Akademik Athanase Vantchev de Thracy: ENDËRR ILIRE PËR LIRINË DHE DASHURINË
Libri i poetit të shquar Shaip Emërllahu, lexuesin e mrekullon, e mahnit, e magjeps, e trullos, e bën t’i mbahet fryma apo e trishton. Përmbledhja e tij poetike “Maratona shqiptare” i këndon luftës së vendosur të një komuniteti, që me gjakun e derdhur ëndërron të zërë një vend të denjë nën diellin e një shteti, i cili për një kohë të gjatë ka neglizhuar të drejtat e shqiptarëve të Maqedonisë, për t’i jetuar traditat, doket dhe zakonet e tyre mijëravjeçare e për t’iu gëzuar bukurisë së gjuhës së tyre të lashtë amtare. Emërllahu nuk rresht së mbrojturi të drejtat e popullit të tij. Ashtu, si heronjtë e legjendave ilire, ai lufton burracakëritë, shpirtvogëlsitë, verbërinë, komprometimet… Poezia e tij e bukur është ilustrimi i asaj që në spiritualizmin e krishterë e quajnë “dashuri miqësie”.
Shaip Emërllahu ka luftuar ostracizmin nga pushteti qendror, si poet dhe si universitar. Falë njerëzve si ai, shqiptarët e Tetovës kanë një universitet të mrekullueshëm. Ai e bëri Tetovën vend takimi me poetë nga mbarë bota. Festivali kushtuar poetit shqiptar Naim Frashëri është një nga manifestimet më të njohura kulturore.
Poezitë e tij i këndojnë truallit, ajrit, tokës e maleve të krahinës, por edhe figurave të shquara shqiptare. Shpesh plot aluzione apo referenca që mund t’i shpëtojnë lexuesit perëndimor, por që gjithë lexuesit e tij nga Ballkani i kuptojnë apo i mbajnë mend lehtësisht. Poezitë e tij janë një thirrje për më shumë liri, bashkim përtej kufijve të popullit të tij.
Te Shaip Emërllahu gjejmë nostalgji të madhe për Ilirinë e endërruar, që nuk nxihet kurrë prej hidhërimit, por përkundrazi merr ngjyrimin e një besimi të madh tek e ardhmja dhe mendimi, se çdo ëndërr është paralajmërim i asaj vetë. Kjo poezi tronditëse na qas drejt një populli që prej vitesh ka njohur aq shumë fatkeqësi e ndarje para se të fitojë lirinë. Të gjitha vargjet e këtij poeti unik në llojin e tij burojnë prej një brendësie me tepri… Emërllahu zotëron një ndjeshmëri poetike të jashtëzakonshme. Njeri me kulturë të gjerë, ai e di shumë mirë, se «Antigona ka të drejtë dhe Créon nuk e ka gabim», se ajo çka është e rëndësishme për një njeri, i denjë për ta mbajtur emrin e tij, është cilësia e lartë e ndershmërisë së tij. Emërllahu ka jetuar gjithnjë sipas fjalës së urtë të Plutarkut «t’i frikohesh më shumë dënimit sesa rrezikut”.
Në këtë shprehje të fuqishme poetike ndodhet ajo që unë e quaj elegancë e dëshprimit. Por, aty është dhe precioziteti sensual i gjuhës shqipe, një gjuhe mijëravjeçare, e pasur, e fuqishme, burrërore, kumbuese. Zemra e poetit Emërllahu, zotëron me shumicë hijeshinë hyjnore të dashurisë së pastër dhe dhuntinë evangjelike të shpirtmadhërisë së ëmbël e të qeshur. Gjithë prozodia e tij magjiplote ka në themelin e saj të qëndrueshëm realitete të së përditshmes.
UDHA E SHQIPËRISË
ndiqte diellin e udhës
qençe i dukej
jeta e falë
ngutej të linte
ç’kishte për të lënë
ikte
diellin e udhës
e kishte një pëllëmbë
bora
i shtrihej në ëndrrën
e shprishur
ecja
e dëgjonte lartësive
Një magjepsje, e cila, duke qenë më e fshehtë, pa dyshim është edhe më trallisëse dhe më e thellë. Ndjejmë sesi frutat e pjekura të fjalëve të përzgjedhura me dashuri hyjnë në gojën e poetit me një dhembshuri epshndjellëse. Shpirti bujar, ligjërimi urtak dhe elekuent i tij, duket sikur ia behin prej një dialogu të dendur e tejet të moçëm.
Shpirt e Fjalë mikpritëse si një liqen i gjerë, ku yjet pasi kanë admiruar veten në ujin e kulluar, vijnë e vallëzojnë me nuset e ujrave. Vargjet erotike të Emërllahut kanë një hijeshi që të kënaqin shpirtin. Janë plot dëshirë të rafinuar, si ajo e poetëve të mëdhenj grekë të epigrameve. Vargje që ngërthejnë brenda tyre lidhjen mes kulturës popullore dhe asaj erudite. Ashtu, si vera, ndjenjat e të dashuruarve flenë e zgjohen ndër vite. Ndjenja të pasura, komplekse, të thella, fisnike… Po, fjala, siç e thoshte Holderlin, është pasuria jonë më e pafajshme dhe më e rrezikshmja.
Do të doja ta mbyllja këtë parathënie të shkurtër me këtë poezi të bukur të Shaip Emërllahut:
KAH PO SHKOJMË
bishti i natës
mbeti për çerdhe buklash
gjethi i mëngjesit
plasi me zor
kah tash?!