“Fillimi i vitit 2020 do ta gjejë vendin me Gjykatë të Lartë”, premtimi i pambajtur i ministres Etilda Gjonaj
Gjykata e Lartë prej thuajse një viti nuk funksionon për shkak të vakancave të krijuara, njëlloj siç po ndodh me Gjykatën Kushtetuese. Ndërsa ende nuk dihet kur do zgjidhet ngërçi për rinisjen e punës së kësaj gjykate, mbi 34 mijë çështje janë në pritje të shqyrtimit. Sipas një vlerësimi të INFOÇIP llogaritet se për t’i dhënë rrugë pirgut me dosje do të duheshin më shumë se 20 vite.
Mediat raportuan më 27 dhjetor 2019 se ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj, në një takim me gazetarë tha që fillimi i vitit 2020 do ta gjejë vendin me Gjykatë të Lartë. Procesi, sipas saj ishte vonuar për shkak të kompleksitetit dhe kontrollit të kandidatëve, por me rinisjen e punës së kësaj gjykate do të ulej stoku i dosjeve.
“Faktoje” iu drejtua znj. Gjonaj më 19 shkurt 2020, duke e pyetur nëse i qëndron këtij parashikimi, por nuk morëm përgjigje.
Gjykata e Lartë sot është jashtë funksionit, ndryshe nga zotimi i ministres Gjonaj dhe ka vetëm një anëtar në përbërjen e saj. Ky fakt dëshmohet në faqen zyrtare të këtij institucioni.
Vitin e kaluar INFOÇIP bëri publike rezultatet e një studimi 5-vjeçar mbi Gjykatën e Lartë. Sipas këtij studimi rezulton se nga 1 janari 2015 deri më 30 prill 2019, kur u dha vendimi i fundit, para se të pushonte së funksionuari Gjykata e Lartë ka dhënë 4054 vendime përfundimtare. Performanca më e mirë ishte ajo e vitit 2015 me 1462 për rekurset e pranuara. Deri në momentin e nxjerrjes së raportit, INFOÇIP kishte përllogaritur një stok në pritje për t’u gjykuar prej rreth 30 mijë dosjesh. Nëse Gjykata e Lartë do të jepte vendime për këto dosje me mesataren e vitit 2015, do t’i duheshin 20 vjet për t’i dhënë rrugë të gjitha çështjeve.
Përmes kërkesës për informacion pyetëm Gjykatën e Lartë për numrin e çështjeve në pritje të gjykimit. Sipas kësaj gjykate backlog aktual shkon në mbi 34 mijë dosje, por sqaroi se numri i çështjeve të depozituara gjatë 2019-s është 6152 dosje. Pjesa tjetër prej 28 863 janë çështje të mbartura nga vitet e kaluara. Me të njëjtën përllogaritje që përdori INFOÇIP, për numrin aktual të dosjeve, Gjykatës së Lartë do t’i duheshin më shumë se 23 vjet pune për të dhënë vendime për të gjitha çështjet.
Faktoje kontaktoi drejtorin e INFOÇIP, zotin Gerti Shella, i cili dha këtë vlerësim:
“Situata e krijuar ne Gjykatën e Lartë përfaqëson përmasën më dramatike të efekteve të padëshiruara ose të pamenduara fillimisht që solli implementimi i Reformës në Drejtësi. Në shtator të 2019 teksa ne ekspozuam çështjet e backlog-ut kërkuam me urgjencë marrjen e masave për zgjidhjen e situatës. Është për të ardhur keq që organet e reja gjyqësore nuk kanë arritur të adresojnë situatën e krijuar. Kjo i ngarkon ata me përgjegjësi direkte përballë qytetarëve shqiptarë.”-u shpreh Shella.
Gjykata e Lartë sot
Kur klikon në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë bie në sy se vendimet e fundit i përkasin në rastin më të mirë, vitit të kaluar. Ndërsa “lajmi i ri” është një çmim akorduar kësaj gjykate, si një ndër institucionet më transparente për vitin 2019.
Me nisjen e procesit të reformës në drejtësi, disa anëtarë të Gjykatës së Lartë dhanë dorëheqjen, të tjerë u shkarkuan nga vetting-u, mes tyre edhe kryetari Xhezair Zaganjori në korrik të vitit të kaluar me vendim të KPA. Prej kësaj periudhe gjykata ka në përbërje vetëm një gjyqtar, që është edhe Kryetari i KED (Këshilli i Emërimeve në Drejtësi) zoti Ardian Dvorani. Pesë gjyqtarë të tjerë, Albana Boksi, Enton Dhimitri, Saida Dollani, Sokol Binaj e Dhimitër Lara, që në fakt i përkasin Gjykatës së Apelit, janë komanduar në Gjykatën e Lartë në mënyrë që të shqyrtojnë pranimin ose jo të rekurseve dhe kërkesat për ekstradim. Këto të fundit kanë një afat 3-mujor për t’u shqyrtuar. Nëse brenda këtij afati nuk arrin shqyrtohet kërkesa për ekstradimin e personit që kërkohet nga një shtet i huaj, ai mund të lirohet. Avokati V.A. përmend 2 elementë që i konsideron si paligjshmëri për Gjykatën e Lartë sot. Së pari, qëndrimi në detyrë i anëtarit Ardian Dvorani të cilit i ka mbaruar mandati prej disa vitesh dhe po ushtron mandatin e dytë, gjë që nuk lejohet me ligj.
Praktikisht, thotë juristi, komandimi i këtyre gjyqtarëve bëhet vetëm për të rrëzuar rekurset, pasi sot për sot Gjykata e Lartë është në kushtet e pamundësisë së gjykimit të çështjeve edhe nëse pranohen si rekurs.
“Faktoje” kontaktoi me shefen e marrëdhënieve me median dhe publikun për Gjykatën e Lartë, Ida Vodica e cila shpjegon:
“Gjykata e Lartë, me ligjin e vjetër duhet të kishte në përbërje 19 gjyqtarë, por sot pritet që KLGJ të caktojë numrin e anëtarëve të kësaj gjykate, në përputhje me kërkesat e reja ligjore të reformës në drejtësi (në 2016). Kjo lidhet edhe me nisjen e funksionimit të kësaj gjykate, pra caktimi i numrit të anëtarëve nga KLGJ dhe emërimi i tyre në detyrë.”
Sipas znj. Vodica, pasojat kryesore të këtij ngërçi bien mbi qytetarët, ndërsa preku edhe çështjen e ekstradimeve:
“Pasojat kryesore sigurisht që bien mbi qytetaret, palë në proces, të cilët prej më shumë se një viti nuk po marrin shërbimin e kërkuar, pra dhënien e drejtësisë nga kjo gjykatë, e cila në këto kushte nuk mund të gjykojë asnjë çështje, përveç atyre të ekstradimeve me gjyqtarë të caktuar nga KLGJ, pasi ka në përbërje vetëm një gjyqtar.”
Numri më i madh i çështjeve në pritje të shqyrtimit i përket kategorisë civile+administrative, me 29 482 dosje. Në kategorinë e dosjeve civile futen edhe disa nga çështjet më delikate, si pensionet e ushtarakëve, për të cilët çdo ditë vonesë është dëm i qenësishëm.
Shqetësimin për mungesën e një Gjykate të Lartë funksionale e ka shprehur edhe Presidenti i Republikës, zoti Ilir Meta, më 21 shtator 2019 përmes një postimi në faqen e tij në Facebook.
Ky postim sot nuk gjendet më në faqen e kreut të shtetit, pasi është fshirë nga profili i tij në Facebook. Madje presidenti ka ngritur edhe padi penale, ndaj të vetmit anëtar të Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani.
Ai për të cilin flitet sot, kur Gjykata e Lartë ashtu si edhe Kushtetuesja janë të bllokuara, është konflikti institucional i krijuar, qeveri-president-kuvend, duke sakrifikuar çdo ditë që kalon dhënien e drejtësisë për qytetarët, një mohim i të drejtës që u takon me Kushtetutë.