Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Koha kur opozita nuk është më një emër

 

 Image result for ilir meta

 

Nga mesi i nëntorit të vitit që shkoi, presidenti i Republikës caktoi e 8 dhjetorin si datë ku do thërriste shqiptarët në protestë. Një datë që përkonte me lëvizjen studentore të vitit 1990. Arsyeja të mbrojnë Kushtetutën e vendit. U përmend aty për një vendimmarrje më të gjerë, pra qytetare. Madje dhe zgjedhja e presidentit të bëhet me votën e popullit. Një protestë që nuk u bë për shkak se ndodhi tërmeti i 26 nëntorit. Një fatkeqësi që i dërrmoi më keq shqiptarët, por që i ra si flori me bollëk kryeministrit Edi Rama. Filloi një fushatë të fortë propagandistike, ku si përfundim u siguroi shqiptarëve një borxh të jashtëm për të gjithë ata që do lindin nga ky vit e deri në 2040-ën. Megjithatë të gjithë e quajnë sukses. Dhe për një shoqëri propagandë që nuk njeh brinjët e piramidave financiare të kreditimeve, suksesi është një masivitet me 2 gisht mjaltë përsipër. Afërmendsh nuk ishte më koha e tubimeve.

Sot presidenti po bën të njëjtën gjë, ka ftuar shqiptarët më 2 mars, kjo përkon edhe me stinën, por edhe pranverat politike që tashmë janë bërë pjesë e ndryshimeve të mëdha në rajon e me gjerë. Dhentë Zoti dhe realizohet…, në sfond po kërcënon një virus famëkeq dhe Shqipëria po mbrohet përmes propagandës së një zonje me flokë të kuqe, kimi e gjallë, shkurt propagandë. Ajo që më bën përshtypje në gjithë këtë histori është qullosja e argumentave që jam edhe nuk jam me presidentin. Apo propaganda shtetërore që ka përmbledhur gjithçka në historitë e së shkuarës me florinj dhe vila të Ilir Metës, pra me Ilirin.

Në fakt është presidenti që na e ofruan vetë nga një darkë ngjalash në pazarin e Tiranës, nuk është presidenti i zgjedhur nga populli. Aq sa shqiptarët ata që kanë mbetur qytetarë, jo pensionista partish, janë viktima të postulatit hip se të vrava, zbrit se të vrava. Edi Rama ka arritur në mënyrën më perfektë të krijojë instanca paralele megjithëse Shqipëria i ka. Të gjithë janë të magjepsur përshembull përballë OFL, kjo forcë që gjoja po mbledh paratë e krimit dhe të drogës, mbi deklarimin brenda 48 orëve të pasurisë. Por askush nuk pyet veten, përse Edi Rama dhe OFL-ja e tij nuk bastisin dhe vilat e politikanëve? Sipas Vetingut thuajse në masën 80% arsenali i juristëve shqiptarë nuk justifikonte pasurinë. Kjo i përjashtoi ata nga e drejta për tu zgjedhur në organet e reja të drejtësisë së ahtuqujtur të reformuar, por askush nuk pyeti përse nuk janë pjesë e OFL, a letrave të deklarimit të pasurisë për 48 orë. Askush nuk pyet veten se sa janë dëmet ekonomike nga gjyqet e humbura të qeverisë nga tritoli dhe mbyllja arbitrare e bizneseve të mëdha. Askush nuk thotë përse OFL-ja nuk i dorëzon edhe vet Edi Ramës një mandat 48 orësh për ta plotësuar?

Ky është rasti më i veçantë në historikun e protestave, një president nxjerr qytetarët në shesh. Janë të paktë popujt që Kushtetutën e kanë mbi çdo emër të përveçëm. Në historinë 30 vjeçare të demokracisë sonë, instancat paralele kanë qënë shkelje flagrante e saj. Shqipëria krijon një OFL, megjithëse ka një RENEA apo Grupi Shqiponja, krijon ligje paralele megjithëse i ka qartësisht në Kushtetutë. Madje thyen rekord të injorimit duke emëruar gjyqtarë të lartë në zyra rruge noteriale. Por qeveritë shqiptare krijojnë me shumicë instanca paralele madje sjellin si shembull Italinë e Benito Musolinit, manovrat drastike me Mafien, por që në fund rezultoi jo për të mirën e popullit italian. Por për konsolidimin e një shteti fashist me moton bindu dhe vepro. Viktimë e këtij fashizmi ishim edhe madje pasojat e tija i vuajmë edhe sot në raportet me Greqinë mbi të të ashtuqujturin ligji i luftës. Eshtë rasti i parë që një president kërkon të nxjerrë në shesh shoqërinë civile. Duhet ta bënte opozita. por ajo ka hallin e Lulit, jo të shqiptarëve. Askush sot nuk di si ta konceptojë djegien e mandateve. Megjithëse qe sfida më bukur historike karshi një kuvendi të kapur totalisht nga krimi dhe mbetjet e diktaturës së proletariatit. Premtimi për ndryshimin e sistemit zgjedhor, për listat e hapura, për një president nga populli, mbushi sheshet. Në këtë shpërndarje besimi ku pragu elektoral nuk është më populist si ai vitit 1992, qe një domethënie madhe. Por Luli preferoi këshillat e ca ambasadorëve jo vullnetin e shoqërisë. Dhe nëse vjen në pushtet do kemi një dështak të radhës si ky që kemi, jo atë që i duhet vendit. Kam përshtypjen se lideri që nuk e kupton se fija e ndan triumfin nga humbja, më shumë ka hallin e të ndenjurave të tija se sa të atyre që po flenë akoma në çadra. Nuk është e rastit edhe kjo heshtje për mos deklarimin se do dali apo jo opozita në shesh më 2 mars në mbrojtje të Kushtetutës. Megjithëse koha ka vërtetuar se opozita nuk është emri, a lideri aktual që ka, por rënia totale, pakënaqësia, aspiratat për progres.

Please follow and like us: