Xhoi Jakaj: Hap një shkollë se sa të mbyllësh një burg!
Xhoi Jakaj
Në burgun 313 një i paraburgosur vetevaret sepse ka bërë një vjedhje ordiniere e nuk ka gjykata t’i japin një vendim,
B. Hasani, i cili u vetëvar në banjon e burgut “313” me çarçaf, ishte kapur nga policia dhe gjykata ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa priste dënimin, prej pothuajse një viti.
Ai ishte arrestuar për vjedhjen e vetëm 1200 mijë lekëve të reja dhe në këtë mënyrë çështja ka kaluar në gjykatë ku pritej zhvillimi i seancës gjyqësore, por si duket tejzgjatja e procesit i ka shkaktuar të paraburgosurit pendesë, stres dhe depresion dhe kjo i solli momentin kur i dha fund jetës, duke lënë pas familjen nën trysninë e një vdekjeje në paraburgim dhe traumën për vatevarjen e tij.
Edhe njëherë tjetër faktohen më së miri problemet që ka sot sistemi i drejtësisë në vendin tonë ku jo pak herë thuhet se në burgje kanë mbetur vetëm hallexhinjtë, ndërsa lënë të lirë të dënuar me rekorde kriminale.
Në këtë vend vazhdon mungesa e organeve të drejtësisë e kjo rëndon mbi të varfërit dhe të pamundurit.
Ndërsa politika i bën akuza njëri- tjetrit nga një skaj në tjetrin, por asnjë gjëmb nuk hyn në këmbën e tyre…
Si një ish-drejtore e burgut të grave kam prekur nga afër dramën e të paraburgosurave gra që me vite nuk shqyrtohej dosja e tyre e madja jo në pak raste ka pasur tentativa suicidale, por duke qenë burg i vogël menaxhohej dhe paraprihej një rrezik i mundshëm, përpos faktit që policet gra ishin jashtëzakonisht te vëmendshme në kujdesin ndaj të dënuarave dhe të paraburgosurave.
Burgjet në Shqipëri janë të mbipopulluara me të dënuar dhe të paraburgosur nga mungesa e gjykatave për shkak të vetingut dhe kjo ka sjellë konfuzion, vonesa të jashtëzakonshme në shqyrtimin e dosjeve penale dhe civile ku janë me mijëra në sirtarët e gjykatave, në pritje për të hyrë në rradhë.
Për gjithçka flitet në këtë vend, përveç të drejtave të njeriut, për të cilat askush nuk kujtohet; e pra edhe të paraburgosurit, që shpesh prezumohen të pafajshëm kanë të drejtat e tyre dhe duhen respektuar siç bën e gjithë bota.
Hap një shkollë se mbyll një burg… dhe për të rinjtë siguroni politika punësimi që të minimizohen sado pak drama të tilla; papunësia dhe mungesa e arsimimit krijon vese e ku më së shumti koston e paguan jo vetëm personi, por dhe e tërë shoqëria!