In memoriam/Poezitë e Kiki Dhimoulës vijnë në shqip nga Arqile Garo
KONFLIKTUALE
Gjithë vjershat e mia për pranverën
mbetën përgjysëm.
E ka fajin vetë pranvera që ngutet të shkojë,
apo fajtor është frymëzimi im që vonon të vijë?!…
Ndaj detyrohem,
pothuaj çdo vjershë për pranverën
me një penelatë vjeshtore
ta përfundoj.
MOMENT PREZANTIMI
(statujë gruaje me duar të lidhura)
Të tërë përnjëherë të quajnë statujë,
e unë të prezantoj si grua vetëvetiu.
Ti zbukuron një park.
E për së largu të ngatërron.
Të mendon sejcili të mbështetur lehtë
si për të risjellë në mend një ëndërr që ke parë,
thuaj se vrull po merr e do ta rijetosh.
Por për së afërmi qartësohet ëndrra:
duart e tua mprapa të lidhura janë
me një litar prej mermeri,
dhe pozicioni yt rrëfen dëshirën
që dikush të të ndihë për t’ i shpëtuar
agonisë së robërisë.
Kështu të porositën te skulptori:
robinjë.
E nuk mundesh një vesë shiu ta peshosh në dorën tënde,
as të ledhatosh një margaritë.
Të lidhura janë duart e tua.
E nuk qënka mermeri, a vetëm Argosi.
Në qoftë se diçka do të ndryshonte,
në marshimin e mermerëve,
në qoftë se statujat do ngrinin krye,
për të drejta e liri
si skllevërit,
të vdekurit
dhe ndjenja jonë,
ti do të çapiteshe
në mes kaosit të mermertë,
përsëri duarlidhur, robinjë.
Të gjithë vetëvetiu të quajnë statujë,
e unë të thërras përnjëherësh grua.
Jo sepse grua të dorëzoi
në mermer skulptori
dhe premtojnë ijet e tua
mbarështrim statujash,
bollëk monumentesh të ngrirë.
Për duart e tua që të lidhura i ke
në kaq shumë shekuj që të njoh,
të quaj grua.
Të quaj grua
pse skllave je.
NUMRI SHUMËS
Erosi,
emër i përveçëm,
i rasës esenciale,
të numërit njëjës,
i gjinisë as mashkullore as femërore,
i gjinisë së pambrojtur.
Numëri shumës,
dashuri të pambrojtura.
Tmerri,
emër i përveçëm
fillimisht i numërit njëjës
e pastaj i shumësit:
tmerret.
Tmerre,
për të gjitha ato ç’ ka vijnë që tani e tutje.
Memorja,
emër i përveçëm i trishtimeve,
i numërit njëjës
vetëm i njëjësit,
i palakueshëm.
Memorja, memorja, memorja.
Nata,
emër i përveçëm i gjinisë femërore,
i numërit njëjës.
Numëri shumës,
netët.
Netët që vijnë që tani e tutje.
VOGËLUSHI IM
Vogëlushi im,
një prapësi të rëndë bëri përsëri.
Në pezulin e universit u kacavarr,
shkundi me dorën e tij
pjatën e kuqe
që ish varur
në murin qiellor
dhe derdhi mbi vete gjithë atë dritë.
Zoti shqeu sytë
kur pa diellin
të veshur me rroba foshnjore
tek zbriste nxitimthi
shkallët e fantazisë time
e rendte drejt meje.
E unë tani rri
dhe qortoj rreptë
vogëlushin tim,
ndërsa fshehurazi vjedh
diellin e derdhur mbi të.
Shqipëroi: Arqile Garo