Fotolajm/Astrit Gjunkshi rivjen me librin e ri “Lumi i urtësisë”
Libri që po sjell, në ditët e parë të këtij viti, ka bërë bashkë fjalë të urta, që kam krijuar dhe disa refleksione për kohën që jetojmë, për shoqërinë shqiptare. Idetë dhe mendimet që ato shprehin janë shkruar me përkushtim dhe punë sistematike, gjatë një periudhe 4-vjeçare. Ato janë produkt origjinal i të gjithë formimit tim dhe përvojës sime jetësore. Kam përzgjedhur vetëm një pjesë të krijimeve të mia që i përkasin kësaj fushe dhe që mendoj se janë ndër më të arrirat për t’ia paraqitur lexuesit.
Njeriu mund të shkruaj shumë, por është e rëndësishme cilësia e asaj që shkruan dhe vlera e dobia për njeriun dhe shoqërinë. Këtë kam patur parasysh kur jam ndalur, me shumë kujdes e maturi, që të gdhen mirë çdo element, në çdo fjalë të urtë dhe në çdo refleksion, për çështje që lidhen me zhvillimet sociale e politike të Shqipërisë e të kombit shqiptar.
Disa prej tyre janë postuar nga unë në rrjetet sociale, në portale online apo në ndonjë organ të shtypit tonë. Ditë pas dite, ashtu si pikat e ujit që grumbullohen në një rrëke, më pas në përrenj, pastaj bashkohen e formojnë një lumë me ujë të bollshëm, ashtu edhe krijimet e mia në këto fusha u shtuan vazhdimisht, për të formuar një lumë të tërë idesh e mendimesh. Ai është një ‘lumë’ me dy ‘degë’, në njërën nga të cilat ‘rrjedhin’ fjalët e urta.
Ndërsa, në degën tjetër ‘rrjedhin’, sipas kronologjisë kur janë shkruar, idetë dhe mendimet për tema që trajtohen me gjykim të urtë, me arsyetim racional e të qartë. Ato tregojnë se si mund të jetë më e mirë shoqëria jonë dhe vetë njeriu. Që të dyja këto degë bashkohen në këtë libër, ashtu si degët e një lumi.
A nuk janë lumenjtë që, me ujin e tyre të bollshëm, bëhen jetikë për zhvillimin e shoqërisë? Unë e ofroj për lexuesit këtë ‘lumë’ të ideve dhe mendimeve të mia, me shumë dashuri dhe me bindjen se ai do t;u shërbejë atyre, për sot dhe për nesër. Do t’u shërbejë sadopak për të gjykuar me pjekuri e me gjakftohtësi në rrethanat e ndryhsme të jetës, më gjithë sfidat e saj.
E thënë me dy fjalë, do të ndikojë për t’u bërë më të urtë dhe për të rritur personalitetin. Le të jetë ky libër, lumi i urtësisë që derdhet në detin e dijeve të lexuesve. Përveç dijeve, ata do të gjejnë aty edhe bukurinë e këtij ‘lumi’, bukurinë e fjalës, të shprehurit përmes figurave e mjeteve artistike që burojnë thellë nga shpirti.