ishte bërë me fqinjë kaq të fuqishëm. Por nuk e dha veten. Ai u duk sikur u gëzua për të gjitha sa ndodhën, madje u ofroi francezëve ndihmën e tij. Aliu, shpresat e të cilit për t’u zgjeruar drejt perëndimit ishin penguar nga Republika e Venedikut, menjëherë u përqendrua në vendosjen e marrëdhënieve të mira me francezët, me qëllim që t’i bindte t’i jepnin atij territoret e shumëkërkuara. Në të vërtetë, për zotërimin e këtyre ishujve dhe qyteteve përballë do të ndodhnin një varg peripecish, në të cilat ndërthureshin diplomacia, armët, intrigat dhe agjentët e Francës, Anglisë, Rusisë, Turqisë dhe të Ali Pashës. Por Ali Pasha fillimisht ishte i interesuar veçanërisht për qytetet Pargë, Prevezë, Vonicë dhe Butrint, të cilat bashkë me Janinën, qysh në planet e tij të hershme, i njihte si pjesë përbërëse të Shqipërisë që po formonte.
Lidhur me këtë temë Katerina Fleming shprehet qartë: “Aliu e kuptonte sa vendimtare ishte gjeografia në grupimet komunitare të kohës së tij. Ai mbështeste me forcë se Janina, e vendosur në rajonin grek të Epirit, ishte shqiptare dhe i konsideronte shqiptarët që jetonin aty jo si emigrantë, por si banorë vendës të krahinës. Ai u përpoq të justifikonte synimet e tij mbi territoret që kishte në varësi në bregdetin jonian, duke pretenduar se ato ishin gjithashtu pjesë e Shqipërisë. (Flemming, K.:Bonaparti mysliman, Dituria, Tiranë, 2003, f. 88).
Në planin e tij afatshkurtër Aliu synonte edhe bashkimin e të gjitha trojeve të tjera shqiptare brenda kufijve etnikë të njohur të paktën nga Britania e Madhe. Për Xhon P. Morier, pinjoll i një familjeje të njohur britanike, që u dërgua me mision në pashallëqet e Ballkanit Perëndimor, nën mbulesën e Konsullit të Përgjithshëm në Stamboll (1804): “Shqipëria kuptonte vendin që shtrihej nga Gjiri i Artës dhe drejt veriut, gjer në Bojanë (Bunë)”. (Morier, J. P.: PRO. FO. 78/44, Nr. 40, në Koçollari, I.: Ali Pasha dhe Shqipëria në arkivat britanike, f. 48)
Pas sukseseve në Itali, armatat franceze me gjeneral Bonapartin në krye zbritën në Egjipt, pjesë e Perandorisë Osmane. Qëllimi i tyre ishte të luftonin kundër kolonive angleze, të cilat përbënin burimin kryesor ekonomik të metropolit britanik. Për të lehtësuar fushatën e Egjiptit, Franca do të fuqizonte pashallarët e Rumelisë dhe prirjet e tyre vetëqeverisëse në dëm të Portës së Lartë. Në këtë mënyrë u përkrah edhe Ali pashë Tepelena, aq më tepër kur Bonaparti theksonte se: “Përforcimi i këtij sundimtari shqiptar është në interes të Republikës”. Në saje të kësaj përkrahjeje, me lejen e francezëve Aliu futi flotiljen e tij në kanalin e Korfuzit, që ishte e pamundur gjatë sundimit venedikas dhe shtiu në dorë pjesën kryesore të bregdetit nga Butrinti deri në Porto Palermo. Duke u njohur banorëve të këtyre trevave privilegjet e tyre, ai gjithashtu i ktheu ata në rezervën e vet ushtarake. Pas pushtimit francez të Egjiptit më 1798, Porta e Lartë i deklaroi luftë Francës dhe lidhi aleancë me Britaninë e Madhe dhe Rusinë. Duke kuptuar se i kishte ardhur në dorë një rast i volitshëm për të shkëputur nga kthetrat e Napoleonit katër qytetet kontinentale joniane, Aliu u ofroi francezëve mbështetjen e tij kundër aleancës ruso-turko-britanike në këmbim të ishullit Levkas dhe katër qyteteve bregdetare. Kur francezët nuk i përfillën kërkesat e tij, Aliu filloi përgatitjet që t’i merrte me forcë ato territore që nuk mundi t’i fitonte me negociata. Miqësia me francezët zgjati vetëm një vit. Për Aliun ishte e qartë se interesat strategjikë të francezëve shkonin larg, madje duke kaluar nëpërmjet trojeve shqiptare Napoleoni synonte të pushtonte edhe Stambollin. Pas peripecive të francezëve në Egjipt dhe sidomos pas shkatërrimit të flotës franceze në Abukir nga admirali Nelson (1798), Aliu kuptoi se do të ishte Anglia, sundimtarja e deteve, që do të pushtonte edhe Shtatë Ishujt e Jonit. Nga ana e tij, me miratimin e Stambollit dhe me ushtrinë që kishte përgatitur për këtë qëllim, Aliu lëshoi të gjitha forcat kundër ushtarëve francezë që kontrollonin zotërimet bregdetare, si fillim në Butrint dhe pastaj në Prevezë, ku më 12 tetor 1798 masakroi ose zuri rob 300 ushtarë e oficerë fancezë. Për t’u justifikuar para francezëve, ende të fuqishëm në atë rajon, Aliu shpalli se Vonicën, Butrintin edhe Prevezën i kishte pushtuar me urdhër të Sulltanit, i cili në të vërtetë, për fitoret e arritura nga Ali Pasha kundër francezëve, i dha titullin Vezir. Por Aliu me veprimet e mëvonshme tregoi se për të zgjerimi i territoreve ishte më i rëndësishëm sesa marrja e titujve të sulltanit.
Në këtë mënyrë u realizua synimi për t’i siguruar pashallëkut të Janinës një dalje të gjerë në bregdet si dhe për zotërimin e një vargu skelash me rëndësi tregtare. Vetëm Parga mundi të shpëtojë, mbasi ngriti flamurin rus dhe hyri në mbrojtjen e flotës ruse. Në kushtet kur vetëm Parga kishte mbetur jashtë kontrollit të tij, Aliu shpresonte ta bindte Portën e Lartë që t’ia linte nën kontroll të drejtpërdrejtë Vonicën, Prevezën dhe Butrintin. Megjithatë, për dëshpërimin e tij të madh, në konventën e 21 marsit 1800 të përfunduar midis Portës së Lartë e Rusisë, kjo e fundit, me qëllim që të zvogëlonte fuqinë e Ali Pashës e ta mbante sa më të izoluar në kontinent, futi një klauzolë, sipas së cilës qytetet bregdetare do të formonin një njësi administrative autonome, që vërtet do të njihej si zotërim i Perandorisë Otomane, por s’do të qeverisej nga Ali pashë Tepelena, por nga një zyrtar i posaçëm i emëruar nga Stambolli. Kështu Rusia, me miratimin e Portës së Lartë, cungonte pashallëkun e Janinës dhe krijonte me njësinë e re administrative një zonë izolimi midis zotërimeve të pashait nga Tepelena dhe republikës së porsaformuar të Ishujve Jonianë, e cila në fakt do të varej nga Rusia. Megjithëse aleanca midis Rusisë dhe Perandorisë Osmane ishte vetëm një sajesë e përkohshme, sa kohë që ajo zgjati, Stambolli u lejoi rusëve që të dobësonin pushtetin e Ali Pashës. I shtrënguar nga Porta e Lartë, që nxitej edhe nga Rusia, më në fund Ali Pasha hoqi trupat nga Preveza dhe Vonica, por nuk e ndau Butrintin nga tokat e tjera nën pushtetin e tij. Mosmarrëveshjet ndërkombëtare i dhanë sërish rastin Aliut për të sulmuar zotërimet joniane. Në pragun e luftës ruso-osmane të viteve 1806-1812, sulltani mori anën e Aliut dhe i la atij dorë të lirë mbi qytetet bregdetare të Prevezës, Vonicës e Butrintit. Ishujt Jonianë dhe qytetet përballë tyre kaluan në mënyrë të përsëritur nga një pushtim në tjetrin. Sa herë që ato kalonin nga osmanët te francezët, rusët e britanikët dhe sërish tek osmanët, Aliu me këmbëngulje lidhte aleanca me secilën nga këto fuqi me synimin e tij të përhershëm për t’i bashkuar me trojet shqiptare, mundësisht nëpërmjet negociatave. Përpjekjet e Aliut për të futur nën kontroll zotërimet joniane krijuan një hendek të thellë me shtetin osman. Gjatë bashkëbisedimeve për këto zotërime kontinentale, Aliu për herë të parë hyri në kontakt të drejtpërdrejtë me fuqitë perëndimore europiane dhe kuptoi se synimet e tij për të krijuar shtetin shqiptar në kufijtë e tij etnikë përballeshin njëlloj me kundërshtimin sa të osmanëve aq edhe të perëndimorëve. Por ai vendosi të realizonte synimet e tij nëpërmjet marrëveshjeve me Europën dhe jo me shtetin osman. Disa vite më vonë, si rezultat i fitoreve të Napoleonit në Europë dhe pas betejës fitimtare të Austerlicit ndaj ushtrive ruso-austriake (2 dhjetor 1805), francezët u kthyen sërish në Ballkan. Kalimi i Dalmacisë në duart e francezëve për herë të parë do të vendoste një fuqi europiane me kufij në afërsi me territoret veriore të Aliut. Gjithashtu edhe Aliu për herë të parë do të lidhte marrëdhënie diplomatike të pavarura me një shtet perëndimor.
Më vitin 1806 F. Pukëvili (F. Pouqueville), i emëruar konsull i përgjithshëm në Janinë, i solli Aliut edhe premtimin e Bonapartit se do ta ngarkonte me qeverisjen e Korfuzit po qe se nuk do ta kursente ndihmën për dëbimin e rusëve që andej. Aliu, po me anë të Pukëvilit, i paraqiti qeverisë franceze një plan bashkëpunimi ushtarak për dëbimin e rusëve nga të gjithë Ishujt Jonianë. (HPSH, I, f. 446).
Më vonë, në vitin 1825, në faqet e librit të tij me titull: “Histoire de la regeneration de la Grece” (Historia e ringjalljes së Greqisë), Pukëvili do t’i paraqiste hapur propozimet që Ali Pasha i kishte bërë Napoleonit: “Unë do të jem me dëshirë – thoshte ai – vasal i Perandorisë Franceze nëse Madhëria Juaj do të bashkojë Ishujt Jonianë me Epirin dhe ta bëjë atë principatë të trashëgueshme për pasardhësit e mi…”. Pouqueville F.: Histoire de la regeneration de la Grece, I, Paris, 1825, f. 258).
Në dhjetor të vitit 1806 Porta e Lartë i shpalli luftë Rusisë. Pas një muaji Aliu arrestoi konsujt rusë në territorin e vet dhe i armatosur me artileri bashkëkohore franceze u përgatit të sulmonte ishullin e Santa Maurës që ende ndodhej nën pushtimin rus. Por kur Napoleoni e këshilloi Ali Pashën të mos shkëputej nga Porta e Lartë, marrëdhëniet me francezët, që u vendosën përsëri në Ishujt Jonianë në vend të rusëve, u acaruan. Aliu, pasi i deklaroi Bessierit, guvernatorit francez të Ishujve Jonianë, se “Unë i quaj Butrintin, Vonicën, Pargën dhe Prevezën si shtëpinë time”, menjëherë i prishi planet e mëtejshme të Napoleonit për pushtimin e Butrintit, që do t’i shërbente ushtrisë franceze si pikëhyrje për të depërtuar thellë në gadishullin e Ballkanit. (Bessier, J.: “Memoires sur la vie et la puissance d’ Ali pascha, Paris, 1820”; I. Ushtelenca, po aty, f. 6).
Ali Pasha u kundërvu edhe për kalimin e trupave franceze nga Dalmacia dhe tokat shqiptare të veriut. Në këto rrethana, Ali pashë Tepelena, Ibrahim pashë Bushati dhe pashallarët e tjerë shqiptarë i lanë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre dhe u përgatitën për mbrojtje të përbashkët. Në shkurt të vitit 1808, gjenerali Bertje kërkoi dorëzimin e Butrintit, kurse Ali Pasha, pasi u deklaroi francezëve se “…nuk do ta lëshojë Butrintin dhe asnjë pëllëmbë të tokës shqiptare pa luftë”, e shpalli në popull ultimatumin francez dhe u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve për t’i mbrojtur trojet e tyre ndaj pushtuesve francezë. Popullsia e përkrahu qëndrimin e vezirit të Janinës. (HPSH, I, Tiranë, 2002, f. 648).
I armiqësuar me Francën dhe me Rusinë, Aliu, për të mbrojtur qytetet bregdetare në detin Jon, u drejtua nga Britania, me të cilën ishin vendosur kontaktet e para qysh më 1803. Më 22 prill 1806, në Janinë arriti konsulli anglez Morier, në takimet me të cilin Aliu bëri të qartë se nuk e ndiente veten të lidhur me francezët, por edhe se për të arritur qëllimet e tij nuk do të kishte aspak ndër mend të linte mënjanë rrugët e tjera diplomatike. Në të vërtetë në këto takime u vendosën bazat për një miqësi diplomatike, që zgjati pothuajse pa ndërprerje deri në vdekjen e Ali Pashës, më 1822.
Nga ana tjetër, për të alarmuar britanikët, Aliu i tregoi Morierit se Napoleoni i kishte premtuar kontrollin e Korfuzit në këmbim të lejes për zbarkimin e trupave franceze në tokat e tij. Si një zgjidhje e mundshme për të ulur tensionet, Aliu i sugjeroi Morierit që katër zotërimet bregdetare dhe ishujt jonianë t’i dorëzoheshin atij, mbasi përmes tyre, sipas tij, rusët mbanin lidhje me popullsitë greke. (Flemming, K.: po aty, f. 150).
“Në këto kushte Anglia paraqiti idenë që të krijonte një mbretëri në Shqipëri, përpara se ta ngrinte në Greqi, dhe për këtë qëllim Ali Pasha iu duk i përshtatshëm që të bëhej themelues i një shteti, shtet i cili, megjithëse nuk do të kishte përmasat e Perandorisë Otomane, nuk do të ishte më pak i denjë në shërbim të politikës së saj, duke manovruar me Korfuzin si pikë pararoje. Në të vërtetë të tilla ishin edhe qëllimet e vetë Ali Pashës”. (Faveirial, K.: Historia e Shqipërisë, Plejad, Tiranë, 2004, fq. 397-399).
Në shkurt të vitit 1809 Morierin e zëvendësoi W. M. Lik (William Martin Leake), që arriti në Janinë bashkë me një pajisje të plotë artilerie si dhuratë e qeverisë angleze. Në këtë atmosferë miqësie me britanikët, më 1809 e vizitoi Ali Pashën edhe Xhorxh Bajroni me Hobhauzin. Megjithatë Ali Pasha, edhe pse i drejtohej Likut: “miku tim fisnik dhe i dashur”, francezëve, që ende zotëronin ishujt jonianë, iu dha të kuptonin se Likun e konsideronte, jo vetëm si një të dërguar britanik, por edhe si një peng të mundshëm. (Adair, 1845, f. 217, në Flemming, K.: po aty, Tiranë, f. 151).
Në muajin prill të vitit 1813 u bë në Janinë takimi i Ali Pashës me gjeneralin anglez Ejre, të cilit i premtoi edhe një herë ndihmën e vet kundër francezëve për pushtimin e Korfuzit. Në emër të qeverisë angleze gjenerali premtoi t’i dorëzonte fillimisht vetëm qytetin e Pargës dhe sipas shërbimeve që do të kryente mund t’i dorëzohej edhe Lefkadha, Itaka dhe Meganisia, tre nga shtatë Ishujt Jonianë. Ai i premtoi gjithashtu Aliut se, po të lindte nevoja, Anglia do ta mbronte nga zemërimi i sulltanit duke e strehuar në Ishujt Jonianë pas vendosjes së mundshme të protektoratit britanik mbi ta. Lidhur me Pargën, e cila nga britanikët konsiderohej si “një pre legjitime e Aliut”, Pashai tepelenas qëndroi i paepur dhe kërkonte në mënyrë të përsëritur që britanikët të mbanin premtimin për t’ia dhënë në rast se francezët do të dëboheshin nga Ishujt Jonianë. Garancitë britanike për Pargën për herë të parë iu dhanë Aliut nga Xhorxh Kaningu (George Cunning), Sekretari i Shtetit për Marrëdhënie me Jashtë i Anglisë, kur emëroi kapitenin Lik si të dërguar në oborin e Ali Pashës (21 tetor 1808). Në një letër që Kaningu i dërgonte Likut shkruante lidhur me Pargën: “Nëse Ali Pasha do të vendoste të fillonte luftën kundër francezëve, kryekomandanti i forcave detare të Madhërisë së Saj në Detin Mesdhe, është porositur të përdorë anijet e pozicionuara atje për të qëlluar garnizonin francez në qytetin e Pargës. Të shpjegoni se këto udhëzime u dhanë me kërkesë të Ali Pashës”. (PRO, FO, Fondi Lik, cituar nga Fleming, K.: po aty, f. 156).
Në mars të vitit 1814, kur fancezët po largoheshin nga Ishujt Jonianë dhe forcat angleze nuk ia kishin më nevojën Aliut, Londra i shkeli premtimet, ndër të cilat edhe dorëzimin e qytetit të Pargës, të cilin e mori vetë nën mbrojtje. Qëndrimi i ri i Anglisë ndaj Ali Pashës ishte i lidhur me situatën që u krijua në Europë pas vitit 1815. Me shembjen e Perandorisë Franceze të Napoleonit I dhe me formimin e Lidhjes së Shenjtë, Fuqitë e Mëdha u drejtuan kundër çdo lëvizjeje separatiste që rrezikonte fronet mbretërore në Europë. Me fjalë të tjera, edhe Londra nuk mund të përkrahte e vetme synimet e pavarësisë së mikut të saj. Ndërkohë, Londra bëri një lëvizje tjetër diplomatike. Më 10 maj 1819 Britania e Madhe i dorëzoi Aliut Pargën, pasi ai pagoi, siç del nga regjistri i llogarive të Aliut, 612,000 realë. Kështu, pas përpjekjeve shumëvjeçare, Ali Pasha i sheshoi kufijtë politikë që e veçonin këtë qytet bregdetar dhe e bashkoi me pjesën tjetër të shtetit të tij. Që prej asaj kohe, e plotësuar me banorë të rinj të ardhur nga brendia e vendit, Parga, nga një vatër grindjesh e lufte, u shndërrua në një qytet paqësor dhe në një skelë tregtare të rëndësishme. (HPSH, I, po aty, f. 660).
Megjithatë ambiciet e Aliut shkonin më tej. Ai nuk mund t’i pranonte qytetet-porte në detin Jon të ndara nga ishujt përballë. Pretendimet e Aliut për të përfshirë edhe Ishujt Jonianë brenda kufijve të shtetit të tij i njihnin edhe anglezët, të cilët fillimisht i mbështetën. Por kur Ali Pasha u kërkoi që të vendosnin një garnizon në Santa Maura për ta ndihmuar që të dëbonte francezët, ata jo vetëm nuk u përgjigjën, por në tetor të vitit 1809 papritur morën nën kontroll ishujt e Cerigos, të Itakës, Qefalonisë dhe Zantës. Kurse të Shtatë Ishujt i mbajtën nën protektoratin e tyre deri në vitin 1864 kur ia dorëzuan Greqisë.
Nga ana e tyre, britanikët e qetësuan Aliun jo vetëm ekonomikisht, por edhe me premtime për të lëvizur më thellë drejt veriut kufijtë e shtetit shqiptar të ardhshëm. Në vitin 1804 për britanikët shteti shqiptar do të kishte lumin Buna (Bojanë) si kufi verior(Morier, J.: FO. 78/44, n.40, në Koçollari, I.: Ali Pasha dhe Shqipëria, f.48), kurse në vitin 1810 ata e donin shtetin e Aliut të shtrihej deri në Bosnje, duke përfshirë edhe Malin e Zi. (Letra e W. Leard për Ali Pashën, në Koçollari, I.: Ali Pasha dhe Shqipëria…, Iceberg, Tiranë, 2013, f. 284).
Vlen të theksohet se Aliu gjatë kohës së marrëdhënieve miqësore me anglezët, i mbante të hapura kanalet e komunikimit, sipas situatave politike dhe diplomatike që krijoheshin, edhe me francezët, rusët, osmanët dhe grekët. Veçse aktiviteti diplomatik i Aliut që në fillimet e tij ishte ideuar, strukturuar dhe ndërtuar për realizimin e ëndrrës së tij të kahershme, synimin e tij madhor, bashkimin e trojeve shqiptare dhe ngritjen e shtetit shqiptar të pavarur. Gjatë negociatave që zhvilloi, Ali Pasha tregoi se ishte një vëzhgues dhe njohës i thellë i botës politike europiane, i aftë për të përfituar me shumë shkathtësi nga situatat politike ndërkombëtare që krijoheshin, të cilat ishin sa të ndërlikuara, aq edhe të paqëndrueshme. Tashmë në profilin diplomatik të Ali Pashës ishin të ndërthurura ndikimet shqiptare, greko-bizantine, osmane, por edhe moderne europiane. Falë mprehtësisë së tij diplomatike, që shpesh ia kalonte edhe asaj të qeverisë osmane, si dhe intrigave gjeniale të thurura prej tij, Aliu në fund të jetës arriti të fitojë sovranitetin e plotë të shtetit të tij shqiptar (1820-1822) përpara çdo sundimtari tjetër të Ballkanit. Projekti i tij për pushtet ishte shumë më i gjerë se ai që i ofrohej nga Porta e Lartë, ndërsa në veprimtarinë e tij diplomatike u shfaq shumë qartë synimi për të fituar një pozicion të rëndësishëm jo vetëm në nivelin rajonal, por edhe në atë ndërkombëtar, ku gjeti dhe përdori fjalorin kulturor dhe simbolik të përshtatshëm, me të cilin shprehte vizionin e tij si sundimtar jootoman dhe i pavarur. Burimet arkivore, që ilustrojnë trajtimin që Aliu u bënte çështjeve ndërkombëtare, tregojnë qartë se ai kishte hequr dorë me ndërgjegje të plotë nga ideologjia perandorake osmane për të përqafuar, nën ndikimin europian, një vizion të politikës dhe të qeverisjes së tipit më modern.
- Pas Jugut edhe Veriu
“Më vitin 1812, duke vënë nën pushtetin e vet Thesalinë, Morenë dhe Shqipërinë Jugore nga Preveza deri në Shkumbin, familja e Ali pashë Tepelenës arriti kulmin e fuqizimit të vet. Me shtrirjen e pushtetit të Vezirit të Janinës në gjithë Shqipërinë e Jugut, u bë një hap i rëndësishëm përpara për bashkimin politik të trojeve shqiptare”. (HPSh, I, Tiranë, 2002, f. 650).
Ali Pasha ishte në krye të një shteti me 1,500,000-2,000,000 banorë, shumica e të cilëve ishin shqiptarë, por edhe grekë, vllehë, turq e çifutë. Veçse, “Vetëm gjysma e Shqipërisë ishte nën pushtetin e Ali Pashës, gjysma tjetër ishte e ndarë në mënyrë të barabartë në mes Pashallëkut të Beratit dhe të Shkodrës”. (Leake, W. M.: po aty, f. 103).
Ali pasha, pasi kërkoi pa sukses ndonjë fuqi të madhe europiane që ta mbështeste në ëndrrën e tij për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane, kishte vendosur të zgjeronte edhe më tej Pashallëkun e Janinës dhe të përfshinte të gjitha trojet shqiptare nën zotërimin e tij. Në këtë mënyrë edhe forca e tij ushtarake do të rritej. Me gjasë, ai mendonte se edhe vetëm si Komandant absolut i gjithë Shqipërisë do të dilte fitimtar në ndeshjen e paevitueshme me otomanët për realizimin e ëndrrës së tij të kahershme, pavarësinë e plotë të gjithë Shqipërisë.
Për synimet e Aliut drejt Veriut Pukëvili shkruan qysh në vitin 1805. Në librin e tij Udhëtim në More… informohemi se: “Në këtë vend (Shkodër) ai (Ali Pasha) mbante disa njerëz të paguar që i bënin presion Bushatlliut të radhës dhe e mbanin atë në gjendje pasigurie”. (Pukëvil, F.: Udhëtim në More, Kostandinopojë dhe Shqipëri, Tiranë, f. 6).
Duke filluar nga viti 1809, Aliu, pasi konsolidoi pushtetin e tij në Jug, ndërmori disa lëvizje për t’u zgjeruar drejt Veriut. Në këtë mënyrë nga Pashallëku i Shkodrës u shkëputën sanxhaqet e Ohrit dhe të Elbasanit, të cilët kaluan nën sundimin e vezirit të Janinës. Por edhe sipas Hobhouse “Ali Pasha duke përparuar drejt Veri-Perëndimit kërkon të shtjerë në dorë kufirin drejt Dalmacisë”. (Hobhouse, po aty, f. 119).
Kurse Hughes shkruan: “Me pushtimin e Beratit mësojmë se synimet e Ali pashë Tepelenës janë drejtuar më në Veri dhe ai mezi pret të shtjerë në dorë Pashallëkun e Shkodrës. Pra, Ali Pasha bënte përçapje të organizuara me qëllim përfundimtar krijimin e një Shteti feudal Shqiptar të centralizuar që do të përfshinte të gjitha trojet shqiptare”. (Hughes, Th. S.: “Travels”.,., f. 261, cituar nga Mema, Sh.: Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e udhëtarëve anglezë në gjysmën e parë të shek. XIX, Tiranë, 1988, f. 163).
Ndërkohë Ali Pasha strehonte në Janinë kundërshtarët e Bushatllinjve, për t’i hedhur në veprim në kohën e duhur. Nga ana tjetër, ai filloi përgatitjet për martesën e mbesës së vet me Bushatin e ri. Siç duket, ai po përgatitej të sulmonte Shqipërinë e Veriut në dy drejtime. Jo vetëm me metodat e tij të vjetra, për të cilat ishte mjeshtër i vërtetë, por edhe nëpërmjet krushqisë së re me pashallarët shkodranë. Veçse në atë kohë pashallarët shqiptarë ishin të ndarë në dy fronte armiqësore, që ishin njëri kundër bashkimit të vendit nën një pushtet të vetëm, kurse tjetri pro këtij bashkimi. Porta e Lartë, si zakonisht, e shfrytëzoi këtë gjendje. Ajo emëroi Mustafa pashë Bushatin mytesarif të sanxhakut të Shkodrës dhe e shpalli atë vezir. Në këtë pozicion i kishin krijuar kushtet që të grumbullonte rreth vetes të gjithë kundërshtarët e vijës së bashkimit të klasës feudale shqiptare nën një udhëheqje të vetme politike. Një vendim i tillë, që Porta e Lartë e mori në kohën kur Mustafa Pasha kishte dërguar krushqit për të marrë nusen e tij në Janinë (25 maj 1812), zhduku përfundimisht mundësitë për afrimin e qeveritarëve të Shqipërisë Veriore me qeveritarët e Shqipërisë së Jugut.
- Miqësi me kushte
Poemën e tij të famshme Alipashaida Haxhi Shehreti e ka shkruar në bazë të thënieve dhe udhëzimeve të Ali Pashës, mikut të tij. Pukëvili pohon se ka qenë i pranishëm kur Ali Pasha i kërkonte Haxhi Shehretit të ndryshonte vargjet e vjershave sipas dëshirës, pikëpamjeve dhe interesave të tij. Pra edhe vargjet e mëposhtme të Shehretit nuk janë veçse vargëzime të ideve dhe projekteve të Aliut, me shumë gjasa, të diktuara nga vetë ai: “Ka të tjera ëndrra thellë, me dëshirë të Perëndisë Dibrën do dhe Gegërinë t’i bashkojë, t’i ketë nën hise Plane ka të tjera brenda, do t’i bëjë sa të jetë Shkodrën dhe Karadakun nën një shtet të vet t’i ketë Vet’ s’m’i tha, unë i shkruaj, ç’i ndjen zemra janë vërtetë Gjer në Bosnjë rreth e rrotull do t’i vërë nën pushtet”. (Koçollari, I.: Alipashaida e Haxhi Shehretit, Tiranë, 1998, f. 371). “Ky pohim e vë Aliun në radhën e një hegjemoni me ëndrra shtetformuese nacionale si një ndër pionierët e parë në Evropën e revolucioneve të shekujve të 18-të e 19-të”. (Koçollari, I.: po aty, 2, f. 335). Në të vërtetë, vargu i parë: “Ka të tjera ëndrra thellë, me dëshirë të Perëndisë”, më tepër ka kuptimin: “Ka të tjera plane thellë, me dëshirë të Britanisë”. Këtë e dëshmon letra e diplomatit anglez W. Leard drejtuar “Shkëlqesisë së Tij Ali Pashës-Vezir i Janinës dhe i Shqipërisë, më 8 janar 1810”, ku, ndër të tjera, shkruhet: “Me shpresë që brenda një kohe të shkurtër e gjithë Shqipëria si edhe trojet nga rrëza e Malit të Zi deri në kufijtë me Hercegovinën do t’ju njohin dhe respektojnë Ju si komandantin e tyre, gjë që është në përfitim të popullatës si dhe në interes të Sovranit tonë …”. (W. Leard për Ali Pashën, Durrës, 1810, cituar nga I. Koçollari, po aty, f. 284). Pra, duket qartë se Anglia jo vetëm kishte projektuar tashmë territorin si edhe sovranin e gjithë Shqipërisë, por e nxiste Ali Pashën, aleatin e saj, që të shtynte edhe më tej drejt veriut kufijtë e shtetit të tij të ardhshëm dhe të pavarur, gjithmonë pas shkatërrimit të pritshëm të Perandorisë Osmane. Me këtë rast po përsërisim edhe një herë se vetëm 6 vjet më parë, në vitin 1804, për Konsullin e Përgjithshëm Britanik në Stamboll Xhon P. Morier, që kreu një mision diplomatik në Shqipëri, “ Shqipëria kuptonte vendin që shtrihej nga Gjiri i Artës drejt Veriut, gjer në lumin Buna”. Pra, Qeveria Britanike i njihte Aliut nga ana e saj që të përfshinte në shtetin e tij të ardhshëm edhe Malin e Zi. Interesimi i britanikëve për Pashallëkun e Janinës filloi vetëm gjatë viteve të para të shek. XIX. Atëherë flota britanike shtoi në mënyrë të dukshme prezencën e saj në detin Jon, përballë brigjeve të Ballkanit Jugperëndimor, për t’u vënë fre ushtrive të Napoleonit që kishin pushtuar Ishujt Jonianë dhe portet përballë tyre dhe po përgatiteshin të hynin thellë në gadishull. Kontakti i parë britanik me pashain e Janinës ndodhi në fillim të vitit 1803. Në të vërtetë ishte Ali Pasha ai që përshpejtoi mbërritjen në Janinë të diplomatit anglez Uilliam Hamilton. Ali Pasha i ofroi atij mbështetjen dhe ndihmën e nevojshme në rast të një lufte të pritshme me Francën. Në këto rrethana, në fillim të vitit 1804 Xhon P. Morier u dërgua me mision në pashallëqet e Shqipërisë dhe të Moresë nën mbulesën e Konsullit të Përgjithshëm. Morier kishte marrë detyrë nga qeveria e Madhërisë së Tij për të ndikuar te qeveritarët e këtyre pashallëqeve që të grumbullonin informacionin e nevojshëm mbi gjendjen e tyre si dhe për armatimin luftarak që do të duhej për të përballuar një invazion të mundshëm francez. (Baggally, Ali Pasha and Great Bretain, cituar nga Koçollari, I, po aty, f. 47).
Kapiteni anglez Viljam Martin-Lik ishte vetëm 27 vjeç, por me njohuri të thella si topograf, gjeograf, arkeolog, historian dhe gjuhëtar kur qeveria britanike e dërgoi me mision për të vrojtuar bregdetin e Shqipërisë e të Moresë. Misioni i tij përfshinte gjithashtu ndihmën për qeveritarët e Turqisë Europiane lidhur me mënyrën e mbrojtjes së kufijve ndaj sulmeve të mundshme franceze. Ky ishte një mision i rëndësishëm për vilajetet e Turqisë Europiane. Më 28 gusht 1804 vetë ministri i Jashtëm britanik i kishte dhënë kapitenit Lik udhëzimet përkatëse. Vite më vonë britanikët synuan të siguronin një bazë tjetër në Ballkan, prej ku mund të shtyheshin për qëllimet e tyre në brendësi të kontinentit. Për këtë qëllim ata nisën një numër të konsiderueshëm misionarësh, furnizuan me armë, si edhe organizuan marrëveshje të fshehta me qeveritarët lokalë dhe me luftëtarët e maleve. “Duke vlerësuar virtytet dhe aftësitë e banorëve të këtyre viseve dhe meritat e Pashait të Janinës për ngritjen e tyre drejt standardeve të qytetarit bashkëkohor, misionari britanik Çerç, në një raport të dërguar Londrës, që mban datën 12 nëntor 1811, vë në dukje se Ali Pasha kish qenë në gjendje të transformonte njerëzit e tij nga niveli më i ulët i qytetarisë jo vetëm në ushtarë të mirë, por gjithashtu në anëtarë të denjë të një shoqërie civile…”. (Koçollari, I.: “Policia sekrete e Ali Pashës…”, I, f. 145, 146). Britanikët që vizituan Aliun dhe trojet e tij, veçanërisht gjatë viteve 1805-1820, ishin të shumtë. Ata paraqiteshin me profesione të ndryshme dhe dinin që t’i fshinin qëllimet e tyre të vërteta, me përjashtim të Likut, oficer i inteligjencës britanike, si dhe Dr. Holandit. Bajroni vërtet ishte një poet romantik, i pasionuar nga historia, gjuha dhe civilizimi grek, por qëllimi i tij ishte edhe mbështetja e grekëve në vigjilje të shpërthimit të kryengritjes antiosmane të viteve 1821-1830. Hobhauz, edhe pse në dukje paraqitej si shoqërues i Bajronit, në librin e tij me 1160 faqe paraqet kufijtë etnikë të shqiptarëve dhe një hartë me përmasa të mëdha përpiluar si prej hartografi. Edhe kleriku Hughes në veprën e tij prej dy vëllimesh me 625 faqe, titulluar “Udhëtime në Siçili, në Greqi dhe në Shqipëri”, përveç biografisë së hollësishme të Ali Pashës përshkruan po aq hollësishëm edhe ndarjen gjeografike, etnike dhe administrative të Shqipërisë. Pas mbledhjes së këtij informacioni të bollshëm në terren dhe analizës përkatëse, pas përcaktimit të kufijve të shtetit të ardhshëm shqiptar (shih hartën e Shqipërisë paraqitur te libri i Hobhauzit), duket se britanikët i propozuan Ali Pashës një marrëveshje që iu interesonte të dyja palëve, por që do të aktivizohej vetëm pas shkërmoqjes së pritshme të Perandorisë Osmane. Ndryshe nga venecianët, francezët dhe rusët, që kishin synime territoriale mbi Shqipërinë, britanikët ishin të prirur të ndihmonin për krijimin e Shtetit Shqiptar me kufijtë etnikë të shqiptarëve, me në krye Ali pashë Tepelenën, që në të vërtetë ishte miku i tyre.
VIII. PËR NJË SHTET JO TË VARUR, PA KOMPLEKSE FETARE DHE ME NJERËZ TË DITUR
- Dy shqiptarët
Edhe sot përdoret gjerësisht termi shqiptar i vërtetë për ata burra që kërkojnë t’i zgjidhin mosmarrëveshjet dhe konfliktet vetëm me ndershmëri, trimëri dhe burrëri. Këta lloj shqiptarësh në kohët e lashta madje nuk përdornin as pushkën si mjet lufte, por vetëm shpatën. Për këta njerëz nuk kishte rëndësi fitorja, por lloji dhe rëndësia e saj. Një nga këta shqiptarë të vërtetë, arvanitasi Gjergj Andruco, ishte si vëlla ose vëllam me Ali Tepelenën. Ata e filluan së bashku karrierën e tyre në male si kaçakë, por më vonë iu desh të ndaheshin. Ishte karakteri i ndryshëm i tyre që përcaktoi edhe drejtimin e ndryshëm të tyre në jetë. Më 1790 Andruco organizoi një kryengritje kundër turqve në krye të 800 shqiptarëve. Ata humbën edhe pse luftuan heroikisht. Andruco përfundoi në burgjet e Stambollit ku edhe vdiq. Ali Pasha mori të birin, Odhisenë, në oborrin e tij në Janinë dhe e adoptoi në shenjë dashurie dhe respekti për Andrucon baba. Nga ana e tij Ali Pasha kishte zgjedhur një rrugë tjetër me shumë dredha dhe shumë më të gjatë. “Ai kishte bindjen se vetëm trimëria nuk ishte e mjaftueshme për të fituar lirinë. Bashkë me të nevojitej zgjuarsia dhe diplomacia, pra një mendje me dy presa”. (Kola, A.: Arvanitasit…, Tiranë, 2008, f. 422).
- Projekt-marrëveshja me Rusinë
Besohet se Aliu hyri në Janinë më 1787, bashkë me projektin për krijimin e një shteti të pavarur. Ai gjithashtu, kur hyri në Janinë, ishte i vetëdijshëm për të gjitha vështirësitë që do të haste në realizimin e këtij projekti, i dyti pas atij të Skënderbeut 300 vjet më parë. Historiani rus G. Arsh, në librin e tij Shqipëria dhe Epiri në fund të shek. të 18 dhe në fillimet e shek. të 19, që u botua në Moskë më 1963, zbulon vizionin e Ali Pashës për të themeluar një shtet të pavarur me tolerancë fetare, me gjuhë të parë greqishten dhe të dytë shqipen. Këtë projekt Aliu e kishte përvijuar qysh nga viti 1791, vetëm 3 vjet pasi u bë pasha në Janinë. Në qershor të vitit 1791, në ishullin e vogël jonian Kalamos përfaqësuesi i Aliut i kërkoi gjeneralit rus Tamara, komandant i flotiljes ruse në detin Mesdhe, t’i dorëzonte princit Potjomkin një projektmarrëveshje bashkëpunimi me Rusinë, të shkruar në gjuhën frënge, të cilën do ta paraqesim pothuajse të plotë, në mënyrë që të dalin në dritë idetë dhe vizionet e para të Ali Pashës lidhur me formimin e shtetit të tij të ardhshëm:
- “Ali Pasha angazhohet të marrë pjesë bashkë me grekët në një kryengritje për të zbuar turqit nga Ballkani. Për këtë qëndrim ai kërkon sigurime për njohjen e tij si sundues i pavarur i pashallëkut, për njohjen e territorit të tij që duhet të zgjerohet në të ardhmen dhe për ushtrimin e lirë të fesë nga myslimanët.
- Nga ana e vet ai zotohet t’i trajtojë njëlloj si myslimanët, ashtu dhe të krishterët dhe t’i pranojë ata si në administratë ashtu edhe në ushtri, duke pasur si parim të vetëm aftësinë e tyre.
- Taksat do të unifikohen për të gjithë banorët, grekë apo shqiptarë, myslimanë apo të krishterë qofshin.
- Do të largohen funksionarët e lartë turq me prirje armiqësore ndaj tij.
- Grekët do të jenë në mbrojtjen e Rusisë, por pa pasur të drejtën për të transferuar çështjet e tyre gjyqësore dhe të apelojnë ndaj gjykatave vendore në gjykatat ruse.
- Ali Pasha nuk do të paguajë taksa vasaliteti.
- Aliu gjithashtu pranon që ligjet dhe urdhrat të shkruhen në gjuhën greke, kurse shqipja do të jetë gjuha e dytë e shtetit.
- Aliu pranon si garanci të dërgonte në Petërsburg njërin nga djemtë”. Ky dokument është paraqitur i plotë te libri i Llambro Rucit. (Ruci, Ll.: Ali Pasha, Tiran apo Reformator? Rrëfime, dokumente, Ombra, Tiranë, 2002, f. 18, 19, 20). Te ky dokument spikat qëllimi i Aliut që e ngërtheu atë deri në fund të jetës për të qenë zot i një shteti të pavarur. Ali Pasha e kishte të qartë se për të fituar pavarësinë ishte e domosdoshme mbështetja dhe ndihma aktive, të paktën e njërës prej Fuqive të Mëdha të kohës, e interesuar për viset e Ballkanit Jugperëndimor dhe për popujt që banonin në to. Me gjasë, sipas analizës së Ali Pashës, shteti rus, në rolin e tij si tutor i ortodoksëve të Ballkanit, që i kishte vënë detyrë vetes t’i çlironte këta popuj nga sundimi i gjysmëhënës, do të mund ta pranonte ftesën e tij. Në pashallëkun e Janinës ishin të shumtë ortodoksët shqiptarë, por veçanërisht ata grekë, me të cilët rusët kishin lidhje të hershme edhe shpirtërore. Gjuha greke si gjuhë zyrtare, si edhe karriera e sigurt për grekët e aftë në administratën e shtetit të Ali Pashës, do të ishin argumente shtesë për të nxitur pjesëmarrjen e rusëve në këtë ndërmarrje intriguese. Por propozimeve të Ali Pashës qeveria ruse nuk u dha asnjëherë përgjigje. Rusia ortodokse e kishte të vështirë të pranonte sundimin e një pashai mysliman mbi të krishterët. Për Rusinë e madhe ishte më e pëlqyeshme të ngrinte në ato anë vetëm një shtet të pavarur krejtësisht ortodoks. Në dokumentin që përmban propozimet e Ali Pashës për një aleancë ushtarake me rusët, dallohet mungesa e plotë e komplekseve në raportet me grekët. Aliu e kuptonte fare mirë se ngritja e një shteti modern nuk do të kryhej pa njerëz të shkolluar, pa gjuhë të shkruar dhe shkolla të përhapura në gjithë territorin nga fillorja deri në gjimnaz. Këto kërkesa në atë kohë nuk plotësoheshin nga shqiptarët dhe gjuha e tyre, që, për më tepër, ende nuk ishte e lëvruar. Ali pashë Tepelena bëri përpjekje titanike për të nxitur lëvrimin e gjuhës shqipe nga shqiptarët e ditur, të cilët i dërgoi në universitetet më të shquara të Europës Perëndimore. Ai inkurajoi dhe realizoi arsimimin e shqiptarëve, fillimisht në shkollat greke të reformuara me iniciativën e tij, kurse më pas edhe në shkollat shqipe.
IX. IDETË E REVOLUCIONIT FRANCEZ NË THEMEL TË SHTETIT TË ALI PASHËS
Ali Pasha filloi të interesohej përherë e më shumë për aspektet materiale e kulturore të shoqërive europiane të kohës së tij. Me intensifikimin e marrëdhënieve me shtetet kryesore perëndimore, me zhvendosjen e qendrës së rëndesës së tregtisë dhe të aspiratave politike të tij nga Stambolli dhe regjimi osman drejt Europës, edhe interesat e tij kulturore e intelektuale filluan të ndjekin këtë linjë. Falë zgjuarsisë, intuitës dhe aftësisë për të ecur me kohën, Ali Pasha njohu, përvetësoi dhe iu përkushtua me pasion ideve që shpërthyen Revolucionin borgjez Francez. Figura e Napoleon Bonapartit si reformator, politikan, diplomat dhe strateg ushtarak ushtroi një ndikim të jashtëzakonshëm mbi psikologjinë e Aliut. Në këtë periudhë Franca, populli francez dhe revolucioni antifeudal, antiklerikal dhe demokratik që ai fitoi kishte magjepsur Aliun. Pukëvili, konsulli francez në Janinë, ka shkruar në librin e tij të parë të vitit 1805: “Revolucioni Francez përbën këto kohët e fundit temën e të gjitha bisedave të tij”. (Pouqueville, F.: Voyage en More, a Costandinople, en Albanie….”, Paris, 1805, f. 25). Pukëvili tregon sa këmbëngulës ishte interesimi i Aliut për francezët, si dhe për pyetjet e pafundme që u bënte pashai ushtarëve dhe oficerëve të burgosur francezë. Sipas Pukëvilit, Aliu i përfshinte ata edhe në diskutime ideologjike e fetare. Autorë të tjerë konfirmojnë interesimin e Aliut për historinë, politikën dhe filozofinë franceze. (Eton, 1798; Holland, 1815; Broughton, 1855).
- Miqtë e Ali Pashës
Prej kohësh Aliu kishte miqësi të veçantë me dy personalitete të shquara, intelektualë të shkolluar në Perëndim, njohës të thellë të gjuhëve, të politikës, të filozofisë, si dhe me përvojë shumëvjeçare. Ata ishin shqiptari Kostandin Duka dhe greku Riga Ferrereos, të cilët kishin jetuar gjatë në Paris, ku kishin përqafuar idetë e reja që nga koha kur ato filluan të formuloheshin. Kostandin Duka, i arsimuar në Universitetin e Parisit, pasi qëndroi për shumë vite në kryeqytetin e Francës, ku frekuentonte rrethet e filozofëve enciklopedistë francezë, në vigjilje të shpërthimit të Revolucionit (1789) u kthye në atdhe dhe hyri në shërbim të Ali pashë Tepelenës, si këshilltar për politikën e jashtme. Iluministi shqiptar kishte njohur në Paris enciklopedistët e famshëm Volter (Voltaire, 1694-1778), idhulli i borgjezisë liberale dhe antiklerikale, dhe Didero (Diderot), që konsiderohej si philosophe par excellence (filozof i përkryer). Kostandin Duka ishte iluminist me pikëpamje antifeudale, armik i absolutizmit dhe i obskurantizmit, kundërshtar i pushtetit klerikal, përkrahës i mendimit të lirë, i përparimit shoqëror, i lëvizjes demokratike dhe i lulëzimit kulturor. Pasi pa vendin me qytetërimin më të shkëlqyer, pasi jetoi te populli më i sjellshëm i botës, Kostandin Dukës i lindi dëshira të kthehej në atdheun e vet. Kishte hyrë në pleqëri të thellë kur u takua në Përmet në vitin 1806 me konsullin e Francës Pukëvil. Gjatë prezantimit i tha me modesti dhe me sinqeritet konsullit se “Gjatë 15 vjetëve që i shërbente Ali Pashës si përkthyes nuk kishte provuar prej tij mosmirënjohje, por as edhe favore të tepruara”. Ai i kujtoi pastaj Pukëvilit “…se po të kishte udhëtuar nja 10 vjet më parë në këto vise, ai ose do të ishte vrarë, ose do të ishte shitur si skllav nga po ata që e shoqëronin, kurse tani ai bridhte i sigurt dhe askush nuk guxonte ta prekte”. (Pouqueville, F.: Voyage de la Grece, Paris, 1826, f. 265).
Riga Ferrereos (1757-1798) ishte shkrimtar, linguist, poet, filozof, politikan dhe, mbi të gjitha, kryengritës. Ai konsiderohet si pararendësi i Revolucionit Grek të vitit 1821. Në moshën 20-vjeçare vrau një oficer të lartë turk dhe më pas u bashkua me komitët e malit Olimp. Ai hodhi bazat për themelimin e organizatës së fshehtë nacionaliste Filiqi Eteria. Njihte idetë e Revolucionit Francez dhe besonte se vetëm një lëvizje e ngjashme me të do të sillte çlirimin e popujve të Ballkanit nga zgjedha osmane. Për të ishin të shenjta të drejtat e njeriut, barazia sociale, shteti ligjor, e drejta e besimit dhe të drejtat e popujve për vetëvendosje, madje duke përfshirë edhe popullin turk, që e quante edhe atë të shtypur në njëfarë mënyre. Riga Ferrereos u tradhtua nga vetë grekët dhe u arrestua në qytetin e Triestes, që në atë kohë bënte pjesë në Perandorinë Austro-Hungareze. Ithtarin e flaktë të ideve revolucionare qeveria reaksionare e Vjenës e dorëzoi te guvernatori turk i Beogradit, i cili, sipas rregullave otomane, duhej ta dërgonte në Stamboll për gjykim. Por Rigën e burgosën, e torturuan dhe e mbytën së bashku me pesë shokët e tij dhe trupat e tyre i hodhën në Danub. Thuhet se turqit u nxituan për t’i vrarë sepse ishin informuar për pritat që kishin ngritur gjatë rrugës për në Stamboll, për të liruar të burgosurit, Ali pashë Tepelena së bashku me turkun Osman Pasvantoglu, mik i Rigës. Idetë politike të Rigës ishin idetë liridashëse dhe demokratike të Revolucionit Francez. Riga kërkonte çlirimin e shtresave të varfra në Ballkan pavarësisht nga raca dhe feja e tyre, si dhe krijimin pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane të një shteti të vetëm me kufijtë e Bizantit të vjetër ose të disa shtete-kombeve më të vogla, me qeverisje të lirë dhe demokratike. Ka të ngjarë që fundin tragjik të Rigës ta ketë përcaktuar mbështetja prej tij e këtyre dy varianteve dhe jo vetëm e variantit të rilindjes së Bizantit të madh, që kishte partizanë të shumtë në radhët e organizatës radikale Filiqi Eteria. Vizioni i Aliut dallon nga ai i Rigës në dy pika parimore. Shqiptari Ali Tepelena nuk e përmend aspak rilindjen e Bizantit. Ndërsa varianti francez kundër shtypjes shoqërore të popujve të Ballkanit, duke përfshirë edhe turqit, i dukej utopik Aliut për kushtet e Ballkanit. Por vizionet e Ali Pashës dhe të Rigës ishin krejtësisht të kundërta me qëndrimet e Filiqi Eteria-s, organizatë nacionaliste greke që u themelua në Rusi, me pëlqimin e rusëve dhe që u frymëzua nga parimet e tyre. Filiqi Eteria nuk kishte asnjë mesazh shoqëror dhe u drejtohej vetëm pronarëve, koçobashëve të pasur dhe klerit ortodoks. Nën drejtimin e Filiqi Eteria-s kryengritja greke e vitit 1821 do të kthehej në një kryengritje tërësisht fetare, kurse vetë ajo mbeti një mbështetëse e politikës ruse në Ballkan.
- Idetë e Revolucionit Francez
Ka një varg faktesh që dëshmojnë se në formimin e vizionit të Ali pashë Tepelenës për ngritjen dhe organizimin e shtetit të tij, kanë rolin e tyre edhe idetë filozofike antifeudale, antiklerikale, demokratike që shpërthyen Revolucionin e Madh Francez. Ideologjia revolucionare dhe konceptet bazë të saj, nacionalizmi dhe idetë e formimit të shtetit komb, u përcollën në mënyrë të përpiktë dhe të drejtpërdrejtë nga Parisi në Janinë nëpërmjet dy miqve të Aliut. Revoltat e francezëve si edhe heroizmat e Bonapartit, gjeneralit të ri të Republikës Franceze, ndikuan tek Ali Pasha për të qenë edhe më i vendosur në përpjekjet e tij për krijimin e një shteti modern, demokratik dhe të pavarur. Sipas Bartholdys, konsujt francezë i flisnin vazhdimisht Aliut për Revolucionin Francez që ta nxisnin atë kundër sulltanit. Dhe Aliu u përgjigjej: “Ju do ta shikoni pasardhësin e Pirros. Ali Pasha do të dijë të kalojë përtej të gjitha pengesave që do t’i dalin përpara”. (Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë, vëll. III, Tiranë, f. 295).
Këto ide të reja që përqafoi Aliu dhe sipas të cilave u ndërtua, u organizua dhe funksionoi shteti i tij i ka paraqitur mrekullisht Aristidh P. Kola në veprën e tij unike “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve”, 1985, ribotuar 10 herë në Greqi. Në faqen 495 ai shkruan se “Përpjekja politike e Ali Pashës parashikon:
- Themelimin e një shteti të pavarur.
- Drejtësi dhe barazi shoqërore, shërbime për popullin dhe goditje të njëkohshme të koxhabashëve1 të pasur, bejlerëve dhe agallarëve.
- Kushtetutë, e cila do të ishte një përmbledhje e të gjitha kushtetutave të deriatëhershme progresiste të Evropës.
- Përparimin e arsimit të lirë e të pavarur nga institucionet klerikale (deri atëherë arsim dhe shkencë quhej vetëm teologjia).
- Tolerancë fetare dhe respekt të plotë për çdolloj bindjeje fetare.
- Përdorimi i greqishtes si gjuhë zyrtare dhe i shqipes si gjuhë e dytë.
Vizioni i Aliut, pa shkelur idetë kryesore të Revolucionit Francez, rrjedh nga realiteti ballkanik dhe është absolutisht i përcaktuar. Përveçse nacionalçlirimtar, plani i Aliut është edhe shoqëror. Ai godet feudalët e kohës, koxhabashët, bejlerët e agallarët dhe mbron popullin nga padrejtësitë e tyre. Aliu përkrahu intelektualët dhe u siguroi arsimtarëve të gjitha mjetet e nevojshme për t’u mësuar fëmijëve shkronjat dhe shkencat. Aliu kishte në mendje ta pajiste shtetin me kushtetutë dhe duket të ketë kërkuar informacione si dhe mostra të kushtetutave nga oborret evropiane”. Programi politik i Ali Pashës për organizimin e shtetit të tij të ardhshëm u përpilua nga vetë Aliu që në të largëtin vit 1791, vetëm 2 vjet pas shpërthimit të Revolucionit Francez dhe 3 vjet pas ardhjes së tij në Janinë. Ai u pasqyrua në një dokument të sigurt dhe plotësisht të besueshëm, i përcjellë i plotë deri në ditët tona. Ky dokument, sikurse u përmend edhe më lart, në të vërtetë është projektmarrëveshja e Ali Pashës me rusët, e zbuluar në arkivat e flotës ruse në vitin 1963 nga historiani G. Arsh. (Arsh, G.LI.: Albania i Epir v Kancie XVIII – naçallo XIX vjeka, Moskva, 1963).
Kur Aliu në pikën 2 të projektmarrëveshjes shkruante se “mirrte detyrimin të mos rëndonte të krishterët raja, grekë apo shqiptarë qofshin, me taksa më të mëdha se myslimanët”, ose kur shkruante në pikën 3 “se shtetasit e tij, pavarësisht nga feja dhe kombësia (duke përjashtuar vetëm turqit – F. M.), do të mund të merrnin të gjitha detyrat politike dhe ushtarake dhe me gradat përkatëse me kusht të vetëm aftësitë e tyre (meritokracia – F.M.)”, krejt ndryshe nga ligjet e Perandorisë Osmane, ai e kishte të qartë se po materializonte i pari në Europë, fill pas revolucionarëve francezë, fjalën e magjishme EGALITE – BARAZI, që trajtohej në artikullin 1, i pari ndër 17 artikujt që përbënin: “Declaration des droites de l’homme e du citoyen”, që fillimisht miqtë e tij duhet t’ia kenë shqipëruar: shpallja e të drejtave të burrit (de l’homme – F. M.). Në atë kohë edhe në Francë nuk bëhej fjalë për të drejtat e grave, mbasi barazia mes sekseve ishte një koncept ende i panjohur. Ky akt juridik, që u përpunua gjatë Revolucionit të Madh Francez dhe që përmban të drejtat fondamentale të qytetarit, u shpall më 26 gusht 1789 në Paris, bazuar në Deklaratën e Pavarësisë Amerikane. Ky dokument, që është një homazh për lirinë dhe dinjitetin njerëzor, ka inspiruar më vonë hartuesit e të gjitha kushtetutave të tjera. E shpallur vetëm 6 muaj pas rrafshimit të burgut të Bastijës dhe 3 javë pas shfuqizimit të feudalizmit, Deklarata shkaktoi një përmbysje radikale të shoqërisë franceze si asnjëherë gjatë shekujve të mëparshëm. Deklarata paraqiste normat bazë që rregullojnë jetën e qytetarëve ndërmjet tyre dhe në raport me institucionet. Sikurse u tha më sipër, që në krye të saj deklarohet në mënyrë solemne parimi i barazisë (art. 1) dhe më pas të drejtat e natyrshme të qytetarëve: e drejta e lirisë, liria e besimit fetar, e drejta e arsimit, e drejta e pronës, e drejta për një jetë të sigurt (art. 2), e kështu me radhë deri në artikullin e 17, që ishte edhe artikulli i fundit.
- Zbatimi i parimeve të Revolucionit Francez
Në kushtet politike, ekonomike dhe kulturore që gjendej Shqipëria dhe kur anarkia feudale mbizotëronte në gjithë Ballkanin, a mundi Ali pashë Tepelena të vendoste barazi mes popullit të tij të paarsimuar, anarkist dhe konservator njëherësh, me fe dhe kombësi të ndryshme? A mundi Ali pashë Tepelena të zbatonte në pashallëkun e tij parimet themelore të shpallura në deklaratën e të drejtave të qytetarëve francezë në të njëjtën kohë me ta? Përgjigjen e kërkuam dhe e gjetëm në shumë libra dhe studime kushtuar veprimtarisë së pashait nga Tepelena, një pjesë të të cilave po i paraqesim në vijim:
a. Parimi i Barazisë (art. 1 i Deklaratës…)
-Athinagora, M. P.: historian grek: “Protosingjeli i Patrikanës Ikumenike shkruante: Do të shohësh përpjekjen për çlirim dhe për krijimin e një shteti të ri, ku të gjithë popujt do të jenë të barabartë, shqiptarë, grekë, vllahë. Të krishterë ose myslimanë qofshin ata, do të jenë të barabartë kundrejt ligjit, pa padrejtësi, pa të favorizuar dhe pa lypsarë. Ali Pasha ka mbrojtur të krishterët raja dhe ka inkurajuar martesat e përziera deri sa edhe vetë u martua me Vasiliqinë”, (Athinagora: Epirotiqe selidhes, cituar nga Kola, A., po aty., f. 432) që ishte shqiptare kristiane nga Çamëria.
-Aravantinos P.: historian grek: “Zgjedhë osmane mbi të krishterë nuk kishte. Ata lejoheshin të mbanin armë dhe gëzonin liritë otomane, si edhe myslimanët”. (Aravantinos, P.: Ali pashë Tepelena, 1856, f. 340).
-Kandyloros, T., historian grek: “Reforma më e rëndësishme në shtetin e Ali Pashës ka qenë zbatimi i parimit modern, sipas të cilit të gjithë shtetasit janë njësoj para ligjit. Për Ali Pashën s’kishte as të krishterë, as myslimanë, as çifutë, as shqiptarë, as grekë e as turq. Të gjithë kishin po ato të drejta dhe po ato detyra para ligjit”. (Megali Eliniqi Enqiklopedia:, f. 739, cituar nga Meksi, V. Th., po aty, f. 31).
-Kordhatu, historian grek: “Një sukses i madh i politikës së Ali Pashës ishte mosdallimi sipas përkatësisë fetare. Në shtetin e Aliut nuk njihej ndarja karakteristike në qytetarë me të drejta politike të plota dhe në raja (nënshtetas turk, por jo mysliman – F. M.), të cilët duke mos pasur fenë zyrtare, nuk gëzonin të drejta të plota”. (Kordhatu: Historia politike greke moderne, Athinë, 1925, f. 98).
-Kola, Aristidh: “Aliu nuk bënte dallime midis të pasurve dhe të varfërve, të afërmve apo të panjohurve, vendasve apo të huajve, të krishterëve apo myslimanëve”. (Kola, A.: Arvanitët dhe prejardhja e…, f. 430).
-Remerand, G., historian francez: “Në kundërshtim me rregullat e Portës së Lartë dhe të paraardhësve të tij, Aliu u rrethua prej shqiptarësh të krishterë dhe myslimanë të cilëve u dha ofiqet dhe nëpunësitë, duke përjashtuar vetëm turqit”. (Remerand, G.: Les grande figures de l’Orient, 1928, f. 38).
-Miller, Uilliam: “Nëse Aliu ishte despot, të paktën ishte një despot që ofronte shanse të barabarta”. (Fleming K.: Bonaparti mysliman, Tiranë, 2003, f. 39).
-Buda, Aleks: “Në shtetin e Aliut nuk dallohej ndarja në qytetar me të drejta politike të plota dhe në raja, të cilët duke mos pasur fenë zyrtare, nuk gëzonin të drejta të plota”. (Buda A.: po aty, f. 142).
b. E Drejta për Liri (art. 2)
-Dr. Jani Vilarai, poet dhe gjuhëtar epirot: “Mësuesit vareshin nga direktivat e nëpunësve të ministrive, por i shprehnin lirshëm idetë e tyre dhe nëse hasnin ndonjë problem me Patrikanën, atëherë ishte Aliu që i mbronte”. (Kola, A., po aty, f. 392).
-Vurna, T., historian grek: “Pasi bëri (Aliu) që të krishterët të shijojnë një paqe të plotë dhe liri, donte t’i lehtësonte edhe nga taksat…”. (Kola A.: po aty, f. 426).
-Pollo-Puto: “Përpjekja e tij për të futur kushtetutën me liri, demokraci dhe tolerancë fetare, ashtu si edhe përpjekja për të arsimuar popullin jo të drejtuar nga lart, por krejtësisht të lirë, tregon se është edhe më demokratik”. (Pollo-Puto: Histoire de l’Albanie, Lyon, 1974, f. 141).
c. E Drejta për jetë të sigurt (art. 2)
-Aravantinos, S., historian grek: “Ka një veçori në qeverisjen e Ali Pashës, e mjaftueshme për të tërhequr vëmendjen, ndoshta edhe admirimin e vëzhguesve: sigurimi publik – qetësia. Shteti i Ali Pashës ngjan me një oaz në shkretëtirën e atyre kohërave të barbarisë. Banorët e konsideronin veten të lumtur kur e krahasonin gjendjen e tyre me atë që mbretëronte para ardhjes në fuqi të Ali Pashës, kur nderi, jeta dhe pasuria e njerëzve ishin nën mëshirën e të parit jeniçer, spahi apo tiranë të vegjël të vendit, të cilët Ali Pasha i shfarosi”. (Aravantinos, S.: Ali pashë Tepelena, 1895, f. 12).
-Haxhi Shehreti, Omeri i kohës së Ali Pashës: “Shih si e solli kjo kohë, si e sollën vitet, shih shih ujkun me qengjin të lozë dhe gjoni me një bilbil…”.
-Byron-i, me anë të një letre dërguar nënës së tij në gusht 1809, e qetësonte atë duke i shkruar se në Janinë njerëzit janë më të sigurt edhe në krahasim me rrugët e Londrës.
-Ibrahim Manzour Efendi, oficer francez, kritikues i Aliut: “Gjatë dhjetë viteve të fundit të mbretërimit të Ali Pashës, mund të përshkohej Shqipëria nga Jugu në Veri me siguri dhe pa asnjë frikë”. (Cituar nga Meksi, V. Th., po aty, f. 13).
d. Aspekti social në shtetin e Ali Pashës
-Liço Filip, historian, minoritar grek: “Ali Pasha, i ndikuar edhe nga revolucioni francez, pati një vizion të përparuar shoqëror. Ai godet pa mëshirë bejlerët, agallarët myslimanë dhe koxhabashët e krishterë dhe mbron popullin nga veprimet e tyre arbitrare”. (Liço, F.: Marrëdhëniet greko-shqiptare, f. 92).
-Bartholdy, Mendelson, historian: “Aliu shkëputi realitetin shoqëror nga mesjeta e feudalizmi timarik dhe hapi kështu rrugën drejt qytetërimit në formën e një despotizmi modern. Në Shqipëri dhe Greqi duhet të ndërhynte despotizmi i Ali Pashës për të kaluar nga mesjeta në kohën e re”. (Bartholdy, M.: Historia e revolucionit grek, 1860, f. 247).
-Kumas, historian grek: “Aliu cilësohej burrnor, i virtytshëm dhe quhej babai i të varfërve”. (Cituar nga Kola, A., po aty, f. 448).
-Kola, Aristidh, historian arvanitas: “Aliu ishte despot, madje i pamëshirshëm dhe i ashpër, por asnjëherë i padrejtë. Ndërkohë që goditi pamëshirshëm bejlerët dhe koxhabashët, Aliu mbrojti popullin nga arbitrarizmat e tyre”. (Kola, A., po aty, f. 444).
-Vaudoncourt G.: “Pushteti i Ali Pashës mbështetet tek egërsia me të cilën ai ndëshkon të gjithë njerëzit e fuqishëm që e bazojnë fuqinë e tyre mbi forcën, pasurinë dhe influencën e fituar”. (Vaudoncourt, C.: Memoirs on the Ionian … , London, 1816. f. 61, cituar nga Koçollari I.: po aty, I, f. 260).
-Meksi, Vangjel Th: “Ali Pasha ka qenë një politikan gjeni. Ai kreu në Shqipëri, gjithmonë sipas mënyrës së tij, një reformë për të shtypur feudalizmin si dhe shoqërinë e tiranëve të vegjël, duke shpëtuar popullin, të cilit i çeli rrugën dhe i dha mundësitë e zhvillimit drejt një jete më të qytetëruar”. (Meksi, Vangjel Th.: po aty, f. 35).
– Perevu, Hr., historian grek: “Ka me mijëra prova që provojnë se veprimet e tij kanë pasur për qëllim të zhduknin feudalizmin, anarkinë dhe konfuzionin, duke u prerë hovin një numri të madh tiranësh të vegjël, të krishterë dhe myslimanë, që i pinin gjakun popullit”. (Perevu, Hr.: Historia e Sulit dhe e Pargës, 1857, f. 58; cituar nga Meksi, V: po aty, f. 16).
– Dukas, N., iluminist grek i fillimit të shek. XIX, shkruan: “Ali pashë Tepelenën e dërgoi Zoti që të edukojë të këqijtë dhe të nderojë të mirët, të pakësojë të këqijat dhe të rrisë të mirat”. (Papagjeorgjiu, Gj.: Ali Pasha, një drejtues otoman me mentalitet evropian, 2001, f. 10; Cituar nga Koçi, D.: Gjenealogjia e Ali Pashës, Tiranë, 2014, f. 76).
e. Kushtetuta
Në krye të deklaratës së të drejtave të njeriut revolucionarët francezë kishin shpallur hartimin e Kushtetutës së shkruar. Po Aliu?
-Kordhatu: “Ali Pasha, bazuar në mendimet reformatore, parashikonte që shteti i tij, realisht i pavarur nga sulltani, të kishte një kushtetutë. Për këtë qëllim ai dërgoi në Korfuz këshilltarin e tij të besueshëm politik Kollovo, të studionte ligjshmërinë moderne për të zbatuar reformat kushtetuese që kërkonte klasa e re shoqërore e tregtarëve dhe e esnafëve që u formua në Janinë”. (Cituar nga Liço, F.: po aty, f. 92).
-Fleming, Katerin (Katherine Flemming): “Luftërat napoleonike si edhe Revolucioni Francez i lanë mbresa të thella, prandaj ai u përpoq në mënyra të ndryshme të imitonte figurën e Napoleonit, deri në atë pikë sa madje filloi të mendonte për përgatitjen e një kushtetute të tipit francez për popullsitë e tij”. (Fleming, K.: Bonaparti mysliman, Tiranë, 2003, f. 37).