Ymer Çiraku: Romani i fundit i shkrimtarit Vath Koreshi
Ymer Çiraku
Romani “Gruaja me të verdha në pyllin e Buddha-s”, i shkrimtarit Vath Koreshi, është romani i tij i fundit – në kornizat e një krijimtarie të pasur, afër gjysëm shekullore, me një mori romane, përmbledhje me tregime e novela, skenarë filmash, shkrime publicistike dhe ese letrare. Mbetet ky roman pra, vepra përmbyllëse e shkrimtarit, dhe, sikundër thuhet metaforikisht në këto raste, është kënga e fundit e mjelmës. Sepse tre vjet më pas, në vitin 2006, autori i saj – do të ndërrojë jetë.
Ky vit – shënon edhe 15 vjetorin e botimit të parë të këtij romani, më 2003. Dhe ky fakt, në leximin e sotëm interpretativ të veprës, kuptohet, se e bëjnë të pashmangshëm edhe një raport specifik, që lidhet me pengun e homazhit tonë venerues për këtë shkrimtar dhe intelektual të shquar, njeriun aq fisnik dhe përkrahës i pakursyer për krijuesit e rinj. Sikundër ka shkruar I. Kadare, Vath Koreshi, bënte pjesë midis atyre krijuesve të heshtur, krijimtaria e të cilëve, kishte të bënte thjesht me letërsinë, një letërsi serioze e autentike, me brumin dhe aromën e bukës së shtëpisë, për të cilën, një ditë të gjithë ne kemi nevojë. Ajo ka qëndruar në kufijtë e një letërsie të ndershme.
Sikundër vrehet nga aspekti kronologjik, ky është pra romani, që ia mbërriti të shkelë në shekullin e ri të letërsisë shqipe (XXI).
Krahas romaneve të njohur të viteve të mëparshëm: “Haxhiu i Frakullës”, “Dasma e Sakos”, “Mali mbi kënetë”, “Balada e Kurbinit”, “Mars etj., – pas viteve `90, Vath Koreshi vazhdoi të botojë vepra të tjera romanore si: “Requiem për një grua”(1995), “Ulku dhe Uilli”(1996) dhe së fundi: “Një grua me të verdha në pyllin e Buddhas”(2003). Procedimet kohore të së kaluarës, të preferuara qysh më parë në krijimtarinë e tij, tashmë te këto vepra të pas `90-ës, fitojnë një status të ri e konsistent: ato përthyhen e shkrihen në një alegori gjithëkohësie, pra, në kohën alegorike – e apeluar specifikisht prej autorit kjo kohë si koha djesotnesër (te romani më i fundit i “Një grua me të verdha…”)
Nëpër narrativën e ngjarjeve, ndihet/përcillet dukshëm – koha e destruktuar, e vjetëruar, e arkaizuar estetikisht. Ky konvecion artistik, artikulohet tek e fundit, me synimin për ta potencuar, për ta gjeneralizuar e për ta njehsuar këtë kohë, në të tëra kahjet e rrjedhave të saj, në mugujt e së kaluarës dhe në ardhmëri…Është pra koha eterne, e përthyer në të ashtuquajturin mitin artistik të kohës.
Vepra prezantohet natyrshëm – me disa tipare të njohura të prozës së mëparshme, por tanimë, edhe me një shestim të ri konceptualiteti e ligjërimi artistik.
Ajo, shfaqet si një vepër unikale, e përveçme, por edhe me lidhjet e brendshme me tërë rrjetin stilistik të krijimatarisë paraprijëse. Por gjithsesi, para së gjithash, ajo mbetet vepra e fundit, caku përmbyllës e sovran i autorit. Prej kësaj të arriture të fundit, mund të vrehet dhe pastaj të ravijëzohet gjithë çfarë ajo arrin të sjellë në raport me tërë hartën tematike dhe stilistike të shkrimeve letrare të mëparshme.
Në shumicën prej veprave të tij romanore, V. Koreshi e ka shfaqur si prirje të tij konsistente konceptimin/ndërtimin e tyre mbi një bosht përsiatjesh filozofike mbi botën. Këto janë vepra, që nuk kanë tentuar aq nga modelet e teksteve letrare dëshmuese, se sa janë të prirura/orientuara nga përcjellja e raporteve të ndërlikuara e dramatike të njeriut mbi botën. Në këto tekste, personazhet gjykojnë dhe vetgjykohen, vuajnë dramatikisht dhe hirësohen, kthjellohen e ndriçohen sipas rastit, duke u kthyer shpesh në oshënarë e murgj – të përfshirë nga flakët e kuvendimeve të brendshme e të jashtme, me atribute deri edhe përtej njerëzore, thuajse qiellore apo universale. Një i tillë, është psh Haxhiu i Frakullës, i cili, siç vetrrëfehet ky personazh pas udhëtimeve të tij të gjata odisejane, deri në Samarkandën e largët, kuptoi se u mashtrua tragjikisht nga bukuria e huaj, duke paguar haraçin e endjes baladeske mes endërrës e realitetit (S. Bejko). Te romani “Ulku dhe Uilli”, i ndërtuar/kompozuar si mozaik me gjashtë libra, përcillen travajet cfilitëse të mëkatit njerëzor – përballë moralit fetar dhe përballë kanuneve/traditave të shenjta të fisit, të cilat, enden brenda një kompleksi refleksionesh filozofike. Nëpër thellësitë e shpirtërave të plagosur, kërkohet në mënyrë të paepur kandili i shpresës për ringjalljen e njeriut. Dhe ky kandil, i cili rezulton të ketë mbetur ende i pashuar, është edhe ikona e shpëtimit të tij.
Romani “Gruaja me të verdha…”, është projektuar e formatuar tërësisht brenda kornizave të një qasjeje e vizioni filozofik. Personazhi rrëfyes (Profesori), ka krijuar një raport të tij fantazmagorik e gati të përtejmë me kohën. Për të, nuk egzistojnë pastërtisht dhe ndarazi: e djeshmja, e sotmja, e nesërmja. Pra, ato caqe kohore, nuk ndihen e nuk rrjedhin në rendin e tyre veçmas, madje ato shkrihen dhe këmbehen pafundësisht mes tyre. Që do të thotë, se zotëron një kohë tjetër: Djesotnesër-ja, si një kohë shpirti, e cila, ka një tjetër rrjedhë dhe që matet me të tjerë kalendarë, aspak astronomikë.
Sipas visionit të mbartur prej personazhit rrëfimtar, i artikuluar në trajtë dialogu filozofik mbi shtjellat e jetës, gjendja e çdo individi nuk është tjetër, veçse rrjedhojë e gjendjes së kaluar të tij dhe njëkohësisht, po aq shkak i të ardhmes së tij. Kjo është pra, gjithëkoha, një dimension gjithëpërfshirës ky, i pa limituar dhe ku shkrimtari, në këtë rrëfim përsiatës autorial, rezulton të jetë në sintoni me atë që e kishte shprehur prej herës edhe Lasgush Poradeci, në ato kuvendimet e njohura sokratike me miqtë dishepujt e tij, kur thoshte se: koha as ikën dhe as vjen, ajo është dhe ne jemi brenda saj… Ky është pra ai arketipi i kohës, që i lidh tërë kohët dhe autori e funksionalizon këtë procedim filozofik – për t`i dhënë veprës frymë universale e prandaj edhe moderne, por që siç është shprehur një estet i njohur (A. Uçi), pa e cënuar kurrsesi specifikën estetike të tekstit të tij letrar. Pikërisht me këtë synim, lidhet ai gërshetim e shkrirje mes ngjarjesh e kulturash, të afërta e të largëta, duke përcjellë mesazhin e destinit të përjetësisë së njeriut – e arritur/siguruar/garantuar kjo përjetësi, përmes vlerave shpirtërore, të cilat ai i krijon e që ato vlera u përcillen pastaj brezave.
Në ligjëratën e tij, kur i dorëzohej çmimit Nobel (1987), poeti i shquar rus J. Brodskij, pati vënë në dukje, veç të tjerash se, krahas metodës së njohjes analitike dhe njohjes intuitive, krijuesit kanë aftësinë/shqisën e tyre të dalluar, që të vënë në shfrytëzim edhe nga ato metoda që përdorin profetët – me ndërmjetësinë e zbulesës.
Edhe në letërsinë dhe posaçërisht në prozën shqipe, janë të njohura disa përvoja të shfrytëzimit dhe tretjes në to të doktrinave biblike, me përvijime idesh substanciale mbi raportet e njeriut me botën. Mund të veçojmë psh sa për ilustrim vepra të të shquara si: Çeta e Profetëve (Cuneus Prophetarum, 1685) e Pjetër Bogdanit, apo E madhe është gjëma e mëkatit (1947) e Mitrush Kutelit. Përtej petkut religjioz dhe predikatës e funksionit të tyre biblik, në to, qiellorja dhe tokësorja ceken, përplotësohen dhe nuk e përjashtojnë kurrsesi njëra tjetrën. Vepra e Bogdanit, është vlerësuar nga studiuesit (në mënyrë të veçantë nga I. Rugova) për forcën e saj abstraguese, emocionale dhe imagjinative – me konturet rrëfimore, që mund ta përcaktojnë atë si bërthama dhe si inaguruese e romanit të parë shqiptar. E po ashtu, me statuse të mëtejmë: si Komedia hyjnore shqiptare, si themeli i humanizmit shqiptar, i modernitetit intelektual – me shtytjet apo stimulanset paravajtëse, që ajo vepër i shfaq njëherësh. Te novela e Mitrush Kutelit, Tat Tanushi, e përjeton dashurinë njerëzore/tokësore dhe detyrimin/përkushtimin hyjnor në rrafshin e ideve, duke provuar plagët e pashëruara dhe gjunjëzimin para mëkatit, për t`ia mbërritur dora dorës katarsisit e ringjalljes, deri sa ai bie: …në gju me kryet në tokë… e puthi tokën. Qiellorja dhe tokësorja, mbartin shkallëzimin e kodit religjioz (S. Bashota). Sikundër është thënë diku, egzistenca njerëzore është e pashkëputur nga komunikimi i përhershëm me qiellin, jeta është e pamundur pa komunikimin me transcendenten, ndryshe, ajo jetë nuk do të ishte tjetër veçse kaos.
Besojmë se V. Koreshi, është i pari autor në letërsinë shqipe, që e ka konceptuar romanin e tij të fundit në frymën e një doktrine religjiozo-filozofike lindore, e konkretisht të doktrinës budiste. Në vepër, kjo doktrinë, nuk ka atributet e një dekori të jashtëm, as synon që të rrezatojë imponueshëm dogmën e saj, por ajo është funksionalizuar brenda mesazhit filozofik që përcjell – sigurisht me synimet dhe shenjat adekuate të artit. Përmes përsiatjeve e kujtesës rreth kësaj doktrine, kohët më të largëta, sillen në mjediset më të afërta dhe madje aktuale. Ligjërimi i personazhit rrëfyes, rrjedh me një ritëm predikues e apostolik, duke u krijuar e u ndjerë gjithaq: atmosfera e një kohe të largët, por edhe të ardhmeje, si paracaktim i shtyrë përtej fuqisë së njeriut. Sipas kësaj doktrine, gjithë jeta është dhimbje, gjithë jeta është është vuajtje. E shkaku i kësaj dhimbjeje, është dëshira, apo sikundër ajo quhet në gjuhën e doktrinës: tanha. Tejkalimin e kësaj gjendjeje plot dramacitet të thellë prej dhimbjes, pra, shpëtimin e tij nga vuajtja, njeriu e arrin në shuarjen e flakës së dëshirës (tanha-as), që shpie në nirvanë. Dëshirat, lakmitë, zilitë, përbëjnë thelbin e trishna-s, e cila është vet vuajtja e pandarë e njeriut, i cili, e ka për misionin e tij, që të ndjekë rrugët e vërteta fisnike – për largimin e të gjitha shkaqeve të kësaj vuajtjeje dhe për të fituar çlirimin prej saj.
Romani është konceptuar si një univers, me të gjitha pamjet kohore: të djeshmen, të sotmen, të nesërmen. Janë të pranishëm në këtë univers, qiejt e besimit të amëshuar dhe toka me lëndinat e lulëzuara dhe kënetat/zgëqet e frikshëm. Dimensionet sakrale dhe profane, përcillen në një spirale të pafundme brenda shpirtit të njeriut, si realitete të përkundërt këto, por, jo të pavarur prej njeri tjetrit.
Funksionon pra, ajo e ashtuquajtura koha rrethore, ku ngjarjet dhe personazhet vërtiten në një lakore të përmbyllur, ku ndihet se nuk ka as fillim e as fund, e ku janë dhe përjetohen të tëra sëbashku. E në një lakore të tillë kronotopike (kohëvendësije – mund të thoshim), duket se gjithëshka lëviz/udhëton pafundësisht dhe pafundësisht kthehet po në pikën e nisjes. Pikërisht atje ku nisja është edhe mbarim dhe anasjelltaz. Prandaj edhe një procedim i tillë rrëfimor, krijon në vepër tiparet strukturore të një palimpsesti, pra, duke u artikuluar një tekst me shumë shtresa ngjarjesh dhe përjetimesh, si teknikë narrative kjo, që vjen qysh nga romanet e mëparshëm të autorit, sidomos e shfaqur si e pranishme te “Ulku dhe Uilli” (B. Kuçuku). Dokumentet e lashtë në gjuhën pali, vizionet budiste dhe përsiatjet konfuciane, ngjarjet dhe qëndrimet regresive e kontraverse të Revolucionit Kulturor kinez, arroganca despotike e By Pol (Byrosë Politike të PPSH), këto e të tjera situata referenciale nëpër pjesët e romanit, krijojnë së toku efektin e vështrimit/përjetimit kaleindoskopik mbi botën, ku mund të depërtohet njëherazi nëpër shumë vise dhe nëpër shumë epoka ngjarjesh, nga më të skajshmet. Ndodh ashtu si coprat e një pasqyre të krisur/thyer, që shfaqin pamje të ndryshme të mjedisit përreth, po të sjellim për asiocim një imazh të përshkruar nga I. Kadareja, te tregimi i tij antologjik “Nusja e gjarpërit”. Ky lloj procedimi artistik, është një tipar që reflektohet dendur, sidomos në narrativën e prozës moderne, i cili, është vrejtur edhe në vepra të tjera të letërsisë shqipe, sidomos në romane të Anton Pashkut (“Oh”), Kasëm Trebeshinës (“Odin Mondvalsen”) etj.
Edhe në këtë vepër, V. Koreshi shfaq prirjen e tij të kahershme për t`i përcjellë lexuesit tekste me një gjuhë të përzgjedhur nëpër tërë shtresat e shqipes: në rrafsh hoziontal dhe vertikal të pasurive të saj të pashterrshme. Ai bën pjesë ndër ata krijues, që ka zgjedhur të mbajë mbi vete peshën e asaj, që është quajtur si varësi despotike nga gjuha, e konkretisht, varësi fiksasive nga visaret e shqipes. Ai nuk është shkrimtari që kërkon thjesht dhe vetëm fjalën e goditur, për të dëshmuar thellësinë dhe specifikën historike të ngjarjeve, për të skalitur tiparet nga më të skajshmet të personazheve, e po kështu, për të krijuar sa më bindshëm koloristikën e mjediseve të përcjella. Edhe në këtë vepër të fundit, vazhdon të shfaqet ajo sfida e tij e njohur (edhe në romane të mëparshëm) e kapërximit të diversitetit dialektor, dmth e kapërximit të sinoreve dialektore, duke i pasqyruar gjithë pasuritë dialektore me adhurimin dhe vetëdijen krijuese – për vlerat që ato mbartin e sjellin në letërsi e më gjerë (F. Dado). Me vetëdijen se letërsia, është para së gjithash gjuhë, se gjithshka që ajo synon të mbart – nuk e përcjell me tjetër instrument, veçse përmes gjuhës, ky shkrimtar e ka obsesionin e tij, që të qëmtojë në të tëra rrjedhat historike dhe dialektore të shqipes. Duke krijuar letërsi, e cila është kombinim shenjash gjuhësore, pra gjuhë, atëhere rezulton se shkrimtari – është po aq edhe krijues i gjuhës, në kuptimin e rolit të tij të autoritetshëm në zgjimin dhe zgjerimin kreativ të pasurive të saj.
Romani “Gruaja me të verdha…” i V. Koreshit, është romani që solli risi konceptuale: rimodeloi artistikisht filozofitë e lashta të lindjes dhe budizmin, duke përcjellë me përsiatje filozofike e ndjesi të vlerësuar, lakoren e udhëtimit të njeriut nëpër shekuj. Vizioni religjioz dhe dijet filozofike, të lashta e të reja, këtu këmbehen e harmonizohen natyrshëm, në funksion të zbulimit të thelbit të njeriut: si qënie imediate egzistenciale, por edhe me laboratorin e tij të ndërlikuar shpirtëror. Ku gjallojnë një mori fasha përjetimesh e përndezjesh të brendshme, të errëta e të shndritshme, të ulëta e qiellore, të cilat, krijojnë së toku betejën e madhe të jetës së njeriut.
Theksuam në krye, se ky roman, e mbërriti kronologjikisht shekullin e ri të romanit shqiptar. Por, duhet kujtuar se e arriti, jo vetëm dhe thjesht kronologjikisht. Para së gjithash, e mbërriti me vlerat e reja që solli, të cilat, duket se ishin përgatitur dora dorës, nëpër veprat e krijimtarisë së tij të mëparshme. Siç shprehej vet shkrimtari, në një nga intervistat e tij më të fundit (2005), ky është një roman për zhgënjimet tona dëshpërimisht të hidhura. E prandaj, ai e gjen edhe shtegun më të sigurt e përvijues të shprehjes artistike: në filozofinë budiste të përballimit të vuajtjes. Mund të themi se metaforikisht ky është romani i përballimit të vuajtjes.