Emil Asdurian: Letërsia e Folesë…
Mendime mbi shkrimin e Ardian Vehbiut
“Mjaft shpesh është pikërisht mekanizmi kombëtar i përjashtimit me anë të kulturës së shumicës që prodhon dhe forcon kundër-kombëtarizmin diasporik”*
Do të thoshja, jo aq kundër por dyfish-kombëtar, aq sa në atdhe mendojmë se e kemi psikologjik, kur faji dhe malli ndezin dëshirën për të qenë ende aty, edhe pse ndonjëherë dhe me një zhgënjim plumb të rëndë. E megjithatë, edhe pse jam i një mendjeje për shumë gjëra me autorin, duke marrë shkak dhe nga nxitja e tij për diskutim, do të hidhja këtu disa mendime. Pa marrë asnjë rol tjeter vec atij të vetes dhe pervojës sime në këtë lëmë, dhe për të ndihur lexuesin po ndjek radhën e ideve të shkrimit në fjalë.
“Të gjithë këta janë larguar nga Shqipëria, si pjesë e hemoragjisë katastrofë të këtij një cerek shekulli të fundit, dhe që ende nuk po arrin të ndalet, përkundrazi”. AV.
Sigurisht tanimë nuk ka më nevojë për pasaportizime. Dhe në një shoqëri ku universitetet sipas statistikave prodhojnë me shumë se 90 mijë kuadro në vit, nga të cilët një pjesë e mirë largohet nga vendi, duket si dukuri e natyrshme nën gradients e sotëm ekonomikë dhe politikë, pasi po të rrinin aty, nuk është se do mund të punësoheshin pa qenë anëtarë të partisë, e cila si më parë, në radhë të parë kujdeset për të vetët. Ngjarja m’e fundit në fakultetin elitar të mjekësisë, dëshmon fare mirë për këtë. Hemoragjia është salaso, mjekim dhe shpëtim, të paktën sa të jetë ende e hapur mundësia e qarkullimit të lirë të krahut të punës. Po të ishte tragjedi, populli ynë heroik pa tjetër do kishte bërë diçka, siç bëri në Vlorë kur Selami zuri ‘topin nga gryka’ të na nxirrte në selamet. Ndoshta ky krah/mendje, ështe i vetmi mall që Shqiperia nxjerr ndershëm të shesë në treg. Dhe si edhe më parë nuk sjell për të, të ardhura, aq sa sjell të këtë aq shumë mejhane.
Së dyti, midis të tjerave jo më pak të rëndësishme është siç thotë Vehbiu: Shkrimtaria qenka, me sa duket, një nga ato fusha ku dheu mëmë dhe diaspora duhet të kenë ndërruar vendet, pa çka se asnjë nga emrat e mësipërm nuk mund të klasifikohen, me ndonjë lloj kriteri socio-letrar ose artistik, si ‘shkrimtarë të diasporës’. AV.
Klasifikim-grupimi, gjithmonë i mangët dhe jo plotësisht i saktë, nuk ka pse të bëhet nga vend qendrimi si dikur, këndej apo andej murit të Berlinit, pasi gjërat në këtë shekull kanë ndryshuar rrënjësisht. Edhe pse kushtet politike kanë ndryshuar disi, paksa, në kufi nuk të pret më automatiku dhe njerëzit lëvizin lirshëm, sidomos për pushime jashtë vendit nënshtetasit lëvizin si brenda dhe jashtë vendit me pasaporta biometrike dhe për punë, të përkohshme apo të përhershme dhe ‘diasporsët’ kanë filluar të kthehen e të blejnë apartamente, apo të blejnë shtëpi të ngrysen në mëmëdhenë e tyre që shpesh nuk konsideron të vetët, ose bën sikur s’i njeh dhe i qesëndis ndjenjën. Por tani nuk ka pse të jesh në fole, të shkruash për folenë. Interneti dhe mass media, pa përmendur TV, sjellin një informacion kaq të gjallë dhe të prekshëm sa të gjitha thashethemnajat, gazetat dhe radion, duke përfshirë BBC, Zërin e Amerikës dhe RAI-it, të marra së bashku. Liria e informacionit prishi përfundimisht kufijtë. Nuk ka rëndësi se ku prodhon dhe as se ku blen ose shet. Tregu i lirë global dikton gjithçka tjetër, madje dhe ata të gjorët vise pigmenesh në Pyllin e Shiut në Afrikë, apo nukaket në Amazonë, blenë në Amazonë! Shkrimtari, nuk ka pse të cilësohet më në varësi të vendit ku jeton, por nga lloji i letërsisë që shkruan, zhanri i saj, se në të fundit kur përcaktohet nga vendi ku lindi dhe u rrit. Pra të dy llojet, janë shqiptarë edhe kur shkruajnë në gjuhë tjetër.
“Shtëpia (foleja) nuk është vetëm çështje treve, por e kulturës së njëtrajtshme prej nga bashkësia e diasporës u largua, por tek e cila duhet të mbahet me çdo kusht në mënyrë qe të ruajë gjasinë e saj… Kështu kultura e diasporës është sipas përcaktimit e lidhur me atë çfarë ka humbur, se sa me marrëveshjen me kulturën e shumicës ku vepron”.*
Së fundi, e vërteta është që foleja mbrojtëse dhe ushqyese e shtetit vdiq me Carin(ët) për t’i hapur shoqërisë dyert e Tregut të Lirë, ku në një farë mënyre farkëtohet çdo letërsi apo pjesë arti. Kuptohet, nuk është se s’përfill gjithë të shkuarën dhe përreth, as përjashtoj, krijimin si nevojë e brendshme e çdo kujt, me ose pa titullin e merituar apo jo ‘shkrimtar’, por kjo është e vërteta e akullt. Në këtë vend të përçudnuar, partia nuk ka vdekur, veç veten shet sikur është demokratike, asgjë s’ka ndryshuar. Besnikëria e verbër ndaj udhëheqësit largpamës që vetëm vdekja e zbret nga kurrizet që kalëron. Partizmi, si monedhë qarkullimi të mirash materiale, nga tenderat për biznes tek vendi ku gjendesh në piramidë, e deri në jetën e mëpastajme. Eshtë përsëri po ajo, duke zotëruar mas-median, kanalet televizive, gazeta, revista, ashtu si dhe më parë Lidhjen e Shkrimtarëve, tani më së fundi Carzken e librit! Partia-Para, është kudo e para! Kërkojmë kritikë të mirëfilltë letrare, kur çdo gjë është e përcaktuar nga oligarkia partiake. Kërkojmë treg të lirë shpërndarje libri, kur si më parë është propaganda e partisë që zgjedh pararendësit, i merr në gji të saj, në mos ata fëmijët e tyre. Eshtë ai që me shtëpitë botuese që zotëron, i mëkon të rriten dhe i përkthen t’i lexojë e gjithë bota dhe të mahnitet me zemërgjerësinë dhe petkun e saj të ri, të denjë sipas shekullit. Pasojat e kësaj katrahure fare mirë të organizuar janë:
Vanity publishin, botimi për të vjelë (më shumë së 90% e botimeve).
Promovimi pa kritere të përcaktuara dhe kthjelltësi të procedurës së përzgjedhjes, si nga juritë e botuesve, tek ato të Ministrisë së Kulturës, ku si gjithmonë në mos dorë, gisht ka Cari, apo për para dhe quid pro quo. Dhe mbi të gjitha, pa përmendur institucionet e tregut, ajo me kryesorja: Shkatërrimi i substratit blerës, lexuesit, ku padija sillet e kërkon e verbër. Humbja e vlerës së edukimit të përgjithshëm dhe mbi të gjitha atij gjuhësor në tregun e shit-blerjes së fuqisë punëtore dhe mendore, që në mënyrë paradoksale dhe të papranueshme çon në atë që thotë Vehbiu, ku “të përjashtmit” shkruajnë me mirë se të përbrendshmit.
Por nuk jam i një mendjeje me të kur rreshton disa nga arsyet e kësaj dukurie, të folesë së ngrohtë krijuese, që dhe tani i mban të rriten si të përzgjedhur të veçantë nga turma e të tjerëve. Nuk mendoj se kjo prapambetje vjen:
(a) pamundesinë e izolimit nga e përditshmja, gjithë përvoja e letërsisë botërore flet kundër kësaj. As nga
(b) Trazirat dhe fluiditeti shoqëror, për cilat trazira tragjike e kemi fjalën kur asgjë thelbësore nuk ka ndodhur, as në vend dhe as brenda vetë partive të 90. 30 vjet heshtje!
(c) Politizimi i elitave. Që ka politizim deri tek portierët, s’ka asnjë dyshim? Por të pranosh që ka elita, është në fakt një paradoks, se elita e vërtetë nuk politizohet dhe aq më tepër të tërhiqet prej hunde dhe të vihet e bindur në rresht. Sot ajo elitë duhej të ishte në opozitë! Jo për të penguar, por për të thënë të vërtetën dhe të shtyjë për t’u bërë më mirë. Pastaj, elitizmi, sidomos në Art e Letërsi, nuk trashëgohet si të ishte LSI. S’besoj të jetë tërheqja e vemendjes, apo mungesa e kohës, mungesa e kërkesës për të bërë diçka më të mirë, të re, diç më të ndryshme së më parë, jashtë folesë. Tani nuk ka më kufij, informacioni është i lirë, mjaft që të kërkosh, se nuk ka shkrimtar sot që nuk rreket të leçisë sa të mundet dhe ku të mundet e të mos mjaftohet me trille hamendjesh dhe vuajtje të pa qena. Tregu është aty pa kufij, i përbotshëm. Pritja në fole, vdekje! Siç thosh i ndjeri Kobi Bryant: “Jam më i mirë së ty, se jam perpjekur dhjetë herë më shumë se ty”!
Lakuriq i natës, sa shpezët e ditës s’më pranojnë dhe as zogjtë e natës, në muzg larg prej tyre jetoj… në të fundit s’jam si ata!
Emil P. Asdurian
* Diaspora and Memory, Figures of Displacement in Contemporary Literature, Arts and Politics, Edited by Marie-Aude Baronian, Stephan Besser and Yolande Jansen, Editions Rodopi B.V., Amsterdam – New York, NY 2007, ISBN-13: 978-90-420-2129-7
https://peizazhe.com/2016/06/06/te-perjashtmit/
EA 2/23/2020 all the rights and copyrights are protected!