Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Ditëlindje, 20.02.1991!

Image may contain: 2 people, people smiling, people standing, closeup and outdoor

 

Ishte 20 shkurt dhe gruaja ime kishte (ka) ditëlindjen.
Atë ditë, 20 shkurt 1991, ne ndoqëm në TV rënien dhe tërheqjen zvarrë nëpër rrugët e Tiranës të statujës së diktatorit. Televizioni e dha disa herë lajmin. Si për ta vërtetuar se nuk e kishin me gjasme, e pamë zvarritjen edhe në revistën televizive kryesore të mbrëmjes. Fiks në orën 20.00.
Donim ta festonim… atë ditëlindje. Po ku?
Në errësirë dolëm të dy dhe drejt e në lokalin më të preferuar për kohën, në hotel Turizmin e qytetit. Hymë në restorant. Kërkuam një darkë me një shishe verë për ditëlindje. Por nuk na e varte njeri. Menjëherë na kthyen krahët.
Në hotel sikur kishte rënë bomba. As ngrohje, as ndriçim, as klientë. Dihej që nëndrejtori i hotel Turizmit ishte dhe oficer i Sigurimit, pra me punësim të dyfishtë. Shumë nga njerëzit e punësuar aty ishin të dyfishtë… e pakta… ishin fort të besuar politikisht.
Rënia dhe zvarrisja rrugëve të Tiranës e statujës së Enver Hoxhës ata njerëz i kishte zënë në befasi. Dhe televizioni e kishte dhënë pandërprerje… pandërprerje. Kjo i kishte plagosur keq.
Ç’kërkonim ne aty? Pse duhet të shërbenin dhe atë natë? Bota e tyre ishte kthyer përmbys. Ishte thyer copë e çikë për të mos u kthyer më. Copë e çikë…
E përsërita kërkesën time. Ndieja që më vështronin me egërsi. Gati nuk e donin veten. Por unë buzëqeshja, isha i sjellshëm. Kërkoja një darkë. Të thjeshtë, sa për dy vetë… As lule, as qirinj. Një pjatë të parë, një të dytë dhe patjetër një shishe verë… dy gota. A nuk ishte ky profesioni i tyre? Kaq kërkoja: të bënin punën për të cilën ekzistonin… për të cilën paguheshin. Mos nuk e pëlqeninn ditëlindjen e gruas sime? Do të shërbenin, apo e kishin mbyllur restorantin? Mos nuk kishin furnizim, apo… ishin të përzitur atë mbrëmje?
Me vonesë, por darkën e bënë. Turivaruar…. dhe shishen e verës e sollën.
…unë dhe gruaja në restorant. Vetëm. Asnjë tjetër… ne të dy. Në një gjysmë errësirë. Pa ngrohje. Por duhet ta festonim. Në ditëzvarrisjen e tyre, ne do të festonim … kishim goxha motiv… Ditëlindjen… asgjë më shumë
Rrugët ishin të zbrazura, pa ndriçim, kur po ktheheshim në shtëpi.
Atë natë Frida më tha se, kur (ata…) e kishin trembur me paralajmërime ogurzeza, ajo kishte vajtur te fallltarja e njohur, te xhexhe Vitua. Falltarja Vito i kishte thënë se njeriu me hënë dhe me yll në ballë (Gorbaçovi) e kishte prishur komunizmin. Nuk dihet si e qysh… por përfundimisht komunizmit i kish vdekur nëna atje, te Moskovi. Ndaj të mos kishte frikë. Nuk ngjallet më. Nëna e komunizmit kishte vdekur mu në vendlindjen e tij, sipas Vitos. Në Moskë. Dhe një gjëje që i vdes nëna, nuk mund të lindet më. Kush do ta ngjallë? Kush do ta lindë?
Rrugët ishin pa ndriçim në qytetitn tonë atë natë. Kishim frikë tek ecnim në errësirë. Veç diçka kishte vdekur diku larg nesh. Kishte vdekur nje frikë e gjate, gjysmëshekullore. Dhe ajo nuk do të ngjallej. Kurrë më.

 20 shkurt 2020.
Please follow and like us: