Arti, gjuha që nuk njeh kufij politikash dhe shtetesh, tashmë e ka bashkuar kombin shqiptar
Artur Nura
Padyshim që arti, letërsia në përgjithësi dhe muzika në veçanti, mund të trajtohen si mënyra perfekte komunikimi, të cilat në momente të veçanta mund të superojnë edhe gjuhët kombëtare të shoqërisë njerëzore. Ato arrijnë të bashkojnë jo vetëm pjesë të ndara të një kombi, por mund të bëjnë që kombe të ndryshëm dhe me probleme historike t’i harrojnë ato dhe të shoqërojnë të njëjtën këngë, të bien dakord me mesazhin e të njëjtit, film, poezi, novelë apo roman! Askush nuk mund të dalë kundër artit, letërsisë realiste, apo muzikës në veçanti të cilën e duan të gjithë, qofshin këta kundërshtarë politikë, lokalistë, flasin gjuhë të ndryshme, apo kanë qenë dikur armiq, dhe sot edhe pse bëjnë sikur bashkëjetojnë, vazhdojnë të mos harrojnë dot të shkuarën peng!
Të gjitha këto së bashku dhe secila më vete në mënyrë të veçantë kalojnë kufijtë e nacionalizmave ballkanike, që në historinë e përbashkët të kombeve tona kanë sjellë vetëm luftëra, urrejtje, shpërngulje, zemërim dhe krenari kombëtare idiote për gjithsecilin.
Në ditët e sotme të integrimeve politike globale, të cilat janë më të mëdha se vetë Ballkani, ndërsa klasat politike respektive edhe për shkak të votave që u nevojiten janë akoma peng e së shkuarës të hidhur historike ndërmjet kombeve përkatëse, arti, letërsia dhe veçanërisht muzika i kanë lënë pas këto handikape të së shkuarës.
Arti, letërsia dhe muzika pa kufij
Për shembull relacionet e Shqipërisë me Greqinë edhe pse vazhdimisht thuhet se janë të shkëlqyera, nivele shkëlqimi gjen vetëm në relacionet kulturore midis dy popujve dhe jo midis dy klasave politike, të cilat kanë akoma gjëra pa zgjidhur!
Për shembull, ndërsa Athina zyrtare thotë se nuk ekziston rasti i shkeljes së të drejtave themelore të pakicës çame, këta të fundit ndërsa organizuan një koncert madhështor (në bashkëpunim me Teatrin e Operës dhe Baletit) në nder të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, aty u kënduan këngë greke nga këngëtarja me origjinë greke, Irini Qirjaqi, e cila këndoi gjithashtu edhe këngë çame.
Ndërsa të dyja kombet përkatëse shqiptare–greke kanë elementë të caktuar, të cilët e shohin të ardhmen me sytë dhe metodat e dala boje të së shkuarës dhe gjuhës së urrejtjes, sërish kënga mjaft popullore në Greqi e këngëtarit Lefteris Pantazis – Tope tope o Papagalos – në duet me këngëtarin korçar Devis Xherahu dhe me performancë dygjuhëshe gjen audiencë të shkëlqyer si në Shqipëri ashtu edhe në Greqi.
Ndërsa në Greqi edhe në ditët e fundit bëhet me dije trajtimi çnjerëzor që iu bënte policia disa emigrantëve shqiptarë në një proces gjyqësor, regjisori grek pjesëmarrës në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit realizuar në Durrës, nëpërmjet gjuhës së filmit të tij sheh tek eksperienca e emigrantëve shqiptarë në Greqi historinë e emigrimit të kombit të tij dhe kërkon të shitet dhe shihet edhe në Shqipëri.
Kufijtë që ndajnë kombin, pa vlerë përballë muzikës popullore shqiptare
Turi i muzikës popullore shqiptare ideuar dhe realizuar nga TV Klan, në një pjesë të mirë të rretheve të Shqipërisë dhe më pas në Ulqin të Malit të Zi, padyshim që tregon se arti dhe muzika nuk njohin kufij shtetërorë!
Për më tepër kur kjo e fundit është popullore dhe tradicionale, ajo gjen përtej gjuhës së notave muzikore e cila është universale për të gjitha kombet, edhe gjuhën kombëtare, e cila shoqëron muzikën dhe nxit zemrat të ndihen më afër.
Shoqërimi që iu bë pothuajse të gjitha këngëve popullore të të gjithë Shqipërisë, Jug, Veri dhe Shqipërisë së Mesme nga spektatorët ulqinakas, tregoi më së miri faktin se kufijtë shtetëror në të tilla raste nuk kanë asnjë vlerë përballë kulturës së një kombi.
Kjo ndodh, sepse këngët popullore i ndjekin dhe i dëgjojnë të gjithë shqiptarët e Ballkanit pavarësisht kufijve shtetërorë! Nëpërmjet demokracisë globale dhe lëvizjes së lirë të mallrave dhe njerëzve, ato janë të kudondodhura.
Personalisht jam i bindur se një koncert i tillë do të kishte të njëjtin sukses, si në Ulqin apo Mal të Zi edhe në Kosovë, Maqedoni dhe Greqi, ku shqiptarët jetojnë prej shekujsh. Këngët popullore do të shoqëroheshin “live” nga të gjithë spektatorët, të cilët tashmë i dinë përmendësh.
Kori shoqërues në këtë rast do të ishte shumështetësh, por njëkombësish dhe dinamika do të ishte sipas ritmeve muzikore tradicionalë dhe paqedashëse! A nuk duhet të mësojë edhe politika ballkanase nga arti, letërsia dhe muzika?