Beqir Gërbi: Pakti detar me Greqinë
Pas marrëveshjes për kufijtë detare të 2009-s nga të djathtët, qeveria “Rama” ka ngritur një grup të ri pune për të diskutuar mbi mundësinë e një marrëveshje të re me Greqinë.
Tirananews.al ka biseduar me një prej ekspertëve më të mirë për këtë çështje, Beqir Gërbi, i cili ka qenë shef i shtabit të flotës detare të Shqipërisë (1981-1990) dhe kryetar i komisionit për përcaktimin e vijës së Shelfit Kontinental Shqipëri-Itali (1982-1990).
Profesor Gërbi nënvizon se marrëveshja e arritur nga të dy qeveritë (Komisionet), me vullnetin e tyre të lirë në 2009-n që vendosen kufirin detar, ku dhe si gjykuan vetë dhe e firmosën, gabuan duke sjellë korrektim të vijës së kufirit të ujërave territoriale në favor të Greqisë, pasi nuk kanë analizuar veçoritë gjeografikë te ishujve sipas kërkesave e dispozitave ligjore të konventës detare,ishullit Fanos(Otonoi) dhe ishullit Erikuoza. Profesor i njohur nënvizon se përmes këtij gabimi, ishulli Fanos u favorizua për t’u bërë pikë referuese në përcaktimin e kufirit të Shelfit Kontinental në favor të Greqisë.
Ai vlerëson se është tepër e rëndësishme që të përcaktohet Zona Ekskluzive Ekonomike me shumë saktësi,sipas dispozitave ligjore e normave të konventës detare UNCLOS-82 pasi,duke përcaktuar ZEE, kemi përcaktuar kufirin e Shelfit Kontinental që përfshin fundin e detit dhe nënburimet e zonës nënujore detare mbi të cilën shteti bregdetar gëzon sovranitet. Gërbi thotë se ky problem do të ishte zgjidhur shumë mirë edhe nëse kjo çështje do të shkonte në Gjykatën Ndërkombëtare për të Drejtën e Detit, e cila do të ballafaqonte marrëveshjen me dispozitat ligjore e normat e konventës detare duke korrigjuar edhe gabimet e lejuara dhe me saktesi do të përcaktonte vijën e kufirit të shelfit kontinental Shqipëri-Greqi.
Përkundër deklarimeve të bëra nga PS,Gjykata Kushtetuese dhe shume botues se vija e kufirit detar Shqipëri-Greqi është e saksionuar në Protokollin e Firencës të 27 janarit 1925, Gërbi sqaron se Protokolli i Firences nuk ka përcaktuar kufi detar Shqipëri- Greqi dhe nuk mund t’i referohemi në përcaktimin e kufijve detarë.
Nga Beqir Gerbi*
1.-A duhet vepruar në këto momente një marrëveshje me Greqinë për kufijtë detarë dhe si është vepruar para vitit 1990?
Kam mendimin se jemi tepër të vonuar në nënshkrimin e marrëveshjes së detit për shelfin kontinental me Greqinë, por edhe me Malin e Zi. Për të filluar kërkimet në det, të dyja shtetet jane të interesuara që të përcaktohen sa më parë kufijtë detarë,
Pozitive është fakti se: Të dyja shtetet (Shqipëria e Greqia) janë palë në konventën detare UNCLOS-82 dhe kanë një mendim që, përcaktimin e vijës së kufirit detar midis dy shteteve të bazohen në dispozitat ligjore e normat e konventës detare UNCLOS-82, duke përjashtuar mendimin e disave se kufiri detar Shqipëri-Greqi është përcaktuar në Aneksin III të Protokolli Firences të 27 janarit 1925.
Pa u ndalur në imtësira,Protokolli Firences nuk përcakton me saktësi kufirin detar Shqipëri-Greqi, por jep një orientim të përgjithshëm në drejtimin Jug-Jugperëndim, në një sektor të hapësirës ujore detare prej 45 gradë, duke filluar nga Piramida III/79.
1.-Mbarimi i Luftës së II Boterore i gjeti shtetet bregdetare pa konventë detare.
Në vitin 1958, me kërkesë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB në Gjenevë, zhvilloi punimet konferenca e parë UNCLOS-I. Në këtë konferencë u miratuan: 4 konventa detare: “Konventa mbi Ujërat Territoriale (UT-58); Konventa mbi Shelfin Kontinental;Konventa mbi Peshkimin dhe ruajtjen e Burimeve të gjalla në ujërat ndërkombëtare”. Shtetet pjesëmarrëse nuk arritën konsensusin në përcaktimin e gjerësisë së ujërave territoriale dhe të zonës detare fqinje.Shteti shqiptar nuk u bë palë në konventën detare UT-58, pasi nuk pranoi kalimin paqësor të anijeve luftarake të shteteve të huaja në ujërat territoriale të vendit tonë.
Megjithëse konventa UT-58 nga shumë shtete bregdetare u miratua, në jetë nga shtetet bregdetare nuk gjeti zbatim.Konferenca e dyte UNCLOS-II e zhvilluar në vitin 1970,po në Gjenevë, pësoi të njëjtin fat. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së vendosi zhvillimin e Konferencës Ndërkombëtare për miratimin e konventës detare UNCLOS-III.
Mbledhjen e parë e zhvilloi në vitin 1973 (Gjenevë); të dytin në vitin 1974(Venezuelë) dhe të tretin në vitin 1982 në Xhamajkë.
Duke punuar në mënyrë konstante për 10 vjet, më 30 prill 1982, në Konferencën e Montego Bay, u miratua konventa detare UNCLOS-III ose e ashtuquajtura konventa detare UNCLOS-82,me: 130 vota pro; 4 vota kundra dhe 17 vota abstenime.
Konventa detare UNCLOS-82 (pa kapitullin XI) hyri në fuqi në formën e nënshkruar më 16 nentor 1994, firmosur nga 166 shtete.
Me rishikimin, korigjimin dhe përpunimin e dispozitave ligjore të kapitullit XI-të e cila u miratua më 28 korrik 1996, iu ribashkua konventës detare UNCLOS-III, duke formuar paketën e plotë ligjore të sistemit ndërkombëtar të së drejtës së detit.
Konventa UNCLOS-82, e cila përmban 320 dispozita ligjore, konsiderohet nga shtetet palë që e kanë ratifikuar si Kushtetuta e Oqeanisë Botërore.
Shteti Shqiptar përsëri nuk u bë palë, nuk e ratifikoi konventën detare UNCLOS-82. Arsyet:
1.-Legjislacioni shqiptar nuk pranonte kalimin paqësor të anijeve luftarake të huaja në ujërat tona territoriale.
2.-Nuk pranonte gjerësinë e ujërave territoriale 12 milje detare (1 milje detare = 1852 metra), pasi në vitin 1975, me dekret, e kishte përcaktuar gjerësinë e ujërave territorial 15 milje detare.
Republika e Shqipërisë, Konventen detare UNCLOS-82 e ka ratifikuar në datën 23 qershor 2003, duke u bërë shteti 143 palë.
Shteti shqiptar me t’u bërë palë, duhet që dispozitat ligjore e normat e konventës detare, t’i konsiderojë si pjesë përbërëse të ligjshmërisë së saj, të kërkojë njohjen dhe zbatimin rigoroz të konventës në marreveshjet me shtetet e tjera bregdetare përballë ose përbri në delimitimin e hapësirave ujore detare.
Me keqardhje, por botues të ndryshëm, biles edhe me tituj shkencorë, me mendimet e tyre kanë krijuar padashje një konfuzion në njohjen, trajtimin dhe zbatimin në praktikë të dispozitave ligjore e normat e përcaktuara të konventës detare.
Kështu: “Ata pranojnë që konventa detare UNCLOS-82 ka përcaktuar dispozita ligjore e norma për delimitimin e kufirit detar ndërmjet shteteve, por Konventa nuk ka marrë përsipër t’u imponojë atyre që të veprojnë detyrimisht sipas percaktimeve ose kritereve të fiksuara prej saj.Ata jane krejtësisht të lirë që me vullnetin e tyre të plotë të vendosin kufirin detar, ku dhe si ta gjykojnë vetë. Sikurse janë të lirë, gjithashtu që të mos e caktojnë shprehimisht, por të pranojnë reciprokisht në heshtje përcaktimet e fiksuara në legjislacinet e tyre përkatëse”.
Mendime të tilla janë të gabuara pasi të çojnë në: “Mohimin e konventës detare UNCLOS-82; mohimin e dispozitave ligjore e normave të caktuara të koventës detare, të cilat shërbejnë për delimitimin me saktësi të hapësirës ujore detare si dhe ne mohimin e Gjykatës Ndërkombëtare të së Drejtës së Detit e cila trajton ekzkluzivisht konfliktet ligjore që rrjedhin nga moszbatimi rigoroz i dispozitave e normave të Konventës Detare.
Po i referohem shprehjes se, :Ata janë krejtësisht të lirë që me vullnetin e tyre të vendosin kufirin detar,ku dhe si ta gjykojnë vetë”. Le ta ballafaqojmë me marrëveshjen e detit Shqipëri-Greqi të vitit 2009.
Të dy qeveritë (Komisionet),me vullnetin e tyre të lirë, vendosin kufirin detar,ku dhe si gjykuan vetë dhe e firmosën. Të dy qeveritë e gjykuan që përballë ishullit të Korfuzit të zbatohej Ekitea, duke korrektuar vijën e kufirit të ujërave territoriale në favor të Greqisë dhe duke mos analizuar veçoritë gjeografike të ishujve sipas kërkesave e dispozitave ligjore të konventës detare, ishullit Fanos(Otonoi) dhe ishullit Erikuoza i dhanë Vijë Bazë. Këto janë në papajtueshmëri me konventën detare, d.m.th janë të gabuara.
Me këtë veprim, ishullit Fanos u favorizua për t’u bërë pikë referuese në përcaktimin e kufirit të Shelfit Kontinental në favor të Greqisë.
Sipas dispozitave ligjore e normave të konventës, si pika referimi janë kepi Gramës(Shqipëri)-kepi perëndimor ishulli Korfuzit (Greqi).
Nëqoftëse shteti shqiptar do e çonte problemin në GJNDD, ajo së pari, do e ballafaqonte marrëveshjen me dispozitat ligjore e normat e konventës detare, do korrigjonte gabimet e lejuara dhe me saktësi do përcaktonte vijën e kufirit të shelfit kontinental Shqipëri-Greqi.
Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të së Drejtës së Detit do ishte i detyrushëm për zbatim nga të dyja qeveritë. Kjo do ishte rruga e drejtë e zgjidhjes së problemit.
Partia Socialiste e Shqipërisë (PSSH) duke parë se,”Presidenti i Republikës së Shqipërisë nuk ishte vënë në dijeni për marrëveshjen e detit Shqipëri-Greqi se Komisioni i ngritur nga qeveria shqiptare ishte në papajtushmëri me Nenet: 3,4,7 dhe 92/e të Kushtetutës,si dhe disa mangësi të konstatuara në metodologjinë e përcaktimit të kufirit detar Shqipëri-Greqi,vendosi ta çojë për kontroll, gjykim dhe vendim në Gjykatën Kushtetuese.
Lidhur me çështjen e legjitimitetit të kërkesave të PSSH, Gjykata Kushtetuese thekson se para se të shprehet për bazueshmërinë e pretendimeve të kërkuesit që lidhen me përmbajtjen e marrëveshjes objekt gjykim, e vlerëson të nevojshme të bëjë të njohur fillimisht kriteret e kontrollit ku ajo do të mbështetet gjatë shqyrtimit të tyre.
Për këtë, Gjykata Kushtetuese thekson se: “Nisur nga objekti i kërkesës, Gjykata Kushtetuese, bazuar në nenin 131/b të Kushtetutës kontrollon marrëveshjet ndërkombëtare para ratifikimit nga Kuvendi lidhur me pajtushmërinë e tyre me kushtetutën.
Meqënëse Kuvendi e ka ratifikuar Konventën detare UNCLOS-82, më dt:23 qershor 2003,veprimi i Gjykatës Kushtetuese për kontrollin, gjykimin e marrjen e vendimit që lidhen me njohjen e zbatimin konkret të dispozitave ligjore e normave të konventës detare në marrëveshjen e detit Shqipëri-Greqi, të cilat ngrihen nga kërkuesi është në papajtushmëri me Nenin-131/b si dhe me Nenin-122 të Kushtetutës.
Neni-122 i Kushtetutës:
1.-Çdo marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar përbën pjesë të sistemit të brendshëm juridik pasi botohet në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë.Ajo zbatohet në mënyrë të drejtëpërdrejtë.
2.-Një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar me ligj ka epërsi mbi ligjet e vendit që nuk pajtohet me të.
3.-Normat e nxjerra prej një organizate ndërkombëtare kanë epërsi, në rast konflikti, mbi të drejtën e vendit, kur në marrëveshjen e ratifikuar nga Republika e Shqipërisë për mungesë pjesëmarrjen në atë.
Cila do ishte rruga më e drejtë për Gjykatën Kushtetuese në zgjidhjen e problemeve të ngrituara nga kërkuesi PSSH për marrëveshjen e detit të vitit 2009 Shqipëri-Greqi ?
E para.-Gjykata Kushtetuese meqeneëse,konstatoi se Presidenti i Republikës nuk kishte dijeni për marrëveshjen e detit me Greqinë si dhe ngritja e Komisionit nga qeveria shqiptare ishte në papajtushmëri me Nenet 3,4,7,92/e të Kushtetutës, ishte në të drejtën e saj për ta bërë “Zero” marrëveshjen e detit midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë.
E dyta.-Të mos pranonte të analizonte, kontrollonte, gjykonte dhe të merrte vendime nëse marrëveshja e detit Shqipëri-Greqi-2009 është bërë në përputhje me dispozitat ligjore e normat e Konventës Detare UNCLOS-82. Këtë të drejtë e ka GJNDD.
Me keqardhje, por shumë vërejtje,propozime e vendime të Gjykates Kushtetuese nuk përputhen me dispozitat ligjore e normat e Konventës detare.
Kuptohet se çdo anëtar i gjykatës Kushtetuese gëzon të drejtën si çdo qytetar, të shprehë mendimet, të bëjë vërejtje për ato që e gjykon të gabuar si dhe të bëjë propozime konkrete për korrigjimin e tyre.
Pozitive është fakti se të dyja qeveritë ranë dakord që të vazhdojnë bisedimet për arritjen e një marrëveshje të re.
2.-Nocionet e hapësirave ujore detare të përcaktuara nga konventa detare.
Sipas Konventës Detare UNCLOS-82, shteti bregdetar gëzon sovranitet mbi këto nocione të hapësirës ujore detare: Ujërat e Brendshme detare; Ujërat Territoriale dhe mbi Shelfin Kontinental.
Konventa detare përcakton si nocion edhe Zona Ekonomike Ekzkluzive(ZEE) dhe Zona e Puqur Detare (ZPD).
Çdo nocion matet nga Vija e drejtë Bazë.
Sipas konventës, Vija Bazë është vija e drejtë që bashkon kepat më të dalë të bregdetit në periudhën e zbaticës detare. Gjatësia e vijës bazë, jo më e madhe se 24 milje detare.
-Ujërat e brendshme detare(UBD), quhet hapësira ujore detare nga vija bazë në drejtim të bregut-tokës.Shteti bregdetar gëzon sovranitet të plotë mbi këtë hapësirë ujore detare.
Hyrja e anijeve të huaja në UBD bëhet me leje nga shteti bregdetar.
-Ujërat Territoriale (UT) quhet hapësira ujore detare nga vija bazë në drejtim të detit të hapur.Gjerësia e ujërave territoriale 12 milje detare. (neni-3). Vija kufitare detare e UT është njëkohësisht edhe kufiri shtetëror i shtetit bregdetar. Shteti bregdetar gëzon sovranitet të plotë mbi këtë hapësirë ujore detare mbi fundin e detit të kësaj hapësire si dhe mbi hapësirën ajrore të saj. Anijet e huaja, përfshirë dhe anijet luftarake (nëndetëset në gjendje të mbiujshme), lejohen të bëjnë kalimin paqësore sipas parimit në “rrugën më të shkurtër dhe sa më shpejt” duke zbatuar kërkesat e përcaktuara në konventë detare për kalimin paqësor.
Sqaroj se përcaktimi i Vijës Bazë, Ujërave të Brendshme Detare dhe Ujërave Territoriale janë Akte të njëanshëm të shtetit bregdetar. Grafikisht, çdo nocion përcaktohet duke zbatuar dispozitat ligjore e normat e konventës detare.
-Shelfi Kontinental (SHK), i një shteti bregdetar përfshin fundin e detit dhe nënburimet e zonës nënujore që shtrihet përtej detit të tij territorial deri në distancën 200 milje detare.
Një favor të tillë për të shtrirë kufirin e Shelfit kontinental në distancën deri 200 milje detare e kanë shtetet bregdetare oqeanike. Matja e distancës bëhet nga Vija Bazë, por ShK fillon shtrirjen përtej vijës së kufirit të ujërave territoriale të shtetit bregdetar.
Përcaktimi i vijës së kufirit të Shelfit Kontinental, midis shteteve bregdetare (përballë ose përbri) bëhet me marrëveshje.
-Zona Ekonomike Ekzkluzive(ZEE) i një shteti bregdetar është hapësira ujore detare që shtrihet përtej detit të tij territorial deri në distancën 200 milje detare. Matja bëhet nga vija bazë, por ZEE fillon nga vija e kufirit të ujërave territoriale.Vija e kufirit e ZEE midis shteteve bregdetare (përballë ose përbri) përcaktohet me marrëveshje. Mbi hapësirën ujore detare të ZEE, shteti bregdetar nuk gëzon sovranitet, pasi hapësira ujore detare përtej vijës detare të kufirit të Ujërave territoriale, konsiderohet ujëra ndërkombëtare ku zbatohet parimi i lundrimit të lirë.
Po pse Greqia këmbëngul kaq shumë për ZEE ?
Shqetësimi është i drejtë por, ky shqetesim vjen nga mosnjohja e konventës detare.
Media, kohët e fundit ka trajtuar qëndrimin e Greqisë për marrëveshjen e Re të detit si dhe ka publikuar deklaratën e Kryetarit të ri të delegacionit të Parlamentit Europian në Komitetin e Stabilizimit Asocimit, Shqipëri – Bashkimi Europian ku thekson se,”ka sigurisht çështje bilaterale që duhen zgjidhur si delimitimi i ZEE mes dy vendeve”.
Komentuesit, të shqetësuar për problemin e marrëveshjes së re të detit për mungesë informacioni si dhe duke u bazuar në deklaraten e deputetit të Parlamentit Europian, arrijnë në disa konkluzione si:
-Ky është një konfirmim se mes Greqisë e Shqipërisë nuk diskutohet më kufiri detar, por vetëm hapësira e shfrytëzimit ekonomik në ZEE. Kufiri detar është çështje e mbyllur,duke lënë në fuqi marrëveshjen e detit 2009.
-se, nga pala greke, kufiri detar quhet çeshtje e mbyllur.
-kufiri detar si i tillë është pranuar edhe nga Rama dhe quhet çështje e mbyllur etj, etj.
Më lart, duke iu referuar konventës detare UNCLOS-82, sqarova nocionin e Shelfit Kontinental dhe të Zonës Ekonomike Ekskluzive.
Theksova se shteti bregdetar gëzon sovranitet vetëm mbi Shelfin Kontinental për qëllime kërkimi dhe shfrytëzimi të burimeve të saj natyrore. Hapësira ujore detare e ZEE, konsiderohet si ujëra detare ndërkombëtare, shteti bregdetar nuk gëzon sovranitet mbi ZEE.
-Ja pse Greqia këmbengul kaq shumë për ZEE:
Për të përcaktuar kufirin e Shelfit Kontinental që, përfshin fundin e detit dhe nënburimet e e zonës nënujore detare, shtetet bregdetare (përballë ose përbri) fillimisht ndajnë hapësiren ujore detare midis tyre e cila është emërtuar ZEE.
Duhet kuptuar se, ZEE dhe Shelfi Kontinental, janë dy sipërfaqe (njëra fundi i detit dhe tjetra hapësira ujore detare), të vendosura ose të palosura njëra mbi tjetrën, me të njëjtat vija të kufirit, me të njëjtat madhësi, me të njëjtat koordinata gjeografike, të cilat maten nga vija bazë, por fillojnë përtej kufirit detar të ujërave territoriale.
Nëqoftëse dy shtete bregdetare (përballë ose përbri), kanë rënë dakord që me marrëveshje të përcaktojnë kufirin e Shelfit kontinental, konventa detare u rekomandon që fillimisht të përcaktojnë kufirin detar të ZEE.(Psh.Po marr marrëveshjen Shqipëri-Itali).
a.-Konventa detare rekomandon që ndarja e hapësirës ujore detare të bëhet me metodën e baraslargësisë nga kepat. Kjo ndarje të filloje nga ku distanca midis tyre është më e vogël.
Konkretisht,u fillua kepi Gjuhëzës (Shqipëri)-kepi Otranto (Itali).
(Për përcaktimin e vijës së kufirit ujor detar të ZEE Shqipëri-Itali, në bregdetin shqiptar morën pjesë: kepi Gjuhëzes-kepi Sazanit-kepi l.Vjosa-kepi l.Seman-k.Turrës-k.Pallës.
Kepi Rodonit u la për marrëveshjen e Shelfit Kontinental Shqipëri-Mali Zi.
Kepi Gramës u la për marrëveshjen e Shelfit Kontinental Shqipëri-Greqi.
b.-Konventa rekomandon që shtetet bregdetare pasi përcaktuan vijën e baraslarguar nga kepat të përcaktojnë gjiret të cilat plotësojnë kërkesat e Nenit-10.Kërkesa e nenit-10 është kjo: Nëse, sipërfaqja e hapësirës ujore e gjirit është më e madhe se sipërfaqia e gjysmë rrethit, diametri i të cilit është vija e drejtë që bashkon hyrjen e të thelluarës (gjirit).
Kjo vijë e drejtë që bashkon hyrjen e të thelluarës, quhet vija “përmbyllëse” për ta dalluar nga Vija e drejtë Bazë. Sipas konventës, vija përmbyllëse nuk ka kufi për gjatësinë e saj, ndërsa për Vijën Bazë, konventa e përcakton, jo më e madhe se 24 milje detare.
c.-Përballë gjirit, i cili plotëson kërkesat e Nenit-10,konventa kërkon që të zbatohet Ekitea. Të korrektohet vija e kufirit detar që përcaktuam me metodën e baraslargësisë nga kepat.
Meqënëse gjiret në bregdetin shqiptar dhe në bregdetin italian nuk plotësojnë kerkesat e nenit-10,vija e kufirit e ZEE Shqipëri-Itali, mbetet ajo e përcaktuar,sipas pikës-a.
Për sqarim, këto veprime e matje kryhen nga Instituti i Hartografisë.
Këtë vijë kufiri të hapësirës ujore detare të ZEE që përcaktuam më lart,(duke marrë si shembull Shqipëri-Itali), po ta shtrijmë në thellësi deri në fund të detit, kemi përcaktuar vijën e kufirit të Shelfit Kontinental (Shqipëri-Itali).
Prandaj, ka shumë rëndësi që ZEE të përcaktohet me shumë saktesi sipas dispozitave ligjore e normave të konventës detare UNCLOS-82 pasi, duke përcaktuar ZEE, kemi përcaktuar kufirin e Shelfit Kontinental që përfshin fundin e detit dhe nënburimet e zonës nënujore detare mbi të cilën shteti bregdetar gëzon sovranitet.
Meqënëse,ka disa keqkuptime sqaroj:Nocionet e hapësirës ujore detare mbi të cilat shteti bregdetar gëzon sovranitet të plotë, shtrihen në gjerësi, njëra pas tjetrës (deti brendshëm; deti territorial; Shelfi Kontinental),ndërsa palosja ndodh për Shelfin Kontinental i cili shtrihet poshtë ZEE.
4.-Per marrëveshjen e detit Shqipëri-Greqi si duhet vepruar ?
Së pari, duhet të përcaktojmë se kujt dokumenti do t’i referohemi për delimitimin e hapësirave ujore detare Shqipëri-Greqi?
Në delimitimin e hapesirave ujore detare Shqipëri-Greqi, kemi përplasje mendimesh, të shprehura në media e të botuara në libra.
a.-Komisioni, në delimitimin e hapësirave ujore detare Shqipëri-Greqi e vitit-2009 i është referuar dispozitave ligjore e normat e konventës detare UNCLOS-82.
b.-Ndërsa PSSH,Gjykata Kushtetuese dhe shumë botues (profesor e personalitete) i qëndrojnë fort mendimit se vija e kufirit detar Shqipëri-Greqi është e saksionuar në Protokollin e Firencës të 27 janarit 1925 se, “kufiri detar shqiptaro-grek ishte i njohur, i përcaktuar edhe me koordinata”. Për çudi, koordinatat nuk i botojnë.
Deklarime të tilla, “me zë dhe figurë” i kanë bërë edhe në “Zërin e Amerikës”, se kufiri ujor detar Shqipëri-Greqi është saksionuar në Protokollin e Firences së 27 janarit 1925.
Unë i qendroj mendimit se, Protokolli i Firences nuk ka përcaktuar kufi detar Shqipëri-
Greqi dhe nuk mund t’i referohemi në përcaktimin e kufijve detar.
Ja pse,Protokolli i Firences,nuk mund të shërbejë si dokumenti bazë për delimitimin e hapësirave ujore detare. Po i referohem Protokollit të Firences.
Në tekstin e tij shkruhet:”Duke filluar prej shenjës kufitare Nr.III/79, vija e kufirit drejtohet nga Jug-Jugperëndimi, zbret shkëmbinjtë shumë të pjerrët dhe pas rreth 10 metër takohet me bregun e detit.Pastaj ajo vazhdon deri në kufirin e ujërave territoriale, duke ndjekur një vijë normale me drejtimin e përgjithshëm të bregut të detit. Ishulli i vogël i Tongos i ngelet Shqipërisë”.
Për ta kuptuar më mirë tekstin po e ndaj në dy pjesë:
Së pari:Nga takimi me bregun e detit (piramida III/79) deri në takimin me vijën e kufirit e ujërave territoriale. Ky veprim përcakton vijën e kufirit të Ujërave territoriale Shqipëri-Greqi në gjirin e Ftelias.
Drejtimi Jug-Jugperëndim është një sektor 45 gradë, që fillon nga Piramida III/79.(Drejtimi Jug=180 gradë; drejtimi Jugperëndim =225 grad). Në këtë sektor, me kulm në Piramidën III/79 mund të hiqen 45 vija një gradëshe, por asnjëra nuk shërben si vijë e kufirit detar Shqipëri-Greqi.
Por edhe Protokolli i Firences nuk e përcakton se cilën vijë duhet marrë si vijë kufiri detar. Kurse “Ata”e mendojnë, por nuk e deklarojnë cilën vijë.
Së dyti: PSSH në piken 4/8 thekson se: “Nuk ishte i nevojshëm përcaktimi i kufirit
të hapësirave ujore detare midis Shqipërise dhe Greqisë pasi ky kufi ka qenë i përcaktuar më parë. Në Protokollin e Firences-1913 është pranuar se kufiri midis Shqipërisë dhe Greqisë në zonën e kanalit të Korfuzit kalon përmes
ngushticës, gjë e cila nuk ështe kontestuar asnjëherë nga palët”.
Protokolli i Firences, në përcaktimin e vijës së kufirit detar të Ujërave Territoriale në kanalin e Korfuzit, përsa di, nuk jep metodikën se si do të përcaktohet kufiri detar.
Kjo nuk është harrese e Komisionit të Protokollit të Firences. Duhet pranuar se në atë kohë nuk ishte miratuar ndonjë konventë detare ku të përcaktoheshin nocionet e hapësirave ujore detare, dispozitat ligjore, normat, parimet e metodologjia e përcaktimit të kufijve detarë midis shteteve bregdetare (përballë apo përbri).
Fjalën “përmes” që përdorin Ata,nuk përputhet me fjalën që përcaktohet sot për kufirin detar “i baraslarguar nga kepat”.(Neni-15.UT-58).
Fjala “përmes” nuk është e njëjta gjë me metodën”i baraslarguar nga kepat’ në përmbajtje.
Kur thua “përmes”, nënkuptohet se hapësira ujore detare midis dy shteteve është e barabartë, duke iu referuar vijës bregdetare të shteteve. Për një ndarje të tillë nuk ka metodikë.
Në përcaktimin e vijës së kufirit detar midis shteteve (përballë ose përbri),
Konventa detare rekomandon metodën e baraslarguar nga kepat.
Fillimisht, përcaktojmë pikat që janë të baraslarguar nga kepat, çdo pikë është e baraslarguar nga tre kepa (2+1) të shteteve (përballë ose përbri) që bëjnë marrëveshje. Bashkimi i pikave që përcaktuam me metodën e baraslargësisë, formojnë vijën e kufirit detar të ujërave territoriale. Bashkimi me vijë i kepave që morën pjesë në përcaktimin e vijës së kufirit detar formojnë vijën bazë. Çdo pikë në vijën e kufirit detar është e baraslarguar nga vija bazë e shtetit përkatës.
Meqënëse u mungon metodika, nuk janë në gjendje të përcaktojnë grafikisht vijën e kufirit detar në gjirin e Ftelias dhe në kanalin e Korfuzit.Prandaj hamendësojnë e zëvendësojnë fjalën “normale” me drejtimin e përgjithshëm të bregut të
detit me fjalën “perpendikulare’ si sinonim të saj,duke ndryshuar drejtimin e vijës së kufirit detar në 90 gradë ose duke e zëvendësuar fjalën”normale” me fjalën “pingule”duke çuar kufirin detar në ajër.
Së dundi-Këtë problem e ka zgjidhur më së miri DASH.
Në vitin 1960, DASH, ka botuar Atlasin e Madh Botëror. Në faqen 113, në gjirin e Ftelias, në kanalin e Korfuzit duke vazhduar deri në veri-perëndim të ishullit Fanos (Otonoi), ka paraqitur grafikisht vijën e kufirit të ujërave territoriale Shqipëri-Greqi. Këtë vijë kufiri detar, DASH e ka përcaktuar duke iu referuar Nenit-15 të konventës detare UT-58. Përmbajtja e Nenit-15:
“Në rastet ku distanca midis dy shteteve është e kufizuar (kur gjerësia e hapësirës ujore detare midis dy shteteve bregdetare është më e vogël se 24 milje detare BG),vija kufitare shtetërore duhet të jete e baraslarguar përkatësisht nga vija bazë e bregdetit të shteteve që janë përfshirë në
përcaktimin e kufijve detar, duke marrë për bazë zbatimin e parimit të
baraslargësisë, paanshmërisë, drejtësisë.
5.-Si është vepruar nga Flota Luftarake detare(FLD) para vitit 1990 ?
Para vitit 1990, Komanda e FLD përcaktonte kufirin e Ujërave të brendshme dhe kufirin e Ujërave Territoriale, duke u bazuar në Dekretet ose vendimet e Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore të Shqiperisë.
Akti i parë në përcaktimin e Ujërave të Brendeshme Detare dhe kufirin e Ujërave Terriroriale në vendin tonë ishte pas Çlirimit, Vendimi i Këshillit të
Ministrave,Nr.168,dt:9.12.1946,i cili përcaktonte gjerësinë e Ujërave Territoriale-6 milje detare.
-Me Dekret të Presidentit të Kuvendit Popullor Nr:335 dt:9.3.1961,gjerësia e Ujërave Territoriale u përcaktua-10 milje detare.
Me Dekret Nr:4650 dt:9.3.1970, gjerësia e Ujërave territoriale u përcaktua
12 milje detare.
-Me Dekret Nr:5384 dt:23.2.1976, gjerësia e UT u përcaktua 15 milje detare.
Në Dekret përcaktohej: Ujërat Territoriale të RPSH,shtrihen gjatë gjithë bregdetit të saj në gjerësinë prej “X” milje detare, duke filluar nga vija e drejtë bazë që shkon nga derdhja në det e lumit (l) Buna nëpër kepin e Rodonit;k.Pallës;k.Lagjit;l.Seman;l.Vjosa;k.Sazanit;k.Gjuhëzës;k.Harushës;
k.Gramës;k.Palermos;k.Qefalit;k.Sarandës.
Nga kepi Gramës, Ujërat Territoriale të RPSH shtrihen midis bregdetit
shqiptar- ishujve grekë e kanalin e Korfuzit.
Si veprohej për zbatimin e Dekretit ?
a.-Duke bashkuar me vijë të drejtë kepat, të përcaktuara në Dekret, kemi përcaktuar vijën bazë. Sipas Konventës kërkohet që Vija Bazë nuk duhet të jetë më e madhe se 24 milje detare.Nga matjet rezultojnë se vijat bazë nga derdhja e l.Buna deri në kepin e Sarandës janë më pak se 24 milje detare. Brenda kërkesës së konventës detare.
b.-Hapësira ujore detare që shtrihet nga vija bazë në drejtim të bregut është deti i brendshëm ose ujërat e brendshme detare.
c.-Hapësira ujore detare që shtrihet nga vija bazë në drejtim të detit të hapur është deti territorial ose ujërat territoriale.Vija e ujërave territoriale është dhe vija e kufirit shtetëror.
Nga kepi Rodoni deri në kepin e Gramës, në çdo kep, kemi hedhur dy vija bazë.
Në vijat bazë të çdo kepi, hedhim një vijë perpendikulare në drejtim të detit të hapur.
Me kompas, me madhësinë e përcaktuar në Dekret p.sh.12 milje detare, në çdo vijë perpendikulare hedhim gjerësinë 12 milje dhe e shënojmë pikë. Duke bashkuar pikat e shënuara, kemi përcaktuar kufirin e ujërave territoriale.
-Me ligjin Nr:7366 dt:24.3.1990, me kërkesë të herëpashershme të Komandës FLD,u bë ndryshimi i Dekretit për gjerësinë e ujërave territoriale të RPSh.
a.-Gjerësia e ujërave territoriale u përcaktua 12 milje detare në përputhje me Nenin-3 të Konventës detare UNCLOS-82 (ishte 15 milje detare).
b.-Në ujërat territoriale, u lejua kalimi paqësor i anijeve luftarake të huaja (nëndetëset në gjendje të mbiujshme).
Me këto korrigjime mund të konkludojmë se Shqipëria pranoi zyrtarisht konventën detare
UNCLOS-82.
6.–Qeveria ka krijuar një grup të dyte pune.Pse u shkri i pari?
-a.-Komisioni i ngritur nga Qeveria ishte në papajtushmëri me Nenet:3,4,7,92/e të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë,prandaj Gjykata Kushtetuese e bëri “Zero” marrëveshjen.
b.-Komisioni në marrëveshjen e vitit 2009 kishte pranuar që përballë gjirit të Korfuzit të zbatohej Ekitea. Me këtë veprim, korrigjuan në favor të Greqisë vijën e kufirit shtetëror Shqipëri-Greqi, të përcaktuar sipas Nenit15. (Ky veprim është i gabuar)
c.-Komisioni, ishullin Fanos e Erikouza i ka përfshirë brenda vijës bazë. Ky veprim është i gabuar, në kundërshtim me dispozitat ligjore e normat e konventës detare UNCLOS-82.
Një gabim i tillë ka sjellë që si pika referimi në përcaktimin e kufirit ujor detar të ZEE ose të Shelfit Kontinental Shqipëri-Greqi të jenë kepi i Gramës-ishulli Fanos.
Po të kishin analizuar veçoritë e ishujve sipas konventës detare, ishulli Fanos dhe ishulli Erikuoza nuk duhej përfshirë brenda vijës bazë.Atëherë,si pikë referimi në përcaktimin e kufirit ujor detar të ZEE Shqipëri-Greqi,do ishin kepi Gramës-ishulli Korfuzit.(gabim i dytë)
Shkrirja e grupit të parë ishte domosdoshmëri.
Çfarë do bëhet ndryshe nga marrëveshja e parë?
a.-Ngritja e Komisionit u bë në pajtushmëri me Kushtetutën dhe u firmos nga Presidenti.
b.-Besoj se përballë gjirit të Korfuzit nuk do të zbatohet Ekitea.Nuk do ketë korrigjim të vijës së kufirit shtetëror Shqipëri-Greqi të përcaktuar sipas Nenit-15 të konventës detare.
c.-Besoj se,si pikë referimi në përcaktimin e kufirit ujor detar të ZEE(SHK) do jetë kepi Gramës-ishulli Korfuzit. Do korrigjohet vija e kufirit detar e ZEE (SHK),të përcaktuar në marrëveshjen e viti-2009. Me këtë veprim Shqipërisë do i kthehet hapësira ujore detare e ZEE(SHK) të fituar nga Greqia, duke vendosur barazi-paanshmëri-drejtësi.
7.–Pse është kaq e vështirë të gjendet një marrëveshje mes palëve?
Së pari, dihet se delimitimi i hapësirave ujore detare është një çështje themelore për shtetet bregdetare.Procesi i përcaktimit të kufijve detarë midis shteteve bregdetare është e ndërlikuar, pasi pleksen interesa të karakterit politik, ligjor, gjeografik, ekonomik, të cilat janë shumë komplekse nga ana juridike dhe të veshtira nga ana praktike për t’i zbatuar.
Këto hapësira ujore detare gjenerojnë interesa të fuqishme ekonomike e politike. Rreth 90% e tregtisë botërore qarkullon nëpërmjet hapësirave detare e oqeanike.
Së dyti, qeveria shqiptare, ndaj këtij problemi kaq të rëndësishëm nuk i ka kushtuar kujdesin e duhur për të përcaktuar kuadro të përgatitura dhe me eksperiencë. Komisioni u ngrit në papajtushmërinë me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, (nenet:3,4,5,7,92/e).
Miratimi nga Komisioni dhe nga dy qeveritë të marrëveshjes-2009,tregoi se dispozitat ligjore e normat e konventës detare UNCLOS-82,nuk njiheshin nga përmbajtja teknike e juridike si dhe zbatimin konkret nga ana metodike.
-Nga Komisioni nuk është kuptuar përmbajtja juridike Nenit-15,7,10 të Konventës detare. Kërkesa e Nenit-15 zbatohet, ku hapesira ujore detare është e kufizuar (më e vogël se 24 milje detar.BG).
Neni-7(është nën-juridik), përcakton se gjatësia e Vijës Bazë është deri 24 milje detare. Kur ajo është më e madhe se 24 milje detare, atëherë ajo korrektohet, zbatohet Ekitea duke e shtrirë vijën e Ujërave Territoriale brenda gjirit. Bregdeti shqiptar nuk disponon gjire me gjatësi mbi 24 milje detare.
Neni-10 (është nën-juridik), i cili shërben për zbatimin e Ekitës, korrigjimin e vijës së kufirit detar të ZEE (shelfit kontinental).
Konventa detare saktëson se ku hapësira ujore detare midis shteteve është e kufizuar nuk zbatohet kërkesa e Nenit-10. Kjo tregon se Komisioni ka pas mangësi në njohjen e dispozitave ligjore e normat e Konventës detare.
Bregdeti shqiptar nuk disponon gjire për zbatim të nenit-10.
Prandaj në konventën detare përcaktohet se Neni-7 dhe 10 janë Nene juridike dhe kanë terminollogji të njëjtë. (vlera juridike e Nenit-7 është gjatësia e vijës bazë deri 24 milje detare.Vlera juridike e nenit-10 është sipërfaqja e hapësirës ujore detare e gjirit duhet të jetë më e madhe ose e barabartë me sipërfaqen e gjysmë rrethit me diametër gjatësinë e vijës përmbyllëse të gjirit. Gjatësia e vijës përmbyllëse nuk ka kufizim, psh.Gjiri Tarantos,në përcaktimin e vijës së kufirit detar të Shelfit Kontinental Itali-Greqi është mbi 60 milje detare).
Neni-7 dhe 10 kanë terminologji të njëjtë, pasi shërbejnë:Neni-7 korrekton
vijën e Ujërave territorial, ndërsa Neni-10 korrekton vijën e ZEE (SHK).
-Negociimi dhe hartimi i marrëveshjes është kryer në fshehtësi dhe në mungesë transparence.Qeveria nuk ka patur vullnet për të dhënë sqarime për të informuar më shumë mbi këtë marrëveshje.
8.-A duhet pranuar nga Shqipëria që Greqia t’i shtrijë ujërat territoriale të saj në 12 milje detare?
Së pari, –Shqipëria dhe Greqia, janë të dyja shtete-pale të konventës detare, për pasojë dispozitat ligjore e normat e konventës detare UNCLOS-82,janë dispoziata ligjore e norma për t’u zbatuar nga qeveritë përkatëse.
Së dyti,-Konventa detare përcakton se gjerësia e ujërave territoriale deri në 12 milje detare të matur nga Vija Bazë (Neni-3). Kjo është një e drejtë e shtetit bregdetar. Në rastin konkret e Greqisë.
Për dijeni, shteti shqiptar në ishullin e Sazanit, gjerësinë e ujerave territoriale e ka shtrirë në 12 milje detare.
Ata që shtrojnë një problem të tillë mendoj se e bëjnë nga mosnjohja e Neneve të konventës detare në trajtimin juridik e terminologjik të ishujve.
Dihet se Ishulli është tokë i rrethuar nga të gjitha anët me ujë deti.
Po i referohem konventës detare UT-58 dhe UNCLOS-82,se çfarë udhëzojnë për vlerësimin e kushteve të veçanta gjeografike të ishujve.
Në Nenin-10/2 dhe 121/2 të konventës detare(UT-58 dhe konventës UNCLOS-82) theksohet se nga pikëpamja juridike çdo ishull, pavarësisht madhësisë së tij e pozicionit gjeografik që ka, duhet të zotërojë Ujëra Territoriale të tij, por nëse gjendet mjaftueshëm pranë vijës bazë të bregdetit kontinental, mund të përfshihet brenda vijës bazë e cila do ndikojë në zgjerimin e ujërave territoriale të shtetit bregdetar si dhe ishulli do shërbejë si pikë referimi në marrëveshjen e kufirit detar të Shelfit Kontinental, me shtetin përballë ose përbri.
Për ta bërë më të qartë, po i referohem ishullit të Sazanit.
a.-Të pranojmë se ishulli Sazanit nuk ekziston. Atëherë Vija bazë do ishte “vija që bashkon kepin verior lumit Vjosa-kepi Gjyhëzës. Kufiri i ujërave territoriale 12 milje do shtrihet, nga vija bazë që bashkon l.Vjosë-k.Gjuhëzës.
b.-Ishulli Sazanit ndodhet ku është faktikisht. Ishulli ndodhet shumë pranë ose mjaftueshëm pranë vijës bazë kontinentale l.Vjosa -k.Gjuhëzës.Ishulli i Sazanit përmbush kriteret për t’u përfshirë brenda Vijës Bazë.
Duke e përfshirë brenda vijës bazë, ishulli ndikon drejt një zgjerimi në 12 milje të Ujërave Territoriale, nga ishulli i Sazant, në drejtim të detit të hapur si dhe do shërbejë si pikë referimi në përcaktimin e vijës së kufirit detar të ZEE(SHK).
Në marrëveshjen detare të shelfit kontinental Shqipëri-Itali, ishulli i Sazanit është përfshirë brenda vijës bazë, si dhe ka shërbyer si vijë referimi në përcaktimin e vijës së kufirit detar të ZEE(SHK).
Po analizoj kushtet e veçanta gjeografike në trajtimin e ishullit Otonoi dhe ishullit Erikouza.
Për dijeni, në marrëveshjen e detit -2009 Shqipëri-Greqi, ishulli Otonoi, Ishulli Erikouza dhe ishulli Korfuzit,janë përfshirë brenda Vijës Bazë.
Ishulli Otonoi ,duke u përfshirë brenda vijës bazë, përfiton ujëra territoriale të tij si dhe ka shërbyer si pikë referimi në përcaktimin e vijës së kufirit detar të ZEE(SHK).Në marrëveshjen e detit -2009, si pikë referimi janë marrë: Kepi-Gramës Shqipëri-Ishulli Otonoi Greqi.
Nga ky veprim i gabuar, shteti i Greqisë ka përfituar hapësirë ujore detare të ZEE ose fund deti të Shelfit kontinental.
Sipas konventës detare, brenda vijës bazë përfshihen ishujt që janë shumë pranë ose mjaftueshëm pranë vijës bazë bregdetit kontinental.
Meqënëse thuhet, shumë pranë ose mjaftueshëm pranë, duhet kuptuar një distancë më e vogël se mesatarja e gjerësisë së ujërave territoriale,ose
në distancën më pak se 6 milje detare. Kjo distancë matet nga vija bazë kontinentale e bregdetit të shtetit bregdetar.
Vija bazë kontinentale e bregdetit të Greqisë,e cila fillon në gjirin e Ftelias,nga Piramida III/79,ka drejtimin Juglindje deri në gjirin Patras.
Ishulli Otonoi ndodhet mbi 15 milje detare nga vija bazë kontinentale e bregdetit.(Pika III/79-ishulli Sidero mbi 4 milje; ishulli Korfuzit- ishulli
Otonoi mbi 11milje detare. Llogaritet hapësira ujore detare).
Ishulli Erikouza ndodhet në një distancë mbi 11 milje detare.
Ishulli Otonoi dhe ishulli Erikuoza, nuk mund të klasifikohen si ishuj shumë pranë ose mjaftushëm pranë vijës bazë kontinentale të bregdetit Greqisë.
Duke mos u përfshirë brenda vijës bazë nga pikëpamja juridike,ishulli Otonoi dhe ishulli Erikuoza pavarësisht madhësise që kanë,duhet të zotërojnë secili Ujëra Territoriale të tij, por nuk mund të shërbejnë si pikë referimi në përcaktimin e vijës së kufirit detar të ZEE (SHK).
Ishulli Korfuzit,i cili ndodhet shumë pranë vijës bazë kontinentale bregdetare përfshihet brenda vijës bazë, përfiton Ujëra Territoriale si dhe
shërben se pikë referimi së bashku me k.Gramës, në delimitimin e hapësirës ujore detare të ZEE(SHK)Shqipëri-Greqi.
9.-Nëse është gjiu i Sarandës, gji historik ?
Për ta bërë më të qartë problemin e gjirit historik, po trajtoj gjiret detare në përgjithësi.
Së pari, me Gji Gjeografik duhet kuptuar hapësirën ujore (oqeanike,detare ose liqenore) e futur në thellësi të tokës.(~ku 2/3 janë tokë e 1/3 ujë).
Konventa Detare UNCLOS-82 trajton:” Gji Juridik sipas Nenit-7;Gji Juridik sipas Nenit-10 dhe Gji Historik.
Për të kuptuar dallimin midis tyre, po i referohem gjirit të Tarantos, pasi ky gji i përmban:”gji Juridik sipas Nenit-7;gji Juridik sipas Nenit-10 si dhe
shpreh ekzistencën e termit gji historik.
1.-Gji Juridik,sipas Nenit-7 të konventës detarë.
Një ndër konceptet juridike të së drejtës së detit është edhe Vija Bazë.
Vija Bazë është vija e drejtë, që bashkon kepat me të dala të bregdetit në periudhën e zbaticës. Prandaj,konventa detare rekomandon që delimitimi i hapësirave ujore detare të kryhen në hartat detare që përdorin detaret në lundrim,pasi harta detare paraqet situatën bregdetare në periudhën e zbaticës.
Neni-7 përcakton se gjatësia e Vijës Bazë nuk duhet të jetë më e madhe se 24 milje detare.
Në gjirin e Tarantos, Vija e drejtë Bazë që bashkon kepin Santa maria di Leuka me kepin e Alicës, ka një gjatësi mbi 60 milje detare. Meqënëse, Neni-7 përcakton se ajo nuk duhet të jetë më e madhe se 24 milje detare,
detyrohemi ta ndërtojmë vijën bazë brenda gjirit Tarantos.
Bashkojmë kepat më të dalë brenda gjirit. Masim gjatësinë e çdo vijë bazë, ku secila duhet të ketë gjatësinë, jo më të madhe se 24 milje detare.
Hapësira ujore detare nga vija bazë në drejtim të tokës (bregut) janë ujërat e brendshme detare, ndërsa hapësira ujore detare nga vija baze në drejtim të (gjirit) detit, janë Ujërat Territoriale.
Sipas konventës detare, gjerësia e ujërave territoriale është 12 milje detare.
Nga Vija Bazë e ndërtuar brenda gjirit, (duke i u referuar Nenit-7/1) masim gjerësin 12 milje detare,e hedhim në çdo kep të vijës bazë. Shënojmë pikën.
Bashkimi pikave të shënuara, përcaktojnë vijën e kufirit detar të Ujërave Territoriale,e cila matet nga vija bazë dhe është me gjerësi 12 milje detare por shtrihet brenda gjirit të Tarantos.
Duke zbatuar kërkesën e Nenit-7,e cila përcakton se gjatësia e vijës bazë nuk duhet të jetë më e madhe se 24 milje detare, në zbatuam Ekitën (me vendos drejtësi- korrektuar),duke korrektuar gjatësinë e vijës bazë, nga 60 milje detare në gjatësinë, jo më të madhe se 24 milje detare. Me korrektimin e vijës bazë, korrektuam edhe gjerësinë e ujërave territoriale,duke e ndërtuar brenda gjirit të Tarantos dhe jo nga vija që bashkon dy kepat e hyrjes në gjirin e Tarantos.
Prandaj konventa detare Nenin-7,e konsideron Nën-Juridik, e cila shërben për korrektimin e Vijës Bazë, në përcaktimin kufirit detar të ujërave territoriale.(12+12=24 milje detare).Gjiri Tarantos,nga gji gjeografik mori vlera juridike në gji Juridik.
Shteti bregdetar, gëzon sovranitet mbi ujërat e brendshme detare dhe mbi ujërat territoriale.Anijet e huaja, hyrjen në ujërat e brendshme detare e bëjnë me lejen e shtetit bregdetar.
Anijet e huaja të çdo lloji edhe ushtarake (nëndetëset në gjendje të mbiujshme), lejohen të lundrojnë në ujërat territoriale sipas parimit:”në rrugën më të shkurtër dhe sa më shpejt”, duke zbatuar edhe kërkesat e kalimit paqësor të përcaktuara në konventën detare.
Ujërat detare përtej vijës së kufirit detar të Ujërave territoriale,konsiderohen ujëra ndërkombëtare,ku zbatohet parimi i lundrimit të lirë.
2.-Gji Historik.-E radhita të dytin,pasi gjiri historik është një perjashtim nga dispozitat ligjore e normat e konventës detare UNCLOS-82.
Konventa detare vetëm shpreh ekzistencën e termit “historik”,pasi përbën rast përjashtues të gjireve të konventës detare.
Në detin Mesdhe,jane shpallur dy gjire me emërtesë “Historik”.
Gjiri i Tarantos, nga Qeveria Italiane dhe Gjiri Sidrës nga qeveria e Libisë.
Kam mendimin se dy qeveritë i kanë emërtuar “Gji Historik” pasi i përgjigjen periudhës historike,”Lufta e Ftohtë” në hapësirën detare.
Gjiri i Tarantos,u kualifikua si gji Historik nga Parlamenti Italian me Dekretin Nr:816 Dt:26 prill 1977,me një Vijë Bazë 60 milje detare,nga Santa
Maria di Leuka tek kepi Alicës.
Më sipër theksuam se Vija Bazë nuk duhet të jetë më e madhe se 24 milje detare.Meqënëse,”gjiri Historik” është një rast përjashtues nga kërkesat e konventës detare, të dy gjiret aktualisht nuk njihen nga shtetet bregdetare.
DASH si dhe Mbretëria e Bashkuar e kanë kundërshtuar statusin e gjirit Historik të Tarantos qysh prej vitit 1984 e në vazhdimësi.
Sipas Qeverise Italiane, në shkurt 1982,nga Flota e Italisë në gjirin e Tarantos u zbulua një nëndetëse në gjendje të nënujshme me kombësi të pahjohur. Më vonë u identifikua si një nëndetëse ruse e tipit “Viktor”.
BRSS, në atë kohë nuk e mori përsipër hyrjen e nëndetëses në gjirin e Tarantos.Për dijeni:Nëndetësia “Viktor” është nëndetëse atomike, me destinacion për kryerjen e disa detyrave, midis tyre edhe të zbulimit.
Dislokimi-6900 ton.Gjatësia-107 metra.Thellesia e Zhytjes-400 metra.Shpejtësia nën ujë 30 nyje (ose 30 milje/në një orë).
Duke u nisur nga problemi i futjeve të nëndetëseve të huaja brenda gjirit të Tarantos, Qeveria Italiane,ka marrë përsipër riskun,duke e mbyllur gjirin e Tarantos me Vijë Bazë, kepi Santa Maria di leuca – kepi Alicesë.
Hapësira ujore detare, nga Vija Bazë (kepi Santa Maria-kepi Alicës) në brendësi të gjirit, konsiderohet ujëra të brendshme detare (UBD).Mbi këtë hapësirë ujore detare, shteti bregdetar gëzon sovranitet të plotë. Hyrja e anijeve të huaja (të çdo lloji),bëhet me leje të shtetit bregdetar.Me këtë veprim,i paralajmëron të gjitha anijet e huaja, përfshirë nëndetëset që hyrja në gjirin Tarantos, bëhet me lejen e qeverisë italiane.
Nga Vija Bazë në drejtim të detit të hapur, me gjerësi 12 milje detare Italia ka shtrirë Ujërat Territoriale.Vija e kufirit detar e Ujërave Territoriale është njëkohësisht edhe vija e kufirit shtetëror,mbi të cilën zoteron sovranitet të plotë. Në këtë hapësirë ujore detare (UT),anijet e huaja edhe anijet luftarake
(nëndetëset në gjendje të mbiujshme), gëzojnë të drejtën e kalimit paqësor, sipas parimit,”në rrugën më të shkurtër dhe sa më shpejt”.
Gjiu Sarandës nuk mund të shpallet gji historik.
Së pari.-Hapësira ujore detare është e kufizuar.
Së dyti.-Gjatësia e Vijës Bazë,kepi Qefalit-Kepi Mërtesës është brenda
kërkesave të konventës detare.
Së treti.-Gjiu Sarandës nuk i plotëson kërkesat e nenit-10,e cila është kërkesa kryesore për zbatimin e Ekitesë, për ZEE (SHK).
Kërkuesit,për ta emërtuar gjirin e Sarandes gji “Historik”,menduan se do mjaftonte emërtimi “Historik” për të zbatuar Ekitën përballë gjirit.
Mosnjohja e dispozitave ligjore, e normave të konventës detare,mosdija e përmbajtjes juridike të çdo neni të konventës detare,injoranca e plotë në zbatimin praktik të metodologjisë së rekomanduar nga konventa detare.
Gjiu Sidrës.-U shpall gji “Historik” nga Libia me Dekret,dt:10 Tetor 1973,e cila Vijën Bazë e shtrin në një gjatësi mbi 300 milje detare,nga qyteti-Bangazit deri në qytetin Misurata.
DASH menjëherë e kundërshtoi si një Akt që bie ndesh me konventën detare UNCLOS-82. Ne nuk e njohim dhe është i pazbatueshëm.
Në gushtin e vitit 1981,Aeroplanmbajtësja Amerikane “Nimits” po zhvillonte stërvitje fluturimi në rajonin e gjiut Sidrës.Sipas Tripolit,Aeroplanmbajtësja
me anijet e shoqërimit,gjendeshin në Ujërat e Brendshme Detare të Libisë
Meqënëse anijet nuk iu bindën kërkesës për daljen nga ujërat e brendshme detare, Tripoli e konsideroi incident dhe ngriti dy avionë për t’i paralajmëruar
për dalje nga ujërat e brendshme detare. Në rast moszbatimi, do sulmohen.
Nga Aeroplanmbajtësja u ngritën dy avionë F-16.
Kur avionët e Libisë kaluan në sulm të parët, iu përgjigjën dy avionët F-16 duke i asgjesuar menjëherë.
Gji juridik sipas Nenit-10.
Po i referohem marrëveshjes së detit Itali-Greqi në përcaktimin e vijës së kufirit detar të ZEE(SHK) midis dy shteteve.
Konventa Detare rekomandon: 1-“Në ndarjen e hapësirës ujore detare Itali-Greqi,të përdoret metoda e baraslargësisë nga kepat.
2.-Përballë gjireve që plotësojnë kërkesat e Nenit-10 të konventës detare, të zbatohet Ekitea (korrektuar-vendos drejtësi) në vijën e përcaktuar me metodën e baraslargësisë nga kepat. I tillë është gjiu Tarantos.
Përmbajtja e Nenit-10: Gjiret gjeografike,të cilët kalojnë testin e gjysmë rrethit klasifikohen gjire Juridik. Në kuptimin e UNCLOS-82 e thelluara duhet të plotësojë dy kushte:
a.-Hapësira ujore detare penetron në proporcion të tillë në gjerësinë e hyrjes së saj, sa të krijojë ujëra të mbyllura dhe një kurbe të qartë në tokë.
b.-Nëse hapësira e saj ujore është më e madhe se e një gjysmë rrethi, diametri i të cilit është vija e drejtë e cila bashkon hyrjen e të thelluarës. Për rastin tonë, kepi Santa Maria-kepi Koronne. Kjo vijë e drejtë, quhet vija përmbyllëse.Gjiu Tarantos i plotëson të dyja kushtet.
Kur përcaktuam vijën e kufirit të ZEE, në gjirin e Tarantos morën pjesë kepi-Koronne dhe kepi Santa Maria. Meqënëse,gjiu Tarantos i plotëson të dyja kushtet e Nenit-10,zbatojmë Ekitën. Për të zbatuar Ekitën duhet:
Bashkojmë kepin Koronne me kepin Santa Maria. Nga pika e fillimit te kepi Koronne, fillojmë nga kepi Koronna, të zbatojmë metodën e baraslargësisë nga kepat dhe vija përmbyllëse deri në kepin Santa Maria.Në këtë mënyrë zbatuam Ekitën(vendosëm drejtësi) duke korrektuar vijën e mëparshme të kufirit detar ZEE(SHK),përballë gjirit të Tarantos.
Nëse do shikoni grafikisht, marrëveshjen e detit Itali-Greqi për kufirin e ZEE (SHK), midis pikës 5 dhe 6 është zbatuar Ekitea, në zbatim të Nenit-10 të Konventës detare UNCLOS-82./gazeta dita/
*Beqir Gërbi ka qenë shef i shtabit të flotës detare të Shqipërisë (1981-1990) dhe kryetar i komisionit për përcaktimin e vijës së Shelfit Kontinental Shqipëri-Itali (1982-1990)