Pastrimi i parave, Shqipëria në “listën gri”
Shqipëria u përfshi në listën e vendeve nën monitorim të shtuar, ose siç njihet ndryshe në “listën gri” nga Task Forca e Veprimit Financiar , një organizatë ndërqeveritare e themeluar me iniciativën e G7 për të zhvilluar politika për të luftuar pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe financimin e përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë. Përfshirja në këtë listë do të thotë që vendi konsiderohet me rrezik të lartë, dhe kjo ka pasoja negative për ekonominë dhe imazhin e një shteti. Ministrja e Financave dhe ekonomisë Anila Denaj tha sot se mangësitë kryesore për të cilat vendi mori këtë renditje kanë të bëjnë sipas saj me sistemin e Drejtësisë dhe se vendi ka hartuar një plan veprimi për plotësimin e rekomandimeve brenda këtij viti.
Ndërsa Shqipëria është vlerësuar për aspektet teknike, kryesisht kornizën ligjore të saj për parandalimin dhe luftën kundër pastrimit të parave, ajo duket se ka dështuar në efektivitetin e masave që duhet të zbatojë. Për pasojë Task Forca e Veprimit Financiar (FATF) e cila vlerësoi ecurinë e vendit, e përfshiu atë në listën e vendeve me mangësi strategjike.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj tha sot se vendi ka bërë përparim në shumë aspekte, por se “nga shqyrtimi i detajuar i rekomandimeve më të fundit të FATF-së për përmirësim të mëtejshëm gjatë 2020-2021,është e qartë se mangësitë më thelbësore të konstatuara ju përkasin organeve jashtë Ekzekutivit. Në fokus të efektivitetit janë 2 fusha që lidhen kryesisht me efikasitetin e sistemit të drejtësisë, Prokurori dhe Gjykata”.
Sipas ministres do të duhej një vëmendje e shtuar “në lidhje me domosdoshmërinë e rritjes së dënimeve për pastrim të paravë nga sistemi gjyqësor, sidomos të rasteve të denoncuara dhe raportuara nga institucionet për transaksione me klasifikim të nivelit të lartë risku dhe të kryer nga profesionistë apo persona të tretë të lidhur me organizata kriminale. Si edhe rritja në mënyrë domethënëse e konfiskimeve përfundimtare të pasurive të krimit”.
Por nëse shihet plani i veprimit që autoritetet kanë hartuar së bashku me Task Forcën, janë një sërë aspektesh të tjera në të cilat do të duhet gjithashtu të shënohen përmirësime brenda këtij viti, në mënyrë që të dalë jashtë asaj që njihet dhe si “lista gri”. Shqipëria do të duhet ndër të tjera, të kryej një analizë të thelluar për rreziqet nga pastrimi i parave dhe për të mundësuar forcimin e koordinimit dhe bashkëpunimit institucional. Duhet të përmirësojë trajtimin në kohë të kërkesave për ndihmë juridike të ndërsjelltë, apo të krijojë mekanizma efektive për zbulimin dhe parandalimin e aktivitetit kriminal në ekonomi, si dhe të verë në dispozicion informacione të sakta dhe të përditësuara të pronarëve fundorë në mënyrë periodike.
Vlerësimi nga ana e FATF-së konsiderohet mjaft i rëndësishëm dhe renditja në listën gri, e bën Shqipërinë pjesë të vendeve me rrezik të lartë, gjë e cila mund të ketë efekte negative për ekonominë dhe imazhin e vendit, duke tkurrur besueshmërinë e institucioneve të tij. Pasojat bien dhe mbi sistemin bankar si dhe mund të kenë ndikim mbi investimet e huaja.
Këtë e pranoi dhe vetë ministrja Denaj: “Për Shqipërinë, nuk është një imazh I mirë, nuk është as për investitorët, nuk është as për sistemin bankar i cili prej vitesh ka investuar në strukturat e parandalimit”.
Mbi vendimin e FATF-së ka reaguar dhe opozita. “Jemi vendi i vetëm në Europë që jemi përfshirë në këtë listë dhe kjo tregon që mekanizmat dhe vullneti politik për të luftuar paratë e pista mungon. Lufta kundër pastrimit të parave të pista ka qenë një nga kauzat që PD ka ngritur që në fillim duke kërkuar angazhim serioz kundër një prej krimeve ekonomike më vdekjeprurëse për ekonominë, punësimin dhe shoqërinë”, deklaroi përmes një statusi në Facebook ish deputetja demokrate Jorida Tabaku.
https://www.zeriamerikes.com/a/5299517.html?ltflags=mailer